Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamza Halabaku: Do të bëhet politikan

| E shtune, 27.03.2021, 03:33 PM |


Hamza Halabaku

DO TË BËHET POLITIKAN

Të dielën e parë të qershorit kishte rastisur t´i festohej trevjetori i lindjes, më të voglit në familjen Bjeshka, Sokolit. Pikërisht atë të diel, Sokoli, po bëhej tre vjeç. Sa kishte nisur muaji i gjashtë, ose muaji i qershive, siç i themi ne, familja e Sokolit po ia festonin atij ditëlindjen e tretë. Kaltërsia e pafund e hapësirës bënte që qielli të dukej shumë e pastër. Moti atë ditë ishte tejet i ngrohtë.

Gjyshi i Sokolit kishte vendosur që ditëlindjen e Kolit, si i thoshte ai, ta festonte jo vetëm me pjesëtarët e familjes, po kishte dëshirë që për trevjetorin e nipit të ftonte, përveç familjarëve e disa pjesëtarëve më të afërm të fisit, edhe miq të tjerë.

- Jam në moshë të shtyrë, kishte folur gjyshi, e nuk e di a pres ditëlindje të tjera të nipit tim, e le më fejesën a martesën e këtij trimi, prandaj dua që këtë trevjetor, këtë ditë të shënuar për të, ta kremtojmë të gëzuar bashkë me farefisin dhe miqtë tanë.

Festa kishte filluar që në orët e para të ditës, edhe pse të ftuarve u ishte caktuar ora një e pasdites që të jenë të pranishëm në të kremten e familjes së tyre.

Secili nga mysafirët, pritej me një ngrohtësi e përzemërsi të veçantë. Në oborr ishin shtruar tavolinat ngjitur me njëra-tjetrën. Atë ditë dukej se nuk ishin të gëzuar vetëm familja Bjeshka, shtëpia e tyre, që ishte në festë, por edhe zogjtë që ciceronin në degët e pemëve.

Gjyshi e donte shumë Sokolin, të cilin shpeshherë e thërriste Koli i gjyshit. Të keqen gjyshi, të pastë gjyshi, e kështu me radhë, duke ia përkëdhelur kokën të mbushur plot me flokë të zinj e kaçurrela.

Tingujt e muzikës, që transmetonte radioja e vendosur në njërën nga dritaret e katit të shtëpisë, dëgjoheshin përtej tri oborreve të fqinjëve të parë. Më shumë dëgjohej muzikë folklorike e popullore, por nganjëherë edhe muzikë moderne, që herë pas here të rinjtë ose të rejat e lëshonin dhe, duke buzëqeshur, herë – herë e shikonin të gëzuar gjyshin. Zëri i këngëtareve dhe këngëtarëve më të mirë të kohës, nuk kishte të ndalur. Sikur të ishin porositur vetëm për atë gazmend...

Secili nga mysafirët që vinte, qoftë i vetëm qoftë me dikë tjetër, që në hyrje të oborrit, pritej me një pije freskuese dhe udhëzohej ku i ishte caktuar vendi në hapësirën ku ishin shtruar tavolinat dhe ishin vendosur karriget për të ftuarit.

Në tavolinat e shtruara nën hijen e pemëve, të rrethuar me karrige ngjyrë arre e të gdhendura në stilin vendor, ishin lënë edhe letra të bardha në të cilat ishte shkruat emri e mbiemri i secilit të ftuar. Edhe pse vinin nga dy e më shumë së bashku, aty ndaheshin, kur nuk e kishin vendin e caktuar afër njëri-tjetrit. Çdo i ftuar e kishte vendin të caktuar ku do të ulej. Për t’i ndihmuar në gjetjen e vendeve, për ata që vinin, ishte caktuar njëri nga të rinjtë e familjes, të cilit, kur kishte kohë, i ndihmonte edhe Zana, vajza e xhaxhait të tij.

Vendi kryesor, ai në krye të tavolinës, ishte lënë për gjyshin e Kolit.

Gjyshi i trevjeçarit, për të cilin bëhej festa, ishte në krye të tavolinës. Tavolinat që ishin si të ngjitura njëra me tjetrën, i kishin rrethuar më shumë se tridhjetë mysafirë. Gjyshi i kishte rënë, lehtas, me një lugë kafeje, gotës që po mbante në dorën e majtë, duke u kujdesur që të mos thyhej.

Të gjithë kishin heshtur e ishin bërë sy e vesh, të kthyer andej nga i binte me lugën e kafesë, që e mbante në dorën e djathtë, me lehtësi gotës, që e kishte në dorën e majtë, i zoti i shtëpisë.

Tani zëri i radios ishte ulur deri në minimum. Po fliste gjyshi...

- Mirë se keni ardhur të gjithë ju, miq e dajallarë, fqinjë e familjarë, ju të fisit tim të nderuar, - kishte nisur gjyshi fjalën e tij dhe kishte vazhduar: Ardhja juaj na e madhështon të kremten tonë familjare. Uroj që trashëgimtari ynë të bëhet njeri i mirë e i lumtur dhe t’i mbush me jetë vitet e tij. Gëzohemi që dikush, për fundin tonë, do të kujdeset për ne dhe urojmë që ky djalosh trevjeçar të bëhet i vyer, i ditur, miqësor dhe trim. Uroj dhe i lutem të Madhit Zot, që trimi ynë, Koli, t’i përngjajë paraardhësit tonë, zëri i të cilit i kaloi edhe kufijtë e shtetit.

Ju falem nderit shumë për pjesëmarrje, po në emër të familjes, ju falënderoj edhe për dhuratat që i keni sjellë e të cilat e gëzojnë Kolin tonë.

