Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Musineja, shkrimtarja rebele e totalitarizmit

| E enjte, 27.11.2008, 07:10 PM |


Musine Kokalari
Tajari: Kisha nun babën e Enverit, por mbi 10 anëtarë të familjes u burgosun e u internuan. Të tjerë, u pushkatuan

 

Historia e njërës nga më përfaqësueset e familjes. Kujtimet e nipit të saj, gjatë vizitës në burgun e Burrelit

 

Nga Entela Bani

 

Gjirokastër- Familje tipike qytetare, me viktima të regjimit. Kështu e quan pas kaq vitesh familjen Kokalari një nga trashëgimtarët. Mbi 10 anëtarë të familjes u burgosën dhe u internuan, ndërsa shumë të tjerë u pushkatuan. Të njëjtin fat pati një nga më të njohurat e familjes, Musine Kokalari, e para shkrimtare shqiptare dhe gjithashtu e para grua që kundërshtoi regjimin totalitar.

 

Regjimi

 

“Babai im me babain e Enverit kishin miqësi dhe emrat e tre prej ne vëllezërve na i ka vënë Mulla Halili. Pra, unë kam pasur nun babanë e Enver Hoxhës”,- thotë Tajar Kokalari. Sipas tij, familjen e tyre Enveri e njihte personalisht. Ai tregon se me dy vëllezërit e Musinesë dhe veçanërisht me Hamitin, ata kanë qenë bashkëstudentë në Francë. “Por, shpata e Demokleut ra pa mëshirë mbi familjen tonë, duke pasur shumë të pushkatuar e të dënuar. Dy vëllezërit e Musinesë, Muntazi dhe Vesimi u pushkatuan pa gjyq. Po kështu u pushkatua edhe Salim Kokalari, bashkë me grupin e deputetëve”,- thotë ai. Ndërkohë, Musineja nga ana tjetër u burgos dhe më pas u internua. Mbi 10 anëtarë të tjerë të familjes, sipas Tajarit, u burgosën dhe u internuan gjithashtu.

 

“Rebelja”

 

Lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë, studioi në Itali, por shpirtin e kishte në Gjirokastër, aty ku të parët e saj kishin jetuar prej shekujsh. Trashëgimtarja më e njohur e familjes gjirokastrite Kokalari ndihej mjaft krenare për origjinën e saj, ashtu sikurse edhe të gjithë ata që e mbajnë këtë mbiemër. Në vitin 1921, familja kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme "Nëna Mbretëreshë" dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm me një temë për Nasim Frashërin në vitin 1941. Është anëtare nderi në Akademinë Italiane bashkë me Gjergj Fishtën. Emri i saj ndodhet në enciklopedi të huaja italiane, franceze dhe së fundi në një libër bibliografik të Robert Elsies në Gjermani. Ëndrra e saj për bashkimin mbarëkombëtar gjeti mbështetje të plotë nga familja e saj, i ati, Reshat Kokalari, gjykatës i njohur, dhe nga vëllezërit Vesim, Muntaz dhe Hamit, me profesione, profesor, jurist dhe përkthyes. Këta ishin dhe njëkohësisht shokë të saj, me të cilët konsultohej.

 

Krijimtaria dhe arrestimi

 

Librin e parë "Seç më thotë nënua plakë" e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës "Zëri i Lirisë".Një vit më pas, boton librin e dytë "Rreth vatrës". Në të njëjtin vit, në 12 nëntor, u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, ndërsa vëllai tjetër Hamiti (autor i librit ‘Kosova, djep i shqiptarizmit’) shpëtoi rastësisht, pasi ishte sëmurë me tifo. Katër ditë më vonë, e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit "Sa u tund jeta".Më 23 janar të vitit 1946, u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Kur kjo po gjykohej, babai i saj erdhi nga Italia ku po kurohej dhe sa mori vesh lajmet për fatin e fëmijëve, mbylli sytë përgjithmonë. Këtë, Musineja e mësoi në kohën kur ishte në burg, ndaj dhe ajo vendosi të mos flasë se pasoja do të binin mbi nënën, nuset e vëllezërve të pushkatuar apo dhe fëmijët e tyre.

