| E premte, 09.04.2021, 08:17 PM |
RETORIKË DHE SKELA
NGA
NDUE DEDAJ
Për
herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar, mandati i tretë i një
mazhorance (PS-së), po artikulohet prej vetë asaj, si një domosdoshmëri, dhe jo
si një tjetër mundësi për të vijuar qeverisjen. Argumenti i vetëm i fushatës së
të majtëve është se duam të përfundojmë projektet e nisura, a thua se rotacioni
politik e ndalon në vend “makinën” e shtetit, për të mos lëvizur më. Nga
blindimi i fushatës me retorikë jo pak autoritariste, i mëshohet idesë se me
ardhjen e mundshme të opozitës në pushtet, çdo gjë do të shkojë mbrapsht, nuk
do të bluajnë më mullinjtë grurë, bile nuk do të rrjedhin as lumenjtë!...
Përtej kësaj batude fejtonike (meqë batudat e kryqeveritarit tonë janë kthyer
në sindromë mediatike nëpër studiot televizive), asgjë dramatike, ndryshe nga
herët e tjera, nuk ka situata e sotme në vend, që duhet të mbajë me patjetër
PS-në në timon. E njëjta panoramë e “nxehtë” elektorale si katër, tetë,
dymbëdhjetë a njëzet vite më parë. Dy parti të mëdha, një parti as e madhe e as
e vogël dhe një tubëz partish thuajse të papërfillshme në elektorat, që garojnë
me sigla, emra individësh të mbledhur andej e këndej, por pa votues të
përhershëm. Për çudi, ashtu si gjithë këtë tranzicion, si të ishte një shaka e
madhe kombëtare, qindra individë, për të mos thënë mijëra, nuk ngurrojnë ta
vënë emrin e tyre në lista partish që figurojnë veç në letër, duke e copëzuar e
thërmuar elektoratin e paktë shqiptar në një mijë “grimca” të panevojshme, a
thua se do të votojnë milionat e shteteve të mëdha dhe jo një milionë e gjysmë
vetë, në rastin më të mirë. Por duhet thënë se, dhe pse të krijuara në “orën” e
fundit parazgjedhore, disa nga këto parti kanë futur në lista emra premtues për
të ardhmen, si një pikënisje për t’u përfshirë në politikën aktive.
Ka
një shpalim pupulist në maratonën e mazhorancës për llogari të mandatit të
tretë, me ligjërime nganjëherë të pabesueshme dhe nga socialistët vetë. Këtë
pranverë janë ngritur skela në çdo qytet e fshat, janë duke u suvatuar e lyer
fasada ndërtesash, kanë nisur rrugë që nuk janë bërë për tetë vjet (por jo dhe
ajo e Lurës), hapen gropa me fadroma e hidhen themele të reja pallatesh,
shkollash, punohet dhe natën te sheshi “Shqiponja” në kryeqytet dhe në
kantieret e rindërtimit në Durrës, Mamurras, Laç etj., që inspektohen
dita-ditës nga kreu i qeverisë, por pak ose aspak hidhen themele fabrikash,
punishtesh, fermash agroturistike, që prodhojnë “shqip” dhe punësojnë njerëz.
Njerëzit ikin jo se nuk kanë pallate ku të banojnë, por se nuk kanë fabrika ku
të punojnë. Duket sikur vendi ynë prodhon vetëm krom vdekjeprurës nëntokë dhe
energji elektrike HEC-esh shkatërruese të lumenjve, mjedisit dhe ekologjisë.
Keni dëgjuar ndonjë masterplan zhvillimi e kreditimi për bujqësinë në zonat
malore, vreshtarinë, pyjet, agroturizmin etj? Fraza të përgjitshme, po.
Strategji, jo!
Kryetari
i fushatës së të majtëve, zotit Rama, nuk le rast pa fshikulluar kreun e
opozitës, zotin Basha, pa u ndalur në etiketimet apo epitetet e papërshtashme
që përdor, por nuk mund ta kuptosh refuzimin e tij për t’u përballur në studiot
televizive me kundërshtarin e tij politik! Për një “nxënës” të Nolit e Konicës,
kjo duket e papërligjur. Kryeministri, në këtë rast, i bie që tërhiqet nga arma
e tij më e fortë, fjala! Votuesit kanë tjetër këndvështrim nga ai i mazhorancës
për kinse epërsinë e saj, ata nuk mund të mos vënë re se janë larguar me hir
apo me pahir disa emra të spikatur të së majtës, si Bushati i punëve të
jashtme, Hysi, profesoresha parlamentare e reformës në drejtësi, Lelaj, kreu i
bashkisë së Vlorës etj., ndërkohë që ftohen për imazh zgjedhor të PS-së figura
publike pa ndonjë lidhje me politikën dhe sidomos jashtë moshës aktive për t’i
shërbyer vendit përmes kësaj zeje, deri dje e huaj për ta. Kështu, spotet e
fushatës elektorale të mazhorancës janë endur me zërin dhe figurën e aktorëve
të mëdhenj, të cilëve u është prishur teatri me emrin kombëtar dhe nuk i janë
hedhur ende themelet të riut!? Lëvizje të tilla në kutinë e shahut politik zor
se krijojnë vota, aq më tepër që votuesit e sotëm nuk mund ta pranojnë që
artistët apo intelektualët e tyre në zë, të papërfshirë në politikë gjithë
jetën, befas, nga të të gjithëve, të bëhen të pjesës!? Edhe pse është e rëndë
të thuhet, gjithësekush e kupton se kjo është përdorje e tyre nga politika, siç
ka ndodhur rëndom në të shkuarën moniste, po ku nuk kanë munguar as
intelektualë me integritet të lartë moral si Sejfulla Malëshova dhe një elitë e
shquar e pas Luftës, paçka çmimit politik që u është dashur të paguajnë.