Të gjitha këto fjalë gjyshi i kishte folur i ngritur në këmbë dhe me gotën në dorën e tij të djathë. Në fund, ju ftoj të gjithëve që për shëndetin e Kolit tonë, trimit tim, të ngremë nga një gotë. Mirë se keni ardhur dhe gëzuar!

Të gjithë të pranishmit që ishin ulur në karriget e veta rreth tavolinës ishin ngritur në këmbë dhe, duke i ngritur gotat që secili e mbante në dorën e djathtë, i kishin cakërruar duke e thonë edhe fjalën “gëzuar” dhe kishin uruar që vogëlushi “t´i mbushte vitet me jetë” dhe të festonte të njëqindat.

Gotën, që e kishte në dorë gjyshi, e kishte zbrazur me fund. Ishte ulur e ishte rehatuar duke i lutur të pranishmit që, po të donin, të thoshin diçka sipas dëshirës, qoftë për vogëlushin qoftë të tregonin ndonjë anekdotë ose ndonjë batutë ....

Të rejat e shtëpisë dhe ato të afërmet e fisit, që kishin ardhur të ndihmonin, sillnin pije e ushqime të llojllojshme në tavolinën e gjatë e të rrethuar nga mysafirët. Sapo vërenin se dikush e kishte të zbrazur gotën, ato menjëherë ia mbushin me të njëjtën pije që ai e dëshironte. Ato kujdeseshin që edhe pjatat që ishin pra mysafirëve në tavolinë asnjëherë mos të ishin të zbrazëta.

Tani kishte filluar muhabeti.

I pari që e kishte marrë fjalën, kishte qenë daja i trevjeçarit. Kishte falënderuar të zotin e shtëpisë për pritjen që u kishte bërë dhe për fjalët e ngrohta e të përzemërta për mysafirët. Edhe ai kishte uruar që nipi trevjeçar, Koli, të bëhej i ditur e të arrinte deri titullin akademik.

Ai që fjalën e kishte marrë pas dajës së Kolit, që ishte me pamje serioze e me mustaqe korb të zeza, kishte parashikuar që Koli do të bëhej kapiten.

Një tjetër, që rrinte në karrigen afër tij, ishte ngritur dhe, pasi kishte uruar që vogëlushi të bëhej njëqind vjeç, kishte parashikuar që ai do të bëhej drejtor i një ndërmarrjeje të madhe, shkurt, një afarist i suksesshëm.

Dy folësit vijues kishin treguar nga një anekdotë, që ishin domethënëse dhe kishin bërë të qesheshin të gjithë të pranishmit.

Secilit që i vinte radha të merrte fjalën, falënderonte për mundësinë e ofruar që të jetë i pranishëm në festën e familjes Bjeshka dhe jepte një parashikim për të ardhmen e Kolit të vogël.

Diku nga fundi i tavolinës kishte qenë i ulur edhe xha Bardhi. Ai i heshtur po thithte herë pas here llullën e mbushur me duhan. Secili kishte të drejtën e tymosjes, meqë ishin në ambient të hapur.  Xha Bardhi asnjëherë nuk e harronte as gotën e rakisë së rrushit, që ishte prodhim i familjes ku po bëhej festa.

Hajde, xhaxhi Bardhi, na thuaj diçka për vogëlushin, ishin dëgjuar disa zëra ulur afër tij.

Xhaxhi Bardhi ishte përpjekur që të ngrihej e t’i thoshte fjalët e tij. Mirëpo, të gjithë të pranishmit, e kishin lutur që të fliste i ulur për shkak të moshës dhe respektit që kishin për të dhe për shkak se ishte një parashikues shumë real.

Xhaxhi Bardhi kishte uruar që familja nikoqire përherë të kishte gëzime dhe i kishte përgëzuar për organizimin e mrekullueshëm të atij kremtimi.

- Vogëlushi të na rrojë sa malet! - kishte folur xha Bardhi. Kishte pushuar pak, duke e lëshuar gotën e rakisë nga dora e tij e djathtë në tavolinë, e llullën duke e mbajtur në dorën e majtë, kishte ngritur pak kokën dhe kishte folur: Unë kam përshtypjen se ky voc, kur të rritet, do të merret me politikë. Do të bëhet ndonjë kryetar partie, ose ndonjë politikan i rrethit tonë.

Hahahaha, kishin qeshur një numër i të pranishmëve e më së shumti ata që ishin ulur shumë afër folësit.

- Çfarë parashikimi interesant?! – kishte folur njëri afër tij.

Të gjithë ishin bërë sy e vesh. Po dëgjonin çdo fjalë të xha Bardhit. Të gjithë e dinin se ai ishte një parashikues i denjë e meritor. Me më shumë kureshtje po dëgjonin prindërit e Sokolit.

- Ai i kishte shikuar ngadalë e me radhë ata që kishin qeshur. Kishte pushuar pak, e kishte mbështetur llullën e duhanit në taketuken që e kishte përpara dhe kishte vazhduar.

- Po, po. Do të bëhet politikan që ç´ke me të! E shihni ju? Koli i vogël, duke përtuar të shkojë në banjë për t’iu përgjigjur thirrjes së natyrës, është ulur në oturak dhe para nesh po bënë nevojën, duke na shikuar drejt në sy të gjithëve me radhë, pa u skuqur fare! Ju që jeni në moshë të re, do ta shihni se ky do të bëhet politikan!

Të gjithë të pranishmit kishin qeshur me të madhe, e Xha Bardhi e kishte ngritur gotën me një “Gëzuar”, ndërsa Koli i vogël, kishte vazhduar t’i përgjigjej thirrjes së natyrës pa u skuqur fare...