| E merkure, 21.04.2021, 09:00 PM |
Kosova ka një presidente me legjitimitet popullor dhe institucional
Me
gjithë dramaticitetin që e shoqëroi seancën dyditore për shkak të bojkotimit të
disa deputetëve, puna e Kuvendit të Kosovës u kurorëzua me sukses, Kosova u bë
me të gjitha institucionet që i duhen një shteti sovran
Nga
Hamza HALABAKU
Që nga e premtja e kaluar kur ishte
ftuar një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk iu
kam ndarë televizorit. Kam përshtypjen se ne të diasporës jemi disi më të
etshëm, për të mos thënë më të interesuar për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë.
Së pari mendova se seanca e jashtëzakonshme ishte ftuar për të zgjedhur presidentin
e ri të Republikës së Kosovës. Kisha dëshirë që Kosova të bëhej me të gjitha
institucionet.
Kur filloi seanca mora vesh se ajo ishte
thirrur për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për zgjedhjet në Republikën e
Kosovës. U tha se me ndryshimet e plotësimet e këtij ligji do të lehtësohej procesi zgjedhor i
qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë. Unë apriori jam për
këto lehtësime, por nuk e kuptova ngutinë e Qeverisë së re të Kosovës.
Qëllimi i shkrimit tim nuk është seanca
e të premtes, por ajo e të shtunës dhe të dielës që në rend të ditës kishte
zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. E kam ndjekur me vëmendje seancën e
jashtëzakonshme të Kuvendit të
Republikës së Kosovës bashkë me të gjitha zhvillimet në sallën e mbledhjeve plenare
të Kuvendit të Kosovës, madje edhe me syrin e një administratori pasi nga qershori
i vitit 1982 e deri më 2 korrik të vitit 1990 në cilësinë e ndihmëssekretarit
të Kuvendit të Kosovës e kisha për detyrë ndjekjen e seancave në atë sallë, që
atëherë e quanin Salla Solemne. Me që e
përmenda 2 korrikun e vitit 1990 dua të rikujtoj se pikërisht atë ditë
deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, që atëherë quheshin delegatë,
regjimi serb ua ndaloi hyrjen në atë sallë, sepse kishin nuhatur se do të
ndodhte diçka e madhe. Unë pata fatin dhe rastin që ta ndjek atë mbledhje të
Kuvendit të Kosovës, në të cilën përfaqësuesit e popullit, në ambient të hapur
para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e miratuan Deklaratën e Pavarësisë. Më
kujtohet se si u gëzuan i madh e i vogël në Kosovë që juridikisht u ngamë nga Serbia.
Kosova u bë me të gjitha institucionet
Por të kthehem te epilogu i seancës së
Kuvendit të Kosovës në mbrëmjen e 4 prillit 2021. Me gjithë dramaticitetin që e
shoqëroi atë seancë dyditore, në fund puna e Kuvendit të Kosovës u kurorëzua me
sukses, pavarësisht bojkotimit të disa deputetëve. U zgjodh zonja Vjosa
Osmani-Sadriu, presidente e Republikë së Kosovës dhe Kosova u bë me të gjitha
institucionet që i duhen një shteti sovran. Atë mbrëmje ajo, pikërisht në orën 19:17, e
dha betimin si presidente e Republikës së Kosovës.
Këtij epilogu iu gëzuan shumica e
qytetarëve të Republikës së Kosovës, ata që jetojnë në Kosovë edhe ata që jetojnë
në mërgatë. Sepse, shpresojnë e besojnë që institucionet e reja do të
përkushtohen në kryerjen e punëve të tyre sipas Kushtetutës së Republikës së
Kosovës dhe ligjeve të saj pozitive.
Suksesin e këtij epilogu e zbehu mungesa
e disa deputetëve që nuk ishin në sallë për zgjedhjen e presidentes. Shpresoj që
deputetët që nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes shumë shpejt
do të pendohen. Fjalën e kam për
shqiptarët, sepse ata të Listës Serbe do të vazhdojnë të jenë kundër
institucioneve dhe vetë Republikës së Kosovës përderisa ne do të vazhdojmë me
qëndrimin tonë ta ushqejmë atë grupim deputetësh që janë nën diktatin e
Serbisë.