 

Internimi

 

“Kujtdo i dhimbset tragjedia e vajzës së re. Më kujtohet sesi një ditë, nënua plakë e heshtur, e përlotur dhe e thinjur, si e dalë nga legjendat më mori me vete për të parë në burg Musinenë, vajzën e saj të vetme. Kisha në duart e mia fëminore një tufë zambakësh të bardhë, të cilave u ranë petalet nga era e ftohtë e Burrelit dhe nuk arritën kurrë te halla ime e burgosur, e vetmja femër në atë ferr”. Kështu shprehet nipi i saj, Artemis Kokalari, në parathënien e librit “Sa u tund jeta”. Vitet e burgut u pasuan nga internimi, në vitin 1961. U dërgua në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Plot 20 vjet më vonë, sëmuret me kancer dhe pas dy vjetësh u nda nga jeta. Arkivolin e transportoi një kamion zhavorri. U varros pa pasur pranë të afërmit e saj. Më vonë, me kujdesin e nipit të saj, Hektor Kokalari, bëhet rivarrimi i saj pranë familjarëve në Tiranë.Në vitin 1993 Musine Kokalari shpallet “Martire e Demokracisë”.

 

Qyteti i gurtë në penën e Musine Kokalarit

 

Kjo është gjirokastra ime

 

“Gjirokastra, botë e madhe pa fund e që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anë mb’anë me shkëmbinj e udhët plot gurë. Gjirokastra e përpjetëlave dhe e tatëpjetëlave. Gjirokastra plakë e regjur në mjerime e varfëri, në ditët e nxehta të verës që afshi i ngrohtë del nga dërrasat e çative e djersa kullon nga balli i tij që me torvë në kraha ngjitet për në shtëpi, në netët e ftohta të dimrit rreth zjarrit e që nga jashtë dëgjohet fërshëllima e erës së tërbuar që thyen degë e pemë bashkë e gjëmon nëpër mazgalle e baxhara, ndjekur nga prapa nga oshëtima e bubullimave e drita e vetëtimave dhe shiut të madh që bie I paprerë. Gjirokastra e kujove dhe e këngëve që buçitnin një herë e një kohë nga dritaret e mëdha të shtëpive, buzë përronjve, ndënë hien e rëndë të kalasë së Ali Pashës, anës e anës udhëve të shtrembëta me një mijë të hyra e të dala, rrëzë kodrave shtëpi që ngjajnë njëra mbi tjetërn, shkalla-shkalla nga maja e shkëmbinjve të Këcullës, që duket sikur e mban qytetin në pëllëmbë të dorës dhe q’andej përshëndet malet e Lunxhërisë, në mëngjes kur lind dielli dhe në mbrëmje kur perëndon me rrezet e fundit sa humbasin fare”.

 

Familja sot

 

Anëtarët e familjes së madhe Kokalari, që numëron më shumë se 15 breza janë shpërndarë sot në të gjitha anët e globit. Në Gjirokastër ata jetojnë në lagjen “Palorto”, ndërsa janë vendosur në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë, Shkodër, por edhe jashtë Shqipërisë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Japoni, Irlandë e Gjermani. Shtëpia e madhe dhe e vjetër e familjes vazhdon të jetë aty ku u ndërtua 250 vjet më parë, duke e patur Gjirokastrën si në pëllëmbë të dorës, ndërsa ka pësuar ndryshime në fasadën e jashtme.

 

Rrëfimi i Tajar Kokalarit, një nga të vjetrit e mbetur në Gjirokastër: Krushqitë dhe pasuritë e familjes

 

Familja Kokalari, një histori 250- vjeçare

 

Nga mbajtja e mbiemrit Hoxha, deri në regjistrimin e kohës së Zogut, në 1930, kur u njohën përfundimisht, Kokalarë

 

GJIROKASTËR- Më shumë se 15 breza ngritën historinë e njërës prej familjeve më të vjetra e të njohura, jo vetëm në Gjirokastër. Me një histori të lashtë, Kokalarajt kanë jetuar përgjatë më shumë se 250 viteve në lagjen “Palorto” të qytetit të gurtë. Lagjja, e cila njihet gjithashtu edhe si më e vjetra e qytetit e ka zanafillën, fill pas daljes së banorëve nga kalaja e përhapja e tyre fillimisht rreth saj. Shtëpia e ngritur aso kohe e tashmë e rikonstruktuar, ruan elementët më të realizuar të një banese karakteristike gjirokastrite. Njëherësh të një dere të fisme e të pasur.