Flitet
për reformën në drejtësi - dhe sigurisht ka ndryshim këto vitet e fundit - por
qytetari i thjeshtë, i djathtë apo i majtë për nga bindjet politike, që nuk e
di se çfarë janë organet e reja juridike të krijuara në sistemin e drejtësisë,
tronditet nga lajmet me vrasje nga bandat e krimit të organizuar, njëherë në
tre net, për më tepër në qytetet djepe te kulturës shqiptare, si Shkodra, Elbasani,
Durrësi etj. Këtu e sheh ai sukesesin ose jo të kësaj reforme, në sigurinë e
jetës së njeriut dhe një rend publik të konsoliduar.
Në
njërin nga spotet e fundit televizive, kreu i qeverisë e kërkon mandatin e
tretë për mundjen e armikut të padukshëm (pandemisë), përfundimin e aksionit të
rindërtimit të banesave të shembura ngë tërmeti i 26 nëntorit 2019, përmbylljen
e reformës në drejtësi, zhvillimin e ekonomisë dhe kaq! Domethënë, asgjë e re,
asnjë vizion tjetër nga i sotmi. Asnjë projekt politik i ri. Po pse atëherë i
kërkon votat për një mandat të tretë? Apo se... ne jemi më të mirët, nuk ka më
të mirë se ne, ata përballë janë më të këqinj, nuk mund ta qeverisin vendin, i
kemi parë! Ata janë kështu e ashtu... Nuk është Luli, po është Saliu, Iliri dhe
Mona... Ne jemi me shqiptarët, ata janë në anën e përmbytjeve, tërmetit,
virusit. Dhe kjo tiradë komike serviret për politikë, ta hajë kush ta hajë. Jo,
or jo, arsyeton ai votusi i thjeshtë atje në majë të maleve, ti mor zotëri,
para katër vitesh, më 2017, kërkove tepsinë dhe timonin, mos të të përziheshin
(ngatërroheshin të tjerët), i more, çfarë kërkon prapë tani? Nëse ke një
alternativë tjetër, na e thuaj! Të paktën na i rendit ato vepra që do të bëhen
nga e para në “planin e tretë pesëvjeçar”, domethënë katërvjeçarin e ardhshëm!
T’i vëmë në kandar premtimet me realizimet, dje, sot, nesër. Kjo është logjika
e ballafaqimit politik të atij që ka qeverisur dy mandate dhe pretendon një të
tretë, në radhë të parë ujdia me vetveten dhe jo trajtimi i ardhjes në pushtet
të opozitës si një herezi, blasfemi!...
Dihet
se në një përballje elektorale mazhoranca është njëra anë, apo palë, tjetra
është opozita. Kjo e fundit mund të ketë plot mangësi në jetën e saj politike
apo organizative në fushatë, por ka luksin e të mosqenit e përfshirë në
korrupsionin dhe problematikat e tjera shqetësuese të qeverisjes së këtyre dy
mandateve. Ajo e ka bërë katarsisin për kohën kur ka qenë vetë në qeverisje,
ndaj sot ka të drejtën e kërkesës së llogarisë ndaj mazhorancës dhe jo e kundërta,
siç po ndodh. Nuk është ajo “delja e zezë” e tufës, që duhet bërë kurban. As
kësaj here dhe as kur opozitë është e majta. Përballja e mazhorancës me
opozitën kërkon më e pakta etikë dhe fisnikëri. Askund në demokraci opozitës
nuk i bëhet “gjyqi” si e tillë. Por ne ende kemi mendësinë e djeshme të partisë
- shtet, që iu turrej e hakërrehej organizatave të masave, dhe pse ato nuk
kishin asgjë në dorë. Duam t’ia presim kostumin opozitës sipas shijes së
qeverisë.
Dhe
dhe pse ndihet fryma e ndryshimit në radhët e opozitës, për mendimin tonë
problem mbetet copëzimi elektoral. Ndryshimi politik, rotacioni i pushtetit, me
kaq shumë sigla partish dhe kandidatë (sa nga inati partiak ndaj lidershipit të
PD-së i të ikurve prej saj, sa nga mania e “fisit” të kamufluar politik)
vështirësohet, por është i mundur. Elektorati i ashtuquajtur gri nuk është i
përfshirë nga emocionet dhe interesat partiake, aq më tepër të rinjtë, ndaj ai
vendos. Por dhe mësuesit, mjekët, policët, si profesionistë, në thelb nuk kanë
parti. As administrata shtetërore nuk është peng i pushtetit e pushtetarëve të
radhës, ajo ka treguar dhe në këto tridhjtë vjet se di ta “tradhtojë”
qeverisjen vendore apo qendrore, kur është çështja për të shkuar përpara.
Dhe
më e rëndësishmja, askujt nuk i duhet një pushtet monopartiak, siç është sot në
Shqipëri, as vetë të majtës, pasi rrëshqitet në autokraci. Nuk është momenti
tash për të analizuar se për shkak të kujt ndodhi që jemi në këtë situatë, por
është koha për ta korrigjuar me votë këtë anomali, që ka krijuar një sistem të
ngjashëm me atë para nëntëdhjetës. Nëse ne duam më të vërtetë që të jemi në
Europë, na duhet të sillemi me votën si europianët, që rotacionin politik nuk e
përjetojnë si një dramë apo “tërmet”, por si ngjarjen politike të radhës.