Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eriketa Kollçaku Qorlazja: Fjala e mbajtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve

| E merkure, 21.04.2021, 07:19 PM |


Fjala e mbajtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, nga Eriketa Qorlazja

Përshëndetje të gjithëve!

Jam Eriketa Kollçaku Qorlazja dhe ndihem shumë e gëzuar që gjendem në këtë nismë modeste në dukje, por me peshë historike, të Elonës, Brikenës e Ainës, dhe tërë komponentëve të redaksisë së antologjisë, që u realizua me shumë punë, por me kaq sukses produktiv. Unë kam pasur dy role në këtë aktivitet dhe do flas pak për ndjenjat në secilin prizëm. Si mësuese e gjuhës shqipe kënaqësia e parë është të shoh disa nga nxënësit e mi të marrin pjesë në këtë konkurs dhe sot të paraqiten plot dinjitet përpara jush, por nuk e fsheh se qe një periudhë konfrontimesh me veten time marrja pjesë. Pata menduar që nxënësit e mi janë ende të vegjël (ne vetëm një vit e ca më parë mbaruam festën e abetares) dhe viti i karantinës i ka lodhur tej mase fëmijët, siç bisedoja edhe me prindërit – kisha ca rezerva t’ua propozoja. Nëse s’realizohej dot t’i pëlqenin jurisë dhe nuk do përfshiheshin në antologji, mos ndieheshin të pasigurt me veten e tyre dhe krijimet e tyre dhe kjo do i bënte të ndieheshin keq. Vlerësoj në këtë rast nxitjen që më erdhi nga Armela, redaktorja e antologjisë, dhe Brikena të cilat më dhanë kurajë dhe bindje se të gjithë fëmijët do përfshiheshin në antologjinë dhe e ndjeva se ky qe një rast i mrekullueshëm për ta. Kuptova gjithashtu se rëndësia e vërtetë është tek pjesëmarrja në një aktivitet të tillë dhe secili fëmijë vërehet e vlerësohet relativisht me moshën e mënyrën individuale të të shkruarit. Ja ku jemi sot të gjithë bashkë të festojmë librin e tyre! Gëzimi i tyre është gëzimi i ne të gjithëve.

Roli im i dytë ishte si korrektorja letrare e antologjisë “Merr një varg dhe eja” që u përftua nga ky konkurs. Me redaktoren Armela Hysi (krijuese e rreth dhjetë librave të suksesshëm në poezi e prozë e kritikë letrare dhe po kaq librave të tjerë ardhur nga pozita të tjera, si redaktore e recensente, përkthyese etj.) jam ftuar të bashkëpunoj në përgatitjen e disa botimeve si korrektore, në këto tre vitet e fundit. Ndaj qe një propozim i natyrshëm të isha edhe në bordin ekzekutiv që formoi ajo si redaktore, kur u propozua nga  Brikena Qama krijimi i kësaj Antologjie që është dhe kurorëzimi ideal i nismës, së shkrimtares Elona Gjergo. Unë pra flas mbi punën që bëmë të gjithë si grup, në emër të të gjithë redaksisë. Ne ishim personat që morëm në dorë shkrimet e fëmijëve tanë menjëherë pas mbylljes së fazës përmbledhëse dhe ndërsa juria kishte në dorë shkrimet origjinale, ne kishim detyrën e përgatitjes dhe nxjerrjes së një libri me standarte të larta edukative, si për sa i përket anës letrare, anës strukturore të secilit shkrim, ndërtimit e botimit praktik, ashtu edhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ku hyn dhe roli im. U morëm me redaktimin dhe tërë ndërthurjen e librit nga dita e parë, për çdo shkrimi me hollësi, e deri në fund. Ishte një punë veçanërisht e dashur. Mund të them që ishim tërë shkurtin në linjë dhe  me evoluim të përbashkët deri natën vonë, pasi nevojitej që të dilnim fitues edhe në kufizimet kohore; libri u botua dhe erdhi nga Kosova, pra na duhej të shpejtonim që të lejonim afat kohor për të gjitha proceset e procedurën praktike. Duhet të kuptojmë se edhe redaktimi edhe korrektimi nevojitet jo vetëm të bëhen me shumë kujdes, por ishte obligimi parësor i redaksisë të mos preket aspak mendimi i krijuesit, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë që duhet përçuar origjinaliteti i tyre dhe meqenëse për fëmijë të diasporës: që kanë pra zanafillën e gjuhës së tyre nga treva të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës – qe ideja primare e tërë bordit ekzekutiv e rreptësia e redaktores Hysi, të mos preken nuancat dialektore si një pasuri e veçantë kombëtare. U lidhëm me shumë dashuri me tërë punimet. Është e mrekullueshme ndjenja që kemi tani të shohim këtë libër që do mbetet në bibliotekat tona e do na kujtojë përherë se është e nevojshme që kur një njeri krijues si Elona Gjergo ka një ide kaq të mirë, të bashkohemi të gjithë për të sjellë ca më shumë bukuri në botë e në diasporën tonë. T’u japim mundësi për fluturim fëmijëve tanë. Jam shumë e ngazëllyer me nxënëset e mia Anën dhe Xhinën. Përgëzoj prindërit e tyre për vëmendjen që treguan në këtë paraqitje të fëmijëve dhe bashkëpunimin rezultativ. Personalisht jam kujdesur për shumë libra, shkrime e artikuj, siç besoj se do bëj dhe në të ardhmen, sepse është një punë që e bëj me shumë përkushtim. Padyshim puna mbi këtë libër të të vegjëlve tanë do të jetë një punë për të cilën e di që do të krenohem tërë jetën sepse është dhurata ime më e ëmbël, për ta. Jam e lumtur që u bë i mundur botimi i kësaj antologjie nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar prandaj falenderoj me zemër! Dhe tërë fëmijëve që na dëgjojnë u them: Guxoni!

Guxoni të krijoni, guxoni të shpreheni në gjuhën e nënës, guxoni të thoni me  forcë mendimin tuaj  deri në qiell, të vazhdoni çdo gjë të bukur që nisëm ne, prindërit tuaj!

Ju jeni e ardhmja dhe shpresa, ju do ta bëni botën më të bukur!

Eriketa Kollçaku Qorlazja

Athinë