| E diele, 28.03.2021, 10:27 PM |
Lufta e Kosovës dhe bombardimi i NATO-s kundër Serbisë dhe “haxhiqamilizmi”
Nga
Skender Jashari
Në
agun e mileniumit të tretë, populli Shqipëtar i Kosovës, kishte arritur nivelin
e vetëdijësimit, që të gjente rrugën e duhur për t’u çliruar, e që për fat të
keq për pjesën më të madhe të këtyre mileniumeve e kishte kaluar nën robëri të
huaj. Shqipëtarët në përgjithësi, pas Gjergj Kastriotit vetëm në rastin e
shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Londineze, ishim orientuar drejt Europës
Perëndimore dhe njejtë edhe në rastin e Kosovës-dhe fituam. Falë orientimit të
duhur dhe aleatëve të Kombit tonë, në veçanti, falë SHBA-së, Lufta për Çlirimin
e Kosovës, bëri që Shqipëtarët të kemi mbështetjen e SHBA-së dhe përmes saj
edhe të NATO-s dhe të shumë shteteve të fuqishme Perëndimore.
Etapa
më e Ndritshme dhe më e Lavdishme e Kombit tonë, pas Betejës së Kosovës të
1389( dhe aktit më heroik të Milosh Kopilit) dhe Kryengritjes antiosmane të
1689 të udhëhequr nga At Pjetër Bogdani, mbetet Lufta e UÇK-së. Shqipëtarët që
në lashtësi, ishim mësuar të ndeshemi me armiq, shumëherë me forca më të mëdha
dhe në jo pak raste t’i fitonim.
Në
vitet 1908-1912, patriotët shqiptarë e kishin orientuar Shqipërinë drejt
perëndimit, ku kishim mbështetjen dhe ndihmën e Austro-Hungarisë dhe të
Italisë, e padyshim më pas edhe të SHBA-së, derisa Gjermania ishte mbështetëse
e tërthortë e vendit tonë sepse ajo mbështeste Austro-Hungarinë. Fatkeqësia
ishte që edhe Shqipëria Londineze, pas pavarësisë, vazhdoi të mbeste një shtet
i cënueshëm nga dashakeqët dhe armiqët e brendshëm dhe të jashtëm. Madje në
vitin 1913 që kulmoi me kryengritjen e vitit 1914 dhe 1915, të Haxhi Qamilit,
që kishte mbledhur mbështetës ish-zyrtar Osman, hoxhallarë dhe fshatarë
shqipëtar analfabet. Derisa Lufta e I Botërore, kishte përfshirë edhe shtetet
fqinje, haxhiqamilët luftonin për ta shkatërruar shtetin Shqipëtar dhe për ta
rikthyer pushtuesin Osman. Edhe pas shkatërrimit të haxhiqamilistëve, për fat të keq, Shqipëria
vazhdoi të mbetej ende nën llumin e konservatorizmit, patriarkalizmit,
fanatizmit dhe radikalizmit islamiko-ortodoks, që e veniste bindjen dhe lidhjet
identitare të Kombit tonë me Europën Perëndimore, pra nuk na lejonte të
ktheheshim në vendin e merituar si anëtarë i vjetër i Europës. Rryma
ekstremiste e radikale islamike të tilla si Haxhiqamilizmi, vazhduan, madje për
më keq, islamizimi i dhunshëm dhe turqizimi i Shqipëtarëve nga pushtimi serb,
por edhe marrëveshjet famëkëqija jugosllavo-turke etj,që ndikuan jashtëmase.
Fuqia
ushtarake e Shqipëtarëve nën Jugosllavi, ishte shumë e vogël për t’u krahasu me
fuqinë ushtarake që trashëgoi Serbia. Për më keq, edhe kultura islamike e
luftës, ishte ende prezente në popullatën tonë, i njejti mentalitet dhe kulturë
e luftës islamike u pa edhe në Luftën e Bosnje dhe Hercegovinës, krahasuar me
Luftën e Kroacisë dhe Sllovenisë, që hapur shiheshin dallimet. Në popullatën
tonë dhe në mesin edhe të eprorëve tonë, kishte të tillë që nuk besonin vetëm
në forcat tona që mund të çliroheshim, por që besonin edhe në ndihmën dhe
reagimin ndërkombëtar. Por edhe personalisht kam pa eprorë tonë, që kanë qenë
aq të bindur sa që me organizimin e popullatës tonë, mund ta mposhtnim çfardëdo
force ushtarake serbe. Deri në fillimin e Operacionit Forcat Aleate, pra
bombardimin e Serbisë nga NATO, bota tronditej me ekzodin e Shqipëtarëve.
Intervenimi Humanitar i NATO-s, bëri që të ndërprehej gjenocidi serb kundër
popullatës civile Shqipëtare.
Palët
ndërluftuese në konfliktin e armatosur ndërkombëtar të Kosovës, ishim në njërën
anë Shqipëtarët( me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) pa harruar kontributin
vendimtar të Ushtrisë Shqipëtare dhe mbështetur nga bombardimet e NATO-s,
kundër pansllavizmit serbo-madh. Lufta Shqipëtare për Liri të Kosovës, e
udhëhequr me Adem Jasharin, i cili ra heroikisht, derisa ne të gjallët e që
kishim moshën e rritur, do duhej ta ndjenim veten siç ka thënë edhe heroi Fehmi
Ladrovci. Për fat të keq, pas Luftës së Kosovës, aq shumë u keqpërdorën vlerat
e Luftës, sa që kulmoi me 66.000 veteran, prej të cilëve 54.000 veteran të
rrejshëm, e që as sot, nuk janë spastruar listat e tilla. Thënia e Viktor
Hygo-s, “ Luftën e bëjnë heronjtë, e qeverisin maskarenjtë, dhe përfitojnë
horrat!”
