| E hene, 08.03.2021, 09:59 PM |
NËNAT TONA PËR KË PO I LINDIN FËMIJËT?!
Nga Gjokë Dabaj
Për industrinë e Evropës?! Për
ekonominë e Greqisë?! Për Amerikën?! Për Turqinë?! Për kë po i lindin fëmijët
nënat e shqiptarëvet?!
Duke pritur 8 Marsin, Ditën e Gruas, që
ndryshe quhet edhe Dita e Nënavet, mua, për dreq, më është ngulur mendja te një
pyetje tepër e rëndë. Më shumë se e rëndë! Nënat ilire, nënat arbërore, nënat
shqiptare, kanë lindur fëmijë në të gjitha kohët, si të gjitha nënat e botës.
Por, për kë i kanë lindur këta fëmijë këto nënat tona (në pështypjen time)
ndryshe nga të gjitha nënat e tjera?!
Për ta ezauruar këtë pyetje do të
duheshin aq shumë faqe, sa do të çuditeshin të dyja palët, si ata që do t’i
shkruanin, ashtu edhe ata që do t’i lexonin. Por unë po mundohem t’i bie sa më
shkurt.
Thonë që Akili dhe Odiseu kanë qenë të
gjakut tonë. Sa është e vërtetë kjo, ende nuk është saktësuar deri në fund, por
mendimi, të paktën i ne shqiptarëvet, është se ata, që të dy, kanë qenë bij të
kësaj etnie. Por, për kë u sakrifikuan Akili dhe Odiseu?! Për kë luftuan?! Për
Agamemnonin, i cili ishte i ardhur në tokat tona!
Akilin, nëna e tij, Perendesha e Detit,
e kish pagëzuar në atë mënyrë që trupin e tij të mos mund ta cënonte asnjë lloj
arme. Vetëm thembrën nuk kish mundur t’ia lagte me atë ujë çudibërës, që vetëm
një nënë di ta kërkojë. Dhe pikërisht prej asaj thembre Akili e gjeti vdekjen
në lule të rinisë. E gjeti vdekjen, se nuk ua vuri veshin, as dëshiravet, as
përpjekjevet dhe as këshillavet të nënës së vet.
Edhe Odiseu la gruan e vet me një djalë
të vogël dhe iku për t’i shërbyer Agamenonit të huaj, në luftë kundër të
njëjtit popull, të cilit i përkiste vetë Odiseu. Shkoi dhe mbeti dhjetëra vjet
pa iu kthyer familjes!
Edhe Leka i Madh, po kështu, e shkriu
rininë e vet duke përhapur nëpër botë gjuhën dhe kulturën e helenëvet. Nuk kemi
dëshmi që, ky Lekë i yni, të ketë përdorur lexim e shkrim në gjuhën tonë.
Thuhet se, vetëm kur zemërohej, përdorte sharje në gjuhën e prindërvet. Ndërkaq,
ndaj nënës, Olimbisë, u tregua aq i papërgjegjshëm, sa e la vetëm gjithë jetën
dhe vdiq diku larg, ku e ëma as varrin të mos mund t’ia shihte.
Dhimitër Fari, në kohën kur rrezikohej
Iliria, e gjeti me vend t’i shërbente Romës e jo Ilirisë. A ashtu e kish mësuar
e ëma atë njeri?!
Pastaj erdhën nja 10 a 13 perandorë të
Romës, që të gjithë bij nënash ilire, të cilët, me fare pak përjashtime, nuk i
shërbyen Ilirisë, por Romës. Në ç’gjuhë flisnin ata perandorë me nënat e veta?!
A ishin të lumtura nënat e atyre perandorëve me bijtë e vet?! Kush po e merr
vesh?! Ndoshta edhe ato mburreshin para gravet të tjera: “Djali im është aq i
madh, aq madhështor, sa edhe gjuha që i kam mësuar unë, i duket pa vlerë”.
Mijëra nënavet ilire, kur rastiste që u
ktheheshin bijtë nga luftërat, u jepej rasti të mburreshin me bijtë e tyre: “Im
bir flet romakisht. E di romakishten si me qenë romak”. “Po flori a të solli?!
Solli edhe flori! E pastë nëna djalin! Po vë jetën në rrëzik, për të mbajtur
mua!” Thoshin kështu nënat ilire, edhe sikur djemtë të mos u sillnin asnjë
kacidhe!
