| E diele, 18.04.2021, 05:18 PM |
Multikultura dhe
politika
Nga
Nikë Gashaj
Ngritja e masave dhe kriza e elitave
Shekulli XX ka filluar në shenjë të zgjimit të masave,
kurse themeluesit e psikologjisë dhe sociologjisë së masave, sikurse thotë
profesori Serge Moskovici, nga universiteti i Cambridges kanë qenë të bindur se
masat do të triumfojnë. Mirëpo, ka ndodhë që, një pjesë e madhe të shekullit të
kaluar kaloi në shenjë të liderëve politikë të fuqishëm dhe karizmatikë,
sikurse kanë qenë: Lenini, Stalini, Musolini, Mao Ce Duni, Kastro etj.
Këtu raporti midis masave dhe liderëve nuk paraqet një
kundërthënie reale, sepse masat dhe liderët në esencë janë dy fytyra të një
dukurie. Sikurse liderët që për suksesin e tyre më së tepërmi duhet t’i falenderohen
procesit të “masifikimit” (“të shndërrimit të qytetarëve në masë” ose
sikurse ka thënë Le Bon në “grumbull – turmë”), ashtu edhe masat kërkojnë dhe i
gjejnë liderët të cilët u përgjigjen. Ndërkaq, në fund të shekullit të kaluar
dhe në fillim të shekullit XXI, sikurse po përsëriten dukuritë e kohës së
kaluar historike.
Masat përsëri janë zgjuar dhe po ngriten. Në shoqëritë e
zhvilluara industriale dhe demokratike të Perëndimit gjithnjë e më tepër ka
qytetarë të pakënaqur, të cilët nevojën për ndërrimin e gjendjes ekzistuese e
tregojnë nëpërmjet të shoqatave dhe iniciativave të shumta qytetare. Jemi
dëshmitarë të një rritjeje të madhe të lëvizjeve të reja dhe të ndryshme
shoqërore, si dhe formave të tjera të organizimit jopolitik, joqeveritar dhe joprofitabil.
Dhjetëvjetëshi i fundit në këto shoqëri ka kaluar në
shenjë të përhapjes dhe të intensifikimit të madh të lëvizjeve shoqërore dhe
grupeve të ashtuquajtura alternative neofeministe, antinukleare, paqësore,
ekologjike etj. Iniciativat dhe lëvizjet për të drejtat e njeriut, për shkollën
e re, për medicinën alternative, lëvizje për përkrahje psikologjike, lëvizje
për teknologji alternative dhe energji, për ushqimin e shëndoshë, për trupin e
shëndoshë, lëvizjet e grupeve pakicë seksuale, lëvizjet neoreligjioze të
llojeve të ndryshme.
Të gjitha këto forma të organizimit shoqëror përmbajnë në
vete në mënyrë eksplicite ose implicite idenë komplementare të të drejtave të
pakicave, në mënyrën e vet ato përmbajnë edhe stilin edhe botëkuptimin e jetës.
Turri i masave
Ish vendet socialiste të Europës Qëndrore dhe Lindore në
kalim prej vitit 1980 e këtej i ka kapur një valë e vërtetë e ndërrimeve masive
demokratike politike për të cilat zakonisht përdoret nocioni “revolucioni
pluralist”. Pa një presion demokratik nga poshtë dhe pa një refuzim të
dëgjuashmërisë së masave, rënia e regjimeve politike nuk do të kishte qenë as
aq shpejt, as pa paqësore.
Ngritja e masave nuk i ka kursyer as vendet e shumta të
botës së tretë. Nën presionin demokratik të masave kanë përfunduar diktatura të
shumta ushtarake në Ameriken Latine. Në Afrikën Jugore para vrullit të shumicës
së popullatës zezake definitivisht ka rënë regjimi i aparthejdit. Ndërkaq as
turri i masave nuk ka gjithmonë cilësi pozitive. Në disa vende të Azisë dhe
Afrikës një pjesë e masave është e perfshirë me një influencë të madhe të
religjionit, çka jep një bazë sociale në dukurinë e fundamentalizmit fetar (çka
veçanërisht i karakterizon disa vende islamike).
