Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Homazh për bacë Dervish Shaqa

| E diele, 18.04.2021, 05:25 PM |


HOMAZH PËR BACË DERVISH SHAQA

Në përvjetorin e 36-të të shuarjes të rapsodit Dervish Shaqa

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Bacë Dervishin e njoha në nëntorin e vitit 1969, në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Bëhej përgaditja për mbremjen festive të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Artistët ishin të vendosur në konviktët tona studetore. Në mes tyre edhe rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri.

Një vit më vonë u cikërruam, me fjalë, me bacën Dervish, për reportuarin laraman të këngëve të tij, të dhëna nga Radio-Tirana dhe, më shumë, nga Radio-Kukësi. Më vonë mësova se ishte politikë redaktuese e partisë. Në vitet `70-a po bëhej pajtimi dhe afrimi i Tiranës me Beogradin.

"Me vëllezërit jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëtat beteja",- tha Enver Hoxha, në vizitën e bërë në Tropojë. Prandaj, këngët historike, u zëvendësuan me këngë lirike dhe erotike të bacës Dervish dhe Demush. Beogradi kushtëzoi edhe burgosjen e djemëve të përndjekur nga UDB-a jugosllave, të ikur në Shqipëri. Dhe, PPSH-ja porosinë e zbatoi vullnetshëm.

Në vitin 1970, një bisedë në Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm drejtori i Kundërzbulimit të Shqipërisë, Drejtori i Emigracionit dhe shefi i Kriminalistikës. Prania e këtij të fundit, më ngjalli dyshime.

Në mes tjerash, u thashë se në Shqipëri jetojnë 300 mijë kosovarë. Janë disa Shoqata Foklorike. Dhe, rapsodët Devish Shaqa e Demush Neziri, po i shtojnë radhët e këngëtarëve dhe të valltarëve rinorë. Do të ishte mirë që Dervish Shaqa të vazhdojë studimet e specializuara muzikore, në Institutin e Arteve, sepse, do t`i perfeksionojë dhe lartësojë këngët dhe muzikën, në kushte dhe rrethana tjera në Shqipëri.

Pasi e panë njëri-tjetrin, foli drejtori i Emigracionit: "Është i moshuar për studime!"

-Muzika nuk ka moshë- u gjegja unë.

Tre vjet më vonë humba lirinë, u arrestova. Në gjyq u lexua një akuzë shkrimore e Ministrisë të Brendshme:

-"I pandehuri Idriz Zeqiraj ka kërkuar të pranohet student, në pleqëri, rapsodi Dervish Shaqa. Kjo tregon se ai është i pakënaqur me trajtimin e kosovarëve në Shqipëri. I pakënaqur edhe me politikën e shokut Enver".

Gjykata e pranoi si dëshmi dhe masë rënduese!

Burgu i gjatë na ndau. Baca Dervish ishte shuar kësaj jete, kur unë vuajta burgun. Edhe pse në kushte të rënda, specifike, i përgjuar nga Sigurimi kriminal monist, doja të bëja diçka për Dervish Shaqen. Sepse ai bëri shumë për Kosovën, Shqipërinë, Shqiptarinë, kur frymëzoi brezat shqiptarë, duke e vënë lavdinë historike në telat e sharkisë. Doja ta shquaja, nga të tjerët, edhe në varreza, ta përjetësoja në bronz. Por, kjo ishte e kushtueshme, madje, skajmërisht e rrezikshme, që mund të më kushtonte me jetë.

Një tufë fotografish, i sigurova nga Familja e bacës Dervish. Skulptori më i zëshëm në Shqiptari, akademik Muntaz Dhrami, pranoi skalitjen e portretit të rapsodit Shaqa. Kishte vetëm një shkritore të "Realizimit të Veprave të Artit", edhe ajo shtetërore.

Kërkesa ime u refuzua prerazi: "Dervishi është artist i merituar, por, jo "Artist i Popullit" dhe nuk pranohet derdhja në bronz e skulpturës së tij".

Unë nuk doja të largohesha nga Shqipëria, pa e realizuar portretin-skulpturë të bacës Dervish. Dhe, gjeta një nuse-inxhiniere, origjinë kosovare, lindake tiranase, fort e guximsshme, e cila do të ndërlidhej me dy miq të saj, në fshehtësinë më të madhe, punonjës profesional të uzinës-shkritore dhe brenda një nate, realizuan veprën në fjalë, kundrejt një çmimi, shumëfish më të lartë, se sa një shërbim legal, ligjor i këtij lloji.

Derdhja ilegale në bronz të skulpturës të bacës Dervish, ishte shumë e rrezikshme. Në rast zbulimi, ligji akuzonte për shpërdorim dhe sabotim të pasurisë socialiste. Dhe, prashikonte dënim nga 20 vjet burg, deri në pushkatim, për të gjithë të implikuarit, porositësit dhe zbatuesit, në këtë vepër penale, të cilësuar si armiqësore.

(Për montimin e skulpturës, ke varri i Dervish Shaqës; kërkesën e mikut të tij, bacë Demush Nezirit, që të varrosën pranë njëri-tjetrit, në varrezat e fshatit Shenavlash dhe jo në Rashbullë, ku jetonte baca Dervish, do të flasim një herë tjeter.

Rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, kanë qenë dy burra të ndershëm e krenarë të Kosovës, me drejtëpeshimin e duhur. Dinjitozë dhe të ndergjegjshëm se çfarë përfaqësonin ata në Shqipëri. Të përgjegjshëm për peshën e tyre, ishin të kujdesshëm, madje, në çdo hap të hedhur, në kushtet e diktaturës më të egër në Evropë.

Reportazhi-dokumentar, me skenar e tekst të shkrimtarit, emigrant në Shqipëri, Adem Istrefaj, i cili u shua dy muaj më parë, në Tiranë, është realizuar suksesshëm. Përkundër disa emisioneve, të cilat kanë zënë shumë hapësirë në media vizive, pamore, me pretendime të mëdha, për ta shpalosur jetën e dy rapsodëve të zëshëm, kanë dështuar. Bilëz, edhe shtrembëruar, me porosi, të vërtetën pëmbajtësore. Realisht, vazhdojnë ta cënonë peronalitetin e rapsodëve brilantë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, pas amëshimit të tyre!)