| E hene, 15.02.2021, 09:44 PM |
Nga Fritz RADOVANI:
(Pjesa e VIII)
MBAS
NJË TAKIMI ME IMZOT ERNESTO ÇOBEN...
Me pat tregue njëherë vetë
Padër Meshkalla sesi e kishte thirrë në Argjipeshkvi
Imzot Ernesto Çoba, atë kohë në të cilën Ai kryente detyrën e Famullitarit të
Shkodrës, dhe i kishte thanë: -A të
pelqen me dijtë se çfarë ka shkrue profesori yt kujdestar në karakteristikën që
ai ka sjellë prej Austrijet, kur ke mbarue studimet universitare? –Sigurisht që
po, ishte përgjegjë ky. Imzot Çoba i kishte dhanë letrën origjinale që kishte
shkrue me dorën e tij profesori austriak për Pader Mëshkallën dhe Don Kolec Prennushin dhe, që e
kishte përcjellë atë leter atëherë këtu në Argjipeshkvinë e Shkodrës.
Për Pader Meshkallën, kishte
shkrue: “...Që asht studioz, i përgatitun në filozofi dhe teologji shumë mirë, por asht nervoz dhe
kryefortë, prandej nuk ban me kenë në drejtim të Klerit. Ka aftësi dhe prirje
të veçantë për organizimin dhe edukimin e rinisë... Ndërsa për Don Kolecin
shkruhej që asht kenë student i shkelqyeshëm në mësime, shumë i përgatitun në filozofi dhe teologji, por asht
natyrë shumë e mbyllun dhe e kemi pasë të pamuejtun me e studjue në mbrendësi karakterin e Tij, prandej asht e mira që të
kihet nën kujdes për me pa ma vonë natyra e Tij.” Mbasi më tregoi këte, qeshte
me atë të qeshunin e Tij karakteristik dhe e pohonte: “...se asgja nuk ka gabue
profesori, unë nuk e kam dijtë deri tashti mbas 40 vjetësh, se ai profesori që
më donte aq shumë dhe më afronte tej mase, më paska ba atë karakteristikë pa
gabue asgja. Ta kishe dijtë – e thonte me të qeshun – makare, do t’i ishe ruejtë mos me më kuptue “kryefortësinë”, mandej
fliste gjatë për konsideratën që
kishte për përgatitjën e dajës
Don Kolec, vullnetin e Tij të hekurt dhe për qendrimin konseguent ndaj dogmave
të Kishës, gja të cilën e ka tregue edhe në kohën e diskutimit të “Statutit të
Kishës” në mbledhjet që janë ba nga Kleri, në Argjipeshkvinë e Shkodrës, para
vitit 1950, para se Ai të vdiste. Kur fliste për kambnguljën e Don Kolecit për
mos me e nënshkrue Statutin dhe për ato çeshtje që edhe vetë Pader Mëshkalla ishte i pakënaqun ashtu si ka kenë
Ai, nuk i zinte në gojë kurrë ata që me vëprimët e tyne kanë punue për
aprovimin e atij Statuti ndër ato mbledhje, por atypëraty vlerësonte pamasë
qendrimin heroik të Don Dedë Malajt, i
cili u pushkatue mbas një qendrimi shumë burrnor në gjyqin e Tij të famshëm dhe
të paharrueshëm për popullin e Shkodrës, që u zhvillue në kinema “Republika” në
muajn prill të vitit 1959. Don Deda vdiq pa e firmue Statutin, ndër të paktët
klerikë. Unë ruej kujtime të veçanta për Té dhe do t’i shkruaj veçmas, mbasi
meriton ma shumë se këto pak rreshta.
Pader Mëshkalla tregonte se, kur ka marrë vesh
vdekjën e Don Kolecit, kur ishte në Burrel, “...kam kja për të parën herë në
jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë
jetës seme!..”.
Prej Pader Mëshkallës pata marrë vesh se kur
jezuitët banin ushtrimet e shpirtit në Kolegjën “Saveriane” të Shkodrës, Don
Koleci asht kenë ndër të paktët ata priftën që u thirrnin me mbajtë konferenca
filozofike para jezuitëve.
Ai më ka tregue se Don Kolec
Prennushin, jezuitët e kanë vlerësue aq shumë, sa vetë Pader Zef Valentini
S.J., e kishte cilësue: “Futuro Cardinale
d’Albania”.
Me kenë se ra fjala për
ushtrimet e shpirtit, njëherë, një prift i ri, i shuguruem mëshehtas në vitin
1962 nga Imzot Çoba, meqë do të hynte përherë të parë në ushtrimët e shpirtit,
i tregon Pader Mëshkallës, se si
Imzot Çoba i kishte mësue priftit të ri “gjashtë arësyet që njeriu duhet me
heshtë!..” Mëshkalla i thotë
atij: -“Shko e thuej Imzot Çobës me të mësue gjashtë arësyet që duhet
me folë, se s’asht koha me heshtë ma!”...
Kuptohët se në jetën e Pader Mëshkallës nuk ka asnjë çast vend
për heshtje, sepse Ai nuk e njihte frikën, madje jo vetëm se nuk e njihte
frikën, por e luftonte edhe tek të tjerët.
Kur e kishin çue në burgun e Burrelit
Imzot Irené Banushin, Ipeshkëv orthodoks, që u dënue bashkë me Pader Mëshkallën, në herën e parë (1947),
disa të burgosun e kishin pyetë
Imzot Irenéun, se përse ishin
dënue aq shumë vite?.. Ai u ishte përgjegjë: “Mund të dënoheshim ma pak vite,
po nuk mujt me ndejë pa folë ashtu si e ka zakon Pader Mëshkalla!..”
E pra, flisni, flisni edhe ju
bashkvuajtësit e Tij... Flisni, se kjo asht ajo kohë që e paralajmëronte Pader
Mëshkalla...
Harroni edhe ju gjashtë kushtet
që duhet me heshtë!
Flisni ju, o nxanësit e Tij,
flisni, mos heshtni... Flisni nëse në gjakun tuej rueni Idealin me të cilin ju
mësoi dhe ju edukoi Mësuesi Juej i pavdekshëm, flisni, flisni ju, o Shqiptarë,
flisni, se duhët me folë si fliste Ai!..
Kurrë mos harroni porositë e
Padër Mëshkalles!..Bisedat e Tij të rrjedhëshme gjithmonë kishin një qellim, prandej koha që kalonte njeriu
me Té për të gjithë ishte një shkollë. Çdo fjalë e Tij të mësonte dishka të
mangët në atë që mujshe me ditë ti.
Melbourne, 12 Shkurt 2021.