| E premte, 23.04.2021, 09:57 PM |
Varfëri, pesimizëm, Covid-19, demagogji, figura të panjohura dhe debat pa platformë
Zgjedhjet e 25 prillit
dhe hallet e shqiptarëve
Dy
grupimet garuese shihen në ekran si armike të njëra tjetrës, pasi afrimin e votuesve e shohin tek sharjet dhe
fyerjet ndaj njera-tjetrës
Nga
Albert Z. ZHOLI
Në kulmin e Pandemisë, ku shqiptarët ndodhen në udhëkryq
të shumë problemeve, në plan të parë po dalin zgjedhjet e 25 prillit. Dhe pse
problemet jetësore janë akoma më të mëdha, varfëria është rritur, të gjithë
sytë e njerëzve janë mbërthyer në ekranet televizivë nga mëngjesi në
mbrëmje. Ritmi i punës në administratë thuajse është inegzistente,
lëvizjet në mbrëmje tejet të kufizuara dhe i vetmi ngushëllim shqiptar mbeten
ekranet e televizorëve që mbyllen në mesnatë. Në këtë peruudhë të vështirë
ushqimi më i bollshëm i shqiptarëve mbeten lajmet politike. Duket sikur
zgjedhjet kanë filluar dhe po vazhdojnë me raunde dhe jeta e etheve se kush do
fitojë duket se pulson me ritmin e datës 25 prill. Pyetjet dhe hamendësitë
i kalojnë caqet e normales. Kush do të fitojë dhe kush do ta
formojë qeverinë?! A do të mund të fitojë Basha pas 8 vjetësh në opozitë? Çfarë
premton koalicioni i PD? Po PS me aleatët e saj, në çfarë “pike vlimi” ndodhet?
A janë pasqyra e vërtetë e PS figurat e reja që do garojnë? Si do të
veprojë Rama nëse humbet zgjedhjet, a do të japë dorëheqjen? Po Basha?! Cili
është roli paraprak i ndërkombëtarëve në këto zgjedhje? A e kanë dëgjuar
kryetarët e partive zërin e Kim për pastërinë e figurave garuese?! Këto
dhe shumë të tjera janë pyetjet që shtrojnë dhe diskutojnë që nga fshatari që
punon tokën, bariu që ruan dhentë dhe deri tek analistët dhe vetë Kryeministri
Edi Rama. Situata duket e qetë në sipërfaqe, por e ndezur përbrenda. Askush nuk
i parashikon në mënyrë absolute rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Askush!
Sondazhet sot përcjellin fitoren e koalicionit të majtë, të nesërmen gdhihemi
me fitoren e koalicionit të djathtë. E majta pret dhe propagandon një fitore të
pastër, dhe pse vjen pas shumë gabimeve në qeverisjen 8-vjeçare. Kryeministri
vijon me një propogandë dhe pafundësi reklamash butaforike që e bombarduan
opinionin vendas me një paradë suksesesh si asnjëherë tjetër. Përballë tij
Basha sjell për çdo ditë dështimet dhe mangësitë e qeverisjes Rama duke e vënë
theksin në kërkesat e shumta të shqiptarëve për azil në Evropë. .
Lind pyetja, si është situata ekonomike,
çfarë po sjellin dhe si është gjendja aktuale e shqiptarëve para zgjedhjeve?
Aktualisht vihet re:
-Se kodi elektoral i zgjedhur sipas të dyja grupimeve
politike është më i papërshtatëshmi për Shqipërinë tonë të vogël dhe me
demokraci ende të brishtë.
-Se pushteti të jep privilegjin të jesh më komod në
zgjedhje, me përkrahje më të madhe nga biznesi dhe me mundësi propogandistike
më të madhe.
-Se po shohim një progres në raport me të gjitha
zgjedhjet e mëparshme pasi nuk ka mitingje, nuk ka postera masive dhe
antimitingje.
- Ende klasa
politike shqiptare, vuan nga sindroma e etjes për pushtet dhe e mos daljes
përtej kësaj sindrome, për çështje më madhore, apo për interesat e përgjithshme
të vendit, popullit. Fyerjet dhe sharjet në ekrane tregojnë qartë se para
pushtetit interesat e popullit ngelen në minorancë.
