| E enjte, 18.03.2021, 08:23 PM |
Në vitin 1946, regjimi do të zhvarroste eshtrat e ish-kryeministrit për t’i hedhur ato në lumin Osum
Iljaz Vrioni, nënshkruesi i Pavarësisë, kryeminsitri, ministri i mbetur
pa varr
-Me rastin e 89-vjetorit të vdekjes 17 Mars
1882-
Përgatiti Albert Z. ZHOLI
Iljaz Vrioni ka lindur në Berat në vitin 1882
dhe ka vdekur në Paris, më 17 mars 1932, ishte latifondist, nëpunës, nënshkrues
i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër, disa herë ministër dhe
diplomat i shtetit shqiptar. Për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie
ndërkombëtare është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhërin e
lartë Grand Officier de la Legion d’Honneur. Mësimet e para i mori në
vendlindje, të mesmin në Janinë, kurse shkollimin e lartë në shkollën e lartë
të administratës në kryeqytetin e perandorisë Stamboll, ku u diplomua më 1905.
Më 1909 – 1911 shërbeu si kryebashkiak i Beratit. Më 1912 delegat i Kuvendit të
Vlorës, ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. Më 1914 anëtar i delegacionit
shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit. Më 1914-1918 qëndroi në Korfuz ku e
shoqja, Xhemile Dino, lindi djalin e tyre, Jusufin. Më 1920 ishte delegat i
Beratit në Kongresin e Lushnjës, ku në qeverinë e dytë të dalur pas këtij
Kongresi ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Iljaz Vrioni
ishte gjetje kompromisi mes palëve, qeveritë e tij disamujore u përqendruan në
politikën e jashtme për njohjen e plotë të pavarësisë së plotë të vendit,
fqinjësinë e mirë. Në politikën e brendshme thirrja e organizatorëve të huaj
për organizimin e degëve të administratës, planifikimin e të ardhurave,
përparësia ndaj arsimit, hartimin e një projektligji për zgjedhjet
parlamentare.
Zgjidhet deputet i prefekturës së Dibrës
1921-1922, zëvendësohet më 1922.
Pas ndërhyrjes së ushtrive serbe më 1921, u
krijua qeveria e dytë e tij në korrik si koalicion mes dy partive më të mëdha,
Partisë Popullore dhe asaj Përparimtare – pjesë e së cilës ishte atë vit.
Ambicia e disa njerëzve shkaktoi në tetor të po atij viti një interpelancë që
rrë zoi qeverinë. Më 1923-1925 rizgjidhet deputet, tashmë i prefekturës së
Beratit. Tashmë ishte përfaqësues i grupit indipendent. Emërohet në qeverinë
Vërlaci, ministër i Jashtëm dhe më pas është kryeministër për dhjetë ditët para
së të ndodhte Lëvizja e qershorit.
Largohet nga Shqipëria, qeveria Noli e shpall
në kërkim për arsye politike.
Rikthehet me Triumfin e Legalitetit, shërben
si ministër i Jashtëm në periudhën tranzitore prej dhjetorit 1924 gjer në janar
të 1925 kur emërohet Imzot Gjergj Koleci. Rikthehet si ministër i Punëve të
Jashtme që më 12 shkurt 1927 dhe deri më 18 prill 1929, në një periudhë brenda
së cilës kryen zëvendësisht edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë. Nga 1929 e
deri në 1932 ishte ministër fuqiplotë në Britani dhe Francë për së dyti pas
periudhës 1925-1926. Ndërron jetë nga infarkti në Paris, u varros në Berat. Në
vitin 1946, regjimi do të zhvarroste e shtrat e ish-kryeministrit për t’i
hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat vazhdojnë të mbeten të humbura
duke e lënë pa varr.
Babai i Jusuf Vrionit që ka përcjell
thënien e famshme:
“Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky
ishte një nga parimet e Vrionit”, ka theksuar Edmond Tupja, përkthyesi, i cili
ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije,
i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta tregtare në Francë, me
Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe
burgjet më të përçudnuara të Shqipërisë. Akuzën “agjent i Francës”, nuk e
pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat,
bile edhe famëkeqen “torturë të jelekut”. Punoi në tharjen e
kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit, dhe
ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.
