| E enjte, 15.04.2021, 09:00 PM |
Batuta
Nga
Astrit Lulushi
Çfarë
s’po shihet në fushatë. Shqipëria ka dalë në shitje, lirë fare, e ndarë në
copa. Vetëm kryetarë shihen, që premtojnë gjëra që nuk i kanë, ose ato që
s’kanë mundur t’i realizojnë gjatë viteve në pushtet. Njëkohësisht s’pranojnë
asnjë gabim dhe thërrasin se zgjedhjen e kanë të sigurt; të tjerët janë thjesh
numra, qofshin edhe kandidatët për në Foltore, ku vetëm një parti flet e
dëgjohet; Kuvend nuk mund të quhet. Populli përdoret për konsum a ‘mish për
top’, dhe vendi konsiderohet si pronë për ta ndarë me cilin ‘numër’ të duan.
Kreu i qeverisë mendon se është Perandori: “Me këtë opozitë, qendroj në pushtet
1500 vjet”, thotë. Pak më tej nga Kryeministria, në të njëjtin Bulevard, Kreu i
shtetit bërtet se është opozitë, edhe pse çdo ditë paraqitet për punë në
pallatin e Presidentit. Partia e tij LSI duhej të quhej Lëvizja Socialiste
Informale, si e gjindshme në kohë të vështira. Sa të mbrapshtë janë këta njerëz
dhe nuk e kuptojnë se janë; si hordhi, sytë iu janë veshur; ata që u shkojnë
pas janë të një lloji, në mos më keq bëhen kur marrin një post. ‘Psikologji e
kundërt’ quhet kjo taktikë që përdorin për të sulmuar kundërshtarin;
manipulojnë për t’i shtyrë njerëzit të bëjnë të kundërtën; inkurajojnë
kundërshtarin të mos arrijë synimin. Dhe e përdorin këtë teknikë qëllimisht,
djallëzisht, duke e shtrembëruar - ndryshe nga një prind që mund të përdorë
psikologji të kundërt tek fëmija i tij, duke i thënë - "Ti ndoshta nuk je
në gjendje ta mbarosh pjatën" - në mënyrë që fëmija ta mbarojë. Ndërsa
mund të shihet si mënyrë për të manaxhuar sjelljen e një personi tjetër, kjo
psikologji e kundërt përdoret si formë manipulimi; dhe gjuha e saj është
“batuta” - fjalë nga spanjishtja për “shkop dirigjenti” - që jep shenjën, se
kur duhet të fillojë dhe kur duhet të mbarojë e qeshura.