Në disa vende të Perëndimit një pjesë e pakënaqësisë së
masave kanalizohet edhe në drejtim të grupacioneve ekstreme politike, pastaj
formacionet politike të së djathtës ekstreme përfitojnë një përkrahje të gjërë
dhe të papritur në trupin elektoral (shembulli, Lepen në Francë).
Ajo çka më së tepërmi shqetëson dhe brengos është
platforma politike në bazë të së cilës arrihen rezultatet e tilla, platformë
ajo e cila përmban qëndrime të shumta neofashiste në pikëpmaje të të drejtave
të qytetarëve të huaj, veçanërisht të punëtorëve si dhe në pikëpamje të
pakicave.
Ndonëse shumica e atyre shoqërive e kanë shpallur
multikulturalizmin si vlerë të lartë dëshiruese, në jetën praktike mund të
vërehen tendencat që të drejtat e pakicave shoqërore të profileve të ndryshme
të vihen në pyetje.
Mungesa e liderve të mëdhenj
Në të njëjtën kohë, në horizontin politikë botëror nuk ka
lider të mëdhenj politikë, madje as politikanë të formatit të gjerë, të cilët
me vizionet e veta do të mundeshin të afrojnë përgjigje strategjike mbi
çështjen se kah po shkon bota sot. Në qiellin politik bashkëkohor nuk ka asnjë
yll që mund të krahasohej me shkëlqësinë e Ruzveltit, Çërçilit, De Gollit,
Kenedit ose ndërkaq, të Gandit, Titos, Nehrit. Ajo mungesë është dhe aq më e
rëndë duke qenë se pikërisht bota sot kalon nëpër një periudhë shprehimisht të
lëkundshme, jostabile dhe me konflikte.
Sikurse po marrim pjesë në një krizë të përgjithshme
elitare të tipit të vjetër, ndërsa format e reja të reprodukimit të elitave akoma
nuk janë të vendosura. Kriza e elitave në praktikë manifestohet si krizë
udhëqjes, prandaj në analizat neokonservative dhe postkomuniste mund të vërejmë
vlerësimet mbi kapacitetet e zvogëluara të udhëheqjes ose të drejtimit me
shtetet bashkëkohore.
Në anën tjetër, sikurse përsëri po marrim pjesë në
zgjimin e masave dhe në daljen e tyre në skenën shoqërore dhe politike. Por
kësaj here, për dallim prej fillimit të shekullit të kaluar ngritja e masave ka
një cilësi specifike. Masat paraqiten në skenën shoqërore jo në formë amorfe,
por parimisht, nën shenjën e përkatësisë së vet etnike.
Zgjimi i sërishëm i ndjenjave nacionale dhe forcimi i
lëvizjeve nacionaliste paraqet njërën nga karakteristikat e rëndësishme të
dhjetë vjetëshit të fundit. Trendi i tillë është ngusht i lidhur me procesin i
cili mund të quhet etnifikimi i politikës.
Mobilizimi i resurseve të
identiteteve kombëtare
Implozioni i socializmit ka shkuar në mënyrë simultane me
eksplodimin e nacionalizmit. Shkatërrimi i socializmit, veçanërisht në
shoqëtritë multietnike dhe shtetet federative, pjesërisht ka qenë i shkaktuar,
dhe gjithsesi i shpejtuar, nën presionin e një vale të re dhe të fuqishme të
nacionalizmit. Njëri nga historianët më të njohur, Erik Hobsbaum, nacionalzimin
bashkëkohor postkomunist e ka quajtur nacionalizëm separatist.
