| E shtune, 01.05.2021, 07:00 PM |
Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap, përgjatë aksit rrugor Prishtinë-Besianë-gjurmët arkeologjike në fshatin Majac
Qazim NAMANI, Dr. Arkeologji/trashëgimi Kulturore
Emin SALLAHU, MA.
Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim i Turizmit
Instituti i Kosovës për
Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë
Abstrakt
Zhvillimi
i jetës urbane në luginën e Lumit Llap, gjatë periudhave të ndryshme historike,
pa dyshim se u diktua nga pozita gjeo-strategjike, toka bujqësore dhe pasuritë
minerale që i ka kjo zonë e Dardanisë qendrore.
Fortifikimet
e ndërtuara në krahun e majtë të rrugës Prishtinë-Besianë, pa dyshim se e
krijonin sistemin kontrollues mbrojtës në grykën e poshtme të Lumit Llap, apo
grykën malore prej Rrafshit të Llapit e deri në Rrafshin e Kosovës. Këto
fortifikime ishin të ngritura në kodrinat më strategjike të kësaj zone, duke
filluar që nga Quka në fshatin Barilevë, Kështjella në Lupçin e Poshtëm,
Gradishta dhe Kështjella në fshatin Majac, Gradishta dhe Shotori në fshatin
Llapashticë dhe Kështjella e Potokut. Të gjitha këto fortifikime kishin pamje
dhe komunikim të mirë me kështjellat tjera të afërta në anën e djathtë të Lumit
Llap.
Pozita
strategjike e këtyre fortifikimeve, pranë rrugës së njohur tregtare Via
Naissus-Lissus, e cila e përshkonte luginën e Lumit Llap, mendojmë se këto
kështjella të kësaj zone kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin
kulturor dhe ekonomik të qyteteve antike. Kjo trevë e pasur me minerale dhe
toka pjellore, fitojë rëndësi të veçantë pas pushtimit romak dhe zhvillimit
ekonomik të Vendenisit dhe Ulpianës.
Fortifikimet në anën e
majtë të Lumit Llap, përgjatë aksit rrugor Prishtinë-Besianë-gjurmët
arkeologjike në fshatin Majac
Nga
Dr. Qazim Namani & Ma. Emin Sallahu
Kështjellat
(Fortifikimet)
Në Kosovë ende nuk
është kryer ndonjë studim i detajuar në fushën e fortifikimeve. Për këtë arsye
studimet janë të pakta sidomos për ato
fortifikime në të cilat nuk vazhdoi jeta
deri në shekujt XVIII-XIX, periudhë kjo e fuqizimit të pashallëqeve të mëdha
shqiptare. Mendojmë se territori i Kosovës së sotme, bazuar edhe në të dhënat e
pakta që posedojmë, për nga stili dhe arkitektura e fortifikimeve, nuk qëndron
prapa vendeve tjera, por i përket
bashkësisë së thesarit kulturor të Gadishullit Ilirik.
Fortifikimet
ndërtoheshin në pika strategjike pranë rrugëve dhe luginave me tokë pjellore e
sidomos në trevat e pasura me minerale, siç janë ato të Dardanisë antike.
Fortifikimet më të
hershme në trevat ilire, njihen me emrin Gradishtë. Këto fortifikime zakonisht
ndërtoheshin në kodrina më të ulëta, dhe përfshirin sipërfaqe deri në 1.5 ha.
Në anët e këtyre vendbanimeve ku nuk kishte mbrojtje natyrore, kodrina
fortifikohej me ledhe që përbëhej nga përzierja e dheut, zhavorrit dhe gurit me
përmasa të vogla. Vendbanimet e tilla të mbrojtura me ledhe rrethuese, të
ndërtuara me gurë të thyer dhe përzier me dhe, quheshin “Gradina”, dhe
etimologjia e kësaj fjale është me origjina parahistorike.[1]
Vendbanimet e
grupit kulturor dardan nga shekulli VIII-IV, p. e. s, janë të tipit kodrinor,
të vendosura në kodra të ulëta, apo edhe maja të larta. Emërtimet më të
shpeshta që janë hasur në Kosovë, për këto vendbanime janë: Gradinë dhe
G(r)adishë. Veçoritë e përbashkëta të tyre janë vendosja në kodra, që i kanë
tri anë të thepisura, ndërsa në anën e kundërt, lidhen në trajtë shale me
kodrinat më të ulëta.[2]
Këto emërtime në
trevat ilirë vinë që nga periudhat e hershme parahistorike, që sipas disa
studiuesve e kanë kuptimin e thurjes së vendbanimit me ledhe dheu në formë të
gardhit.
Pranë këtyre
fortifikimeve në periudhat e mëvonshme historike u ndërtuan Kështjella në
kodrina më të larta dhe me sipërfaqe më të madhe.
Gjatë shekujve
V-IV para e. re, në fortifikimet që vazhduan të jetojnë nga periudha e parë e
hekurit, u zhvillua jeta qytetare.[3]
Nga burimet e autorëve antik Tit Livi përmend tri lloje të vendbanimeve të
fortifikuara, siç janë: Urbes, Oppida dhe Castella.[4]
Fortifikimet e
ndërtuara në krahun e majtë të rrugës Prishtinë-Besianë, pa dyshim se e
krijonin sistemin kontrollues mbrojtës
në grykën e poshtme të Lumit Llap, apo grykën malore prej Rrafshit të Llapit e
deri në Rrafshin e Kosovës. Këto fortifikime ishin të ngritura në kodrinat më
strategjike të kësaj zone, duke filluar që nga Quka në fshatin Barilevë,
Kështjella në Lupçin e Poshtëm, Gradishta dhe Kështjella në fshatin Majac,
Gradishta dhe Shotori në fshatin Llapashticë dhe Kështjella e Potokut. Të
gjitha këto fortifikime kishin pamje dhe komunikim të mirë me kështjellat tjera
të afërta në anën e djathtë të Lumit Llap, duke filluar nga quka në fshatin
Milec, Trudë, Besi, Tenezhdoll, Rimanishtë, Siqevë, Grashticë, Koliq e tutje,
që në tersi e formonin sistemin e fortifikimit në Dardaninë qendrore.
Pozita strategjike
e këtyre fortifikimeve, pranë rrugës së njohur tregtare Via Naissus-Lissus, e
cila e përshkonte luginën e Lumit Llap, në Dardaninë qendrore, mendojmë se këto
kështjella të kësaj zone kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin
kulturor dhe ekonomik të qyteteve në këtë trevë. Kjo trevë e pasur me minerale dhe toka
pjellore, fitojë rëndësi të veçantë pas pushtimit romak. Për rëndësinë e kësaj
rruge dëshmon edhe zbulimi i gurit milja, buzë Lumit Llap, në fshatin Lupç të
Poshtëm, rrëzë kështjellës dardane e antike në Kodrën e Kulinës.[5]
Lumi Llap i
rrethuar me toke pjellore, me tarracat avuliale ka lozur rol të rëndësishëm për
nismën dhe zhvillimin e jetës.[6]
Në shekullin e
VIII para erës sonë, ekzistonte një kulturë me tipare të krijuara, e cila tani
më është e sigurt se i përkiste kulturës dardane.[7]
Në këtë epokë
dardanët e njohën përpunimin e hekurit që nxirrej ne minierat e vendit. Kjo
kulturë e zhvilluar është zbuluar në vendbanimet kodrinore, dhe pika të
rëndësishme strategjike, duke e krijuar në këtë mënyrë një sistem vrojtues,
mbrojtës dhe sinjalizues të fortifikimeve mes veti.[8]
Zhvillimi i jetës
urbane në luginën e Lumit Llap, gjatë periudhave të ndryshme historike, pa
dyshim se u diktua nga pozita gjeo-strategjike, toka bujqësore dhe pasuritë
minerale që i ka kjo zonë e Dardanisë qendrore. Rritja e aktiviteteve ekonomike
në këtë trevë ndikoj dukshëm në zhvillimin urban të dy qyteteve antike
Vendenisit dhe Ulpianës, dhe u formua një rrjetë i gjerë rrugor me stacione
kontrolli.
