| E enjte, 15.04.2021, 09:01 PM |
TË VËRTETAT E PA THËNA NGA ELEFTHERIA MANDA NË “ÇAMËT MYSLIMANË TË EPIRIT” (1923-2000)(¹)
PJESA II
Nga Fahri
Dahri
II.- Koha e ngjarjeve është parim themelor ku
mbështetet për të shkruar historinë e ngjarjeve. Përqëndrimi i studimit
historik, shkencor nuk mund të jetë i izoluar, përkundrazi kërkohet të sigurojë
shtrirje në kohë dhe hapësirë, ndryshe më e shumta të nxjerr jashtë loje, dmth,
studimi historik apo shkencor do mbetet pa jetë, pa vlerë. Të ndërmerret një
studim për tragjedinë, masakrënn greke, që cilësohet pa asnjë dyshim gjenocid
ndaj një komuniteti autokton në tërësi, duke e shkëputur ngjarjen nga shkaqet e
pasojës, nuk mund të konkludohet për të shkruar të vërtetat. Studimi po të
ishte shtrirë edhe në kohë për trajtimin e ngjarjeve, nga viti 1821 dhe jo nga
viti 1923, kur shkaqet e ngjarjes janë dhjetë dekada më përpara, do të
kishim arritje të saktë, të besueshme.
Duke vepruar me cungmin e kohës për kryerjen
e studimit, lë të kuptohet që fajtori të mos jetë fajtor por i detyruar të
veprojë ashtu pasi viktima nuk pranoi sulmet e parreshtura të diktaturës
ortodokse bizantine. Ishte ky qëndrim i tyre, që ortodoksia greke i quajti të
padëshirueshëm, "tradhëtarë" të kombit grek dhe së fundi e gjithë
popullsia myslimane autoktone e zonës, deri edhe fëmijët që prisnin të vinin në
jetë, u quajtën bashkëpunorë me pushtuesit. Si pasojë e shpifjeve filluan
masakrat, dëbimet masive egërsisht të dhunshme.
Në studim, bëhen përpjekje për zbehjen e
masakrave greke, duke sqaruar gjoja se shteti grek nuk e kishte atë qëllim, por
e detyruan rrethanat e krijuara gjatë L2B.
Trajtimi i problemeve i shkëputur, nuk e
sqaron ngjarjen, konkluzionet nuk i shërbejnë të sotmes, as të ardhmes. Po
ashtu nuk shohim asnjë dritë për zbatimin në praktikë të rrëfimit, pendimit dhe
kompensimit nga pala vrasëse, kritere dhe parime këto të predikueshme dhe
shtylla ku mbështetet çdo besim, përfshi dhe kishën ortodokse. Por qendrimet e
kësaj të fundit, janë tregues të vërtetë
të racizmit grek si ndaj pakicave etnike dhe besimeve ndryshe nga ortoksia
bizantine greke!.
III.- Ngjarja.
Lidhur me këtë kriter të historisë, nuk është
vendi për ta trajtuar, por do të theksojmë disa sqarime të nevojshme, që
shërbejnë në saktësimin e konkludimeve të bëra nga autorja. Ngjarja u krye,
ndodhi, u bë dhe nuk zhbëhet.
* Rajoni i Çamërisë duhet trajtuar jo si i
përfshirë në vitin 1913 në Greqi, por si i shkëputur padrejtësisht nga trungu,
duke i kaluar Greqisë, rrjedhojë e influencave fetare dhe ruajtjes së
ekuilibrave të Fuqive të Mëdha. Nëse ngjarja kthehet në çështje, ajo nuk mund
të kategorizohet si teori, por vazhdon e mbetet një realitet, pavarësisht nga përpjekjet
maksimale për censurim shkrimesh historike, fshehje, fshirje, mohim etnie,
identiteti qofshin edhe për 50, 100 dhe më shumë vite, nga pushtetet e dy
vendeve fqinje Greqi-Shqipëri.
*Konkluzioni i arritur nga autorja për
"Çështjen Çame", se gjoja në formën e saj të re, na paska fituar më
tepër "natyrë ekonomike dhe ligjore", është tepër naiv, i pasaktë, i
pavërtetë, nëse tentohet për alternativë zgjidhjeje, gjetja është shumë
foshnjore. Çështja, që na paraqitet në studim, primare nuk ka pronën, e cila do
ta thjeshtonte problemin në masa subjektive të qeverive të ndryshme, duke kryer
reforma agrare të ligjshme apo të paligjshme.
