| E hene, 12.04.2021, 12:42 PM |
Pranvera
Nga
Edison Ypi
Pranvera
konservative po përforcon dyshimet e frikëshme sipas të cilave nëse
konservativët e së shkuarës sonë kanë qënë sadopak të ngjajshëm me
konservativët e sotëm, kurvi paska qënë zgjedhja më e mirë.
Pranvera
psikiatrike ka shtuar dukshëm numurin e shqiptarëve delirantë të çartallosur pa
asnjë lidhje me realitetin. Të mendosh se të tillët po të mos jenë delirantë
nuk mund të jenë gjë tjetër veçse copa mishi, nis e shkul leshrat nga tmerri.
Pranvera
historike po hedh dritë mbi sjelljen e çuditëshme të heronjve tanë historikë,
të cilët, të përndjekur nga greku, serbi, jo rrallë edhe shqiptari, kurrë nuk
vijnë, kurrë nuk përballen, vetëm ikin, vetëm largohen, vetëm fshihen dhe vetëm
mburren.
Pranvera
kulturore artistike, me llapaqena materialistë qurravitës që kërkojnë ndihmë
nga shteti, e ka shpallur me kohë falimentin.
Pranvera
muzikore, më mirë të mos kishte ardhur. Është e tëra një vorrezë për shurdha.
Pranvera
sentimentale është çfaqur përmes një risie linguistike; Femrat kanë nisur t'i
cilësojnë meshkujt "kurva".
Pranvera
mediatike po vazhdon të ketë për protagonistë po ata budallenj e budallaqe që i
thonë të ftuarit; "Më kënaqe me përgjigjen tënde", pra sikur i ftuari
nuk ka ardhur të informojë publikun, por të zbavisi budallain.
Pranvera
dermatologjike po çfaqet me krruajtje të forta deri në gjakosje të brimës së
fundshpinës.
Pranvera
elektorale ka ardhur me premtime për lindjen e bebeve të cilat kur të rriten
nuk do kenë nevojë të zënë punë me dorë, vetëm do hanë e do pinë, do vishen e
do mbathen.
Pranvera
stomatologjike do ta përhapi edhe më tepër modën e dhëmbëve të mëdha sa të
kalit, të bardhë si allçi, gjeometri të përsosur si të bërë me kompjuter.
Pranvera
filozofike e sivjetme do mbajë një kongres me pjesëmarrjen e budallenjve nga të
gjitha trevat për zgjidhjen e enigmës; Shqipëtari udhëhiqet nga instinkti i
kopesë, skllavit, strucit, veshgjatit, gjarpërit, skiles, kunadhes, pulës, apo
lepurit ?
Pranvera
politike do përforcojë trendin e kahershëm të politikës shqiptare, e cila nuk
përbëhet nga njerëz që e meritojnë, por nga llumra me iniciativë të ekzagjeruar
që mbushin boshllëqet e atyre që përgatitjen e duhur e kanë, por ngaqë nuk
preferojnë të ndoten, pjesëmarrjen e refuzojnë.
Pranvera
reumatike po bën sa mundet për ndarjen e kockave nga muskujt në pritje që pas
pak të gjitha kockat të thahen, dhe të gjitha muskujt të kalben.
Pranvera
farmaceutike, po bën çmos ti bindi shqiptarët se të gjitha ilaçet për kurimin e
sëmundjeve i kanë brenda vetes. Është këshillë e mirë. Halli se shqiptarët nuk
e besojnë.
Pranvera
virtuale, do vazhdojë ti largojë njerëzit nga njëri-tjetri, derisa i vetmi mik
inorganik prej të cilit një mikeshë albuminoidale do pranojë të depërtohet, do
mbetet celulari.
Pranvera
gastronomike me mishra dhe duhma rakie do kapi rekordin shtazarak para të cilit
kazanat e përvjellur të magjistricave do duken gosti mbretërore.
Pranvera
nekrofilike po vjen me sugjerimin shpëtimtar; "Vdis para se të kuptosh sa
budalla je".
Nëse
pranvera e aromës së Blirit, cicërrimave të zogjve, gurgullimit të krojeve,
kaltërisë së qiejve, do mungojë vetëm këtë vit apo përgjithmonë, kjo varet nga
rezultati i zgjedhjeve parlamentare.