 

Nuk ka asnjë dyshim për rrënjët. Puro shqiptarë. Tajar Kokalari, ish-mësues në gjimnazin “Asim Zeneli”, njëri prej trashëgimtarëve të familjes së vjetër, rrëfen gjithë krenari historinë e të parëve, që nga koha kur strëgjyshërit mbanin mbiemrin Hoxha, ngritjen e shtëpisë, intelektualët e fisit dhe dhembjen për pronat që nuk po arrijnë t’i marrin. Për origjinën e mbiemrit, ai pranon se janë hedhur hipoteza të ndryshme. Gjë që faktohet edhe në arkiva. “Kokë e pastër, kokë e larë” është një interpretim i mbiemrit, ndërsa mund të interpretohet edhe si ‘kokë me dafina”, pasi në latinisht “laura” quhet dafina. “Ka pasur një rast kur një gazetar grek e nxirrte familjen tonë greke, duke qenë se e lidhte me fjalën “kokalla” që në shqip përkthehet kockë. Shkrimin e tij të përkthyer në shqip e botoi edhe një e përditshme shqiptare”,- thotë Tajari, duke e kundërshtuar ashpër një gjë të tillë. Duke iu referuar këtij shkrimi, ai citon: “Gjirokastra është Epir dhe i përket Greqisë, se në të ekzistojnë edhe familje greke si Kallapodhatët (që janë nga Delvina dhe puro shqiptarë) dhe Kokalarajt, thuhej në këtë shkrim. E kam kundërshtuar, pasi ne jemi shqiptarë”,-ngul këmbë ai.

 

***

 

Dekada më parë, mbiemri i vërtetë i Kokalarjave ishte Hoxha dhe janë i njëjti trung edhe me Hoxhatët. “Një stërgjyshi ynë, që u rrit jetim te Kokalarajt e parë, e ndërroi mbiemrin dhe mbajti atë të familjes që e rriti. Për një kohë të gjatë familja jonë njihej me të dy mbiemrat, ndërsa kur u bë regjistrimi i popullsisë në kohën e Zogut, në vitin 1930, ne morëm përfundimisht mbiemrin Kokalari”- rrëfen Tajar Kokalari.Megjithatë, sipas tij, në regjistrin themeltar të gjendjes civile ekziston edhe mbiemri Hoxha. Si të gjithë familjet e njohura, edhe Kokalarajt për lidhjen e krushqive kanë respektuarë sërën. Aq sa kujton Tajari, krushqitë bëheshin vetëm brenda qytetit dhe me familje që kishin nivel të njëjtë me të tyrin. Ai tregon se kanë bërë krushqi me Budajt, Kallajxhinjtë (prej nga kishte gjyshen), Emiratët, Kashahajt, Çënajt, Karagjozatët, Çipatët, Selfatët, Xhaxhiajt, Kukaj, Babametot, Zazanaj e deri te Kallapodhatët e Delvinës, që kanë qenë të njohur që nga Koha e Tanzimatit, e të cilëve edhe Enver Hoxha në një vizitë në Gjirokastër këndoi këngën e tyre.

 

Pasuria

 

Shumë prona. Shumica të shkatërruara e të lëna në harresë, të tjera të rimarra. Ashtu sikurse të gjitha familjet e mëdha, edhe Kokalarajt shquheshin për potencialin ekonomik, kulturor e patriotik. “Kemi pasur çiflig në Palokastër, toka në Dropull, në fund të fshatit të tanishëm “Asim Zeneli” në një zonë të quajtur Gjirofshat. Mbi 15 dyqane në Pazar kanë qenë të familjes sonë, prej të cilave 5-6 u shkatërruan kur u bë zgjerimi i rrugës”- tregon ai, duke numëruar pronat e Kokalarajve. Sipas tij, një banesë dhe një hotel kanë qenë pronat të tyre, të cilat gjithashtu u sekuestruan. Tashmë u janë kthyer vetëm dyqanet e mbetura pa prishur në Pazar, se për prona të tjera nuk bëhet fjalë. “Tre vëllezër të mi nuk jetojnë më dhe nuk arritën t’i merrnin pronat e babait. Them se as unë nuk do të arrij t’i shoh ato”,- thotë ai, ndërsa shton se Kokalarajt kanë prona edhe në Greqi. Tajari thotë se një degë e trungut të tyre është shkëputur edhe është vendosur në shtetin grek dhe atje vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jetojnë njerëz të fisit Kokalari.