Fisi i famshëm Vrioni i Beratit
Vrioni, një nga familjet më të mëdha
aristokrate shqiptare, të njohura ndryshe si konaqe ose oxhaqe, ndër të cilat
më të rëndësishmet janë: Vrionasit e Beratit dhe Fierit, Vlorajt e Vlorës,
Toptanasit e Tiranës, Biçakçinjtë e Elbasanit, Dinot e Janinës dhe Prevezës,
Vërlacët e Elbasanit dhe Bushatllinjtë e Shkodrës, Këlcyrajt e Këlcyrës,
Markagjonët e Mirditës, etj. Titujt distinktivë që mbaheshin nga anëtarët e
ketyre familjeve, zakonisht Pasha ose Bej, korrespondonin me poste të catuara
në administratën e Perandorisë Osmane, qëndrore apo lokale, të cilat jepeshin
me Ferman ose Berat (Dekrete) të Sulltanit të Perandorisë Osmane. Burime të
shumta pohojnë se Vrionasit janë pasardhës të dinastisë bizantine të
Paleologëve, shfaqur si Perandorë të Bizantit rreth mesit të shekullit XI. Pas
shpërbërjes së Perandorisë Bizantine, Paleologët u shfaqën si princër e sovranë
në principata të ndryshme dhe u shpërhapën nëpër Evropë: në Venecia apo në
Romë, në Rusi apo në Francë. Nën ndikimin e osmanëve një pjesë e Paleologëve u
bënë muslimanë. Në veprën e tij Udhëtim nëpër Greqi, Pouqueville, ish konsull i
përgjithshëm i Francës pranë Ali Pashës së Janinës, përmend një ndër
paraardhësët e Vrionasve, Omer Pashë Vrionin (i pari), si pasardhësin e njërës
prej degëve të kësaj dinastie. Të njëjtën gjë pohon edhe Aravantinos në veprën
e tij Kronografia e Epirit. Po këto burime, ashtu si dhe shumë të tjera
tregojnë se Vrionasit janë shfaqur në Vilajetin e Janinës rreth mesit të
shekullit të XVII si spahinj timariotë, pikërisht në zonën e Beratit. Që prej
fillimeve të saj familja shfaqet e integruar në administratën osmane dhe kjo
traditë vazhdoi deri në ditët e fundit të Perandorisë Osmane në trojet
shqiptare. Omer Pashë Vrioni (i pari) numërohet si një prej gjenaralëve më të
njohur të Perandorisë Osmane të fillim-shekullit XIX, cili u shqua në betejat e
Egjiptit kundër Napoleonit dhe në rrethimin e Mesolongit. Ndërkaq, është i
pamohueshëm fakti që Vrionasit qenë ndër patriotët më të shquar të trojeve
shqiptare dhe kontributi i pasur patriotik që ata dhanë, shpesh i vuri në
konflikt interesash jo vetëm me njëri-tjetrin por edhe me Portën e Lartë, e
cila nuk ngurroi të internonte, rast ky i Mehmet Ali Pashë Vrionit, pjestarë të
kësaj familjeje. Kontributi patriotik i Vrionasve dendësohet me Mehmet Ali
Pashë Vrionin, i cili qe anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave
të Shqiptarëve, i Komitetit të Janinës, i Shoqërisë së Stambollit dhe
përfundimisht Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit 1878, anëtar i të cilës ish dhe
Omer Pashë Vrioni. Më vonë Ilias Bej Vrioni dhe Sami Bej Vrioni ishin ndër
nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar 28 nëntor 1912. Në
ditët e errëta të Luftës së Parë Botërore, ndërsa trojet shqiptare qenë të
pushtuara nga të gjitha anët, Sami Bej Vrioni dhe Qemal Bej Vrioni, do të
tentonin të gjenin shpëtim në Kongresin e Durrësit në dhjetor 1918, tek i cili
qenë të dy delegatë përfaqësues së Beratit. Sërish më 1920 Ilias Bej Vrioni,
ish kryetar i Shoqatës Bashkimi, do të udhëhiqte delegatët e Beratit për në
Kongresin e Lushnjës, ndër të cilët edhe Hysen Bej Vrionin, kongres i cili
përforcoi themelet e shtetit të ri shqiptar. Ndërkaq, aktiviteti i Vrionasve
nuk ish vetëm politik, por edhe kulturor. Nyzhet Bej Vrioni, anëtar i Shoqatës Bashkimi
dhe delegat në Kongresin e Triestes 1913, do të merte pjesë gjithashtu si
delegat në Kongresin e Manastirit më 1908. Punën e tij për çështjen e gjuhës
shqipe do ta ndiqte më pas Kahreman Pashë Vrioni si delegat në Kongresin e
Elbasanit në shtator 1909, i cili pregatiti hapjen e Normales së Elbasanit,
shkollë për të cilën Vrionasit dhanë kontribut të vyer fianciar dhe pedagogjik.
Shkolla e parë shqipe në Berat u financua kryesisht nga Nyzhet Bej Vrioni dhe
Kahreman Pashë Vrioni.