Nga ana tjetër, rënia e socializmit ka pasur edhe
domethënien e rënies së një sistemi të tërë të vlerave, çka ndër të tjera e ka
hapur dhe shtuar krizën e identitetit kolektiv. Nacionalizmi është në të
vërtetë njëri nga përgjegjësit mbi krizën e identitetit kolektiv, që i ka kapur
shoqëritë e shumta bashkëkohore.
Në shoqëritë ekskomuniste liderët dhe elitat e reja
politike e kanë grabitur atë resurs të identitetit, të cilin e kanë pasur më së
afërmi dhe më së lehti për ta aktivizuar. Mirëpo, duhet të theksojmë se as
masat nuk janë krejtësisht të pafajshme dhe sjelljet e tyre të shpeshta
militante, agresive dhe jotolerante, janë së gjithash ndaj pjesëtarëve të
kombeve të tjera nuk mund të jenë të shpjeguara dhe të arsyetuara.
Mobilizimi i resursit të identitetit nacional ka qenë i
mundur edhe për shkak të instrumentalizmit relativisht të lehtë të ndjenjave
nacionale për sendërtimin e qëllimeve politike të caktuar dhe para së gjithash
redistribuimin dhe alokacionin e ri të forcës politike dhe për vendosjen e
formave të reja të dominimit politik.
Teza e sociologut të njohur politik nga Gjermania, Claus
Offe, mbi etnifikimin e politikës (“ethnification of the politics”) në një
mënyrë shumë adekuate e shpjegon atë çka veçanërisht ndodh në shoqëritë në
tranzicion. Autori në fjalë tregon se etnifikimi i politikës paraqitet si diçka
tragjike në mikroplanin individual dhe në makroplanin kolektiv.
Teza mbi etnifikimin e politikës e zhvlerëson besimin, i
cili ka qenë gjerësisht i përhapur se koha e nacionalizmit ka kaluar
përgjithmonë dhe se tani gjendemi në periudhën e shoqërive multinacionale dhe
multikulturore dhe që po ashtu jemi në prag të erës postnacionale.
Në qoftëse e pranojmë intencën e tezës mbi etnifikimin e
politikës atëherë duhet të pyesim, a ekzistojnë disa arsye të thella të rritjes
së re të nacionalizmit, i cili gjithsesi është më evident në vendet
postkomuniste, por si fenomen është i pranishëm edhe në shumë vende të demokracisë
perendimore.
Manifestimi i përleshjeve
ndërnacionale si konflikt i identiteve
Në kushtet e etnifikimit të politkës vijat kryesore të
ndarjeve politike dhe format kryesore të përleshjeve kryesore, bëhen konflikte
të identiteteve kolektive. Për dallim prej konflikteve të zakonshme të
interesave të ndryshme, konfliktet e identiteteve (në këtë rast konfliktet
etnike) kanë disa cilësi specifike, të cilat kanë mundur të vërehen qartë në
mapën e konflikteve të ish Jugosllavisë socialiste.
Cilësia e parë dhe më e dukshme e konfliktit të
identiteteve në përgjithsi, ndërsa të konflikteve etnike veçanërisht, është një
ngarkesë e madhe emocionale, një novel i lartë i pasioneve dhe i ndjenjave të
të gjithëve, ose të shumicës së akterëve të përzier në konflikt.
Mu për këtë arsye ato lloje konfliktesh shpesh, në mënyrë
jo adekuate, quhen konflikte iracionale. Ndarja sipas së cilës konflikti i
interesave materiale i takon grupit racional, ndërsa konfliktet ndëretnike i
përksain grupit të përleshjeve iracionale nuk është e saktë, sepse nuk është
fjala mbi kundërshtimet dhe dallimet mbi cilësitë racionale apo iracionale të
konflikteve, por për faktin se për kuptimin e konflikteve etnike komponenta
racionale nuk është e mjaftueshme.