Në trevën e Llapit
është zbuluar edhe një numër i konsiderueshëm i objekteve të cilat dëshmojnë
intensitetin e jetës gjatë periudhës romake, qendër e së cilës në këtë zonë
ishte Vendenisi antik.[9]
Zhvillimi ekonomik
i kësaj zone që u dëshmua me gjetje të shumta arkeologjike që nga periudha e
neolitit në Prishtinë, Dardhishtë, Berrnicë, Barilevë, Sibocë dhe Lupç të Poshtëm,
dhe më vonë, zhvillimi ekonomik i Mbretërisë së Dardanisë, po ashtu bazohej në
bujqësi, blegtori dhe zejtari. Prodhimet blegtorale, si dhe argjendi e ari
dardan, ishin bërë të njohura për shumë qytete bregdetare, te lindjes, Mesdheut
dhe Adriatikut, andaj këto prodhime dërgoheshin në këto vende përmes rrugës
Nishë-Lezhë.
Gjurmët e
kështjellave të identifikuara në këtë zonë, pasqyrojnë një veprimtari
ndërtimore të gjerë mbrojtëse në Dardani.
Duke u bazuar në
rezultatet e përnjohjes me karakter vrojtues dhe identifikues, janë
mbledhur mjaftë të dhëna për këtë zonë, por duke u bazuar në rëndësinë
ekonomike dhe strategjike, ende ka hapësirë që të identifikohen gjurmë të reja
të qytetërimit në këtë trevë.
Identifikimi i
kështjellave dhe përshkrimi i tyre, mundëson që të njihemi me sistemin e
fortifikimeve të Dardanisë në përgjithësi, andaj duhet të jetë prioritet i
studimeve tona në të ardhmen.
Me qenë se
hulumtimet arkeologjike dhe etnografike janë të pakta në trevën veri-lindore të
Kosovës së sotme, gjurmët kulturore që deri më sot kanë dal në pah, dëshmojnë
traditën e zhvillimit kulturor në këto anë, që nga periudhat e hershme
parahistorike. Dëshmitë materiale arkeologjike
të zbuluara deri me sot, flasin bindshëm se etnia dardane, ju ka mbijetuar
sundimeve të huaja gjatë shekujve, e cila vazhdon të jetoj edhe më tutje në
këto anë, si popullatë autoktone në trojet e veta etnike.
Siç e cekëm
burimet antike të shkruara për këtë pjesë të Dardanisë janë të pakta, andaj për
shumë çështje ne obligohemi të supozojmë
përmes ngritjes së hipotezave, që bazohen në kulturën materiale për ta dëshmuar
ruajtjen e vijueshmërisë të popullatës autoktone dardane deri në ditët e sotme
në Gadishullin Ilirik.
Mendojmë se në
këtë punim kemi kontribuar sado pak që ta plotësojmë boshllëkun për
identifikimin e fortifikimeve në këtë zonë.
Quka e Barilevës
Quka e Barilevës
është kodrina e fundit e vargmaleve të Albanikut, që bie nga ana e djathtë e
Lumit Llap, në Rrafshin e Kosovës.
Duke i pasur për
bazë zbulimet arkeologjike në “Arat e Kovaçve”, ku kemi hasur në zhvillim të
lartë të kulturës së neolitit, mund të pohojmë se në epokën e bronzit dhe të
hekurit, kur edhe filluan të ngritën vendbanime në kodrina, pranë këtij
vendbanimi rrafshinor të neolitit është bërë e banueshme edhe kjo kodrinë.
Quka e Barilevës, fotografuar nga ana
lindore
Kjo qukë ka një
pozitë shumë të rëndësishme strategjike për të vëzhguar lëvizjet nëpër rrugët
që vinin prej grykës së Llapit, dhe ato që vinin prej luginës së Lumit Ibër,
nëpër Vushtrri dhe shkonin në drejtim të rrafshit të Kosovës. Po ashtu përmes
kësaj kodrine dhe kalasë në Lupçin e Poshtëm, gjatë periudhës së antikitetit
përcilleshin të gjitha lëvizjet që kalonin nga gryka e Llapit në drejtim të
Kalasë së Samadregjës dhe Rrafshit të Kosovës.
Nga ana lindore
kjo kodrinë, kishte komunikim të mirë edhe me qukat e afërme në fshatrat Trudë,
Milec, Vranidoll dhe Besi.
Kalaja e Lupçit të Poshtëm
Kjo kodrinë
fortifikatë, është ngritur në kurorën e maleve, mbi qukën e Barilevës. Nga kjo
pikë vrojtuese mundësohej komunikim i mirë me sistemin e fortifikimeve që shkonin
në drejtim të Vushtrrisë dhe Trepçës, dhe njëkohësisht me të gjitha
fortifikimet e afërta pranë Prishtinës në malësinë e Galabit.
Deri më tani në
këtë kala, nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por bazuar në shkrimet e
arkeologës Edi Shukriut, dhe burimeve tjera në terren, mund të pohojmë se kemi
të bëjmë me një vendbanim të periudhës së antikitetit dhe mesjetës. Edi shkriu
shkruan se, Vendbanim të fortifikuar me jetë zgjatje deri në mesjetë e ndeshim
edhe kalanë që ndodhet në jug-perëndim të Lupçit të Poshtëm.[10]Pranë
kësaj kalaje kanë kaluar rrugë të vjetra që nga Vendenisi dhe fortifikimet e
kësaj ane shkonin në drejtim të Vushtrrisë.
Kalaja në Lupçin e Poshtëm
Gradina dhe Shotori në fshatin
Llapashticë
Në anën perëndimore
të fshatit Llapashticë, në njërën nga kodrinat, është ngritur Gradina e këtij
fshati. Në këtë lokalitet arkeologjik, deri më tani nuk janë bërë gërmime
arkeologjike, por në bazë të pozitës gjeografike, dhe zhvillimit të
vendbanimeve të periudhës së hekurit dhe antikitetit për rreth saj, mund të
supozojmë se kemi të bëjmë me një vendbanim kodrinor, të ngritur gjatë
Mbretërisë së Dardanisë në epokën e hekurit.
