| E hene, 12.04.2021, 08:50 PM |
NJË VEPËR E VEÇANTË ME VLERA TE MEDHA SHKENCORE
-“Studiues
austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021-
NGA
FRAN GJOKA
Në
krijimtarinë letrare e hulumtuese Austria dallohet që në lashtësi me
shkencëtarë që dhanë vepra shkencore me vlerë në lëmin e gjuhësisë, shkencës,
etnografisë, arkeologjisë shqiptare. Hulumtimet e tyre janë baza e fjalës
shkencore mbi gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar si kombi më i lashtë jo vetëm
në kontinentin tonë. Që herët, raportet
mes dy kombeve dhe dy gjuhëve ishin të lidhura në rrethana historike të
caktuara kohëve. Fan Stilian Noli, rreth kësaj, mes tjerash, thotë: “I vetmi
shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume
e Habsburgëve... . Ajo ka ditur si të sillet me shqiptarët e si t’ua fitojnë
zemrat. Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen
më mirë se çdo arnaut”. Nisur nga këto raporte, që herët, shumë të rinj
shqiptarë, të studiojnë në shkollat dhe universitet austriake, veçanërisht në
Vjenë, por edhe në Graz, Klagenfurt, Linz, Insbruk. Në albanologji ishin hedhur
hapa të rëndësishëm nga albanologu austriak me origjinë hebre, Norbet Jokl, i
cili me të drejtë konsiderohet themeluesi i studimeve albanologjike. Nxënës i
Nokl-it ishte Eqrem Çabej, i njohur për albanologjinë në përmasa ndërkombëtare.
Gjenerata e studiuesve austriakë e shqiptarë kishte bazamentin e saj duke u
shtuar numri i tyre nga të gjitha trevat shqiptare që studiuan në Austri. Shumica e tyre janë figura të njohura
historike të kombit, por pak është ditur për veprat e tyre në mungesë të
hulumtimeve. Njëra nga veprat, e cila na ofron me shumicën e studiuesve nga
gjuhësia, arti dhe kultura, pa dyshim është vepra më e re e autorit tani të
njohur, Hazir Mehmeti, me titull “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”,
2021. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Artini” dhe ka 280 faqe, i ndarë në pesë kapituj, me
redaktor shkrimtarin e mirënjohur Bedri Tahiri dhe ballinën e botimit të dytë
të punuar nga Zeni Ballazhi. Numri i
madh i studiuesve austriakë dhe studiuesve shqiptarë asnjëherë nuk ishin
paraqitur së bashku në formë enciklopedie në tekst e foto dhe kjo është e veçanta
dhe vlera e dëshmuar e librit.
”Vjena
ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence, që ishin me origjinë
shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare.
Deri më tani pak i është kushtuar rëndësi këtyre, andaj ne dimë pak për ta dhe
veprat e tyre. Në përgjithësi na mungon
tradita e shkrimeve. Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitetet rreth mësimit dhe
atyre kulturore në rrethet e gjëra të
vendorëve dhe vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës
shqipe, aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e
mirë që nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e
kuptoj si të tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,-
shprehet vetë autori. Libri fillon me
kapitullin e parë nga periudha e hershme e raporteve mes dy kombeve bazuar në
figurat e njohura shkencore, kryesisht autor gjermanfolës.
Po
shkëpusim pjesë nga redaktori i librit, BedriTahiri: “Në fakt, ky libër, të
cilin autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë të ndjerë, shkencëtares së
papërsëritshme, Vlorë Mehmetit-Tërshani, vjen si vazhdimësi e monografisë
“Mësimi shqip në Austri”, në të cilën autori pati përfshirë punën sistematike
njëzetepesëvjeçare (1987-2012). Libri ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË
AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë- hollë, paraqet një lloj
enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që
pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që
folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli.
“Kapitulli
i dytë shpërfaq qartë e natyrshëm kontributin e pazëvendësueshëm të
gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke nisur që me Arnold Fon Harffin,
autorin e dokumentit të dytë të gjuhës
shqipe, për të vazhduar me Johannes Thunman, Jakob Philipp, Fallmerayer,
Johannes Georgvon Hahn, Gustav Meyer, Leo Freundlichm Franz Baron Nopcsa, Jan
Urban Jarnik, Norbert Jokl, Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich,
Theodor Ippen Herman M. Ölberg Wilfried Fiedler e Dr. Kurt Goschtentshnigg etj.
Ndërkaq
në kapitullin e tretë mund të mësojmë për personalitete të njohura austriake me
origjinë shqiptare, siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega e Aleksandër Moisiun, me të cilët krenohet
edhe e gjithë bota e civilizuar.
Thelbin
e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta
dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri,
në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem
Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku,
Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba e shumë e shumë
të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe
vajza e autorit e nxënësja ime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.
