| E hene, 01.02.2021, 09:09 PM |
Trimëria labe
Nga
Edison Ypi
Qesh'
nisur nga Berati për në Këlcyrë. Në Buz më thanë se rruga për në Këlcyrë nga
Qafa e Kiçokut është e pakalueshme.
Desha-s'desha,
helm-e-vrer ja thera teposhtë më të djathtë për në Memaliaj.
Ik
e ik tatëpjetë nëpër ca kthesa e ca bukurira me të ik menia, kur befas nisën të
më kalonin nëpër trup ca mornica të këndëshme si ato të seksit. Kisha humbur
rrugën.
Ndala
në një katund për të pyetur ku ndodhesha.
Nuk
ishte katund i braktisur. Katundet e braktisura njihen.
Rrugë
e rrahur nga makinat dhe karrocat, kopështe të punuara, mullarë bari të
freskët, tym nga oxhakët, aty-këtu ndonjë e lehur qeni, ishin shenjat e sigurta
se katundi nuk ishte i braktisur.
Thirr
e thirr, asnjë s'përgjigjej.
Bjer
e bjer bories, hiç.
Zbres
nga makina.
Bërtit
e bërtit, xhan-xhin.
Në
rrugë asnjë kalimtar.
Bëra
ç'bëra, ika më tutje me shpresë se në katundin tjetër dikush do bëhej i gjallë.
Në
katundin e dytë dhe në katundin e tretë, e njëjta gjendje: Shenja të sigurta të
prezencës së njerëzve, por askush
s'pipëtinte.
U
solla si kali në lëmë nja dy orë të mira nëpër ca yrte të magjishme si të
magjistricave të Makbethit, derisa rrugës, aventurës, mornicave, ua kapa
fillin.
Kisha
hedhur gabimisht një urë më të majtë të rrugës mbi një përrua. E bëra atë
budallallëk duke supozuar se një urë aq e re, e gjërë, e asfaltuar, nuk mund të
ishte bërë për në katundet e shurdhëta ku përfundova, por për në Memaliaj.
Tek
kthehesha, diku afër Memaliajt, ndala të bëj pak muhabet me një çoban. Çobani
që jetonte në stan bashkë me gruan dhe një fëmijë që e kishin zënë dhe pjellë
po aty në po atë stan, ishte devolli i pajtuar një vendali. Ore, i thashë
çobanit, kështu e kështu më ngjau nëpër ca katunde labërie. Çava fytin tim dhe
shurdhova borinë e makinës. Si s'u bë njeri i gjallë ? Nëpër katunde, Përmet,
Kolonjë, Korçë, Mallakastër, Myzeqe, Shkodër, Mirditë, Pukë, Mat, Dibër, dhe
kudo gjetkë, nuk mund të ndodhë kurrën e kurrës kjo që më ndodhi në Labëri, në
Tepelenë.
Çobani
më mahniti. Nuk të janë përgjigjur nga frika, tha devolliu, tepelenjotët,
lebërit, janë frikacakë.
U
habita pa masë.
Duke
ikur drejt Fierit, të njëjtën përgjigje rraskapitëse më dhanë edhe nja tre a
katër të tjerë.
Ku
ka vajtur ? Ku është fshehur ? Ku është strukur patriotikja, e lavdiahmja,
legjendarja, trimëria labe.
E
kemi lexuar nëpër libra, e kemi bërë në mësim, labi është një trim me fletë për
të cilin janë shkruar pafund vargje e vjersha, poezira e balada, një div e një
luan me nam që sokëllin sa tundet mali, mban fustanellë, bubullin toka kur hedh
valle, ja heq kokën grekut si berr me jatagan e ja çan barkun me biçak, kap
topin për grike, hedh në det italianin, shpall Pavarësinë, si është e mundur
gjithai lab trembet në mes të ditës dhe në mes të katundit, të ketë frikë nga
një frikacak si unë.