Jo shumë larg prej
Gradinës në anën veri-perëndimore, në një kodrinë më të lartë dominuese, është
Shotori në fshatin Llapashticë. Edhe ky vendbanim është pikë e rëndësishme
arkeologjike e strategjike, që nuk është hulumtuar në aspektin arkeologjik, por
të gjitha gjetjet e rastit dhe dëshmitë tjera, mundësojnë të besojmë se kemi të
bëjmë, me një kodrinë të fortifikuar gjatë periudhës së antikitetit dhe asaj
mesjetare. Me rëndësi është të përmendet edhe Quka e Kodralive, në fshatin
Llapashticë, për të cilën mendojmë se ishte pikë vrojtuese, pranë shatorit dhe
Gradinës së fshatit.
Për këto
fortifikime ka shkruar edhe Edi Shukriu, e cila thotë se sistemit të
fortifikatave të zonës së Llapit i kanë takuar edhe qytezat kodrinore në perëndim
të fshatit Llapashticë, në perëndim të Lupçit të Epërm dhe Kulina e
Tenezhdollit.[11] Në këtë rast kur
përmendet qyteza në perëndim të Lupçit të Epërm, mendojmë se kjo duhet të jete
Quka e Kodralive.
Foto 1. Shotori, Foto 2. Gradina në
fshatin Llapashticë
Nga kjo pikë
strategjike, shihet tërë rrafshi i Besianës, dhe ka komunikim me të gjitha
fortifikimet në jug-Lindje dhe Veri-lindje të Besianës. Vlen për ta cekur se
përveç pamjes dhe komunikimit me fortifikimet për rreth saj, kjo fortifikatë ka
komunikim edhe me kalatë e njohura në Malsinë e Galabit si: Qukën në Herticë,
Brainë, Shotorin në Kolliq, Kalanë e Kollçakut në Koliq, Kalanë në Balloc,
Sukat në Rimanishtë e tj.
Fortifikimet e fshatit Popovë
Në fshatin Popovë, është Kalaja e Potokut të cilës edhe
sot i vrehen muret rrethuese në kullës qendrore. Përveç Kalasë, si lokalitete dhe
toponime tjera që vlen të përmenden janë: Selishta në anën jug –lindore rrëzë
Kalasë në Potok, lokalitet i vjetër arkeologjikë Suka e Kodralive, që mendohet
të jetë një pikë vrojtuese e fortifikimeve në rrjedhën e Përroit të Kaçanollit,
Guri i Bardhë, Gurina e Kishës, Kodra e Kunovikut, Përroi i Ahishtës, Kodra e
Madhe, Gurina e Madhe dhe e Vogël, Rrahi i Mexhës, Ahishta e Pajës, Rrezja e
Thanës, Lugu i Kishës në lagjen Maçastena, Kisha nën Kalanë e Potokut, Pusi i
Shkumës, Rruga e Kaurrve që kalon pranë Selishtës dhe del në fshatin Vesekoc, komuna
e Vushtrrisë etj.
Pozita gjeo-strategjike e shtrirjes së fshatit, në një
luginë për gjatë rrjedhës së ujit, me ara dhe livadhe të pëlleshme, dhe me disa
mullinj e valavica, dëshmojnë se në Popovë, rrëzë këtyre kodrinave strategjike
me mbrojtje të mirë natyrore, kishte kushte shumë të volitshme për lulëzimin e
një qytetërimi të lashtë.
Duke u bazuar në konfiguracionin e terrenit, dhe gjurmëve
arkeologjike të zbuluara deri më tani, mund të pohojmë se në rrjedhën e
përroit, prej fshatit Lupcë të Poshtëm e deri te Kalaja e Potokut në fshatin
Popovë, kishte qytetërim të pandërprerë që nga epoka e gurit e deri në ditët e
sotme.
Kalaja e Potokut në Popovë
Kalaja e Potokut
është ngritur në shkrepat e thepisur të shkëmbinjve, duke u ngjitur nga fshati Popovë,
në anën e djathtë të prroit që bie prej fshatit Kaçanoll e derdhet në Lumin
Llap.
Qasja më e lehtë
në këtë kala është nga ana veri-lindore, ndërsa anët tjera kanë mbrojtje shumë
të mirë natyrore. Nga ana perëndimore kishte mbrojtje shumë të mirë natyrore,
nga kodrinat e larta të fshatit Vesekoc.
Kjo kala ka pamje
shumë të mirë dhe i kontrollonte të gjitha lëvizjet nga ana jugore, lindore dhe
veri-lindore. E ngritur në një kodrinë dukshëm më të lartë në veri të kalasë së
Majacit, këto dy kala kanë një distancë mes veti, përafërsisht 8 km në vijë
ajrore. Po ashtu kalaja e Potokut e cila shtrihet në veri-perëndim të Shatorit
në fshatin Llapashticë kanë një distancë përafërsisht prej rreth 5 km. Me
pozitën e saj strategjike kjo kala e luante rolin kryesor për komunikim dhe
sigurim të popullatës në rast rreziku në atë trevë.
Kalaja në Potok
Kështjella e
Potokut, ka dukshmëri të mirë edhe me Kulinën në fshatin Tenezhdoll dhe
fortifikimet tjera të largëta në Malësinë e Galabit.
Ky vendbanim i
fortifikuar, ka mbrojtje shumë të mirë, nga thyerja e terrenit, me shkrepa
gurësh deri te Prroi i Kaçanollit, që e pamundëson ecjen në drejtim të kalasë
nga kjo anë, andaj prej këtij përroi ishte e mundshme, dalja deri në kala vetëm
nga ana veriore dhe lindore.
Muret ballore të
kodrinës në anën perëndimore, duke filluar nga ana jug-lindore në Kerrshin e
Sokolit, janë aq të thepisura sa që krijojnë mbrojtje shumë të mirë natyrore.
Kjo vijë e përroit, përshkohet me disa ujëvara, me rrjedhje të shpejtë të ujit.
Për pjerrtësinë e shpateve të këtij prroi tregojnë edhe emërtimet për to si:
Kërrshi i Pelave, Kërrshi i Magarit (Gomarit) dhe Kërrshi i Sokolit. Nga
pozicionet tjera, dhe në citadel, vërehet se muret rrethuese të kalasë, janë të punuar me gurë të pa latuar dhe të
lidhur me llaç gëlqereje.
Në përroin e
Kaçanollit, pranë Selishtës dhe Kalasë
së Potokut, janë hasur gjurmë të përpunimit të metaleve dhe themelet e një
kishe. Themele të një kishe janë hasur edhe në lagjen Segashë pranë një rruge e
cila prej Segashe, shkonte në drejtim të Vushtrrisë, që popullata e këtyre
fshatrave e quajn “Rruga e Kaurrit”. Sigurisht këtë emër kjo rrugë e kishte
marr gjatë sundimit osman, nëpër të cilën më shumë lëvizte popullata dardane e
krishterë, që nuk ju nënshtrua pushtimit osman deri në fund të shekullit XIX.
Foto 1 dhe 2, pamja e kalasë nga ana
lindore, Foto 3 dhe 4 Themelet e citadelës së kalasë dhe lidhja me llaç
gëlqereje, Foto 5 dhe 6, Pamjet nga ana lindore dhe jug-lindore, duke zbritur nga
kalaja
Nga ana veriore
dhe veri-perëndimore, kjo kala kufizohet me kurorën e maleve dhe kodrinave të
fshatit Kaçanoll, Bajgorë, e Vesekocë, ku përmes pikave vrojtuese në këto
kodrina komunikonte me fortifikimet në drejtim të Vushtrrisë dhe Trepçës.