I
rëndësishëm dhe mjaft interesant na del edhe kapitulli i fundit “Shoqëritë
shqiptare në Austri”, ku, në mënyrë përmbledhëse e të argumentuar, pasqyrohet
jeta kulturore e veprimtaritë e begata të shoqërive, revistave, gazetave, gramatikave, klubeve,
organizatave e shoqatave prodhimtare shqiptare në Austri. Në kuadër të këtij
kapitulli është futur edhe një shtojcë plotësuese me emrin “Dromca nga shtypi i
kohës, kushtuar figurave të prezantuara në libër”, të cilat janë shkëputur nga
botimet e mëhershme nëpër revista e gazeta të ndryshme nga vetë autori i
librit. Dhe, e gjithë kjo punë, do të dilte e zbehtë fare, po mos të
shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për
zemër. Nëse gjithmonë është thënë: -Një foto flet sa një mijë fjalë, atëherë
del se libri “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe
kulturë ”, paskësh vlerë të madhe dhe po del se paskësha pasur të drejtë kur,
që në fillim, e quajte një Enciklopedi e llojit të vet!
Rreth
librit, Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, shkruan: “Përmes kësaj
dritareje arritën të shohin albanologët e mëdhenj austriakë të vërtetën mbas
mjegullave të historisë. Ishin Gustav Majer, Johan Georgfon Han, Miklosiç,
Lybke, Jireçek, Shuflai, Karl Paç dhe Baroni Nopça fillimisht duke hulumtuar
shqipen, të cilët themeluan, argumentuan dhe mbrojtën etnogjenezën ilire të shqiptarëve. Nga ana tjetër, janë me
dhjetëra filologët e gjuhëtarë shqiptarë, që janë formuar në Klagenfurt, Grac e
Vjenë, duke filluar nga Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi e deri tek
Lasgush Poradeci e i madhi Eqrem Çabej - të gjithë shembuj frymëzimi për
mijëra studentë shqiptarë, që sot shkollohen në Austrinë mike, si edhe për
fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në këtë vend, mbështetja e të cilit është
sprovuar gjatë historisë sonë të trazuar. Mirënjohje dhe falënderim të veçantë
për autorin e këtij libri, zotin Hazir Mehmeti, i cili si mësues dhe drejtues
prej disa vitesh i shoqatës së mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe
në Austri, ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e disa brezave të
fëmijëve të diasporës shqiptare në Austri, kontribut që vijon të pasurohet me
shkrimin dhe botimin e këtij libri.”
Pjesë nga libri: “Qeveria e Ismail Qemalit që në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim. Luigj Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë, që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentëve në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja. Këta studentë, pas shkollimit, u kthyen në atdhe, u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez. Me vendimin Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017, nga komanda austriake, themelon Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare e themeluar në vitin 1920, drejtor i së cilës emërohet Karl Gurakuqi. Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptarë pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr. Nush Bushati, Çatin Saraçi, NduePaluca, Kolë N.Rrota dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi. Me këto bursa studiuan në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës, të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye, kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip. Disa nga figurat më meritore të kohës në gjuhësi dhe tekste shkollore: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi, por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924, në Austri studionin 69 studentë shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. Më 23 mars të vitit 1917 austriakët, duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emërohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë. Austria pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare, i mohuar shekujve nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Austro-Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para së gjithash në fushën politike.”
Libri
“Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” është një thesar në bibliotekat e
shumta në pasurimin e marrëdhënieve mes dy kombeve tona në të ardhmen. Është
bazë e mirë në rrugëhapje për thellimin e hulumtimeve në të ardhmen në fushën e
gjuhësisë, artit dhe kulturës. Në historinë tonë me shekuj Austria u dallua si
përkrahëse e kombit shqiptar krahas fushës politike edhe në fushën e arsimit e
kulturës. Nisur nga kjo mbështetje, Austria u bë vendi ku lanë gjurmë shumë figura të njohura
kombëtare. Nga rrethanat në trevat shqiptare, gjer më tani, pak i është
kushtuar rëndësi këtyre figurave madhore, për çka, ne akoma nuk e njohim sa
duhet veprën e tyre. Andaj, këtë libër e ndiej si detyrim kushtuar atyre në shenjë
respekti. Shpresoj se sjell tek lexuesit sadopak kujtimin e një kohe, e cila
ishte pikënisje në aktivitete të vazhdueshme të progresit kombëtar, forcimit të
miqësisë mes dy popujve dhe së fundi
kultivimin e gjuhës shqipe tek
mërgimtarët. Studiuesit nga hapësira gjermanofolëse vunë bazat e shkencës së
albanologjisë dhe shkencave të tjera rreth shqiptarëve. Shumë nga figurat
madhore kombëtare studiuan dhe vepruan në Vjenë, Graz, Insbruk, Linz,
Klagenfurt, Krems e qytete tjera të Austrisë. Këta u bënë pjesë e kujtesës së
lavdishme kombëtare në paharresë gjeneratave. Ky është edhe qëllimi kryesor i
shkrimit, brumi i së cilës u takon veprimtarëve, njerëzve tanë që vepruan në
ruajtjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe dje dhe atyre që sot punojnë pa u lodhur
në këtë drejtim.