Jugosllavia
dhe Serbia e drejtuar nga diktatorë dhe kriminel lufte në luftërat e fundit në
Ballkan, nga Sllobodan Millosheviqi si president i Federatës Jugosllave,
Dragoljub Ojdaniq, si shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura
dhe si ministër i mbrojtjes të Jugosllavisë, Vlastimir Gjorgjeviqi, si shef i
policisë së Serbisë si dhe Sreten Lukiq si shef i policisë serbe për Kosovë.
Sipas vlerësimeve të NATO-s, në fillim forcat armike( serbe dhe jugosllave),
kishin 114.000 forca aktive dhe 1.400 armë artilerike; rreth 100 sisteme
raketore tokë-ajër( SAM) përfshirë raketat SA-2, SA-3, SA-6, SA-7, SA-13, SA-14
dhe SA-16; rreth 1850 armë artilerike të mbrojtjes ajërore, 250 avion, 48 helikopter
sulmues, 1.270 tanke dhe 824 blinda. Tanket ishin të tipeve T-72, T-74 dhe
M-84. Kurse sipas vlerësimeve të NATO-s, forcat armike në dhe për rreth
Kosovës, ishin 40.000 trupa dhe 126 tanke(jashtë garnizoneve ishin rreth 96
tanke dhe rreth 30 tanke në garnizone) dhe rreth 10.000 trupa dhe disa dhjetëra
tanke në kufirin me Maqedoninë.
Sipas
burimeve të NATO-s, në Operacionin Forcat Aleate, kontribuan 19 anëtare të
NATO-s, ku ishin Belgjika, Kanadaja, republika Çeke, Danimarka, Franca,
Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia,
Polonia, Portugalia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA. SHBA kishte
përdorur mbi 650 avion ushtarak, kurse anëtarët e tjerë të NATO-s, kontribuan
me 277 aviona në total.
Gjatë
kësaj fushate, NATO, shkatërroi 11 ura të hekurudhave, 34 ura të autorrugëve,
29% të tërë municioneve të Serbisë, 57% të depozitave të karburanteve, të
gjithë rezervat e vajrave të Jugosllavisë,
268 makina ushtarake të pablinduara, 1229 blinda, 203 makina të blinduara
transportuese të personelit ushtarak, 314 armë artilerike, 100 ajroplan të të
gjitha llojeve dhe 10 ajroporte.
SHBA
ishte vendimtare në ndaljen e gjenocidit kundër Shqipëtarëve, barti barrën
kryesore të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, në rindërtimin e
Kosovës, pastaj në pavarësimin dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së
Kosovës, në funksionalizimin e shtetësisë së Kosovës etj.
Historia
jonë përsëritet, pothuajse shumë pak e vërejmë, a duam ta vërejmë!
Edhe
në rastin e Republikës së Kosovës, e njejta histori siç ishte edhe me
Republikën e Shqipërisë. Më 2008, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së
Kosovës së pari nga Xhorxh Bushi e pastaj edhe nga Kuvendi i Republikës së
Kosovës, u vë në pah “haxhiqamilizmi”, tashmë i quajtur me emrin tjetër “islami
radikal-vehabi”. Do duhej të kishim ndërgjegje, që mos të ndodhte të na
përsëritej historia siç ndodhi me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912,
ku vetëm pak vite më pas, u shfaqën kryengritje haxhiqamilësh dhe turkofilësh,
që kërkonin rikthimin e “Babës”.
Sikur
për habi, radikalist, ekstremist dhe terrorist islamik të varur nga Serbia, pas
çlirimit të Kosovës, filluan të mbijnë si “këpurdha pas shiut”, e njejtë edhe
me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të njejtët radikal, ekstremist e terrorist islamik të
varur nga Serbia, propagandonin terrorizmin islamik dhe kryerjen e akteve
terroriste islamike kundër aleatëve tonë. Për pasojë pak vite më pas, u panë
disa terrorist islamik shqipfolës, por
që kishin lidhje gjaku me Serbinë, me boshnjakët etj, që kryen a tentuan
kryerjen e akteve terroriste islamike kundër SHBA-së.
Lejimi
nga institucionet e Republikës së Kosovës edhe pas vititi 2008, të fushatës
perfide haxhiqamiliste( pra të islamit politik-vehabi), ndikoi tmerrësisht në
përkeqësimin e statusit dhe pozitës së Shqipëtarëve në Republikën e Maqedonisë
së Veriut dhe sidomos në Luginë të Preshevës.
Sipas
kësaj logjike, a duhet të presim ne Shqipëtarët e Trojeve që ende jemi nën
pushtim sllav, që të rivetëdijësohemi pas një shekulli, që të fitojmë lirinë
edhe të një pjese tjetër të Atdheut të robëruar!? E pastaj sërish t’na
përsëritet historia, siç u përsërit me Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës!?
__
Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX,
për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë
së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë
e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në
burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale
ushtarake.