Siç shihet nga të
dhënat e regjistruara në terren për fortifikime, por edhe nga konfiguracioni i
terrenit që po prezantohen në këtë punim, mund të pohojmë se kjo kështjellë, e
futur thellë në zonat malore, në mes të Besianës, Trepçës dhe Vushtrrisë, ishte
njëra ndër kështjellat, më të mbrojtura në këtë zonë të Dardanisë.
Fshati Majac
Fshati Majac, është një vendbanim në komunën e Besianës, që shtrihet në anën e majtë të rrugës
Prishtinë- Besianë, me një distancë rreth 20 km prej Prishtinë, dhe rreth 15 km
prej Besianës.
Ky fshat me një
pozitë gjeografike shumë të mirë për jetesë shkrihet rrëzë maleve dhe kodrinave
të Albanikut (Kopaunikut të sotëm). Nëpër territorin e këtij fshati kalon Përroi
i Kaçanollit, i cili buron në kodrinat e larta të
fshatit Kaçandoll, dhe ka gjatësi prej 33 km deri te derdhja në lumin
Llap.[12]
Territori i fshatit ka formën e një lugine,
që në pjesën perëndimore dhe veriore rrethohet me kurora malesh mjaftë të
thepisura, ndërsa gjatë luginës së përroit,
kryesisht është tokë e rrafshët dhe shumë pjellore. Lartësia mbidetare
është prej 560 – 850 metra.[13]
Mikro toponimet në fshatin Majac
Toponimet janë
pjesë e rëndësishme që tregojnë të kaluarën historike, sociale, gjuhësore,
gjeografike, kulturore, të ruajtura që nga periudhat e hershme, e deri në ditët
e sotme, për një vendbanim apo trevë të caktuar. Mbledhja e toponimeve ka
rëndësi të madhe për studimin e një vendbanimi. Vëmendje të madhe duhet
kushtuar sidomos atyre gjeografike, sepse ato janë të dhëna për gjurmët e lashtësisë
së qytetërimit të një popullate, në një zonë të caktuar. Toponimet si gjurmë të
bartura brez pas brezi te popullata, që ka jetuar në një vendbanim, janë
dëshmitë e para për të hulumtuar gjurmët e civilizimit në atë trevë. Ndër
toponimet që e dëshmojnë autoktoninë e popullatës shqiptare në trevat dardane,
e të cilat i hasim edhe sot janë: Gradishta, Selishta, Kulina, Suka, Quka,
Kalaja, Hisari, Gomuri etj. Edhe pse disa nga këto toponime marrin trajta
gjuhësore, sipas sistemeve dhe perandorive që sundojnë gjatë në një trevë,
prapë se prapë ruajtja e kujtesës së popullatës për to, pa marrë parasysh
gjuhën zyrtare që është folur, dëshmojnë për autoktonin e popullatës në një
truall. Emërtimet për fortifikime që sot hasen në trevat shqiptare, që quhen kala
apo edhe Hisar janë të vonshme, dhe nuk e zbehin mendimin për autoktoninë e
popullatës dardane në këto treva. Duke i pasur parasysh këto të dhëna edhe pse
në fshatin Majac jetojnë disa lagje me fise të ndryshme, ruajtja e emërtimeve
që nga lashtësia për Gradishtë, Gomurë dhe Kala, tregojnë se në atë vendbanim,
që nga parahistoria jetoi dhe veproi popullata dardane.
Mikrotoponimet më të rëndësishme të
fshatit Majacë janë: Gradishta, Kalaja, Gomuri, Te Kisha, Livadhi i Abazit,
Lugu i Musës, Kërshi i Majacit te Lugu i Musës, Shpella te Kërrshi, Kisha te
Kërrshi, Roga e Malit, Lugu i Macës, Kulla ( te shtëpia e Fazli Ramës, ose
Mustafa i Talit), Klisyra, Gërdeçi, Lugu i Kroit, Lugu i Karazmanit, Lugu i
Madh, Lugu i Vogël, Lugu i Kovaçit, Roga e Ali Brahimit, Lugu i Shotave, Lugu i
Firit, Lugu i Lamës, Arat e Shkozës, Arat e Murrizit, Qestat, Gropat e
Majdenit, Mbi Rrahë, Lugu i Baltave, Lugu i Hysës, Udha e Ustahit, Lugu i
Kishës (në kufijte e fshatit Majac dhe Sollobajë), Lugu i Ramë Tahirit, Klisyra
e Maxhunit (Lupçi i epërm), Lugu i Livorës ( Lugu i Madhë), Lugu i Varreve,
Bregu i Lugut të Shotës, Lugu i Fierit, Lugu i Rragjagjisë, Lugu i Gjavelles (nxirrej gëlqerja), Lugu i Mahallës,Lugu i Llapashticës ( Nëpër këtë
luginë gjatë kohës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroata-Sllovene, kishte
filluar të ndërtohet rruga e cila prej fshatrave të Llapit shkonte në drejtim
të Trepçës, andaj edhe sot kjo rrugë quhet Rruga e Banovinës), Kodrina mbi Gërdec,
quhet Cikoli, nga kjo kodrinë shihet gati tërë Rrafshi i Kosovës, Gryka e Lezhnices, Te Kreksi i Delis, Te Qarri, Udhet e Kuqe, Te
Bukurdolli, Mullini i Lam Binakut, Te Kulla, Lugu i Kronit Gerdeç, Prroni i
Gjudes, etj.[14]
Gjurmët arkeologjike në fshatin Majac
Në fshatin
Majac gjatë aktiviteteve bujqësore dhe
ndërtimeve të objekteve, janë hasur gjurmë të lashta të qytetërimit. Gjatë
punëve te Arat e Rrahit, janë hasur tjegulla dhe tulla të rrënojave të një
vendbanimi te vjetër. Rrahinat gjenden në anën e majtë të Kodrës Gërrdeç,
ndërsa lugina në mes të Rrahinave dhe Gërdeçit quhet Klisyra. Te çeltaku i
Brahimit në Kodrën e Gërdeçit, pikërisht te Kroi i Lugut të Shahës, janë
zbuluar tuba të ujësjellësit të vjetër, që qonin ujin në drejtim të Arave të
Rrahut. Kodra e Gërdeçit, ku janë zbuluar tubat e ujësjellësit, është përballë
Kalasë dhe Gradinës, në anën e majtë të përroit, pranë Mullirit të Lamit.
Në fshatin Majac
si vendbanim strategjik, gjatë të gjitha kohërave, ishte edhe Lugu i
Karazmanit, nëpër të cilin kalonin ushtritë e ndryshme për të hyrë në këtë
fshat tregojnë fshatarët e moshuar.
Në qendër të
fshatit Majac, pikërisht në oborrin e Daut Berishës, në vitin 1974, gjatë hapjes së një pusi për ujë, në thellësi
prej rreth 3 m, janë hasur gjurmët e një vendbanimi të vjetër, por që kishte
pasur djegie të objekteve të banimit. Në këtë rast se bashku me gjurmët e
zjarrit, janë gjetur vegla pune nga metali dhe orendi të objektit të banimit.
