Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Lamtumirë Kujtim Gjonaj, “Mjeshtër i Madh”

| E diele, 07.03.2021, 12:47 PM |


Lamtumirë Kujtim Gjonaj regjisor i shquar, “Mjeshtër i Madh”

Nga Keze Kozeta Zylo

Me lot në sy e pritëm lajmin e ndarjes nga kjo jetë të regjisorit të shquar Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”.  Tronditës ishte e-maili që mora nga mikja ime, shkrimtarja e mirënjohur Laureta Petoshati e cila më ngushëllonte për vdekjen e Kujtim Gjonaj një figurë elitare e artit.

Mikja ime e penës nga Vlora e dinte mirë lidhjen tonë familjare pasi e dëgjoi nga goja e Kujtim Gjonaj kur moderoi promovimin e librave të mi në Muzeun Kombëtar në Tiranë para tri vjetesh i cili tha: “Ne jemi krenar që jemi nga oxhaku i Gjonajve në Mezhgoran të Tepelenës sonë”.

Ai u rrit në kryeqendrën shqiptare në Tiranë ardhur 6 muajsh nga Mezhgorani i Tepelenës.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Kujtimin, përveçse të dashurohej me artin, sepse të kesh parë nga afër muzgun e mëndafshtë blu mezhgoranas, borën e bardhë majave si vello transparente e nuseve në ditën e dasmës, lulet e bardha të kumbullave me një vijëzim rozë anash si qëndismë paje, gurgullimën e përroit që derdhet si argjend në lumin Vjosa dhe ndërkohë të dëgjosh për luftrat, bëmat heroike, për Shkollën Shqipe dhe mësuesit e shumtë tësaj që shpërndanin dritën e diturisë, për firmëtarin dhe avokatin e Pavarësisë Feim Bej Mezhgoranin patjetër që diçka do të futet në rremba të gjakut dhe do të ngacmojë gjer në lulëzim marramendës një ditë… Dhe ndodhi me Kujtim Gjonaj.

Mjaft dokumentarë me figura nga më të ndritura historike dhe të artit kanë vlera të padiskutueshme, kanë shpirtin e një artisti me veshje të argjendtë poetike.

Nuk e di sepse kam një ndjesi të ndaloje së pari tek filmi dokumentar me titullin “MARGARITA”, ku vetë emri i saj plot shkëlqim nuk e ka munduar fare për titullin, sepse çdo shkronjë ndriçon, bën dritë.  Margarita është ikona e bukurisë femërore dhe e artit njëkohësisht.  Binomi bukuri dhe art i kanë dhënë perëndeshën e frymezimit regjisorit për të sjellë për publikun këtë film të realizuar mjeshtërisht.  Figura brilante e Margaritës, aktrimi i saj mahnitës me siguri në se do të jetonte në botën e lirë medoemos do të kishte tërhequr vëmendjen e Hollivudit…  Margarita edhe pse i ka kaluar të 80-at ajo qëndron si një hyjneshë e bukur dhe virtuoze në aktrim.  Loja e saj aktoreske është siç thotë Bokaçio për poezinë se: “Sa më shumë ikin vitet, aq dhe më brilante bëhen tercinat e Dantes”.

Vetë Margarita është POEZI!...

Dokumentari për Çamërinë të titulluar “Endrra e Çamërise” duket sikur vjen nga lashtësia homerike, ku së bashku me skenaristin Enver Kushin trokasin fort në zemrat shqiptare, në ndërgjegjen kombëtare për zgjimin e saj, për Sulin, Prevezën, Paramithin e gjithë Çamërinë.  Çamëria në këtë dokumentar me gjithë materialin e sjellë nga arkivat e ndryshme jepet e plotë është një frymëzim për brezat, është prush që qëndron i ndezur, është dëshmi në ninëzat e syrit çam…

Ëndrra e Çamërisë duket sikur mbledh rreth oxhakut ne Ninat në fshatin e lindjes së Hasan Tahsinit, burrat e saj duke filluar me Hoxha Tahsin, poetin Bilal Xhaferri etj…  Me të drejtë filmi dokumentar është quajtur “Deti i diturisë”, ku Hoxha Tahsin nga rektori i Universistetit në Stamboll shkon dhe me studime në Universitetin e Sorbonës në Francë etj.  Filmi dokumentar është një libër i dijes që të ngërthen pas ekranit dhe përsëri kërkon që të mos mbarojë aq shpejt…  Eshtë populli çam i martirizuar, i dëbuar nga trojet që të sjellë pranë poetinXhaferri me baladën çame i cili shkruan:  “Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri/ Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote/ mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore/… Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri/ Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…Lamtumirë, Çamëri”!

