| E enjte, 29.04.2021, 09:13 PM |
Së shpejti Shtëpia botuese “Lena Graphic” do të botojë librin e ri të autorit shqiptarë të Kosovës Gjon Keka , mbi gjeniun dhe inxhinierin e matematicientit austriak me prejardhje arbërore i cili e projektoi Hekurudhën e Semmeringut.
Libri
titullohet :Karl Ghega (Gjeniu arbëror, që me veprën e tij të guximshme
dhe madhështore të Hekurudhës Semmernig e bëri krenare Austrinë), Botues
:Lena Graphic,Prishtinë.
Libra i lushtohet këtij gjeniu arbëror që la gjurmë pavdekshme në
jetën dhe veprën e tij, si një shkencëtar i papërsëritshëm.
Vlerësimi për
veprën e autorit nga prof. Prend Buzhala:
Kur sot shohim anembanë botës rrjete të panumërta hekurudhore, se si lidhen
qytete, vende, shtete, madje edhe kontinente, pakkujt do t’i shkonte në mend që
nismëtar e zbulues i rrjeteve të tilla ndërlidhëse është një arbëror, Karl Gega
apo Karl Ghega, siç e shënon autori Gjon Keka. Kësisoj, libri “Karl Ritter von
Ghega – gjeniu arbëror që me veprën e tij të guximshme dhe madhështore të
Hekurudhës Semmernig e bëri krenare Austrinë”, i jepet edhe lexuesit shqiptar
me qëllime të shumëfishta: për ta njohur edhe një figurë tjetër nga poleni ynë
që ka bërë emër në botë; që te thesari i gjenive botërore kemi edhe emrat tanë;
që e kemi hisen tonë të krenarisë te jeta, vepra dhe emri i tij. Ka mjaftuar ta
nisë një zbulim epokal, për ta vënë në lëvizje rrotën e zhvillimit të
historisë, për të arritur sot te trenat që lëvizin me rrymë elektrike apo deri
te hekurudhat nëntokësore; ka mjaftuar që të projektohen tunele që shpojnë
malet, dhe t’i jepet ky model botës për t’i shkurtuar rrugët, për t’i lidhur
fushat e brigjet, për t’i kapërcyer lumenjtë e rrëpirat, bjeshkët e detet.
Kur sot shihet ky zhvillim dinamik planetar, nuk është e habitshme se përse
gazetari i shquar amerikan John Moody do të thoshte: “Shtetet e Bashkuara, siç
i njohim ne sot, janë kryesisht rezultat i shpikjeve mekanike dhe, veçanërisht
i makinerive bujqësore dhe hekurudhave”.
Edhe vetë Karl Gega kishte qenë në ShBA. Këtë fakt Gjon Keka e evidenton
kështu: “Ai me ide-projektet e me talentin e madhe që mbante ndër vete, i bëri
jo vetëm austriakët ta përvetësojnë, por u admirua edhe nga kombet e tjera
europiane; po ashtu edhe deri në Amerikën e largët të asaj kohe. Në fakt,
ide-projektet e Karl Ghega-s u bënë ura e lidhjes së popujve të Europës me
botën”.
Disa fjalë nga
autori Gjon Keka rreth veprës së tij:
Si në të gjitha shkrimet e mia, edhe në këtë libër detyra që unë i
kam vënë vetes konsiston në këto çështje; nxjerrja në dritë e rrënjëve të
kombit tim iliro-arbëror dhe ringjallja e figurave historike e personaliteteve
të mëdha që dolën nga gjiri i kombit tonë apo që ishin me prejardhje nga gjaku ynë
fisnor arbëror e që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe veprën e tyre,
sikurse bëhet fjalë edhe për dr. Karl Ghega. Të ringjallësh veprën e këtij
inxhinieri të shquar me famë botërore, të këtij arkitekti të talentuar e
gjenial, është t’i bësh homazh jo vetëm emrit dhe prejardhjes së tij, prej nga
ai edhe vjen, pra prej gjakut tonë arbëror, por të lartësosh edhe dijet,
virtytet dhe talentet e njerëzve tanë të të njëjtit gjak, të lartësosh emrin
shqiptar. E gjithë kjo është nder, frymëzim dhe shpresë për brezat tanë
arbërorë kudo ku ndodhen nëpër botë. Udha e dijes nuk është e lehtë, ajo kalon
mes shumë peripecish, vuajtjesh dhe plot sfidash e pengesash. Mbi të gjitha,
arritjet në fusha të rëndësishme të jetës, shpikjet tekniko-shkencore, sukseset
dhe idetë e pavdekshme që janë për të mirën e përgjithshme të njerëzimit dhe të
civilizimit të tyre, kërkojnë forcë të lartë morale, dije të thella, dashuri të
madhe për njeriun dhe shumë sakrifica. Sigurisht që Austria e vlerësoi shumë
dr. Karl Ghegën tonë, i dha atij tituj nderi e çmime, e njeh dhe e nderon edhe
sot kudo, por qëllimi im është që edhe ne, pasardhësit e kombit të tij, ta
njohim atë, ta nderojmë, ta vlerësojmë dhe t’i bëjmë një vend të denjë nderi,
për ta njohur, adhuruar dhe krenuar brezat në vijim. Së pari, një vlerësim i
denjë do të ishte sikur autoritetet vendore një ditë t’i ndërtojnë një bust në
kryeqytetet Prishtinë apo Tiranë, si dhe emri i këtij gjeniu të shkencave
teknike të nderonte emërtimin e ndonjë universiteti apo instituti të fushës ku
ai dha aq shumë dije e shkencë.
Librin brenda
disa ditëve do të mund ta gjeni në libraritë në Prishtinë : Libraria Dukagjini
dhe Libraria Artini-Toena si dhe në Tiranë në Librarinë Bukinist