| E diele, 31.01.2021, 05:42 PM |
Krime serbe në Kosovë
(Recension)
Nga
Sadik Bejko
Libri
“Krime serbe në Kosovë”, botim i "Klubi i Poezisë", Tiranë, 2020, ka
një histori të publikimeve. Fillimisht në verën e vitit 1999, libri është
botuar me titullin “Holokaust, dosja pa koment për krimet e Millosheviçit” me
bashkautorësinë e dy gazetarëve Agim Neza dhe Çerçiz Loloçi. Tani, mbas
dymbëdhjetë vjetëve, libri ribotohet i plotësuar, i rikonceptuar nga Çerçiz
Loloçi me një homazh për kolegun e tij, Agim Nezën që nuk jeton më.
Në
parathënien e këtij botimi shënohet se libri përmban dëshmi të shqiptarëve nga
Kosova, mbartur në Tiranë në pranverën e vitit 1999, për shkak të dëbimit masiv
nga policia dhe nga forca të tjera militare serbe, dëbime shtetërore që u
shoqëruan me vrasje, masakra, përdhunime, gjymtime dhe me të tjera mizori që i
ranë mbi kokë popullsisë civile, ranë mbi gra, fëmijë e pleq nga e gjithë
Kosova. Veç dëshmive të gjalla nga këta të dëbuar përdhunshëm, në libër
përfshihen dhe raporte nga agjensitë prestigjoze të shtypit europian, nga BBC,
VOA, DW etj. Rrëfimet nga viktimat reale të represionit të përgjakshëm serb, të
atyre që braktisën shtëpitë, trojet, të atyre që kishin humbur fëmijët,
prindërit, të afërmit, përforcohen dhe nga dëshmi dhënë nga luftëtarët
shqiptarë të UÇK, të Fark etj.
Libri
“Holokaust...”, sapo u botua, u vol nga ata që ishin të interesuar për lajme e
fakte të drejtpërdrejta nga terreni, nga operatorë të shumtë të huaj e vendas.
Libri u shërbeu organizatave që interesoheshin për refugjatët, për fëmijët, për
të drejtat e njeriut. U botua i plotë a pjesërisht pa lejen e autorëve nga
gazetat në gjithë hapësirat shqiptare dhe jashtë saj, në diasporë.
Me
kohë ngjarjet mbuluan njëra-tjetrën dhe ky libër humbi si gjilpëra në kashtë.
Në treg u shfaqën të tjerë libra me kujtime e me dëshmi të shkruara. U bënë
dokumentarë mbi dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, mbi fushatën NATO-s ndaj
Jugosllavisë së vitit 1999. U botuan kujtimet e Bill Klintonit, M. Albrighte,
të W. Clark etj mbi këto ngjarje.
Autori
Çerçiz Loloçi tashmë e rimerr librin “Holokaust...”, e rikoncepton në tri pjesë
dhe do t’i japë atij vendin e vet në këtë histori botimesh.
Ky
ka qenë libri i parë i këtij lloji.
Në
këtë libër dëshmitë mbi atë çfarë po ndodhte ato ditë në Kosovë marrin numrin më të madh të faqeve. Faktet
janë sjellë pa koment dhe pa zbukurime stili. Si dëshmi të zhveshura nga çdo
lloj retorike ato ruajnë shijen e kronikave nga terreni. Ne sot shfletojmë faqe
për masakrimin e njëzet mësuesve, për masakrën e Krushës së Madhe, për masakrën
e Raçakut, për martirizimin e familjes Jashari dhe të legjendës së rezistencës
me armë të Kosovës, të Adem Jasharit. Lexojmë lajme të kobshme për përdhunime
grash e vajzash në sy të të afërmve, për gjymytime të fëmijve e të të
moshuarve, për prerje kokash, dhunime të kufomave, për fshatra të tëra që
shpërngulen, prona që digjen, trupa foshnash varur në tela telefoni, shkurt, na
praqiten pamjet e një kronike rrënqethëse, na vizatohet tabloja infernale e një
barbarie të pashembullt, e zbatuar në shekullin XX dhe në mes të Europës. Emrat
e disa prej oficerëve që udhëhoqën operacionet, të policëve dhe të
paramilitarëve serbë që kanë lyer duart me gjakun e pafajshëm të civilëve të
Kosovës, shënuar në faqet e këtij libri nuk i janë nënshtruar ende asnjë gjykimi.
Një
shtet si Sërbia që edhe sot deklaron se Kosova është territor i saj, ndërkohë
që mbi të ka ushtruar gjenocid, ndodhet para një krimi që kërkon shpagim. Ky
shtet ka vrarë me planifikim dhe në vazhdimësi qytetarët e vet me origjinë
shqiptare, ka sfrutuar e dhunuar shtetasit e vet shqiptarë, qytetarë në
shtëpitë, në pronat dhe trojet e veta, në një seri fushatash krimnale dhe të
programuara historikisht.
Kështu
ka ndodhur.
