| E shtune, 27.03.2021, 04:27 PM |
Përsëri dy fjalë për alfabetin e shqipes
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, në
portalin “Zemra Shqiptare” të datës 14 nëntor 2018, fare rastësisht hasa në
artikullin me titull “Kongresi i
Manastirit - Faqe e lavdishme në historinë e popullit shqiptar”, me autor
zotërinë Zymer Mehani, i cili shkruan:
“Nuk mund të themi se alfabeti i autorëve të
vjetër ka qenë mbështetje për alfabetin e sotëm....E përbashkëta e tyre qëndron
se, si alfabeti i tyre, si alfabeti i sotëm, u mbështet në alfabetin latin… Me
22 nëntor 1908, përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, i cili, e miratoi
alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.
Po si t’ia bëjmë natyralistit të famshëm romak që thotë
diçka krejt tjetër për “origjinalitetin” e alfabetit “latin”?
Një figurë e njohur e diplomacisë shqiptare, shkruan:
“Miku im i mirë, erudit dhe njohës i historisë shqipe, Gjergji, më
dërgonte para dy ditësh, nga Nju Xhersi i Amerikës, pasi kishte lexuar shkrimin
tim botuar te “Koha Jonë” mbi “Arbanasit” në brigjet e Dalmacisë, një
mesazh në e-mailin tim:
“Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.),
natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.r. serinë madhështore prej 37
vëllimesh për historinë natyrore të titulluar “Naturalis Historia”. Në vëllimin VII, ai shkruan: Ilirët (arbërit)
kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët””
(Citohet sipas: Alfred Papuçiu.“Duke
iu rikthyer mitit të gjuhës. Gjuha shqipe dhe raportet e saj me
gjuhët e tjera në kohë dhe hapësirë”. Faqja e internetit “Zemra shqiptare”. 15 shkurt 2009).
Në një tjetër
burim thuhet:
“Gaius Plinius Secundus, i njohur si
Plini Plaku (23-79 e.r.), një natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77
e.r. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar
“Naturalis Historia”. Në vëllimin VI të këtil libri ai shkruan:
Latin:“Ex quo aparet
aeternum litterarum usum. In Latium eas attulerunt Pelasgi”.
Italian: Da questo risulta l’uso perpetuo delle lettere
dell’alfabeto. Nel Lazio le portarono i Pelasgi (le lettere dell’alfabeto)”.
English: “This results in the
perpetual use of the letters of the alphabet. Inm Lazio (the letters of
alphabet) were carried by the Pelasgians”.
Albanian: “Nga kjo rezulton një
përdorim i vazhdueshëm i shkronjave të alfabetit (gjuhës së shkruar). Në Lazio
ata që i sollën ishin Pellazgët (shkronjat e alfabetit)” (Citohet sipas:“Gaius
Plinius Secundus (Plini Plaku - 23-79 e.r.) “Naturalis Historia”. Vëll VI. f.
95”.Faqja e internetit Brunilda Ternova.
Giovedi, 23 maggio 2013).
Një tjetër
shkencëtar i njohur, profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në
një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të
alfabetit të sllavishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në
vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u
mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve,
burimi i tretë (f. 60 e librit në fjalë) ishte staro allbansko pismo (shkrimi i vjetër shqip). Dihet që Kirili dhe
Metodi e krijuan alfabetin e sllavishtes së vjetër në shek. IX (viti 860). Ta
quash shkrimin shqip të vjetër në
shek. IX, do të thotë që “mosha” e tij duhet të jetë mijëravjeçare dhe nuk
besoj se profesori Toth duhet të dyshohet për “shqiptarocentrizëm”, as filologu
Catapano që thotë se ilirishtja është folur mëse 12000 vjet më parë. Por
dokumente të shkruara të periudhës iliriane nuk gjenden, sepse rrënimin e
kulturës mijëravjeçare iliro-epirote e nisi gjenerali romak Paul Emile, i cili,
në vitin 168 p.e.r., rrafshoi 70 qytete ilire, i vuri zjarrin të gjithë
kulturës ilire dhe shiti si skllevër 150
mijë banorë vendës. Dhe senati romak e festoi me bujë të madhe pushtimin e
Ilirisë.
Veç kësaj, dokumente të shkruara të periudhës së Ilirisë, fatkeqësisht,
nuk gjenden se edhe “kamillafi” grek i ka kërkuar pilë më pilë me pishë në
dorë, për t’i zhdukur nga faqja e dheut.
Pikërisht gjuhën shqipe, këtë simbol
të kombit shqiptar, kisha shoviniste
greke e ka vlerësuar si armikun kryesor të saj. Prandaj ajo dërgonte në trojet
shqiptare një emisar të vetin me emrin Kozma, me fermanin e agait të Stambollit
në xhep, një bashkëpunëtor i djallit ky, të veshur me petkun e “shenjtorit”, i
cili mes shqiptarëve kërkonte të bënte predikime prej armiku të urryer të
kombit shqiptar:
“…Perëndia e quante veten të fyer kur dëgjonte lutje me
lavde në gjuhën shqipe”(Citohet sipas: Nuri
Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete
historike”. Shtëpia Botuese “Weso”. Tiranë
2009, f.64).
Prandaj, në burime të tjera, të cituara prej studiuesit dr.NuriDragoj,
thuhet se autorë të huaj “japin argumente
bindëse për mënyrën se si janë shkatërruar të gjitha arkivat e primatisë ilire
dhe të gjitha pjesët përkatëse të marrëdhënieve kanonike, të cilat ilirët i
kishin pasur, deri në atë kohë, me Romën. Sipas tyre, ka pasur dokumente të
çmuara edhe në Manastirin e Shën Naumit, të ndërtuar në shekullin XII, të cilat
u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Në këtë rast,
ata citojnë murgun Serafim, autor i këtij akti vandalizmi, i cili, më 1856, i
thoshte peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij (një dhjaku dhe dy priftërinjve
francezë): “…Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto! Por patriku
më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi, ai më shkroi: “Është hera e
fundit që ne të urdhërojmë. Nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha
arkivat, ti do të zëvendësohesh dhe atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të
tjerët’. Vetëm atëherë arrita në përfundimin që të bëja një pirg me to para
manastirit dhe t’i vija flakën. Por sa keq më vinte”” (po aty, f. 49).
Është e çuditshme që delegatët e Kongresit të Manastirit, të cilët
organizuan atë Kuvend me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin shqiptar, nuk e
kanë pasur informacionin e duhur për lashtësinë e alfabetit pellazgoilir,
prandaj edhe alfabetin e shqipes në atë kongres e pagëzuan padrejtësisht si alfabet latin.
Para se të bënin atë pagëzim, kuvendarët e Kongresit të Manastirit
le të sillnin në kujtesë vargjet e famshme të Naimit:
Bota që kur është
zënë,
Shqipëria gjall ka
qenë!
Pellazgë u thoshin më
parë,
Më së fundi
Shqipëtarë.
Gjuh’ që flisjin
Perënditë,
Atë flisjin
pellazgitë;
Atë kanë Shqipëtarët,
Si q’e kishin dhe të parët.
Greqishten ajo e polli,
Latinishtja andej doli...
Mirë është që kur dikush merr penën për të hedhur në letër
mendimet e veta për alfabetin e shqipes, të mundohet paraprakisht të bëjë
“gërmime minerare”, në mënyrë që këtij alfabeti të mos i japë “atësi” të huaj.
Santa Diego, Kaliforni