| E shtune, 27.03.2021, 03:54 PM |
ARJAN SALA NA TREGOI SE PASKA EDHE MË TË MIRË...
Nga
Dom Gjergj Meta
Të
zhytur në problemet e mëdha të tranzicionit, në kakofoninë e politikës së
përditshme që e thithim pandërprerë si ajrin e ndotur, të retorikës dhe
propagandës boshe rreth arritjeve apo premtimeve të mëdha, të kësaj flame që po
merr jetë e na ka bllokuar jetën, papritur, këtë rutinë tonën anestizuese, e
ndërpret Arjan Sala.
Djaloshi
me shikim të qetë, roja i sigurisë, i cili ka humbur jetën në një qendër
tregtare, duke u munduar të fikë zjarrin për të shpëtuar ata që punonin aty, u
bë menjëherë heroi ynë. Sa të nevojshme e paskemi pasur sakrificën e këtij
njeriu për t'u zgjuar, por paradoksalisht edhe për të shpresuar. Arjani, falë
Zotit ka një emër e një fytyrë, zuri wall-et e rrjeteve sociale, kur ende nuk
dihej fati i tij, si për t'i treguar botës se sa ngutshëm kemi nevojë për
heronj, ndokush e vuri foto profili, dikush tjetër i thuri dy fjalë zemre. Ka
diçka të pastër qelibar në këtë histori, diçka të pazhyer, të pa bërë pis, si
një lloj qengji Pashkësh, i patëmetë. Arjani shpëtoi disa njerëz me gjestin e
tij, por na shkundi edhe ne të tjerëve duke na thënë se ka ende njerëz në këtë
vendin tonë.
Ne
nuk e njihnim Arjanin, nuk e dinim se kush ishte. E ai do të vazhdonte të
zgjohej herët, të shkonte në punë, të kthehej prej saj për te familja e fëmija
i tij i vogël dhe ne nuk do të dinim gjë prej gjëje për të, nëse ai zjarr i
mallkuar nuk do të binte apo sikur ato investime propagandistike për
zjarrëfikëse të ishin efektive. Madje as njerëzit që punonin me të, të cilët ai
edhe i shpëtoi, nuk e dinin se kishin aty një engjëll mbrojtës. Arjani dhe
shumë të tjerë janë njerëz të këtillë, të pazhurmshëm, që nuk zënë asnjë
hapësirë më shumë sesa hapësira e vet, që nuk zhvasin vëmendje çdo ditë duke e
paguar atë vëmendje me para ose dinjitet.
Arjani
zgjoi brenda nesh atë dëshirë të madhe që kemi të gjithë për t'iu gjendur pranë
njëri-tjerit. Papritur, ai ngacmoi ato ndjenja të mira që të gjithë i kemi
brenda nesh, të cilat ose i harrojmë, ose mpihen nga e përditshmja frenetike
apo shpesh nga dembelia jonë.
Sa
qesharak të duket vetja përballë Arjanit, sa qesharake na duket ajo ndjenjë
madhështie, herë e fshehur e herë e thënë me zë të lartë "më të mirë se ne
nuk ka". E ja pra që paska!
Arjan,
një Zot e di se ç'po ndjejnë njerëzit e tu! Nuk do doja ta provoja kurrë. Por
nëse të ngushëllon apo i ngushëllon disi, ti u bëre heroi i çdo shqiptari të
mirë që e do vendin e tij dhe njerëzit që ka afër!
Faleminderit
Arjan!