Pohimin tim se shpresoj që deputetët që
nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes shumë shpejt do të
pendohen e mbështes në faktin se ata nuk
janë sikur grupi i deputetëve që marrin urdhra nga Beogradi, por kanë inate.
Ndërkaq, kur është puna e Kosovës, çështjet e saja madhore, deputetët duhet t’i
lënë inatet e tyre në shtëpi.
Sido që të jetë tani Kosova ka një
presidente, konsideroj me legjitimitet të plotë edhe popullor, bazuar në mbi
300 mijë votat në zgjedhjet parlamentare, por edhe institucional me 71 vota të
deputetëve. Kosova ka edhe një kryeministër dhe një kabinetit qeveritar që
premton ecje përpara drejtë e me krenari, me kokën lartë, sepse nuk janë të
korruptuar.
Përfaqësuesit kosovarë duhet të ndihen
kryelartë, se Kosova nuk i ka borxh askujt në këtë botë e bash hiq borxh nuk i
ka Serbisë. Serbia i ka shumë borxhe Kosovës, madje shumë borxhe shqiptarëve të
Kosovës kudo që janë ata. Por Serbia u ka borxh edhe shqiptarëve në Luginë, në
Ulqin e në Tetovë, në Shkup e në Shkodër. Shkurt, Serbia u ka borxh shqiptarëve
kudo që ata jetojnë e veprojnë.
Dy fjalë për udhëheqjen e re
E nderuara dhe shumë e respektuara
Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani-Sadriu nga këndi im i
vështrimit, ju shoh si një elitë udhëheqëse, e ditur dhe e guximshme, e pa djallëzuar
dhe e dinjitetshme. Uroj të ecni drejtë e mirë dhe ti kryeni punët tuaja
institucionale sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shpresoj se do ta
keni përkrahjen e kosovarëve, pavarësisht a jetojnë ata në Kosovë a në mërgatë,
sepse ata, pjesa dërmuese e tyre, i janë gëzuar zgjidhjes tuaj me shpresën se
do të përfundoj një epokë e mbrapsht që e përcolli deri tash shtetndërtimin.
Uroj që, ju udhëheqës të Republikës së
Kosovës, kur të jeni në Bruksel e në Berlin, në Londër e në Parisë, në Romë e
kudo qoftë në Evropë, në Uashington e Nju-Jork, ta mbani kokën lartë e të mos i
frikësoheni askujt. Të jeni krenarë me të kaluarën tonë. Populli shqiptar nuk
ka bërë punë të pista. Asnjëherë askujt nuk i kemi bërë as më të voglin faj. Të
jeni krenar me Ushtrinë tonë Çlirimtare, sepse ajo ka mbrojtur pragun e
shtëpisë së vetë. Ajo ka bërë luftë të pastër. Ka mbrojtur tokën e vet të
shtrenjtë - Kosovën. E ka mbrojtur
Kosovën nga okupatori serb, nga dhunuesit e nënave, bijave e motrave tona, nga
ata që na masakruan, na dhunuan e na vranë pa kursyer as pleq e plaka, as
nxënës e fëmijë. Të jeni krenarë edhe me mërgatën që asnjëherë nuk ia ktheu
shpinën atdheut. Na mundësoni që edhe ne të jemi krenarë me ju dhe me punët
tuaja!
Uroj që edhe pas skadimit të mandatit
tuaj, të mburremi dhe të jemi krenarë me juve dhe punën tuaj! Të jemi krenarë
me atë se, edhe shqiptarët kanë bijë dhe bija që dinë të organizohen dhe të
udhëheqin me shtetin tonë! Uroj që udhëheqja e Republikës së Kosovës të jetë
shembull i mirë si në legjislativ e në ekzekutiv, si në fushën e gjyqësorit, jo
vetëm në rajon, por edhe më gjerë! Uroj që edhe pas mandatit tuaj të ju votojmë
përsëri dhe tu themi me plot gojën: TË PAÇIM PRESIDENTE, TË PAÇIM KRYEMINISTÊR!