| E marte, 13.04.2021, 10:00 PM |
Aty ku edhe vdekja ishte ëndërr e parealizueshme
Nga
Gjekë Gjonaj
Periudha
komuniste në ish- Jugosllavi është e dhimbshme
për shumë njerëz që u dënuan dhe u persekutuan prej saj. Mundimet e
tmerrshme të këtij burgu famëkeq në
Kroaci i kanë përjetuar edhe shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe
dhjetëra qytetarë nga Hoti, Gruda, Trieshi ,
Koja, e treva tjera shqiptare në Mal të Zi. Disa nga ata mbijetuan vuajtjet dhe
torturat më brutale të këtij ferri
komunist, të cilat nuk i kishin në praktikën e vet as nazistët e as sovjetikët. Por jo të
gjithë. Një numër i vogël i tyre vdiq nga torturat, apo u vranë , duke i lënë përgjithmonë eshtrat e veta atje,
të cilëve as sot nuk u dihet vendvarrimi.
Nuk
jam në dijeni se a është gjallë sot
ndokush prej malësorëve që e kanë vuajtur hijen e errët të atij sistemi. Por, për fat të mirë
ka mbetur një pjesë e kujtesës së tyre, e cila mendoj se do të duhej të jetë për të gjithë ne, një vlerë që nuk duhet hedhur në koshin e
harresës. Pa kujtesë, shumëçka harrohet
dhe së fundmi humbet. Kështu do të ndodhte edhe me një pjesë të
dhimbshme të jetës së mundimshme të
dhjetëra të dënuarve politikë nga Malësia, që përjetuan tortura, dhimbje, vuajtje e
trishtim gjatë qëndrimit në burgun
famëkeq në Goli Otok ( Ishulli i
Zhveshur) ku , siç shprehen ata, edhe vdekja ishte një ëndërr e parealizueshme,
pasi mbikëqyrja ishte e rreptë. Rrëfimet
e shumë të burgosurve malësorë , që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut,
dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e
njerëzimit. Të dënuarit politikë , sipas dëshmive të të burgosurve dhe
dokumenteve të shkruara, i mbanin gjallë aq sa për t’i detyruar të vuanim atë
makth, vetëm për hir të kënaqësisë për t’i torturuar deri në atë masë saqë
njerëzit humbitnin vetëdijen dhe qëndronin të shtrirë për tokë, sikur të vrarët
në betejën e luftës.
Rrëfimet
e shumë të burgosurve malësorë , që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut,
dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e
njerëzimit. Qëllimi ka qenë i qartë: jo vetëm dëmtimi fizik, por edhe thyerja
dhe shkatërrimi i plotë shpirtëror i çdo të burgosuri. Aty është praktikuar
rrahja e të burgosurve në mes vete (të burgosurit e vjetër rrihnin deri
alivanosje dhe vdekje të burgosurit e rinj që vinin në këtë kamp famëkeq). Pas
punëve të rënda e të mundimshme që bënin gjatë ditës, të burgosurit për çdo
mbrëmje ishin të detyruar të kalonin nëpër kordonin e gjallë të të burgosurve
të penduar dhe të udbashëve të çakërdisur... Në Goli Otok, pra të burgosurit me
karakter të thyer e të përbaltur (tipat më imoral) jo vetëm që “vetëqeverisnin”
me krejt kampin, por bëheshin edhe xhelatë të atyre që kishin karakter
njerëzorë e të pathyeshëm.
I
dënuari politikë nga Trieshi Nikë Gjeti Arapaj në librin e tij “Në hijen e
heshtjes” deri në detaje ka përshkruar shumë
vuajtje që i ka përjetuar ai dhe shumë shqiptarë -malësorë e të dënuar
të tjerë. Ai , ndër të tjera,
shkruan se oficerët e UDBA-së i torturonin në mënyrën më mizore. “ Po u kallëzoj çudinë që e pashë me sy kur na zhveshën
lakuriq e na ulën në det me u la. Si
ishin njerëzit e gjallë në Goli Otok. Veç ata eshtën të mbërthyem. Ishte e
çuditshme se ku u mbahej shpirti njerëzve. Të betohem se 50 njerëz me i
pasë rjepë, nuk i kishin 60 kile mish e lëkurë të gjithë bashkë, ashtu ishin
ata njerëz. Ishte çudi si mund të qëndronin ata eshtën të kapun. Si mundeshin
ata njerëz me ecë ose me folë? , pohon Arapaj.