-Se ende disa politikanë të vjetër dhe pse nuk kanë
shfaqur ide, nuk duan të shkëputen nga poltronet e deputetllëkut, Duke bërë
ekspertin dhe duke dhënë ide që nuk kanë mbirë farë.
-Se në politikë u futën të rinj jo për nga bindjet,
aftësitë, idealet, kontributet, por vetëm se kanë njohje personale, tarafe me
drejtuesit e partive apo vijnë nga fusha e biznesit të suksesshëm, që gjejnë
përkrahje në popull për pasurinë dhe jo për aftësitë intelektuale. .
-Se vota ende nuk mund të quhet plotësisht e shenjtë ,
dhe njerëz të veshur me pushtet mendojnë se mund të tentohet të luhet me të.
-Se PS, po tregohet euforike dhe nuk ka si rrugë fitoreje
mangësitë në organizimin e kundërshtarit, por përfoljen e kandidatëve të tyre.
-Se në Shqipëri, njerëzit të ardhmen e tyre ,
fatin e familjeve të tyre e kanë varur tek politika dhe jo tek aftësitë
individuale, inisiativa e lirë.
–Se militantizmi në vend të venitet po merr përmasat e
një vullkani.
Para këtyre zgjedhjeve, sa halle kanë
shqiptarët? Ose më mirë, sa kilometra vargon shumatorja e halleve tona?
Për më pak, cilat janë hallet tona të
përditshme pas atyre harxhimeve marramendëse për fushatën zgjedhore?
Nuk ka ndonjë filozofi të veçantë për t’i dhënë përgjigje
kësaj pyetjeje. Një vëzhgues empirik i evidenton shpejt dertet e shqiptarëve me
një të parë në rrugë. Ato më së paku e kanë emrin, politikë e egër, papunësi,
varfëri, bukë me listë, ekonomi shtëpiake me xhepa të grisur, ecje pa
drejtim, shëndetësi që po del problematike dhe reformë në arsim që
nuk dha rezultatet e duhura.
Pse çalojmë ne të vjetrit e Evropës (këtë e
themi me krenari, për të tjerat padashur ulim kokën), kaq shumë në kondicionet
minimale të jetesës kur çdo ditë e më shumë flasim për standarte
europiane. Përgjigjen më të mirë po e japin diskutimet dhe debatet televizive
si dhe listat e kandidatëve që dolën për këto zgjedhje…
-Pandemia
dhe zgjedhjet
Po jetojmë periudhën kur Covid-19 ndodhet në zgrip. Spitalet të mbushur dhe familjarë të alarmuar. Ende nuk ka filluar vaksinimi në popullatë dhe sinjali për mbarëvatje të vaksinimit nuk po sheh kurbën e duhur. Pandemia ka zbehur fushatën e mitingjeve, por ka shtuar propogandën televizive dhe rrjeteve sociale. Gjithë mediat vizive dhe pse e dinë rrezikshmërinë e Covid, ftojnë pambarimisht politikanë për të shpalosur idetë e tyre dhe mendimin politik disa herë dhe duke thyer rregullat anti-Covid duke harruar rrezikshmërinë. Nëse gjithë bota e qytetëruar shpalos plane vaksinimi dhe luftimi të Covid-19, politika shqiptare është e mbërthyer në ethet zgjedhore për pushtet. Koherenca dhe shpejtësia e transmetimit të ngjarjeve, ndodhive aktiviteteve politike, kulturore etj, e bëjnë median televizive në këto situata ushqimin shpirtëror më të pranueshëm. Covid po bën kërdinë, ndërsa politika mendon për pushtetin, zgjedhjet, kolltuqet, përfitimet dhe aleancat e pa kritershme vetëm në funksion të fitores. Kjo është vija ndarëse e një realiteti të hidhur shqiptar. Një vijë ndarëse që portretizon dy grupimet garuese si armike të njëra tjetrës, pasi afrimin e votuesve nuk e shohin tek platformat ekonomike, tek arsyetimi po sharjet dhe fyerjet ndaj njera-tjetrës.