* Ngjarja makabre, masakrat greke të
ushtruara ndaj asaj popullsie, radhazi për 190 vjet, nën petkun fetaro-etnik
dhe përpjekjeve për vënien në zbatim të plotë të strategjisë së
"Megalloidesë", duke përdorur taktika të ndryshme në shrytëzim të
situatave dhe kushteve kohore, janë shumë herë mbi ato ekonomike.
* Ngjarjet në Rajonin e Çamërisë, kërkojnë:
rikthim në identitet të çamëve (myslimanë dhe ortodoksë) dhe të gjithë rajonit;
të realizohet rrëfimi, pendimi dhe kompensimi i gjenocidit, kjo në vartësi të
ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë së kishës dhe shtetit grek, ose në zbatim
të vendimeve të mundshme të Gjykatës përkatëse Ndërkombëtare.
Mirë do ishte që studimi, siç pretendon ta
quajë autorja, të përqëndrohej në trajtimin edhe të kësaj ane të "çështjes
së çamëve myslimanë të Epirit.
IV.- Personazhet që ndikuan në ato masakra,
janë të shumtë dhe të ndryshëm por të përshtatshëm me rrethanat nën dirigjimet
e mjeshtrave të gënjeshtrave, shpifjeve, pabesive, mashtrimeve që favorizojnë
zhvillimet shoqërore kohore. Personazhet më kryesorë, ku duhet të ushtrohet
vemendja e punimeve historike, janë tek strategjitë afatgjata, politikat
ekonomiko-sociale, ushtarake, idetë e aplikuara dhe të përdorura me sukses nga
pala greke kundër çamëve myslimanë të Çamërisë (Çamëria është pjesë përbërëse e
Epirit).
Nuk duhet hallakatur me personat fizikë që
kryen masakrat, pasi ata mbeten gjithëmone lojtarë që zbatojnë taktikat e
trainerëve për të realizuar objektivat strategjike, veç kësaj ata dhe bëmat e
tyre janë bërë të njohura në shkrimet e shumta, të cilat gjenden edhe tek
librat: "Masakrat në Çamëri", botim i vitit 2009; "Amaneti
çam", botim i vitit 2011; "Njohuri historike për Thesproti-Çamërinë,
botim i vitit 2014; "Realitete që vuvosin akuzat greke", botim i
vitit 2016; dhe botime të tjera, që shkruajnë të vërtetat e masakrave dhe
arsyet e sotme të shtetit grek e tellallëve të tyre me qëndrimin "Çështja
Çame" nuk ekziston.
Strategjia afatgjatë e shtetit grek qëndron
në vendimet e marra të formuluara më 25 mars 1821 nga
"megalloideistët", ku u vendos strategjia e parimeve bazë të
politikës së jashtme greke. E ritheksojmë dhe njëherë këtë strategji, për të
krijuar bindje tek lexuesit se kjo është e vërteta e hidhur e cila i
"detyron" dhe i shtyn kishën dhe shtetin grek, për të kryer veprime
jonjerëzore ndaj të tjerëve me besim jo ortodoks: "Përfaqësuesit e kombit
grek, mblidhen për të vendosur jo më për fatin e populli të shtetit grek, por
për të vendosur fatin e të gjithë kombit grek, duke kuptuar se kombi grek
përfshin dhe përbëhet nga të gjithë besimtarët ortodoksë". Kusht për
realizimin e strategjisë janë taktikat që formulohen mjeshtërisht në përshtatje
me rrethanat gjeopolitike dhe shoqërore brenda dhe jashtë rajonit Ballkanik.
