Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Turpi ynë s’ka kufij!

| E premte, 26.03.2021, 04:25 PM |


Turpi ynë s’ka kufij!

Nga Ndue Ukaj

Vendimi i Komunës së Prishtinës për ta kthyer hamamin e Prishtinës në një muze kushtuar Sulltan Mehmetit II tregon një fakt të trishtë: plot shqiptarë e kanë thellë në zemër pushtimin osman dhe e bartin këtë trashëgimi si mendësi.

Ky vendim tregon diletantizmi kulturor, por është edhe pasojë e sentimenteve pro osmane të një pjesë të shoqërisë sonë dhe gjithsesi i ngjyrë në interesa të pastër gjeostrategjike të Turqisë së sotme që na trajtojn si mbetje osmane.

Sulltan Mehmeti II, ashtu sikur gjithë sulltanët tjerë, në tokat shqiptare kanë shkaktuar vuajte, shkatërrime e vrasje pafund dhe tokat tona për pesëqind vjet u lanë të shkreta, të lara në gjak e të mbuluara nga padija.

Vendi ynë, viteve të fundit është treguar tepër i pakujdesshëm për kulturën dhe trashëgiminë e vërtetë para osmane dhe atë të historisë së re të Kosovës, por i ka dhënë peshë e jehonë të pafund trashëgimisë osmane, gjë që ka shkaktuar edhe probleme serioze në imazhin e vendit tonë.

Pa dyshim edhe kjo trashëgimi duhet të ruhet, sepse është e Kosovës dhe në Kosovë, por s’duhet të trajtohet me prioritet sepse s’është tipike e jona dhe tendenca për ta bërë prioritet është përbuzje e rëndë ndaj historisë sonë dhe ka prapavija të rrezikshme politike; është zgjatim i ideologjisë erdoganiane.

Ne s' mund të jemi edhe me Sulltan Mehmetin II edhe me Pjetër Bogdanin. Sepse, pasardhësit e këtij sulltani në mënyrën më barabare të mundshme e kanë zhvarrosë Bogdanin dhe trupin e tij ua kanë hedhë qeneve në rrugët e Prishtinës, kurse Turqia për këto krime asnjëherë s’ka treguar respekt e lë më të kërkojë falje.

Ne s' i kemi bërë një monument Bogdanit e këndej investojmë qindra mijëra euro për t' i nderuar ata që na dhunuan e vranë.