Përndryshe, emocionet dhe përmbajtjet e tjera të
pranishme mbi këtë lloj të konflikteve nuk duhet të jenë, parimisht ato as nuk
janë iracionale. E dyta, në konfliktet e identiteteve si ato individuale dhe
kolektive, shpesh mund të vërehet gadishmëria e palëve ne konflikt të sakrifikojnë
interesat e veta ekonomike dhe të tjera (madje dhe jetën) nëqoftëse e
vlerësojnë se realisht ose potencialisht iu është rrezikuar identiteti.
Ashtu ndodh që sjelljet e akterëve në konfliktin
ndëretnik na duken iracionale, si dhe drejtpërsëdrejti të dëmshme për ata vetë,
ndërsa në të njëjtën kohë aketerët në konflikt ose ato të cilët e mbrojnë
pozicionin e tyre, gjejnë arsyetime për sjelljet e tilla duke u thirrur në
pozicionin dhe pikëpmajet emotive, morale dhe historike, apo të një sistemi të
vlerave në përgjithësi.
Cilësia e tretë e këtyre konflikteve lidhet me atë të
sipërpërmendurin. Prania e pasioneve dhe e ndjenjave me një intensitet të
lartë, e kushtëzon dhe e shpjegon pjesërisht faktin se fjala është për tipin e
konflikteve që mund të quhet eskluziv.
Ato janë konflikte shoqërore të cilat parimisht i
përkasin tipit të konflikteve ose/ose, respektivisht janë konfliktet në të
cilat shkalla e eskluzivitetit është jashtëzakonisht e madhe, në njërën anë
ndërsa niveli i tolerancës në anën tjetër, është shumë i ulët.
Përndryshe, rrezikimi i identitetit social të ndonjë
grupi shoqëror shpie deri te reaksione të ngjashme si dhe situata të rrezikimit
të identitetit të individit, i cili angazhohet me tërë fuqinë e vet për
mbrojtjen e identitetit personal.
Etnifikimi i politikës dhe pakicat
kombëtare
E katërta, cilësi me rëndësi e konfliktit të
identiteteve, në kuadër të saj dhe të përleshjeve ndërnacionale apo etnike
është edhe prania e rolit të frikës. Ajo është frika nga tjetri, frika nga
grupi etnik i cili konsiderohet si kundërshtar. Dhe sikurse në organizimin e
njëriut elementet e kanosura në situatat e rrezikshme me të shpejtë bëjnë
sekrecion apo tajitjet e disa lëngjëve nga gjëndrrat e trupit, ashtu edhe në
indin shoqëror disa bashkësi në kushtet e frikës bashkojnë një energji sociale,
e cila pret për të eksploduar. Pa marrë parasysh se a është frika e arsyeshme
ose siç ndodhë nganjëherë që ajo të rìtrillohet dhe të imagjinohet, ajo bëhet
njësoj një fakt real dhe objektiv, i cili dikton sjelljen e grupeve etnike në
konflikt. Konfliktet ndëretnike në hapësirën e ish – Jugoslavisë socialiste
janë shembull i shkoqitur dhe i qartë që e verteton këtë. Një komponent i
rëndësishëm i frikës është situata e pasigurisë, e cila bën një presion të
rëndë në gjendjen psikike të njerëzve.
Kërkesa për vetëvendosje nacionale
E pesta, për arsye të një logjike të konflikteve të tilla
“krejt ose asgjë”, hapësira për të gjetur një emërues të përbashkët ose zgjidhje
kompromise është rreptësisht e zvogëluar, është vështirë për ta definuar dhe më
vështirë për ta realizuar. Parimisht, ato janë situata në të cilat minimumi i
kërkesave të njërës palë në konflikt kërkon lëshime apo koncesione maksimale të
palës tjetër në konflikt. Një shembull tipik për këtë është kërkesa për
vetëvendosje nacionale deri te ndarja apo shkëputja e cila në hapësirën e ish –
Jugosllavisë socialiste palët në konflikt shpesh i ka prurë në një pozicion
shumë të pavolitshëm përkitazi me mundësinë e zgjidhjes së konflikteve. Për ish
republikat e Jogosllavisë dhe ish krahinat autonome të Kosovës, të cilat kanë
dëshiruar të bëhen shtete të pavarura, kërkesa për vetëvendosje, nga këndi i
shikimit të tyre ka qenë i arsyeshëm dhe legjitim.