Njihemi me disa nga taktikat specifike të përdorura për gati gjatë 200 viteve
nga pala greke:
* Pabesia, është e kundërta e mbajtjes së
fjalës dhe premtimit të dhënë. Mbajtja e fjalës, njihet si virtyt nga e gjithë
bota. Kudo, shtetet, komunitetet, bisneset, marrëdhëniet mes njerëzve etj. nuk
mund të funksionojnë normalisht, nëse mungon besimi i ndërsjelltë, nëse mungon
bindja se njëra palë nuk do e mbaj fjalën e dhënë. Virtyti i besës për palën
greke, është zevëndësuar me pabesinë, e
cila ka nisur të aplikohet që në vitet e para
të kryengritjeve që sollën pavarësinë e shtetit grek. Faktet historike tregojnë
se marrëveshjet e lidhura me shtetin grek nuk kanë gjetur asnjëherë zbatim prej
tyre. Kështu ndodhi me marrëveshjen e bërë mes kryengritësve grekë me suliotët
dhe agallarët çamë, në luftë kundër armiqëve (rusëve e turqëve), sikundër dihen
dhe shkeljet nga pala greke pas fitoreve të betejave dhe luftrave, duke filluar
nga kryetari Mavrokordatos. Pabesia greke njihet, ajo vazhdoi edhe pas fitores
së pavarësisë, si ajo e luftës së vitit 1854, për të ardhur tek veprimet e mos
zbatimit të traktateve, konventave, marrëveshjeve të lidhura gjatë shekullit XX
me ndërkombëtarët, ku mbi 12 të tilla janë vetëm për detyrimet greke ndaj
banorëve të Çamërisë. Përmendim ato të vitit 1913 me shtetin osman për pasurit
e patundshme të komuniteteve që kaluan nën shtetin grek; moszbatimi i vendimit
të Komisionit Miks i datës 14 mars 1924, që myslimanët e Epirit me origjinë
shqiptare, të përjashtoheshin nga shkëmbimi i popullsive dhe akte të tjera të
pranuara e të nënëshkruara, por që nuk kanë gjetur zbatim prej shtetit grek.
Shqetësues është trajtimi në studim i
argumentave për domosdoshmërinë e shpërnguljes së çamëve, kjo për faktin pasi
autorja shtjellon pasojën dhe jo shkakun, megjithëse nuk i shmanget dot
kokëfortësisë së fakteve. Sjell edhe aspekte të pakuptimta të palës greke kur
këmbëngulet për kriterin e vendit të origjinës, duke i pranuar origjinën
shqiptare çamëve nëse kanë prej ardhje nga prindër të lindur në shtetin
shqiptar, kur dihej se çamët ishin banorë autoktonë, me etni jogreke që nga
koha parahomerike. I pakuptimtë është deklarimi i herëpashershëm në libër se
çamët myslimanë e dëshironin vetë shpërnguljen për në Turqi, pasi gjoja
ndjeheshin më shumë turq se sa shqiptarë. Në vazhdim të librit, studimi
mundohet të shfajësojë autoritetet greke, të cilat, sipas saj, kishin dhënë
herë pas here gjithë garancitë për mos shpërnguljen e çamëve, kur dihen faktet,
manovrimet dhe sjelljet e pista greke që përdornin për ti detyruar çamët që të
largoheshin.
E kuptoj situatën e vështirë të autores, por
nuk mund t'i jap të drejtë, pasi disa nga faktet e mëposhtëme tregojnë të
kundërtën e shkrimeve në libër.
* Përse ishte krijuar ajo situatë, ku
kërkohej shpërngulje popullatash prej të dy shteteve Greqi-Turqi? Përse çamët
të përfshiheshin në atë këmbim? Dihej se ishin në vendin e tyre, me etni, gjuhë
dhe zakone shqiptare. Përgjigja nuk gjendet në studim, e cila duhej shtjelluar
duke kritikuar ashpër të dy shtetet që ndanin njerëzimin në dy kampe, mbi baza
fetare. Kjo ndarje e zbërthyer në traditën shqiptare, shpie si veprim ndarjen
brenda familjeve të rajonit të Çamërisë, pasi shqiptarët bëjnë martesa,
pavarësisht besimit fetar.
* Kur çamët ishin aq entuziatë, siç na
trajtohet në studim, për të braktisur vendin dhe të shkonin në Turqi, cili
ishte shkaku që paskan qëndruar tre muaj të ankoruar vaporët e Turqisë në
portin e Gumenicës në pritje të tyre?
E qartë, çamët nuk donin të iknin, sepse
ishin atdhetarë, ata nuk arrinin të perceptonin se besimet fetare vendosnin
vendbanimet! Ky fakt më detyron t'ju kujtoj liderve botërorë se edhe llojet e
pemëve kanë sinoret e tyre ku zhvillohen e shumohen!.