Regjisori Gjonaj ka punuar në nje nga institucionet më të mëdha të artit kombëtar në Kinostudio dhe padyshim solli me atë pasion, profesionalizëm artin e bukur shqiptar.  Të realizosh një sërë dokumentarësh filmik me figurat më të shquara historike do të thotë të bësh një punë voluminoze, cilësore të bredhësh gati fusha e male, shtete, dete e oqeane sepse e tillë është gjeografia e lëvizjes së shqiptarëve nëpë botë, nga historia, fati dhe vetja…

Dokumentari filmik “Ditët e fundit të një luani” për Ali Pashë Tepelenën me skenar nga poetët e mirënjohur Petrit Ruka dhe Sadik Bejko është një kontribut tejet i vyer i regjisorit Gjonaj dhe shtëpisë botuese “Bota Shqiptare”, është nje kontribut për të gjithë shikuesit e shumtë, sepse Ali Pashë Tepelena është burri që drodhi dhenë, është burri që i vuri kufirin tek thana hordhive turke që pas vdekjes së Gjergjit të Madh, është burri që ka tërhequr vëmendjen e më shumë historianëve dhe diplomatëve të huaj në histori për Shqipërinë…

Ndonëse është e pamundur që t’i përmledhësh në një shkrim homazh të gjithë filmat dokumentarë që ka realizuar Gjonaj përsëri do të ishte e udhës së shenjtë të përmendnim Shenjtoren e Kombit shqiptar dhe të gjithë botës Nënën Terezë të sjellë nëpërmjet një dokumentari tejet special nga Gjonaj.  Sa herë që e transmetojmë në TV “Alba Life” në New York filmin dokumentar për Nënë Terezën shikues të shumtë na marrin dhe na kërkojnë që ta ritransmetojmë dhe ne shpesh here jua kemi realizuar dëshirën, sepse është një etje e tyre, është dashuri emigrantësh për kulturën, për figurat e shquara historike, ku mids tyre Nëna Terezë është pasaporta e identitetit, eshte mirësia e popullit të shumëvuajtur shqiptar.

Duke i parë të gjithë filmat dokumentarë nga regjisori Gjonaj dhe realizimet marramendëse të cilat janë histori sepse kanë brenda zjarrin, hirin dhe vullkanin e kohërave, sjellin zëra dhe jehona të maleve kryelartë, pohoj se kjo krijimtari përbën një pasuri që do të ruhet përjetësisht në shpirtin e popullit.

Eshtë një pasuri që të kujton regjisorin e famshëm hollivudian Steven Spielberg i cili thotë:  “I've always wanted to tell a story about Lincoln. I saw a paternal father figure; I saw someone who was completely, stubbornly committed to his ideals, to his vision”,

që përkthehet: “Unë kam dashur gjithmonë për të treguar një histori rreth Abraham Lincolnit. Unë pashë një figurë te babait.  Unë pashë dikë që ishte i kompletuar dhe me kokëfortësi mbronte idealet, sipas vizionit të tij.

Në dokumentarët me figurat më brilante të Kombit ai eksploroi me një perceptim të qartë intelektual, vizual, me një levizje të ndjeshme estetike dhe me nje shije të lartë elitare.

Ai iku në moshën më të pjekur 74 vjec.

Filmat dokumentarë dhe skenarët që ka realizuar e vendosin në piedestal të artit.

Ike Kujtim Gjonaj në përjetësinë e Parajsës atje ku e ka vendin raca juaj!

Ngushëllime bashkëshortes suaj të bukur dhe fisnike zonjës Bukurije, djemve tuaj shembull dhe vajzës së mrekullueshme, ngushëllime nipërve që do ju mungosh aq shumë.  Ngushëllime botës së artit dhe miqve të artit që I respektoje dhe I cmoje aq shumë!

Lamtumirë mik dhe gjaku im i Gjonajve K U J T I M!

Me lot në sy, unë, Qemali dhe vajzat, New York

Krijimtaria e Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”

Skenare: Këshilltarët, (1979), Ata ishin katër, (1977), Thirrja, (1976)

Regjisor: Shëmbja e idhujve, (1995), Djemtë e Valiasit, (1984)

Dokumentarë: Ali Pasha Tepelena, Faik Konica, Jeronim de Rada, Naim, Mother Teresa and Sulejman Pitarka, Margarita, Hasan Tahsini, Gjithcka per Kosoven, ( Ramush Haradinaj) 2015 "

Saga e Dinejve( Abedin Dino dhe trashegimtaret) 2017 "

I fundmi i Rilindasve( Josif Bageri) 2018 "

Vlerësimet

Mjeshtër i Madh nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani

Nderi i Tepelenës nga Bashkia me k/bashkiak Tërmet Peci

Cmimin  “Urdheri Naim Frasheri”

Cmimin “Kult”

Në vitin 1982 do të nderohet me Çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, 1986, filmi “Kështjella e këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), 1995, me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo), 1998.

28 shkurt, 2021

New York