| E shtune, 20.03.2021, 08:27 AM |
Në vitin 2021 në Dardaninë e Re, të quajtur Kosovë:
JANË SHËNUAR DY FITORE POLITIKE-HISTORIKE
1. Në Ditën e Shën Valentinit (në Ditën e të dashuruarve),
më 14 shkurt, u zgjodh Qeveria e Shpresës
2. Në Ditën e Verës, më 14 mars, me zgjedhjen e krytarit të
ri të LDK-së, erdhi Vera e Dardanisë
Shkruan: Engjëll
KOLIQI
Dardani e Re, më 14 mars 2021
Sot, do të thoja, mbaroi seria e
tërmeteve të tmerrshme politike në Kosovë, tërmete këto që kanë shkaktuar shumë
dridhje, edhe dëme në polkitikën dhe në institucionet tona shtetërore. Tërmetet
politike në Kosovë kanë filluar pak kohë pas rishpalljes dhe njohjes
ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, që më së mirë do ishte të quhej, siç shprehej
presidenti ynë historik – Dr Ibrahim Rugova, DARDANIA.
Po,
në kohën kur president ishte Dr Fatmir Sejdiu, kanë filluar tërmetet politike,
që vendin tonë e kanë përkundur, edhe dridhur nëpër valët sizmike të politikave
të tekeve dhe të këndjeve të disa qarqeve e fitili i atyre tërmeteve gjithnjë ndezej
në Moskë, në Beograd, në Athinë, në Ankara e gjetiu.
Dridhja
e parë, e fortë, na e rrëzoi nga karrika e presidentit Fatmir Sejdiun, sipas të
gjitha gjasave, pse nuk deshi ta pranojë planin Ahtisaari plus, as planin
gjashtëpikësh të sekretarit të atëhershëm të OKB-së Ban Ki Moon. Pse nuk e
pranoi këtë presidenti Sejdiu, dikush nga New Yorku e kishte “këshilluar”
Gykatën Kushtetuese të Kosovës, të konstatojë se Presidenti e kishte shkelur
kushtetutën. Duke e parë “sa është ora”
Presidenti, me të arritur në Kosovë, sapo dëgjoi, që në Aeroportin e
Prishtinës, ende pa shkuar në zyrë, dha dorëheqje.
Që
nga atëherë, asnjë qeveri e Kosovës nuk qëndroi katër vjet dhe Kuvendit i ishte
imponuar të votojë themelimin e Dhomave të Specializuara për Kosovën, të
Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, me seli në Hagë, institucione
këto që kanë valëvitur dhe i kanë dërguar në qelitë e Hagës, disa liderë
institucionalë dhe partiakë të vendit tonë. Pra dallgët e shkaktuara nga pikat
e përmendura më lartë, por edhe nga pika të tjera, që vlonin si vullkane, për
të djegur sovranitetin e Kosovës tonë, akoma vazhdojnë të përlajnë e përvëlojnë
figura të jetës politike dhe institucionaale të Kosovës.
Nga
ato dridhje, si u tha edhe më lartë, rrëzoheshin qeveritë, shpërndahej Kuvendi
dhe të gjitha zgjedhjet parlamentare janë mbajtur të jashtëzakonshme ose të
parakohshme. Veç dëmeve të tjera, zgjedhjet na shkaktonin edhe dëme ekonomike,
duke kushtuar nga 5-6 milionë euro, secilën herë që organizoheshin.
Nga
zgjedhjet e 6 tetorit 2019 doli Qeveria e koalicionit LVV-LDK, që një tërmet
politik i radhës, e rrëzoi pas vetëm 52 ditësh të qeverisjes. Pas disa
akrobacioneve politike, u themelua Qeveria Hoti, me koalicionin e ri
LDK-AAK-NISMA SOCIAL-DEMOKRATE, që gjithashtu me akrobacioneve politike u dasht
të rrëzohet akoma pa i mbushur gjashtë muaj dhe të shpallen zgjedhje të
parakohshme.
Pastaj
tërmeti epiqendrën e kishte në LDK, ku klani i Isa Mustafës e shkarkoi nga të
gjitha detyrat udhëheqëse në parti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, e cila pas
marrjes së presidentit Thaçi në Hagë, është edhe UD Presidente e Republikës së
Kosovës.
