| E merkure, 28.04.2021, 08:40 PM |
Një
mik i ri për lexuesit
Mbi
librin “Unë e vrava Verën” nga Alma Ibi Zekollari
Përsëri
për Almën
Nga
Armela Hysi
“...Nën skeletin e
thatë të mirësjelljes, zgjata dorën. Dëbora u step e trembur nën këmbët tona.
Drita e saj u rrek të çelte kujtime e kujtime në hapësirën që lidhte dy sytë...” Me këto fjali të një pasazhi të shkurtër
shkëputur nga tregimi “Gjurmë në dëborë”, prezantohet që në faqen e parë
autorja Alma Ibi Zekollari në vëllimin e saj me tregime “Unë e vrava Verën”. Ky
libër i parë i sajqë vjen nën korrektimin letrar të Eriketa Kollçaku Qorlazja
dhe redaktimin për shtyp të krijuesit Nase Jani, sapo është botuar në mënyrë
digjitale dhe mund ta gjejmë në adresat elektronike https://www.smashwords.com/books/view/1067951 dhe https://issuhub.com/view/index/32922.
Kështu, lexuesi që prej janarit të këtij viti ka mundësi ta shijojë dhe të
njihet mirësisht me një prozë të kompletuar dhe përcjellëse.
Për Alma Ibi Zekollarin kam shkruar edhe herë të tjera.
Në radhët e mëparshme për një tjetër pasion të saj, vërtet mahnitës e të
admirueshëm në sytë e mi, të regjizimit dhe krijimit të filmave. Edhe për
çmimet e dallimet në këtë fushë. Disa nga shkrimet e saj janë përzgjedhur si
lëndë bazë, pra si ide e skenarë për përpjekjet e saj të para e të suksesshme
kinematografike. Prandaj nuk kisha sesi të mos ndalesha edhe tek ky detaj dhe
hap i ri në jetën artistike të Almës, madje, duke qenë se njihemi personalisht,
përherë e kam nxitur dhe dëshiruar botimin e një libri të tillë nga ana e saj.
Është, pra, edhe për mua një pritje që bëhet realitet.
Është e njohur se, kushdo që dëshiron të jetojë më shumë
se një jetë nuk ka veçse t’i falet sa më shpesh që të jetë e mundur librave dhe
eksperiencave të tyre mbresëlënëse. Kështu lexuesi – kur librat e heronjtë e
tyre përkatës nuk mënojnë të jenë “bujarë” e të arritur, sigurisht – tek i
jepen brenda disa faqeve emocione, perceptime, ide, ndjenja e përvoja, do mund
t’i veshë e t’i shijojë të gjitha këto si të tijat. Të lidhet e të provojë me
to të njëjtat çaste jetike, të krijojë kujtime të pasqyruara duke paralelizuar
me të tjerat të vetat, e së fundi të hulumtojë vetë jetën siç i përket
ekzistencës. Jetën e tij, jetën e shoqërisë për të cilën interesohet, jetën si
aspekt dhe jetën si realitet. Ndaj, vuajtja a lumturia e personazheve,
njohuritë që shpërndajnë dhe botëkuptimi bëhet falë një libri, një jetë e tërë
shtesë e dhuruar për të mbetur brenda shpirtit, brenda ndërgjegjes, brenda
kujtesës, ashtu siç mbeten tonat eksperienca vitale. Me librin e Almës “Unë e
vrava Verën” kalova edhe unë si lexuese pasditet e dy ditëve të fundit. Ndonëse
letërsia e Almës nuk më është krejt e panjohur (siç sipërpërmenda, mjaft nga
rreshtat e librit në fjalë, të hasura tek-tuk në shtypin shqiptar të Greqisë, i
kam shijuar edhe më herët), ndonëse arrita ta përfundoj librin që në pasditen e
parë, (falë gjuhës së rrjedhshme e të zgjedhur që krijon një lexim të qetë dhe
dëshirën e ngrohtë të kërshërisë për të mos iu larguar çdo tregimi faqe pas
faqeje deri në fund) e rilexova edhe ditën e dytë me kënaqësi, duke e përvijuar
këndshëm sërithi. Kryesisht, ngaqë si lexues arrin të krijosh një lidhje
simpatie të sinqertë me tërë rrëfimet, (shumica e tregimevejanë të mbështetur
me art në mënyrën e rrëfimit në vetën e parë)
ata vijnë të ngrohtë e përshkrues e arrin t’i mbash mend gjatë. Ndaj,
teksa zura ta shikoj për të dytën herë, nuk ishte më kërshëria, padyshim, por
mënyra e kthjellët e krijimit të lidhjes me lexuesit, e përshkrimeve të
përjetimeve, detajeve të gdhendura që dëftojnë qartë se prozat, megjithëse jo
të thurura tani vonë, janë shkruar nga një person me talent dhe me sy
individual krijues, me gjuhë e stil, freskia e të cilit ballafaqohet pareshtur
me temat. Kanë estetikë e përqasjen e
letërsisë që do të pëlqehet në çdo aspekt letraro-artistikapo struktural.