Po ashtu në këtë lagje gjatë hapjes së një bodrumi të një objekti, në thellësi
prej rreth 1,5 m janë zbuluar themelet dhe muret e një objekti, të murosura me
gurë të mëdhenj. Struktura e gurëve ishte e ngjashme me gurët që edhe sot dalin
te vendi i quajtur Kërrshi i Majacit rrëfejnë banorët e fshatit.
Simbolet e kultit të diellit dhe të
plleshmërisë në varrezat e fshatit Majac
Njeriu
parahistorik njohu veten e tij, dhe natyrën me fenomenet e saj, nëpërmes
krahasimit të çdo objekti, veprimi apo dëgjimi që i shikonte dhe i dëgjonte. Pa
këtë analizë të ndryshimeve dhe ngjashmërive të botës për rreth, nuk do të
kishte pasur mundësi, të shfaqej tek parardhësit tanë, dukuria e të mënduarit.
Kjo gjuhë figurative, është zanafilla e krijimit të simboleve. Njeriu primitiv,
mësoi ta dalloj detajin, që jepte qartësisht karakteristikën thelbësore të
figurës, dhe njëkohësisht edhe të një ideje, që lidhej me vizatimin e figurës.[15]
Simboli solar i
kultit të diellit në formë të diskut
është paraqitja më e përhapur te të gjithë popujt e lashtë. Gjetja e këtij
simboli edhe në trojet tona, është dëshmi se ky simbol i kultit ishte mjaftë i
përhapur te fiset ilire, por edhe në trevat dardane.
Për përhapjen e
këtij simboli te ilirët ka shkruar edhe retori grek i shekullit të II, para
erës së re, pastaj Maksim Tiri, i cili shkruan se Peonët e adhurojnë diellin,
në trajtë të diskut të vogël të përforcuar në një shkop të gjatë.[16]
Dielli si simbol solar,
në lashtësi konsiderohej si zot jetëdhënës i dritës, që e shpërndan errësirën
dhe i shkrinë ngricat. Ky kult ashtu sikurse edhe hëna, janë mjaft të pranishme
te popujt ballkanik.[17]
Në varrezat e
fshatit Majac, ekziston një varr i vjetër, që nuk dihet vjetërsia e tij, por
banorët e fshatit e quajnë “Varri i Shenjtë”. Në këtë varrë qëndron
vertikalisht një obelisk me madhësi prej rreth 2 m mbi sipërfaqe të tokës.
Obelisku- Pamja e
obeliskut nga lartë, është në formë katrore, dhe kjo strukturë që gradualisht
shndërrohet në formë konike, me katër faqe, për të përfunduar me një majë
piramidale. Obeliskët, bëheshin me blloqe guri, të cilët egjiptianët e lashtë i
nxirrnin, duke gërmuar dhe i ngrinin në këmbë, përpara varreve dhe tempujve.
Disa prej tyre janë goxha të lartë. Më i madhi që ekziston deri sot e kësaj
dite, e që gjendet në një shesh të Romës, është 32 metra i lartë dhe
peshon rreth 455 tonë. Shumica e obeliskëve janë zbukuruar me hieroglifë. Këto
monumente në Egjipt bëheshin për të nderuar perëndinë e diellit (Ranë).
Mendohet se për formën e tyre kanë marrë për bazë formën e piramidave. Ata
përfaqësojnë rrezet e diellit që vijnë për të ngrohur dhe për ta ndriçuar
tokën.[18]
Në vitin 30 p.e.s,
Egjipti u bë provincë romake. Perandorë të ndryshëm romakë, dëshironin ta
zbukuronin kryeqytetin e tyre me monumente të famshme, kështu që prej Egjipti i
çuan në Romë rreth 50 obeliskë. Kjo dukuri u përsërit edhe në shekullin XIX,
kur pas pushtimit të Egjiptit, në vitin 1836 ushtria e Napoleon Bonapartës,
prej faltores së Luksorit, e mori njërin obelisk të mbuluar me hieroglifë dhe
foto shkrime, me peshë prej 250 tonelatash, dhe me gjatësi prej 23 metrash,
duke e bartur kaloi detin Mesdhe deri në Havar, qytet në veriperëndim të
Francës, pastaj nëpërmjet lumit Sena, lundroi drejt Parisit dhe u vendos në
sheshin Konkorde. [19]
Kjo dukuri e
bartjes së Obeliskëve, dëshmohet edhe në bazë të shkrimeve historike, ku thuhet se mbreti i
Egjiptit, Mehmet Ali Pasha, në vitin 1829 Francës ia kishte dhuruar dy
obeliskët e faltores së Luksorit, të cilët janë ngritur për nder të Ramzesit
II-të rreth vitit 1250 para erës sonë, mirëpo njëri prej tyre në vitin 1836
shkoi mu në vendin "Place de la Concorde" të Parisit.
Lavdia e
obeliskëve nuk është vetëm te skalitja e saj artistike, por edhe sepse kishin mbijetuar një kohë shumë të gjatë, duke
ruajtur me besnikëri artin dhe kulturën e lashtë egjiptiane.[20]
Në botë janë të njohur disa Obeliskë e njëri ndër ta
është edhe ai i Sessostrit I, në Eliopoli.[21]
Obelisku më i gjatë që është zbuluar, në njërën prej guroreve
më të famshme në Egjipt, është Obeliksi ‘i Papërfunduar’,[22]
më i gjatë se çdo obelisk i njohur ndonjëherë në histori. Obelisku i
papërfunduar është obelisku më i madh i njohur në lashtësi dhe ndodhet në
rajonin verior të guroreve të Egjiptit të lashtë në Aswan (Asuani).[23]
Në kohët bashkëkohore në disa vende të botës janë ngritur
edhe Obeliskë modern, e njëri ndër ta është
edhe obelisku
modern i ngritur në Uashington, SHBA.[24]
Përveç këtij obelisk në Botë janë të njohur edhe disa Obeliskë si: Obelisku në Sheshin e Shën Pjetrit, Qyteti i Vatikanit, Luxor Obelisk, Paris, Francë – Sheshi Concorde, Obelisku i Buenos Aires, Argjentinë, Obelisku Lateran, Romë, Itali, Gjilpëra e Kleopatrës, Neë York, Shtetet e Bashkuara, Obelisku i Luxor, Luxor, Egjipt, Heliopolis Obelisk, Kajro, Egjipt, Flaminio Obelisk, Romë, Itali, Obelisku i Aksumit, Etiopi, etj.[25]
Të ndalemi te “Varri i Shenjtë”
në fshatin Majac i cili është hasur të jetë shënjuar me një Obelisk. Me qenë se
deri me tani, nuk kemi njohur për zbulime të tilla në trevat dardane, është
vështirë për të arritur deri te një përfundim i saktë, se ky Obelisk është
importuar nga ndonjë vend tjetër, apo është prodhuar në guroret e njohura të këtij
fshati.
