| E marte, 20.04.2021, 08:59 PM |
SPAK, një qen roje i PS
Nga
Andi Bushati
Që prej fillimit të javës që shkoi, pasi
Lapsi.al botoi skandalin e grabitjes të të dhënave personale të qytetarëve të
Tiranës, unë dhe kolegu im Armand Shkullaku jemi bërë pjesë e një hetimi të
Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Fillimisht një grup
oficerësh të policisë gjyqësore u shfaqën në zyrat e medias sonë, gjoja për të
ekzekutuar urdhrin e shefave të tyre për sekuestrimin e provave të këtij krimi.
Përgjigjja
jonë qe e thjeshtë: Le të shkonin në zyrat e Partisë Socialiste, ku gjendeshin
serverat me të dhënat që mbërritën deri tek ne. Ose po të donin të shkonin në
ato të E- Albanias, besimin tek e cila e propogandon me të madhe kryeministri,
por mbi të cilën po thellohen dyshimet se e ka shitur konfidencialitetin e
qytetarëve, për interesat e një partie të vetme. Ata kërkuan që ne t’i jepnim
provat dhe burimin që dispononim dhe u larguan pasi morën përgjigjen se
profesioni i gazetarit na detyron të mos e “shesim” as burimin tonë dhe as
rrethanat që e dekonspirojnë atë.
Dy
ditë më pas, në 16 prill, u morëm në pyetje në SPAK për atë që kishte ndodhur.
Prokurorët e organit të “tmerrshëm”, të sapo dalë nga reforma në drejtësi, që
pretendohej se do i jepte fund pandëshkueshmërisë, na pyetën me cilësinë e
dëshmitarit që kishte djeni për ngjarjen. Në fakt u habitën se çështja penale e
regjistruar fillimisht, nuk kishte të bënte aspak me krimin zgjedhor të cilin
ne denonconim (kjo do të shtohej më pas). Një gjë të tillë ia kërkova edhe
prokurores që më mori në pyetje, duke i sugjeruar, për aq sa lejon
konfidencialiteti i një seance të tillë, të shkonin dhe të pyesnin edhe në
zyrat e shtetit apo PS, sepse përndryshe, kjo çështje, do të varrosej shumë
shpejt. Pak a shumë këto gjëra thashë për kolegët e mi gazetarë në dalje të
SPAK.
Por,
në vend që hetimi të drejtohej në këtë rrugë logjike, që siç ma kanë pohuar me
gojën e tyre edhe dhjetra juristë, avokatë e ish prokurorë, do të ishte e
vetmja që një profesionist do të ndërrmerrte, të dielën u njohëm me një vendim
të papritur. Një gjykatëse nga ato që kanë kaluar të freskëta vettingun,
Iliriana Olldashi, nuk kishte pritur një ditë të zakonshme jave, po kishte
shfrytëzuar të dielën, për të nxjerrë një vendim absurd, që kërkonte provat e
krimit, jo atje ku kanë ndodhur, por në zyrat e Lapsi.al. Madje ajo kishte
shkuar edhe më tej duke nënshkruar për sekuestrimin e kompjuterave, serverave
dhe celularëve të ne gazetarëve kudo që ato ndodheshin.
Po
çfarë kishim ne që na duhej sekuestruar me patjetër?
As
armë, as kontenierë droge, as karta identiteti të blera me paratë e tenderave
dhe koncesioneve, për të mos i lënë njerëzit të votojnë të lirë.
Ajo
që ne kishim ishte një bazë të dhënash që sot e disponojnë me mijëra vetë, të
cilët të lënduar, të prekur, të revoltuar se jetojnë në një regjim oruellian
mbikeqyrjeje, kërkojnë herë dëshpërimisht dhe herë me humor, patronazhistin e
tyre. Tashmë këto të dhëna i kanë botuar me dhjetra media, i kanë përcjellë në
rrjetet sociale sa e sa ndjekës.
Ato
janë një sekret publik.
Pra
pyetja nuk është kush i disponon, por cili i ka grabitur aty ku duhej të
ruheshin?
Por,
në këtë pistë me sa duket SPAK nuk ka dëshirë të hetojë.
Duke
u konsultuar me shumë specialistë të fushës, ata na kanë dhënë njëzëri dy
sugjermime. Nëse kjo punë do të duhej të bëhej profesionalisht, duheshin
ndjekur së paku dy rrugë.
Së
pari, duhej hetuar pranë E- Albania, nxjerrja e të dhënave nga serveri i së
cilës lë gjurmë. Janë tashmë të shumta dëshmitë se qytetarë (madje dhe
gazetarë) që gjenden prej vitesh jashtë, që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri,
por që për arsye kërkese dokumentash kanë depozituar të dhënat e tyre tek AKSH,
janë dekonspiruar.
Pra
ata, as nuk kanë pasur lidhje me PS-në, as kanë kontaktuar me patronazhistin e
saj dhe e vetmja mundësi prej nga ka rrjedhur informacioni me të dhënat
personale të tyre është kontakti që kanë pasur me shtetin (E- albanian).
Rruga
tjetër do të kish qenë të merreshin urgjentisht në pyetje ata persona, emrat e
të cilëve figurojnë si patronazhistë dhe një mumër të konsiderueshëm të të
cilëve Lapsi.al i ka vërtetuar që punojnë për llogari të rilindjes. Kush i ka
urdhëruar të merreshin me ato të dhëna? Cili ua ka dhënë? Si iu ka rënë në dorë
numri i telefonit, adresa, numri i kartës së identitetit të atij që duhet të
mbikqyrin?
Por,
para se të bëjë këtë, prokuroria dhe gjykata e posaçme kanë preferuar të merren
me ne gazetarët. Dhe aq këmbëngulës po tregohen në këtë pikë, sa natyrshëm të
lind dyshimi: çfarë po kërkojnë realisht, atë që ka kryer krimin e vjedhjes të
të dhënave të qytetarëve, atë që po i përdor këto të dhëna personale për të
përmbysur rezultatin e 25 prillit, apo thjesht duan të kapin atë që ka
tradhëtuar nënën parti dhe ka nxjerrë në sipërfaqe krimin që ajo donte ta
mbante fshehur?
Duke
u sjellë kështu si po sillen, duke hetuar, jo për ata që duhet të gjendeshin
pas hekurave, por për denoncuesin e tyre, SPAK dhe Gjykata e Posatçme po
dëshmojnë një zbythje prej lakeu politik. Ata kanë nisur një gjueti shtrigash
ndaj armikut të partisë duke i lënë të flenë të qetë armiqtë e qytetarëve.
Nëse
ne si gazetarë, u përpoqëm të bëjmë detyrën tonë si watchdog, pra sipas një
zhargoni gazetaresk, atë të qenit roje në të mirë të interesit publik,
prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re duket se kanë nisur punën si
watchdog të rilindejs.