Ai tregon se një metodë tjetër ishte me ndërrua qëndrimin , mendimin (
redivirati stav), që nënkupton rrahjen
me grushte e shqelma, të fusnin në ndonjë zyrë
ku nuk shihje askënd përveç disa milicë të tërbuar të cilët fusnin çarapët në gojë, për të mos mundur me
marrë frymë për goje, të shtinin lakomicën
në bira të hundës dhe me bokallë
të qitnin ujë nga i cili të vinte koha të pëlcasësh. Të burgosurit i detyronin të pijnë ujë të valë. Atyre u duhej
të kalonin dy rreshta ku ishin së paku 200 vetë, të cilët të rrihnin pa
mëshirë. Ndokujt edhe ia kanë nxjerrë syrin. Sipas fjalëve të Dedë Malit Gjurashaj, tashmë i ndjerë, i cili
mbijetoi vajtjet e burgut në Goli Otok puna e parë dhe kryesore, që shërbeu
edhe si torturë, ishte thyerja dhe bartja e gurëve, në pikë të diellit.. Gurët
janë bartur në dy mënyra: në krahë dhe në lese prej dërrase. Lesat mbusheshin
me gurë prej rreth 100 kilogramësh dhe i bartnin dy të burgosur, ndërsa
kujdestari i shtynte të shpejtonin, thuaja në vrap. Nga puna e tillë e rëndë e
terë ditshme, të burgosurit rraskapiteshin, sa shpesh binin e plandoseshin për
tokë.
Për
ndëshkimet e rënda në Goli Otok më ka
treguar edhe një tjetër trieshjanë i
dënuar politik, Nikollë Baci Arapaj. Ai më ka folur se të burgosurit shpesh
ndëshkoheshin edhe me ndëshkime të tjera, me punë të rëndë shtesë, me shkurtim
të gjumit, me shkurtim të sasisë së bukës, që edhe ashtu ishte vetëm 150-200
gramë në ditë, me dënim me qëndrim mbi kibëll, që është një nevojtore portative
në barakë për përdorim natën nga të burgosurit, me qëndrim në diell tërë ditën
etj.
Gruiçiq
Vladimir në librin e tij” Nga dëshmia gojore në një parandigmë
biopolitike” shkruan: - Nën batanije
nënkupton torturimin e izolimit nga të burgosurit e tjerë duke lëvizur në një
kazermë tjetër ku ai u abuzua fizikisht dhe u mor në pyetje. Në pantallona u
krye një lëvizje e zorrëve të vogla e cila krijon një ndjenjë të shqetësimit,
turpit dhe ekspozimit ndaj infeksionit. Noti spanjoll ishte procesi i lidhjes
së të burgosurve me një litar dhe vënies së tyre në një pozicion të
mbështjellë. Nxjerrja e rërës në
shoqërinë e Korda është emri i torturës, i cili u emërua pas një të burgosuri
me pseudonimin "Korda" dhe konsistonte në nxjerrjen e rërës nga
cekëtit me një lopatë. Një torturë e
veçantë ishte nxjerrja e rërës në shoqërinë “
Kodra” e cila bëhej në dimër kur temperatura e ujit është
shumë e ulët dhe mund të jetë kërcënuese për jetën. Nga ana tjetër, izolimi në korridoret e errëta , të lagura e të
ftohta nëntokësore, të mbushura me minj. Grupi 101 ose Petrova rupa
( gropa e Pjetrit) ishte emri për pjesën
më famëkeqe të kampit ku praktikantët e sjellë ishin anëtarët më të shquar të
Partisë Komuniste. Veprimet e saj janë të fshehura në fshehtësi, megjithëse
dëshmitë flasin për tortura të tmerrshme, kur të burgosurit rriheshin për
vdekje me shkopinj. Të burgosurit vdisnin nga uria dhe liheshin të uritur ose
rrahur, gjë që ndonjëherë do të çonte në vdekje më të shpejtë.
Përveç
dënimeve të gjata kohore, atyre gjatë vuajtjes së dënimit u mohohej çdo lloj e
drejte. S’kishin të drejtë të ankoheshin për burgosjen pa gjyq e pa gjykim, as
për punën e rëndë, as për torturat që ushtroheshin çdo ditë, as për mangësi
ushqimi, as për etjen e vazhdueshme, kur uji kufizohej me me dy-tri gota në
ditë. Dhe të gjitha këto dhe mënyra të tjera, siç na treguan të dënuarit politikë,
nuk ishin për një ditë, por ishin të përditshme, aq sa edhe ushqimin
detyroheshin ta hanin në këmbë dhe dy-tre veta me një lugë.