Nga pikëpamja e të gjitha atyre forcave sociale,
politike, nacionale dhe ushtarake në krye me udhëheqësinë shtetërore të
Serbisë, të cilët gjoja e kanë mbrojtur unitetin dhe sovranitetin e bashkësisë
së mëparshme shtetërore Jugosllave, kërkesat e tilla kanë qenë të cilësuara si
secesioniste dhe të papranueshme.
Është e kuptueshme se ndërmjet atyre dy pikëpamjeve dhe
qëndrimeve ka qenë vështirë që të vihet deri te zgjidhja kompromise, ashtu që
të gjitha projektet mbi “federatën asimetrike”, “federatën -konfederatën” dhe
“konfederatën” dështuar relativisht lehtë.
E gjashta, konfliktet e identiteteve, veçanërisht
konfliktet ndëretnike kanë paraqitur një veprim të rrezikshëm, të dëmshëm dhe
shkatërrues, të cilat nëpërmjet një induksioni social i forcojnë ato ndjenja të
cilat i kanë nxitur.
Njëra nga manifestimet e saj është edhe një zgjerim dhe
përhapje e një sëmundjeje ngjitëse të solidaritetit të një rrethi më të gjërë
të popullatës sesa ata të cilët me të drejtë do të mund t-i quajmë
nacionalistë.
E shtata, konfliktet etnike në hapësirën e ish
Jugosllavisë kanë treguar se pjesa e atyre që kanë marrë një pozicion neutral
në konflikt ka qenë më i vogël dhe se me zhvillimin e konflikteve grupacioni i
tillë e ka pasur gjithnjë e më të vështirë, veçanërisht ka qenë vështirë të mbetet
neutral atje ku intensiteti i konflikteve ka marrë përmasa të mëdha.
E teta, në natyren dhe në tiparet psikologjike të këtyre
llojeve të konflikteve është e ndërtuar spiralja e rritjes, të cilën ka qenë
vështirë për ta ndalur. Me fjalë të tjera, në qoftë se konflikti zgjat, atëherë
ai fiton një përkrahje sociale më të madhe.
Ajo më tutje do të thotë se lloji i tillë i konfliktit
është më lehtë të neutralizohet apo të amortizohet në fazat fillestare sesa më
vonë.
E nënta, konfliktet e identiteteve, në rradhë të parë
konfliktet ndërnacionale, fare lehtë mund t-i shmangen kontrollit. Historia
është plot shembuj të cilët tregojnë se madje edhe ata të cilët e kanë nisur,
ose që kanë dashur që me konflikte të tilla të manipolojnë, pas kalimit të një
pragu të caktuar nuk janë në gjendje që një konflikt të tillë ta kontrollojnë
apo ta ndalin.
Roli i fjalës dhe i simboleve
E dhjeta, në konfliktin e identiteteve, veçanërisht në
përleshjet ndëretnike, roli i fjalës dhe i simboleve është i madh. Dëmet që
mund t’i sjellin fjalët e pamatura mund të bëhen të pakompensueshme dhe të
pandreqshme.
Ndoshta efektet më negative paraqesin simbolet,
veçanërisht ato që janë të ngarkuara me përvojat dhe memorien negative nga e
kaluara historike. Përdorimi i simboleve çetnike dhe ustashe e ka bërë të
themi, konfliktin midis serbëve dhe kroatëve më tragjik dhe e ka vështirësuar
zgjidhjen. Të gjtha këto cilësi apo karakteristika kanë qenë të pranishme në
konfliktet ndërnacionale në truallin e ish – Jugoslavisë socialiste dhe janë
një vërtetim i pamohueshëm i vlerësimin mbi politikën e etnifikuar.