Duke u bazuar në gjurmët e
hershme të qytetërimit, që janë hasur në afërsi, ende pa u bërë gërmime
arkeologjike në këtë fshat, mund të pohojmë se Majaci është një vendbanim i
hershëm arkeologjik, që ruan thesare shumë të çmuara të kulturës së lashtë
dardane. Për të dhënë ndonjë supozim shkencor lidhur me këtë gjetje, mund të flasin
ekspertët e kësaj fushe, vetëm pas hulumtimeve arkeologjike në Gradinë dhe
Kështjellën e Majacit.
Shtyllat e gurta katërfaqëshe që quhen obeliskë, vijnë
duke u ngushtuar lart dhe përfundojnë me një majë në formë piramide. Mendohet
se Obelisku më i vjetër në botë, që është ndërtuar në kohët më të vjetra, për
tu përdorur si simbol kulti është rreth 4.000-vjeçar, por
edhe Obelisku më i ri që është
ndërtuar për këtë qëllim ka vjetërsi rreth 2.000-vjeçar. Bazuar nga këto burime
historike, se ky obeliskë sado i vogël, që ndodhet në varrezat e fshatit Majac,
është më i vjetër se fillet e krishterimit në vendin tonë.
Për Obeliskun në varrezat e fshatit Majac, mund të themi se nuk është i përmasave të
mëdha, nuk ka mbishkrime dhe ndonjë simbol të kultit, ka formën e Obeliskut,
vërehen gjurmët e gdhendjes së gurit në katër faqet e tij, dhe në maje
përfundon në formë piramidale. Bazuar në përbërjen dhe llojin e gurit të
gdhendur, me gurët te kërshi, mendojmë
se ku Obelisk është prodhim vendor, dhe na shtynë të mendojmë se fshati Majac
është lokalitet shumë i rëndësishëm arkeologjik, që ruan gjurmë të lashta të
qytetërimit dardan.
Gurë tjerë, të varrezave me
simbole të kultit, që janë hasur në kompleksin e një varreze të vogël familjare
në lagjen e Isufëve, në qendër të
fshatit, na bëjnë edhe më të bindur, se ky fshat ruan gjurmë shumë të lashta të
civilizimit, të cilat argumentojnë zhvillim të lartë ekonomik, social dhe
kulturor të popullatës dardane nëpër shekuj.
Është me rëndësi të
theksohet se, edhe në këtë kompleks të varrezave është hasur një gurë varri me
tre rrathë, që në besimin pagan e
simbolizojnë kultin e diellit.
Tre rrathët koncentrik, me një pikë në
mes, padyshim se paraqesin simbol solar të diellit, që lidhet me sjelljen e
këtij planet rreth boshtit të tij.
Për paraqitjen e këtij kulti në trojet
dardane ka shkruar edhe arkeologia Edi Shukriu e cila thotë: Dielli si kult
solar ishte më i rrallë në epokën e neolitit, ndërsa paraqitjet e këtij kulti
në objekte, fillon të dominoj që nga fillimi i epokës së metaleve, e më tej u
manifestua veçanërisht në kulturën e Vuçidollit.[26]
Kulti i diellit është hasur të përdoret
edhe tek dardanët. Ai është dëshmuar të haset, sidomos në objektet e zbuluara
të epokës së hekurit, dhe në arkitekturën e tumave.[27]
Me kultin solar të diellit, lidhen edhe
pjesët e skeptrit të zbuluara në tumën II në fshatin Llashticë, pastaj ky kult
haset edhe te monumenti i Perëndeshës të zbuluar në fshatin Smirë.[28]Disku solar i diellit
haset edhe te monedhat ilire te Peonët, dhe në monedhat e prera në qytetin e
Damastionit.[29]
Duke i pasur për bazë këto rezultate të
studimeve paraprake, mund të pohojmë se Obelisku dhe guri me tre rrathë
koncentrik në varrezat e fshatit Majac, e përforcojnë mendimin se dardanët
ishin adhurues të kultit të dellit, krahas popujve tjerë me kulturë të lartë të
civilizimit në lashtësi. Këto varreza janë në anën e djathtë të rrugës, rrëzë
Kodrës së Gradinës, rreth 100 m më
poshtë se kalaja e Majacit
Një guri tjetër i varrit me simbolin e
diellit, me një rreth është zbuluar në varrezat e Lagjes së Dushve, në fshatin
Lupç të Epërm. Këto varreza familjare po ashtu janë në anën e majtë të rrugës,
rreth 100 m mbi Kalanë e Majacit. Duke u bazuar edhe në këtë guri të varrit me
disk solar, mund të pohojmë se këta gurë janë sjellë, nga varrezat e lashta në
Gradinë apo Kala. Për gurët e varrezave në Lupç, një banorë i fshatit Majac
rrëfen si i kanë treguar të parët e tij, se këta gurë varresh nuk kanë qenë më
parë, por janë sjellë gjatë natës, dhe vetëm në mëngjes janë parë në ato varreza.
Sabit Dushi (1945), nga fshati Lupçë, tregoi se për lagjen e tyre, ky është një
guri i një varri të panjohur. Siç e vërejmë në këtë guri nuk është shkruar,
ndonjë emër i banorëve të fshatit që kanë vdekur
gjatë shekullit XX, si ka ndodhur në varrezat e afërta në fshatin Majac.
Në shikim të parë, vërehen gjurmë të
moçme të shkrimit në këtë guri, andaj mund të pohojmë se këta gurë i përkasin
një periudhe shumë të hershme, që janë marrë nga lokalitetet arkeologjike. Sipas
Sabit Dushit, është më rëndësi të ceket se rrëzë Kodrës Rrezja, është Lugu i
Kishës, ku deri vonë janë vërejtur gjurmët e themeleve të saj.
Në varrezat e fshatit Majac, është hasur
edhe një gurë tjetër, me simbolin e plleshmërisë trekëndëshin dhe Pemën e
Jetës.
Trekëndshi
si simbol i Vulvës- Trekandëshi luan rol të veçantë te besimet magjike te shumë
popujë të botës. Ky simbol është i përhapur që nga popujtë e lashte në Lindje
të Largët e deri te popujtë evropian. Si simbol ndeshet shumë shpesh edhe në
trevat dardane, duke filluar që nga koha e neolitit e deri në ditët e sotme.
Te
grekët e vjetër më trekëndësh e shprehnin vulven, por njëkohëshishtë
konsiderohej edhe si simbol hyjnor i plleshmërisë. Në simbolikën e krishterë,
trekëndëshi ishte shenjë e preferuar për
paraqitjen e syrit të zotit, dhe të shenjtës trini. Në trevat ilire ky simbol
paraqitet mjaftë shumë. Megjithat funksioni themelor i këtij simboli është që
grafikishtë ta paraqes të skematizuar organin gjenital të femrës shkruan Aleksander
Stipçeviqi.[30]
Nëse
e analizojmë me kujdesë, gurin e varrit që e ka Vulvën (Trekëndëshin) dhe Pemën
e Jetës, shohim se në degët e sipërme të pemës, figuron simboli i kryqit. Kjo
na shtynë të mendojmë se këta gurë të varrezave kanë vjetërsi mijëravjeqare.