Ndërtimi i fjalive larmon, por patroni i mënyrës ruhet përgjatë tërë tekstit
duke dëshmuar stil dhe jo rastësi përdorimi. Dëftojnë,gjithashtu, se syri
estetik i autores dhe tërë formulimi krijues i saj ka tabanin e një lëvrimi që
i qëndron kohës, i reziston firos artistike pa humbje dhe pa mangësi edhe kur
reagimet e saj krijuese i përkasin një a dy dekadave më parë, e diku diç më
tepër. Ai vjen i vërtetë, i prekshëm dhe statik. Gjallon i perceptuar, jo në mënyrë të
përciptë e kalimtare, por si një stacion që të mban edhe ty si lexues ta shikosh
me bindje e përvijosh personalisht. Të
ndjesh se ajo që lexon mund të jetë një nga ngjarjet që po ndodh tani,
në çastin e koordinatën ku jemi, si një pasazh i shkëputur nga një ngjarje
reale përballë nesh, brenda kontureve sociale me të cilat ndeshemi çdo ditë,
ose dhe brenda nesh, personazhe të vetë jetës sonë. Alma ka një vizion të qartë
për atë që do të shkruajë, kjo e bën prozën e saj të jetë një skelë e ngritur
për t’u mbështetur e bazuar si një shkallare ndihmëse rikonstruktimi, qoftë
edhe rifreskimi të marrëdhënieve me veten, me jetën, me romancën e pakuptimtë
të ndrydhjes, apo me botën e qashtër të dashurisë. Dhe e gjithë kjo në mënyrë
konçize e të kursyer. Proza e Zekollarit të jepet aq sa dhe si duhet,
përshkruan me intuitë perfekte dhe siguri joshëse aq detaje sa e bëjnë rrëfimin
të bollshëm e të kuptueshëm, por dhe të shpejtë e tërheqës. Ajo lejon që të
marrësh pjesë si lexues brenda prozës, duke të munguar enkas një përzgjatje
planimetrike e cila do rrezikonte ta bënte të dilte nga kornizat e një tregimi
të arrirë, si një argument i lënë në tryezë pasi sapo ka përfunduar, me
indiferencë ekstreme për rrjedhojën e komenteve, debateve e hamendësimeve. Të detyron
ta çosh gjatë në mendje, për t’i dhënë me vullnetin, dëshirën e krejtësisht
përgjegjësinë tënde një dimension tjetër relatave që ke krijuar ti tashmë me
letërsinë në fjalë. Por kjo aftësi konstruktive nuk është aspak e ashpër e nuk
lejon mangësi në gdhendjen figurative: “Ajo
ndjesi mbytëse nga vetmia ime mes njerëzve përsëritej shpesh dhe më bindte se
atje strukej shpirti im i plagosur”; apo “Anëve të qiellit ishte varur një blu e tymtë që të sillte meshtësi. Një
grimcim i pluhurt shiu sikur të mbyste. Ajri i lagësht i atij mëngjesi të
ndillte përgjumje ndërsa pellgjet që kishin arnuar rrugën të ftonin në
dyluftim.” Kështu shprehet autorja tek tregimi “Njeriu i piteve”që çel
vëllimin “Unë e vrava Verën” dhe, si në një skenë Kafkjane makthndjellëse, lexuesi ndjek hapat rrëfimtarë të ngjyrosur
nën preversitetin e qytetit të shumëkujt sot, populluar nga njerëz, por jo
vërtet human e të ngrohtë, në përpjekjet e veta për më shumë frymëmarrje. Po
kështu tek tregimi “Gjurmë në dëborë” veçojmë gjuhën artistike që e vesh me
estetikë dhe linjën e këtij rrëfimi që përmban dialogë, po aq sa dhe monologë,
dhe me finesë ndërthuren së bashku me tërë faktorët e një pasazhi jetik, ku e
brendshmja dhe e jashtmja janë simbioza të të njëjtit çast të ravijëzuar,
tanimë, në të ndodhurën po aq sa dhe në të pandodhurën njëkohësisht. “Koha sikur ishte tkurrur brenda orëve,
minutave, sekondave të saj. Dukej e ngrirë, e palëvizshme, e murosur. Ishte
mishëruar në trupin e një skulpture me konture të shprishura nga vitet, mbi të
cilën pluhuri i tymtë ka zbehur freskinë e skalitjes”. Tregimi i tretë, që
është dhe ai që i ka dhënë titullin vëllimit, është një nga më përshkruesit dhe
të dhimbshmit, jo vetëm përsa i përket ngjarjeve në të cilat na merr rryma të
përjetojmë me intensitet, por dhe nuancave të shpirtit njerëzor, ato reflekse
që na bëjnë të thellohemi në një tregim të tillë, janë pikërisht ballafaqimi me
dobësitë njerëzore. Edhe në këtë tregim linjat konstruktive kanë veçori të
mirëfillta artistike duke na dhënë një pamje plotë lëng-ngopës vetëm në disa
sekuenca të mirëtjerra. Surealiteti, që diku-diku nxjerr krye, pa qenë enkas
saktësisht i tillë në shkrimin e Alma Ibi Zekollarit, ka tendenca më primare
tek ky tregim dhe jep kuptimplotshmërinë spektrike të tërësisë së tij, duke
pasuruar jo vetëm tregimin, por tërë librin, si dhe më tej lexuesin, së pari
gjatë pëçueshmërisë së ngjarjeve dhe në vazhdim si një hallkë emocionale që
mbetet e peshon.