Multikultura dhe demokracia
Për arsye të problemeve praktike dhe vështirësive me të
cilat janë ballafaquar shoqëritë multikulturore dhe multietnike në prcesin e
tranzicionit nga socializmi real në shoqëritë postkomuniste, e veçanërisht për
shkak të shpërbërjes së tri ish -federatave socialiste (Bashkimi Sovjetik,
Çekosllovakia dhe Jugosllavia), shumë autorë janë të gatshëm të nxjerrin
përfundimin se multikultura dhe demokracia janë në konflikt ose më saktësisht
se multikultura është faktor kufizues dhe pengesë për demokracinë.
Analiza e mëparshme mbi këtë kontekst ofron disa elemente
për konkluza të tilla, mirëpo është e nevojshme të theksojmë se ajo është e
mundshme vetëm në kushte të caktuara dhe vlenë vetëm në rrethana specifike.
Rrethanat e tilla janë, para së gjithash, të lidhura me procese të cilat i kemi
quajtur dhe përshkruar me santagmën “etnifikimi i politikës”.
Në kohët normale, ndërkaq, multikultura më tepër e
favorizon sësa e pengon zhvillimin e demokracisë. Më së pari, në vetë konceptin
e multikulturës përmbahet ideja e pluralizmit, e cila është njëra nga cilësitë
qenësore të demokracisë. Pastaj, multikultura supozon një nivel të caktuar të
tolerancës, të respektimit të llojllojshmërisë dhe të njohjes e të pranimit të
tjetrit, në mënyrë që të mundësohet sendërtimi i jetës së përbashkët.
Toleranca, ndërkaq, është njëra nga supozimet e
domosdoshme të të gjitha demokracive. Më në fund, në mjediset multikulturore
spektri i të drejtave demokratike është më i gjërë, sepse krahas të drejtave
individuale, kërkohen edhe të drejtat përkatëse kolektive të grupeve kulturore
dhe etnike. Mu për atë arsye përfundimi është se multikulturalizmi paraqet një
pengesë për demokracinë vetëm në kushte të caktuara: në kushtet e entifikimit
ekstem të politikës dhe në kushtet e ngushtimit të kuptimit liberal të demokracisë,
që kyç apo përfshin vetëm të drejtat individuale të qytetarëve.
Ato janë kushtet kur pluralizmi i vërtetë politik
redukohet dhe transformohet në pluralizmin etnik. Në atë situatë fjala është
për kthimin e bashkësisë politike në një bashkësi parapolitike. Ato janë ato
situata në të cilat koncepti i shumicës dhe pakicës politike (i cili në
demokraci është një raport i ndryshueshëm) transformohet në një shumicë dhe
pakicë konstante në kuptimin etnik. Etnifikimi i politikës, në të cilin shpesh
kanë marrë pjesë edhe partitë politike të pakicave kombëtare, nuk e ka
favorizuar dhe lehtësuar përmirësimin e pozitës së pakicave etnonacionale dhe
ndikimin e tyre në proceset politike.
Sado që tingëllon befasues dhe paradoksal, etnifikimi i
politikës ka pasur pikërisht një efekt të kundërt në pozitën politike reale të
të gjitha kombeve të cilat në një shoqëri apo pjesë të saj janë në pakicë. Kjo
ndodh për shkak se siç thotë teoricieni anglez George Schoepflin, “qëllimi i
fundi, natyrisht i paarritshëm i ideologjive nacionaliste, është ëndërr – ose
det i natës – mbi shtetet e pastër etnik”. Edhe pse, te formimi i kombeve,
sikurse thonë historianët, nacionalizmi i paraprin kombit, kur është fjala për
pakicat kombëtare situata është e kundërt- kombi i paraprin nacionalizmit.