Siç
shihet, në këtë kompleks të ri të varrezave familjare, janë hasur këta dy gurë
me simbole të lashta të kultit, por në bazë të shkrimit të emrave të
familjarëve, dhe vitit të vdekjes së tyre shihet se këta gurë, në këto varreza
janë vendosur që nga mesi i shekullit XX.
Nga
përvopja e përnjohjes së terrenit, ne kemi pas rastin që të hasim edhe raste
tjera, kur gurë varrësh nga varrezat e moqme, jane sjellur në varreza te reja,
dhe janë vendosur në varrezat e familjarve, pa pasur njohuri për simbolet dhe
shkrimet e lashta.
Madje
në një rast kemi hasur që gurin e varrit të një femre me mbishkrim osman, një
qytetar, e kishte sjellur, dhe vendosur te koka e babait të tij, që i kishte
vdekur në fund të shekuyllit XX. Duke e pasur parasysh këtë fakt, por edhe
ekzistimin e këtyre varrezave, rrëzë Kodrës së Gradinës, ne mendojmë se edhe
këta dy gurë në këtë vend, janë sjellur nga lokalitetet arkeologjike Gradina,
Kalaja, Gomuri, Livadhi i Abazit, apo ndonjë lokalitet tjetër për rreth.
Foto 1dhe 2, Simbolet e kultit në
varrezat e fshatit Majac dhe Foto 3 dhe 4Gurë varri në fshatin Lupç të Epërm
Është
me rëndësi të dihet se nga kjo lagje e Majacit, rruga që ndahet për të shkuar
në fshatin Lupç të Epërm, rreth 1 km, në anën e djathtë të kësaj rruge është
lokaliteti arkeologjikë te Livadhi i Abazit (Leshnica).
Pas
pushtimit të Kosovës nga Serbia, në lokalitetin arkeologjik te Livadhi i Abazit
ishin sjellur për të jetuar kolon sllavë. Pas vendosjes së kolonëve në këto
livadhe, të quajtura më parë Leshnicë, e morën emrin Lezhnica. Një familje kolonësh
ishte sjellur edhe në pjesën qëndrore të fshatit, dhe me këtë projekt qëllimi i
pushtetit serbë, ishte sllavizimi i
vendbanimeve shqiptare.
Është
po ashtu më rëndësi të ceket, se ruajtja e gjurmëvë të qytetrimit dhe
toponimeve në këto anë, jepin dëshmi të mjaftueshme, për të argumentuar
autoktoninë e popullatës arbërore-dardane që me mijëravite jetuan në këto anë.
Pas pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe 1912, edhe pse disa toponime muarën
kuptimin në gjuhët sllave, prap se prap popullata autoktone shqiptare, së
bashku me familjet shqiptare, që në këto fshatra pas krizës lindore 1878/79, u
vëndosën nga Sanxhaku i Nishit, e ruajtën me gjelozi kulturën materiale
dardane, dhe gjhurmët e vendbanimeve të fortifikuara në këtë zonë.
Në
popullin tonë ritet që kishin të bënin me kultin e bimësisë, si simbolikë të
pjellërisë ishin të shumta dhe kremtoheshin në çdo festë të rëndësishme
bujqësore e blektorale të ciklit vjetor.[31]
Kultura
është traditë që u zhvillua me shekuj, si praktik jete, si një ushqim social e
që e drejton jetën ekonomike të njerzimit. Në shoqërinë tradicionale, të
popujve pa shkrim, drejtimin e dijës dhe mënyrës së jetesës, burimeve
ekonomike, jetës shpirtrore, krijimtarinë artistike, teknike i ka në zotërin
etnokultura.[32]
Kultura
popullore përbën një sistem vlerash, të formuara dhe zhvilluara historikisht në
lidhje të ngushtë me jetën e një bashkësie etnike.[33]
Me
lisin e skalitur në këtë gurë varri në fshatin Majac, kuptojmë motivin e
paraqitur që ka lidhje të tërthortë me zhvillimin e familjes apo fisit, gjatë
etapave të ndryshme historike. Motivi i skalitjës në gurë të pemës, jo
gjithëmon përkon me pemë, por aty paraqitet një shprehje artistike, që nga
lashtësia e mori emrin “Pema e Jetës”, duke e kuptuar me këtë një figurë të
mbarësisë dhe zhvillimit të një familje apo etnie. Këto shprehje të motiveve të
lashta e ruajnë të gjallë simbolikës e mbijetesës së një populli.
Në
shumë vizatime të paraqituara në shkembinjë, mure të objekteve të banimit,
amuleta dhe gjetjeve tjera arkeologjike, të zbulkuara në trojet dardane haset
trekendëshi (Vulva), si simbol i plleshmërisë, andaj kjo dëshmon kulturë të
lashtë të zhvillimit në vendin tonë.
Gradina e Majacit
Gradina e Majacit,
është ndërtuar në kurrizin e një kodrine të vogël, që ngrihej buzë rrjedhës së prroit
që vjen prej fshatit Kaçanoll, dhe kalon nëpër fshatin Majac, pranë Gradinës
dhe kalasë e derdhet në Lumin Llap. Banorët e fshatit këtë kodrinë e njohin me
emër Gradina. Sipas të gjitha gjasave, në këtë lokalitet ishte ngritur, një
vendbanim dardan i fortifikuar, që nga epoka e bronzit, dhe bënë pjesë në
grupin e fortifikimeve me ledhe, që në ato kohë ndërtoheshin në trevat ilire.
Gradina ishte ndërtuar në anën veriore të fshatit, rrëzë kodrinave të thepisura
që ngriheshin në anën veriore, perëndimore dhe jugore. Në anën lindore, kjo
kodrinë, kishte pamje të hapur në drejtim të fshatit Majac dhe Lupçit të Poshtëm.
Brenda kësaj zone
të fortifikimit edhe sot vërehen strukturat e ndërtimit të ledheve, të cilat
ndërtoheshin, duke e rrethuar vendbanimin me gurë të imët, dhe të përziera me
dhe. Këto vendbanime ndërtoheshin pranë tokave pjellore, dhe përdoreshin për tu
strehuar në raste kur popullatës vendore i kanosej rreziku, nga dyndjet e
fiseve tjera.
Foto: Pamje ajrore e Gradinës dhe
Kalasë dhe foto e kalasë, prej anës jugore të Gradinës
Kështjella e Majacit
Kështjella e Majacit është ndërtuar në kreshtat shkëmbore në kodrinën e parë që ngrihet në veri
të Gradinës, në kufi me fshatin Lupçi i
Epërm. Kalanë dhe Gradinën
i ndanë vetëm një përrua i vogël. Bazuar në vizitën e parë që e kemi bërë në këtë fortifikim mund të cekim
se muret rrethuese janë ndërtuar me gurë të pa përpunuar, e të cilët janë
lidhur me llaç gëlqeror. Në këtë kështjellë deri më tani nuk janë kryer gërmime
arkeologjike, për të nxjerrë në pah vlerat e saj kulturore dhe historike.