Tregimet “Mysafirja e rrallë” dhe “Klithmë yjesh” janë
shkrime të dedikuar për dy çaste të jetuar ekzaktësisht, siç jepet jo vetëm
përshtypja e sigurt për lexuesin, por edhe vetë sqarimi nga autorja. Tek
tregimi i parë autorja Zekollari
përshkruan me ndjenja fisnike ditët tepër të veçanta kur aktorja e
kalibrit mbarëbotëror Margarita Xhepa bujti në shtëpinë e kësaj në Athinë,
ardhur për një takim mbresa-ndezur për të gjithë të pranishmit që patëm fatin e
nderin ta takonim; e padyshim veçantia e kësaj ngjarjeje nuk mund të mos
përshkruhej në letër nga Alma me tërë kënaqësinë që e përshkon. Duhet theksuar
se ky krijim është dhe shkrimi ku Zekollari do të na dëftojë me një prekje
tangjente edhe mbi pasionin e saj të regjisurës, prandaj besoj dhe këshilloj
edhe unë si autore e krijuese, por më tepër si lexuese, të kemi në të ardhmen
shkrime të tjera e më të drejtpërdrejta me një temë të tillë për këtë pasion
joshës. Sepse është një mrekulli që një letrar i mirëfilltë të gjendet në anën
e pasme të skenës dhe të na marrë të gjithëve, ne pasionantëve të imtësive, për
dore e të na shëtisë në lëme të tilla.
Tregimi tjetër që sipërpërmenda mban datën e vitit 1998,
e ardhur si të gjitha shkrimet që një autor boton vite më vonë me estetikën e
të sotmes, padyshim, ndërsa kemi të bëjmë me një prozë disi më poetike, që i
përshtatet ndjenjës romantike dhe përshkrimit të ndjesive rinore me tërë
naivitetin e tyre të prekshëm e plot brishtësi idilike dhe njëkohësisht moshës
së autores-personazh. Ky shkrim sjell për risi e larmi një tufë pasazhesh të
stilit ditaresk, ndërsa imagjinata e të dashuruarve sjell mundësinë e
realizimit të një dite, një takimi, një lidhjeje, një jete mbi kohë-hapësirë
dhe mbi të mundshmen, ndërsa luan me ndërrimin e pasazheve duke krijuar
ornamente me nën-titujt ndarës. Tregimin që veçova për në fund, “Liri e
bastarduar”, e admirova veçanërisht për pafundësinë e temave real0-shoqërore që
përmbledh, pa u rënduar as zgjatur, por pa i munguar as detajimi skulptural e
as ngjyrosja plot reflekse emocionale. Është fare mirë subjekti i një romani që
kursen aq bukur kohën e lexuesit dhe vërtet është një dëshmi, se për Almën nuk
është rastësi përzgjedhja e zhanrit në fjalë, përkundrazi. Kudo në këtë libër
të mirëtrajtuar krijuesja dëfton themelet e thella të veprimtaris së vet me
letërsinë, edhe pse është vetëm botim i parë i saj, që nuk ka për të qenë i
funditdhe se ajo vetës’ka mundësi të harrohet apo anashkalohet si autore. Ky
libër i shtohet vazhdës së krijuesve dhe veprës së tyre të pakrahasueshme
letrare në komunitetin shqiptar të Greqisë, ku Alma Ibi Zekollari duhet
cilësuar me mirënjohje se është veçanërisht aktive e me debutim të vlefshëm në
dhjetëra drejtime, njëherësh dhe Mësuese Plotësuese e Gjuhës Shqipe në
emigracion.Alma, së bashku me korrektoren letrare të këtij libri, (dhe jo
vetëm) Eriketa Qorlazja, kanë vite tashmë që japin kontributin e tyre në kursin
pranë Shtëpia Shqiptare “Porta” Athinë.Ftoj të gjithë lexuesit të shijojnë dhe
vetë emocionet që përshkova,me urimet më të mira për fluturim të mbarë!
Me kënaqësi
Armela Hysi
Mars 2021
Athinë