Zonja
Osmani Sadriu, pas një vendimit të radhës së Kushtetueses, për shkelje të
Kushtetutës, me rastin e zgjedhjes së Qeverisë Hoti, e shpërndau Kuvendin dhe i
shpalli zgjedhjet e parakohshme, mu në Ditën e të Dashruarve, më 14 shkurt
2021.
Në
këto zgjedhje, pas inateve politike, Zonja Vjosa shkaktoi tërmetin e radhës, shumë të fuqishëm në LDK, duke e
themeluar Nismën politike Vjosa e duke bërë koalicion parazgjedhor me LVV e
Albin Kurtit. Dridhja ishte shumë e fortë dhe votuesit i ndëshkuan partitë që
për njëzet vjet kishin qeverisur në Kosovë, sidomos LDK-në për lëvizjet e
muajve të fundit, shumë të rrezikshme, që kishte bërë, me klanin e Akademik Isa
Mustafës. Në këto zgjedhje LVV bashkë me Nismën Vjosa fituan mbi 50 përqind të
votave, respektivisht 58 ulëse në Kuvend.
Akademik
Isa Mustafa, pas debaklit që pësoi partia LDK në zgjedhje, duke humbur mbi 50
të votave, krahasuar nga zgjedhjet paraprake, ndërkohë që LVV ishte rritur gati
100 përqind nga atëherë, sipas rregullave të demokracisë, ishte detyruar të
tërhiqej nga kreu i LDK-së. Dha dorëheqje dhe kryesia qendrore e parrtisë,
bashkë me kryetarët e degëve vendosën që zgjedhja e kryetarit të LDK-së të
bëhej pikërisht në Ditën e Verës, më 14 mars 2021.
Nga
katër kandidatë sa ishin paraqitur, njëri – Anton Quni u tërhoq dhe nuk hyri
fare në garën zgjedhore. U votua për Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin dhe Besian
Mustafën. Që në rundin e parë të votimit Dr Lumir Abdixhiku fitoi mbi 50
përqind të votave të delegatëve të Kuvendit Zgjedhor dhe nga sot ai është
kryetari i ri i LDK-së.
Me
metaforë artistike e them se 14 shkurti, me dashurinë e popullit për LVV dhe
Nismën Vjosa, na e solli Qeverinë e Shpresës në Dardani, kurse 14 marsi, në
Ditën e Verës, na e sollin Verën Dardane në LDK e mbase në mbarë vendin tonë.
Në vend të
pëfundimit
Duke përfunduar opinionin tim për këtë
problematikë të serisë së tërmeteve politike në Dardaninë e Re, në pjesën e
Dardanisë që quhet Kosovë, marr guximin të sheshoj një terapi stabilizuese të
sizmës politike në vendin tonë, më sa vijon:
-
Zonja Vjosa Osmani Sadriu të rikthehet
në partinë në të cilën u rrit – në LDK.
-
Deputetët e LDK-së ta votojnë Vjosën
për Presidente të radhës, të Republikës së Kosovës.
-
Kryeparlamentar dhe UD President, deri
në zgjedhjen e Vjosës, të zgjidhet Z. Glauk Konjufca.
-
Kryeministër të zgjidhet Z. Albin
Kurti.
-
Qeveria të bëhet pa atëfarë Partija
Srbija, që quhet Lista Srpska, duke i marrë në koalicion partitë e pakicave të
tjera.
-
Qeveria, që të jetë stabile, të bëhet
me koalicionin LVV – LDK dhe pakicat kombëtare.
-
Z. Anton Quni të vazhdojë të drejtojë
Ministrinë e Mbrojtjes.
-
Edhe Ministria e Jashtme dhe e
Diasporës dhe e Arsimit ose e Kulturës t’i lëhen LDK-së.
-
Një ministri pakicave kombëtare.
-
Ministritë tjera t’i marrë LVV.
Unë mendoj, edhe
besoj se kjo është terapia e duhur, për një stabilitet afatgjatë
të Qeverisë, pse
jo edhe ndoj mandat tjetër, me këtë koalicion, sepse besoj që me zgjedhjen e
kryesisë së re dhe të këshillit të përgjithshëm në LDK, do të ndryshojnë
rrethanat dhe në zgjedhjet e ardhshme LDK dhe LVV, të dyjat t’i marrim mbi 70
përqind të votave, garanci për qeverisje afatgjate të përbashkët, për një
qeverisje të mirë.