* Kur autoritetet greke paskan dhënë
garancira për mos shpërnguljen e çamëve, pse e komplikonin çështjen e origjinës
së tyre me kërkesën apo kushtin e vërtetimeve që duhej të ishin nga prindër të
lindur në shtetin shqiptar, kur dihej se çamët ishin të asaj etnie dhe në
vendin e tyre autokton?. Po ashtu dihej se nuk kishte shtet shqiptar para vitit
1913!.
* Shtjellimi nga historiania se banorët e
rajonit ishin ndarë në dy rryma, ku njëra palë dëshironte të largohej dhe një
pjesë e banorëve nuk dëshironin largimin, nuk ishte çështje dëshire. Të gjithë
banorët e Çamërisë nuk e konceptonin idenë e largimit nga vendi i tyre
autokton, nga pasurite dhe trashëgimia mijravjeçare.
a)
Sqarojmë se banorët që diskutonin idenë e ikjes, kishin bindje se shteti
dhe kisha greke, nuk do të ndaleshin duke kryer raprezalje ndaj çamëve të cilat
kishin ndodhur në vazhdimësi që nga viti 1913, si rrjedhojë përpara situatave
të krijuara "jetë apo vdekje" ata zgjidhnin largimin.
b) Banorët e tjerë që nuk donin largimin,
shpresonin në ndryshimin e kursit të qeverive greke ndaj tyre. Shpresat
ngjalleshin nga qendrimet e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila
këshillonte dikasteret e tjera, administratat dhe xhandarmëritë lokale për të
zbutur qendrimet ndaj çamëve thesprotë, mbasi këto të fundit në raportet që i
dërgonin qendrës, gjatë viteve tridhjetë, i paraqisnin çamët
"elementë" armiqësorë duke sugjeruar dhe kërkuar përndjekjen e tyre.
Koha tregoi se edhe këshillat e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ishin demagogji,
nuk ishin të vërteta, aspak të sinqerta,
bëheshin për efekte diplomatike.
Mënyra zbutëse e shtjellimit nga historiania,
të dëbimit të çamëve nga vendi i tyre, tregohet qartë si manovrim për të
shpëtuar shtetin grek nga përgjegjësia e gjanocidit të kryer.
Autorja e zënë ngushtë, pranon vështirësitë
ekonomiko-sociale të çamëve, si rrjedhojë e keqsjelljeve të qeverive të para
dhe pas luftës, por fajson çamët për largimin, duke e cilësuar si dëshirë të
tyre. Argumenti se disa çamë i kundërviheshin largimit, pasi gjoja ishin të
mbrujtur me një frymë fanatike fetare, me traditat dhe zakonet e vjetra
myslimane, që nuk i shikonin me sy të mirë reformat fetare të adoptuatara si në
Turqi dhe Shqipëri drejt konsolidimit të shtetit laik dhe të çlirimit të grave
nga izolimi i rreptë brenda hapësirave të shtëpive dhe heqjen e ferexheve. Edhe
këtu autorja bie pre e shpufjeve ku çamët dalin më fetarë se sa turqit apo
osmanllinjtë. Kuptohet qëllimi që gjithçka të kurdiset kundër çamëve, por sado
shpifje të thurren, ato zhvleftësohen po nga vetë autorja, e cila në tekst
deklaron se
banorët e Çamërisë ishin agallarë dhe se
punët e tyre në bujqësi, ndërtim etj. i kryenin të krishterët (ortodoksët
periferikë me kombësi greke). Del qartë arësyeja pse çamët nuk kishin nevojë
për të nxjerrë gratë apo fëmijët në punë të rënda, të vështira, pasi ato punë
në zonë, u tha kryheshin nga argatët e kombësisë greke.
E vërteta që cilësohet nga autorja, lidhur ne
reformat fetare për konsolidimin në shtet laik të Turqisë dhe Shqipërisë, duhej
të thuhej edhe për shtetin grek, i cili nuk e realizon dot atë reformë, por
mbetet në statu-quonë e një shteti që udhëhiqet jo nga parimet demokratiket,
por vazhdon të mbetet nën diktatin e kishës ortodokse, e mbështetur në
strategjinë e kombësisë greke me të qënurit ortodoksë dhe më e pakuptimtja
marrja e atributit si udhëheqësja dhe zotëruesja e besimit ortodoks botëror.
Fahri Dahri. 06.04.2021.-
Vijon