 

Shtëpia

 

Një tregues mjaft i qartë i ekonomisë mjaft të mirë që kishte familja e tregon edhe ndërtimi madhështor i shtëpisë, që ruan të gjithë elementët më të realizuar të një banese karakteristike gjirokastrite. Banesa që shquan për kompozimin e hedhur në lartësi, pamjen kryesore monumentale dhe karakterin e dalluar mbrojtës është ndërtuar më shumë se 250 vjet më parë dhe ndodhet pikërisht pas gjimnazit “Asim Zeneli”. “Ja përpara syve kemi një udhë të ngushtë. Në fund të saj hapet një shesh i vogël. Në anë të djathtë është një portë e madhe me dy sufa dhe në të mëngjert një tjetër. Aty afër një fik i vogël. Mure të larta rrethojnë shtëpinë me dy kate. Ballët e ture bien në avlli me penxheret veshur me kafaze”. Kështu e përshkruan Musine Kokalari, një nga emrat e shquar të kësaj dere, në librin e saj “Sa u tunt jeta” shtëpinë e familjes, e cila tashmë është rikonstruktuar. Pas zgjerimit të familjeve, në vitin 1936 vëllezëria u nda dhe u ndërtuan edhe shtëpi të tjera, pjesa më e konsiderueshme e të cilave në lagjen “Palorto”.

 

Intelektualët

 

«Xhaxhi im priti Hysni Kapon në vizitën e parë në SHBA»

 

Investimi intelektual duket se ka qenë një motiv për Kokalarajt, të cilët janë shquar për trashëgimtarë të denjë, duke filluar nga Sami Kokalari, kryetar bashkie i Gjirokastrës, te Musine Kokalari, shkrimtarja dhe disidentja e njohur e deri të Geri Kokalari, biznesmeni shqiptaro-amerikan. Familja e Reshat Kokalarit, (që njihet si më intelektualja ndër Kokalarajt) themeloi të parën shtëpi botuese të tipit europian, të quajtur “Menagjeritë shqiptare”, ku u botuan veprat e Gëtes, Shilerit, Shekspirit, Servantesit etj. Edhe botimi i parë i librit “Sa u tund jeta” i Musine Kokalarit u bë nga kjo shtëpi botuese. “Xhaxhai im, Miko Kokalari, i cili emigroi në SHBA ka pasur ortakëri me Karagjozatët në tregtinë e djathit “Delja”. Madje në vitin 1946 kur delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Hysni Kapo vajtën në vizitën e parë në SHBA ishte Miko Kokalari bashkë me shqiptarë të tjerë ata që i pritën. Ndërsa edhe Geri Kokalari rrjedh nga familja jonë. Unë dhe babai i Gerit jemi kushërinj të dytë”, rrëfen më tej Tajari.

 

Kokalarajt pas luftës

 

Tajari: Kam pasur nun babanë e Enverit

 

Ashtu sikurse të gjitha familjeve të pasura, edhe familjes Kokalari iu sekuestruan të gjitha pasuritë. Por sikur sekuestrimi i pasurive të mos mjaftonin, mjaft anëtarë të familjes, u pushkatuan, burgosën e internuan. “Babai im me babain e Enverit kishin miqësi dhe emrat e tre prej në vëllezërve na i ka vënë Mulla Halili. Pra, unë kam pasur nun babanë e Enver Hoxhës. Ndërsa familjen tonë Enveri e njihte personalisht. Me dy vëllezërit e Musinesë dhe veçanërisht me Hamitin kanë qenë bashkëstudentë në Francë. Por, shpata e Demokleut ra pa mëshirë mbi familjen tonë, duke patur shumë të pushkatuar e të dënuar. Dy vëllezërit e Musinesë, Muntazi dhe Vesimi u pushkatuan pa gjyq. Po kështu u pushkatua edhe Salim Kokalari u pushkatua bashkë me grupin e deputetëve. Musineja nga ana tjetër u burgos dhe më pas u intenrua. Mbi 10 anëtarë të tjerë të familjes u burgosën dhe u internuan gjithashtu. Familja jonë është një familje tipike qytetare, me viktima të regjimit”,- shprehet Tajar Kokalari.

Shekulli, 20 Maj 2007