| E premte, 05.02.2021, 07:48 PM |
Dita që tmerroi Titon
Nga
Blerim Latifi
Gjatë
gjithë ditës së 4 shkurtit 1945 Brigada e Shaban Polluzhës, e organizuar në
njësi të vogla sulmi, ishte bartur në zonën e Qyçavicës. Duke e menduar këtë
riorganizim si shpartallim të saj, brigadat partizane, krejtësisht të
shkujdesura, u lëshuan në të ashtuquajturin pastrim tereni. Të nesërmen ato u
zunë në befasinë vdekjeprurëse. Nga “Guri i Plakës” në jug të Qyçavicës, e deri
tek Shkolla e Prekazit në veri, në një vijë frontale prej 40 kilometrash, ato
ranë nën zjarrin e pamëshirshëm të njësive të Shaban Polluzhës dhe, nën panikun
e goditjes së befasishme, pësuan humbje kolosale. Tek Kodralitë e Prekazit
njësiti i udhëhequr nga Isuf Gjilani arriti të asgjësonte gjithë shtabin e
njërës prej brigadave partizane. Të mbetur pa komandë, njësitë e saj filluan të
largoheshin në drejtim të Polacit, por tek vendi i quajtuar “Lkeni i Polacit”,
ato ranë në pritën e njësitit të Aziz Zhilivodës dhe u asgjësuan pothuajse të
gjitha. Një pjesë e tyre arriti të tërhiqej në drejtim të shkollës së Prekazit,
por edhe aty ranë në pritën e ngritur nga njësiti i Xhemë Terrnavcit e Shaban
Mangjollit dhe u asgjësuan tërësisht. Midis Fshatrave Likoshan, Qirez dhe
Verboc, Brigada e Parë Sulmuese e Kosovës, duke mos e njohur terenin, ra në
pritat e ngrituara nga njësitë e Mehmet Gradicës dhe Rexhep Gjelit. Ata që
shpëtuan nuk e përbënin dot as një batalion. Një brigadë tjetër partizane, që
kishte për objektiv të merrte kontrollin e grykës që lidhte Drenicën me Fushën e
Kosovës, në vendin që quhet “Guri i Plakës”, ra nën zjarrin e njësiteve tjera
të Shaban Polluzhës, të drejtuara nga Sadik Lutani dhe Hazir Gjaka. Këtu ploja
ishte edhe më e madhe. Të nesërmen, komandanti suprem i partizanëve për Kosovë,
Petar Brajoviqi, i raportonte Titos dhe Rankoviqit se kanë pësuar humbje të
pallogaritshme në fshatrat rreth Qyçavicës, mbi 700 partizanë të vrarë, qindra
të plagosur dhe shumë të humbur. Pas dy ditësh, me 8 shkurt, Tito shpalli
administrimin ushtarak të Kosovës dhe urdhëroi grumbullimin e brigadave të reja
për të shuar kryengritjen e Shaban Polluzhës. Deri në mesin e shkurtit 22
brigada partizane e rrethuan gjithë zonën. Në atë moment fati tragjik i
kryengritjes u vulos.