Ndërkohë, me mijëra vriteshin nëpër
Evropë e në bigjet e Mesdheut, duke i lënë mijëra nëna, gjunjëmbledhura, me lot
të tharë për faqesh, pranë vatravet zjarrshuara.
…U kthye dikur faqja e historisë në
krahun tjetër të Ilirisë. E njëjta perandori, por me gjuhë tjetër, tashmë jo
latine, por greke, i mblidhte bijtë e këtij vendi dhe i çonte sërish nëpër
luftëra. Bëheshin prijës të njohur, ushtarakë e qeveritarë të zotë, por askush
nuk di si ndjeheshin nënat e tyre. Kur u vinte lajmi që djemtë e tyre
vriteshin, dihet që shpirti i tyre rrëgjohej, por nuk dihet: A ishin të lumtura
ato nëna, kur dëgjonin së largu, si nëpër tym, për sukseset e bijvet të tyre?
Ndryshoi sërish historia! Bijtë e
nënavet të këtij vendi shkonin e luftonin, tashmë me fesa të kuq e me çallma,
gjer në Jemen e Qerbelá. Nënat vajtonin duke thënë me vete fjalët e të bijvet:
“Mbeç,
more shokë, mbeç!”
Të gjitha perandoritë kanë pasur për ne
të njëjtën fizionomi: I hanin djemtë tanë! Përbindësha! Lubi! Kuçedra! Nënat
tona pillnin, ato i gëlltitnin bijtë e tyre! Pse nuk dijtën të shpëtojnë nga
mynxyrat këta djemë fatkeqë, bij nënash fatzeza?!
S’ka shumë kohë që, në rrjetet e
internetit, ka dalë një njoftim, nxjerrë arkivash dhe ilustruar me fotografi të
kohës, ku tregohet se, në betejën e Çanakkalasë janë vrarë 25 mijë shqiptarë.
Është një numër shumë i madh dhe unë nuk po di si t’i quaj ata jetëhumbur: të
mençur apo budallenj, bij nënash që s’kanë ditur t’i edukojnë si duhej fëmijët
e vet, apo bij që s’donin t’ia dinin për nënat e veta?! Si, more, të vriten në
Çanakkala 25 mijë shqiptarë, kur Shqipëria e tyre me shekuj s’kish parë liri me
sy?!
Por, sa dhjetëra mijë bijve të tjerë të
nënavet të kombit tonë u janë mbjellë kockat anembanë botës?!
A s’ka ardhur koha që ne shqiptarët të
mendojmë më mençurisht për nënat tona, rrjedhimisht edhe për vendin, të cilin
rilindësit tanë e quanin mëmëdhe?!
Si është e mundur që e shkatërruam
vendin tonë, s‘lamë gur mbi gur, s’lamë kanal ujitës pa prishur, s’lamë
fabrikë, s’lamë uzinë, s’lamë kombinat, s’lamë hekurudhë, s’lamë bunker e tunel
pa e prishur dhe tokat e punuara i braktisëm e i shndërruam në shkurrishte?! E
rrënuam dhe e lëruam atdheun tonë siç e patën rrënuar e lëruar dikur romakët
Kartagjenën dhe ikëm, duke i lënë nënat qyqe, me bërrylat mbështetur mbi
parvazet e dritarevet!
Të na rrojë mërgmi, qoftë edhe duke
fituar ca pará më shumë, por duke u ndenjur gatitu punëdhënësvet të huaj! Të na
rrojë, madje mërgimi, edhe duke u hequr zvarrë trotuarevet të qytetevet të
huaj! Të na rrojë mërgimi, duke na u mpirë këmbët e duke na u skuqur kofshët
lakuriqe, pranë semaforëvet, ose duke na u kalbur veshkat mbi dyshemetë e
betonta të burgjevet!
Të na rrojnë, më në fund, sukseset që
po korrim nëpër botë, duke u zgjedhur në parlamentet e shtetevet, duke u
duartrokitur në sallat e koncertevet dhe duke u brohoritur nga shkallët e
stadiumevet, kur Shqipëria jonë vazhdon të konsiderohet vendi më i prapambetur
i Evropës!
Mos po i zë bijtë e bijat e këtij vendi
mallkimi mijëvjeçar i nënavet, të dikurshmevet dhe të këtyre të sotmevet?! Pra,
si t’i uroj gratë shqiptare në këtë Ditë të 8 Marsit?!