Është
e vështirë të kalosh nga një faqe në faqen tjetër të këtij libri, mbushur me krime
të përgjakshme e të pashembullta në histori. Këto fakte kanë vlerën e një
dëshmije që nuk duhet harruar, e një krimi që duhet denoncuar vazhdimisht dhe
me çdo mjet. Krimet që harrohen, përsëriten, krimet që nuk denoncohen janë
fyerje për viktimat nga radhët tona, për ata që e pësuan, por dhe për ne
përfaqësuesit e tyre të padenjë që jemi ende gjallë dhe i harrojmë krimet.
Më
e keqja sapo ka ndodhur. Serbia e krimeve të tilla të dëshmuara, por
përgjegjëse edhe për mijëra të tjerë të zhdukur, që edhe sot mbeten të humbur
dhe pa varr, kjo Sërbi sot ka çuar në pranga disa nga figurat më të shquara të
luftëtarëve të Kosovës. Ky libër doli në Tiranë pikërisht në ditët kur në
Prishtinë Thaçi, Veseli etj u arrestuan si të dyshuar për krime për të dalë
para gjykatës speciale në Hagë.
Në
parathënien e këtij ribotimi i bëhet
jehonë librit të I. Kadaresë “Mbi krimin në Ballkan. Letërkëmbim i zymtë”,
Onufri, 2011. Sipas Kadaresë, problemi i krimit vazhdon të jetë thelbësor në
historinë e Ballkanit. Sipas Kadaresë, për euroatlantikasit ka qenë tepër e
vështirë ta pranojnë krimin në Kosovë, aq më tepër “të merrnin armët për të
bërë që të heshtin armët” (shprehje e presidentit Shirak). Letrat e Kadaresë,
dërguar presidentëve Xhorxh Bush, F. Miteran, V. Havel dhe Papa Gjon Palit II,
synojnë ndërgjegjësimin e udhëheqjes botërore për krimin në Kosovë. Nga
letërkëmbimi i tij me Vuk Drashkoviçin, ministrin e Millosheviqit, merret vesh
se për Kosovën ishte projektuar një krim që kërkonte më shumë sesa heqjen e
lirisë, autonomisë së saj. Ky krim do ta masakronte e përgjakte Kosovën, pastaj
do ta zhbënte atë, do të dëbonte nga trojet e saj. Dhe faji do t’u mbetej
shqiptarëve irredentistë.
Ky
libër “Krimet serbe në Kosovë” mbetet aktual. Ai na thotë se duhet t’ua vënë
veshin atyre midis nesh që thonë se nuk duhen mbyllur sytë dhe veshët para
krimeve, se pastaj ato do të na bien mbi kokë.
Dhe
ne po e vuajmë këtë fatkeqësi: kujtesën e shkurtër.
Në
pjesën e dytë të librit vijnë kujtime dhe deklarime të presidentëve dhe të
personaliteteve të larta amerikane për fushatën e NATO-s të vitit1999,
përballja me krimet shtetërore të Serbisë, deklarimet e tyre për pavarësinë e
Kosovës. Përmenden emra si Klinton, Albright, W. Clark, Toni Bler, Xh. W. Bush
etj.
Një
përshkrim për fushatën e NATO-s që u mbyll me marrëveshjën e Kumanovës më 9
qershor 1999 dhe një homazh për I. Rugovën, njeriu i paqes, i quajtur Gandi i
Ballkanit, presidenti i parë i Kosovës e mbyllin pjesën e dytë të librit.
Në
pjesën e tretë sillen shkurtimisht disa nga doktrinat sërbe mbi spastrimin
etnik të shqiptarëve, si doktrina e Grashaninit, e Çubriloviçit, e Ivo
Andriqit, e D. Qosiçit. Këto doktrina dëshmojnë se krimi në Kosovë është
historia e një projektimi të ideuar prej një kohe të gjatë.
Në
libër sillet “Marrëveshja turko-greke-sërbe” e Lozanës, 1923, për shpërnguljen
e shqiptarëve nga trojet e tyre si dëshmi e jetësimit të projekteve për
spastrimin etnik të shqiptarëve në shekullin XX.
Libri
mbyllet me një pasthënie ku shprehen konsiderata mbi politikën e mjerë zyrtare të
shtetit shqiptar të diktaturës mbi Kosovën, ku sillen dhe kujtime të autorit
dhe të brezit të tij mbi errësimin, mjegullimin zyrtar të informacioneve të
shpërndara nga diktatura mbi Kosovën.
Ç.
Loloçi, gazetar me përvojë dhe prozator i hollë sidomos për tregimin e
shkurtër, sjell ribotimin e librit të mëparshëm me bashkautor kolegun e tij
Agim Nezën, por me konceptimin, strukturimin dhe me lëndën plotësuese na ka na
vënë përpara një libri të ri.
Libri
“Krime serbe në Kosovë” me një paraqitje grafike të nivelit më të mirë të kohës
sonë u botua nga “Klubi i Poezisë”, dhjetor 2020.
(Fjalë e mbajtur në Kolegjin AAB Prishtinë, 28 janar 2021,në
shoqëri me autorin Cerciz Loloci dhe botuesin Rexhep Shahu.)