| E diele, 28.03.2021, 10:38 PM |
MESAZHE FISNIKËRIE TË
DEPUTETIT FLAMUR HOXHA NË KUKËS
NGA
REXHEP SHAHU
Kryesuesi
i listës së deputetëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit, Flamur
Hoxha, me kandidatët e tjerë dhe drejtues lokalë të PD, Isuf Çela, Arif
Rexhmati, Admir Sinamati, Myftar Dauti,
Vjollca Vata Omuri, Shyrete Koka, Festim Mazrreku, Sokol Dida, ditën e parë të
çeljes zyrtare të fushatës së zgjedhjeve nacionale politike në Kukës, shkuan
dhe heshtën pak minuta para bustit të poetit Havzi Nela, i ekzekutuar me varje
në litar në Kukës me 10 gusht 1988, pasi kishte bërë mbi dy dekada burg e
internim.
Heshtje,
nderim e premtim para Havzi Nelës, startim special dhe i bukur i fushatës
politike. Tubime, takime elektorale, premtime, përqafime, fjalime bëhën përditë
e kudo, por si ky aktivitet e solemnitet te busti i Havzi Nelës bëhën rrallë se
gjërat e bukura ndodhin rrallë.
Vështirë
të ketë çelje të fushatës elektorale në mënyrë kaq fisnike e domëthënëse sa e
bëri deputeti Flamur Hoxha me ekipin e kandidatëve të PD për deputetë në Qarkun
e Kukësit që bashkarisht shkuan para bustit të poetit të varur Havzi Nela dhe u
përshëndetën me të.
Asnjëherë
nuk ka ndodhë kjo gjë, ky gjest i lartë moral, politik e qytetar njëherësh.
Edhe se nuk ka qenë busti por edhe se ka munguar vullneti politik. Tani nuk
mungoi vullneti politik.
Deputeti
Flamur Hoxha, të cilit regjimi komunist ia ka pushkatuar gjyshin në Kukës,
rreth 13 vjet para se ta varnin në mënyrë makabre poetin Havzi Nela, dhe
kufomën e tij ta varrosnin duke e ngulë në këmbë në një gropë të hapur shtylle
elektrike dhe kokën t’ia zhduknin, mbase doli tepër gropës së shtyllës… për
shkak të cilësive e ndjeshmërive të larta njerzore, është ai që ka mbështetë
financiarisht botimin për herë të parë të veprës së plotë të poetit martir
Havzi Nela me titullin “Shtatë Fletore me 5548 vargje” botim anastatik, në 30
vjetorin e varjes së tij, ka mbështetë librin “Shkrimtarët për Havzi Nelën –
shpirti i lirë i Lumës”, ku kanë shkruar ekskluzivisht për të 58 shkrimtarë
shqiptarë, ka mbështetë numrin special 14 të “illz, revistë letrare e Tiranës”
me 500 faqe, kushtuar Havziut dhe shkrimtarëve martirë të gjithë botës,
pjesërisht librin “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” dhe pelegrinazhin e
shkrimtarëve në Kollovoz te shtëpia e poetit martir Havzi Nela që e ndërtoi
bashkia e Kukësit për shtëpi muze.
Flamur
Hoxha është një kontributor i pakonkurueshëm për njohjen e lartësimin e Havzi
Nelës poet se ia ka sponsorizuar botimin e veprës dhe ndaj i ka hije qëndrimi
pranë Havziut bashkë me kolegë. Por edhe
për kontributin e tij të fokusuar për të kujtuar e ndriçuar shkrimtarët e
pushkatuar nga regjimi komunist dhe të vdekur në burgjet e diktaturës
komuniste.
Si
për veprën e Havziut, Flamuri ka sponsorizuar edhe botimin e veprës së Vilson
Blloshmit e Genc Lekës, poetë sivëllezër të Havziut nga Librazhdi, të
pushkatuar nga partia komuniste por dhe pelegrinazhet e shkrimtareve shqiptarë
si tek shtëpia e Havziut në Kollovoz edhe tek shtëpia e poetit të pushkatuar
Trifon Xhagjika në Peshtan të Tepelenës, tek shtëpitë e poetëve të pushkatuar
Vilson Blloshmi në Berzhestë të Librazhdit, tek rrënoja e shtëpisë së poetit
Genc Leka po aty dhe në Fishtë të Lezhës tek shtëpia e Homerit shqiptar Gjergj
Fishta. Veprime e gjeste të rralla humaniteti këto që bëjnë diferencë për deputetin
Flamur Hoxha, të cilin me të drejtë shkrimtari i madh Zija Çela e quan “deputet
i letërsisë”.
Gjesti
apo aktiviteti special ku Flamur Hoxha me bashkëpunëtorë politikë janë
përshëndetë me poetin martir, Havzi Nela, është art, është politikë, është qytetari,
është gjetje speciale, mençuri, mirënjohje, frymëzim. Drejtuesi politik i
Qarkut Kukës, deputeti me bashkëpunëtorë u përshëndetën me të vetmin poet të
varur të botës, me antikomunistin më të pandreqshëm shqiptar që si rrallë kush
në gjyq guxonte dhe thoshte, nuk ju dua ju, dhe për diktatorin Hoxha thoshte
se, ai është e keqja e shqiptarëve.
Çdo
qytet a kryeqytet i botës po ta kishte bustin e një poeti të ekzekutuar me
varje nga regjimi komunist, do ta kishte nder e privilegj dhe vendndodhjen e
bustit të tij do ta shndërronte në vend pelegrinazhi e adresë të veçantë në
hartën e tij morale. Kukësi e ka këtë fat që i erdhi nga fatkeqësia.
Pranë
bustit të Havzi Nelës kanë kaluar mijëra e mijëra njerëz, përsonalitete e
figura të fushave të ndryshme të politikës, artit, shkencës etj etj. Janë
përshëndetë ose jo me Havziun. Kanë bërë ose jo foto me Havziun. Shpresoj e
besoj se Flamur Hoxha do ta vrasë frikën e ligësinë e njerzve edhe të
politikanëve, frikë që ende sillet rrotull Havziut i cili nuk gradon askënd,
por të frymëzon dinjitet e trimëri.
Havziu
nga atje lart ku është në piedestal na sheh i qetë. Ai nuk ka inate, ai nuk
urren, ai na do të gjithëve. Ne në tokë sillemi rreth tij e vetes dhe nuk
guxojmë kurrë të bëhemi si ai. Ne e shumta mund të vritemi e theremi me fjalë e
thika për një post, mund të shitemi për një karrige, mund të shtiremi se bëjmë
politikë më të madhe se Havziu, mund të zemërohemi me tjetrin që është më i
zoti se ne pasi nuk e durojmë dot më të zotin.
Por
ne nuk jemi të zotët me vdekë për fjalën, për mendimin, për idenë siç ishte i
zoti Havziu. Nuk është e lehtë me vdekë me dinjitet siç vdiq ai, nuk është e
lehtë me meritue vdekjen dinjitoze. Ndaj Havziu vazhdon e na mëson dhe Flamur
Hoxha me bashkëpunëtorë shkuan e heshtën me nderim e mirënjohje para Havziut
duke nderuar veten e tyre, ne dhe gjithë të pranishmit.