Kjo kala me tri
teraca, brenda mureve rrethuese ka një sipërfaqe mjaftë të madhe, dhe muret
rrethuese të kalasë bien mjaftë poshtë,
në shpatin e kodrinës në anën jugore e lindore të saj. Kalaja ka një
qasje më të lehtë nga ana veri lindore , kurse nga të gjitha anët tjera terreni
ka një pjerrtësi mjaftë të madhe. Në hyrje të kalasë kemi vërejtur dy hendeqe
të punuara me ledhe dheu para se të shkohet në kullën qendrore. Kjo teknikë e
punimit lenë përshtypjen se kemi të bëjmë me një fortifikim urban mjaftë shumë
të zhvilluar gjatë kohës së antikitetit. Ana lindore e kalasë kufizohet me
Gradinën dhe nga citadela ka pamje shumë të mirë me fortifikimet tjera rreth
saj. Në anën veri-lindore të kalasë është Gomuri ( Kodër Varre) që mendohet se
janë varrezat e lashta të popullatës që dikur jetuan në Gradinë dhe Kala.
Në citadelën të
kalasë vërehen trajta të mureve rrethuese, ndërsa muri i jashtëm rrethues i
kalasë, nga ana jug-lindore është zbuluar në vitin 1999, nga banorët e lagjes
së sipërme të fshatit të cilët edhe sot jetojnë rrëzë kodrinës së kalasë nga
ana jug-lindore. Banorët e kësaj lagjeje, duke e ndërtuar një strehimore për
familjet e tyre, gjatë luftës 1998/99, kur Serbia i sulmonte vendbanimet
shqiptare, hasën në murin rrethues të kështjellës. Pas marrjes së kësaj
informate ne e vizituan këtë vendstrehim dhe aty vërejtëm se kemi të bëjmë m
murin rrethues të fortifikimit. Muri kishte një trashësi rreth 2 m, dhe
vazhdonte në pjerrtësi të kodrës diku afër 100 m nga muret rrethuese të
citadelës. Ne hasëm copëza të qeramikës, dhe murin e punuar me gurë të rëndomtë
dhe të lidhur me harason. Nga përshtypjet e para ne mendojmë se kemi të bëjmë
me një vendbanim të fortifikuar urban, mjaftë të madh të ndërtuar gjatë
sundimit romak.
Kjo kështjellë nga
ana lindore ka pamje shumë të mirë me Kalanë e Tenezhdollit, Sukën e
Rimanishtës, Shatorin në fshatin Koliq, nga ana veri-lindore ka pamje me
shatorin në fshatin Llapashticë, nga ana perëndimore mbi këtë kështjellë është
ngritur kështjella tjetër në Potok e cila po ashtu ka një hapësirë mjaftë të
madhe brenda mureve të citadelës dhe mendohet se është fortifikata më e madhe
dhe më e rëndësishme në atë zonë të trevave dardane. Në anën jugore përmes
kodrinave të thepisura dhe kalasë në Lupçin e poshtëm, kalaja e Majacit ka
komunikuar mjaftë mirë me Kalanë e Samadregjës, Barilevës dhe fortifikimet
tjera që ishin ngritur në zonën e Vushtrrisë dhe Trepçës.
Foto 1. Pamja ajrore e
kalasë, Foto 2. Gjurmë të themeleve në citadel, Foto 3. Themelet e mureve
rrethuese të zbuluara në vitin 1999 dhe Foto 4. Fotografuar nga ana lindore
Ngritja e kësaj
fortifikate në anën veriore nga Kështjella e Tenezhdollit pa dyshim se kishte
karakter strategjik mbrojtës të popullatës që banonte në këtë lokalitet andaj
është me interes shkencor që në këtë vendbanim të bëhen hulumtime arkeologjike,
për ta zbardhur rëndësinë historike e kulturore të fortifikimeve në trevën e
Dardanisë.
Në Kështjellën e Tenezhdollit e cila ka një largësi prej rreth 10 km, janë bërë hulumtime, ku janë zbuluar artefakte të hershme historike. Kështjella e Tenezhdollit është ngritur në kodrinën në anën e djathtë të aksit rrugorë Prishtinë-Besiane dhe të Lumit Llap. Pranë kësaj kështjelle kalonte edhe rruga e vjetër e antikitetit Nish-Lezhë. Kjo Kështjellë ka pozitë të mirë gjeografike dhe lartësinë mbidetare 670 - 685 m,[34] me shikueshmëri shumë të mirë me Kështjellën e Majacit dhe kështjellat tjera për rreth saj.
[1]
Hysen Kacillari, Toponimia e Devollit-Bashkudhëtar i origjinës historisë dhe gjuhës shqipe,
Qendra Kombëtare “Rrënjët Tona”, kuvend ndërkombëtar, Vazhdimësia
Historiko-Gjuhësore dhe Etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçare, Libri i
Referateve 1, Tiranë 2019, fq. 287
[2] Edi
Shukriu, Dardania Para Urbane, Pejë, 1996, fq. 30
[3]
Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet fortifikime
në Shqipëri”, Tiranë 1981, fq. 5
[4] Zef
Mirëdita, “Studime Dardane”,
Prishtinë, 1979, fq. 112
[5]
Fatmir Peja, Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit, Prishtinë, 1995,
fq, 69
[6] Edi
Shukriu, Kultura material e regjionit të Llapit, Gjurmime Albanologjike,
Prishtinë, 1990, fq. 8
[7] Po
aty, fq. 11
[8] Po
aty, fq. 11
[9] Po aty, fq. 14
[10][10] Po aty, fq. 15
[11] Po aty, fq. 11
[13] https://sq.wikipedia.org/wiki/Majaca, https://gyaanipedia.fandom.com/wiki/Fshati_Majac, https://sq.shops-net.com/99044/1/majaca.html
[14]
Burime nga banorët, gjatë vizitës në fshatin Majac, me
datën 29. 11. 2009. Persona kontaktues Daut Berisha
(1943), Brahim
Krasniqi dhe Xhafer Isufi
[15]
Fatbardha Demi, Selenizmi-Besimi që e sundon Botën, Tiranë, 2016, fq. 31
[16]
Aleksandër Stipçeviç, Ilirët Historia Jeta Kultura dhe simbolet e kultit,
Prishtinë, 1990, fq. 290
[17]
Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, Tiranë, 1991, fq. 62
[18] https://www.jw.org/sq/bibliotek%C3%AB/revista/g200704/Nga-Egjipti-n%C3%AB-qytete-rreth-bot%C3%ABs/
[20] Po aty
[21]
Fatbardha Demi, Selenizmi- Besimi që sundon Botën, Tiranë, 2016, fq. 164
[26] Edi
Shukriu, Instituti I Historisë, Kosova, Perëndesha dardane-Ikonografia e
monumenteve, Simbolet dhe
funksionet,
Prishtinë, 2004, fq. 19, https://www.academia.edu/1787800/Dea_Dardane_-_Ikonografia_dhe_funksionet_2004,
[27] Po
aty, fq.20
[28] Po
aty, fq.20
[29] Po aty, fq. 20
[30]
Aleksandër Stipçeviqi; Ilirët, Historia, Jeta, Kultura, Simbolet e Kultit,
Prishtinë, 1990, fq. 366
[31]
Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptar, Tiranë, 2004, fq.288
[32]
Mark Tirta, Etnologjia Shqiptare, Tiranë, 2003, fq.23
[33] Po aty, fq. 24
[34]
Haxhi Mehmetaj, Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit, Prishtinë,
1995, fq. 61