Konflikti ndërmjet shumicës dhe
pakicave
Sikurse te çdo e drejtë e pakicave, që nuk kemi të bëjmë
me të drejtat e pakicave kombëtare vërehet edhe më qartë – ekziston instalimi i
konfliktit ndërmjet interesave të shumicës, të cilat i përfaqëson shteti (dhe i
cili, objektivisht, e favorizon kombin shumicë) dhe interesave të pakicave
(përfaqësimi i të cilave gjithëherë dhe objektivisht, pra jo vetëm
subjektivisht, është i vështirësuar).
Në qoftë se një relacion i tillë, potencialisht
konfliktuoz, fiton edhe cilësi të konfliktit të identiteteve kolektive (në baza
të ndjenjave të përhapura mbi rrezikimin objektiv ose të supozuar, të
imagjinuar dhe të trilluar të identitetit, të njërës apo tjetrës palë), për çka
tashmë është bërë fjalë, atëherë konflikti është i pashmangshëm dhe fiton shumë
përmbajtje dhe karakteristika emotive dhe iracionale.
Në qoftë se konflikti i identiteteve nacionale e kalon
një prag të caktuar të tolerancës, zgjidhja e tij në kuadër të një politike
normale, e kuptuar si harmonizim i interesave të ndryshme, bëhet shumë e
vështirë. Madje edhe nën supozimin se aranzhmanet politike të shoqërisë në
tranzicion janë me kapacitete dhe potenciale shumë më të mëdha sesa që janë
objektivisht (duke marrë parasysh nivelin relativisht të ulët të kulturës
politike, të ngarkuar me një trashëgimi nga e kaluara e afërt apo e largët
etj.), do të ishte optimizëm i tepruar të pritet se mund të merren shpejt,
lehtë dhe me sukses me problemet e nacionalizmit dhe të etnifikimit të
politikës. Llogarinë më të madhe të një mossuksesi të tillë e paguajnë
gjithësesi pakicat. Veçanërisht ajo vlen për shoqëritë në të cilat tendencat
autoritare janë shumë të forta dhe të cilat oscilojnë ndërmjet “demokracive
despotike” dhe të “despotive demokratike”.
Dalja nga situata e pavolitshme-
realizim i strategjisë komplekse
Për të dalur nga një situatë aq e pavolitshme është e
nevojshme që të realizohet një strategji komplekse, dhe pikërisht në nivele të
ndryshme. Në nivelin e rendit kushtetues-juridik është e domosdoshme të
vendoset një balancë ndërmjet të drejtave individuale të qyteteve dhe të
drejtave kolektive të grupeve etnike, si dhe njëfarë baraspeshe ndërmjet të
drejtave sovrane të shtetit dhe demokracisë së një shkalle të autonomisë
etnike.
Në një plan të gjerë shoqëror është i domosdoshëm që
nëpërmjet zhvillimit të shoqërisë civile të vendosen kushtet për zhvillimin e
pluralizmit civil etnik në vend të etnonacionalizmit politik. Me fjalë të tjera
në kushtet kur të gjitha partitë politike bëhen parti etnopolitike, është e
nevojshme të bëhet ndërrimi i qendrës së rëndesës dhe i fushës së luftës për të
drejtat e pakicave kombëtare nga një sferë e ngushtë politike në një plan më të
gjërë shoqëror. Përkundrazi, partitë etnopolitike të pakicave nuk kanë gjasa
dhe shpresa të mëdha për sukses në zgjidhjen e çështjes së pakicave kombëtare.
Të përfundoj: etnifikimi i politikës dhe jo
multikulturalizmi si i tillë, është njëra nga sfidat më të mëdha për
demokracinë bashkëkohore. Teoria demokratike moderne nuk ka përgjigje adekuate
për çështjet të cilat dalin nga procesi i politizimit të etnicitetit dhe të
etnifikimit të politikës. Për këtë arsye, si zgjidhje optimale mund të jetë
zhvillimi i etnicitetit civil, në vend të etnicitetit të politizuar nacional –
dhe ajo duhet të vlejë për të gjitha grupet etnike, pavarësisht se a u përkasin
kombeve shumicë apo pakicave kombëtare.