| E enjte, 28.01.2021, 10:32 PM |
HISTORIA E NJË LEXIMI
Në
85-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë
Nga
Prend BUZHALA
Kur
Ismail Kadare i kishte 80 vjet, pata botuar monografinë kritiko-letrare
"Triumfi në anën e shkrimtarit" (botoi Shtëpia Botuese ROZAFA,
Prishtinë 2016).
Kësaj
radhe, në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit po e zgjedh një lexim timin
letrar me titull " SOULOKU I LAOKOONT-IT" (Interpretim i poezisë
"Laokoonti" të Kadaresë). Ky lexim interpretues e eseistik ka një
histori të gjatë prej 30 vitesh! Leximin e parë kësaj poezie të gjatë ia pata
bëtë më 1980, kur qe botuar vepra letrare e Ismail Kadaresë në Prishtinë. E
rimora për lexim më 1985. Në maj të vitit 1985 këtë variant që e keni këtu, ia
pata dërguar revistës "Fjala", por për shkaqet politike të kohës, nuk
u botua (e kisha edhe vetë të ndaluar të botoja, po edhe Ismail Kadare në
Kosovë gjatë viteve 1981-1990 qe i ndaluar). Leximin e tretë ia bëra në vitin
1988. Ia dërgova, në version të gjerë, këtë lexim-studim, por "Jeta e
re" nuk e botoi! Më 1990, kur tashmë po shembej Jugosllavia, redaksia e
"Fjalës" më ftoi të jem në Këshillin e saj redaktues (për nja një
vit). Vetë redaksia e gjeti atë dorëshkrim, dhe tani. në rrethana të reja, e
botoi revista "Fjala" e Prishtinës, nr. 14, 15 gusht 1990, fq. 14-15
(shih këtu fotot si dëshmi).
Varianti
i dytë i saj qe botuar te libri im "Përqasje estetike" (botim i
Klubit të Shkrimtarëve "Vorea Ujko", Klinë 2000).
Tashmë,
si lexim tredakadash, ky shkrim ka marrë formën e një libri e që është në
proces botimi.
_______
SOULOKU I LAOKOONT-IT
(Interpretim i
poezisë "Laokoonti" të Kadaresë)
Nga Prend BUZHALA
1.
Poezia, skulptura
Poezia
"Laokoonti" e Ismail Kadaresë përveç leximit letrar që mund t'i
bëhet, tematizon dhe problematizon edhe anë të tjera të letërsisë. Në radhë të
parë shtron kërkesën për t'i parë lidhjet që ka letërsia me artet e tjera nga
njëra anë dhe lidhjet që ka me
mitin dhe historinë,
nga ana tjetër. Pra, i vërejmë veçoritë
e një gërshetimi, të cilat nuk i studion
vetëm shkenca e letërsisë, por ato bëhen objekt studimi edhe i dijeve të tjera,
sikurse janë: estetika krahasimtare, ikonologjia, morfologjia e arteve,
historia krahasimtare e arteve etj. Analogjitë dhe distinktivët në mes të
arteve nuk i takojnë vetëm kohës së sotme, ato e kanë burimin që nga kohët
paleolitike, që nga arti i shkëmbinjve, vallëzimet magjike ose këngët që kishin
vetëm një fjali a vetëm një fjalë (Bykël). Përkundër diferencimit të madh të
arteve të sotme(Tomas Manro numëron njëqind lloje të arteve), këto lidhje
përbëjnë njërën ndër ligjësitë më të rëndësishme të tyre. Pa këto lidhje nuk do
të ekzistonte gama e gjerë dhe e përbashkët e temave, e ideve dhe e motiveve.
Nuk janë të rralla
rastet kur skulptura njërin nga burimet e saj tematike e ideore i gjen në
letërsi, ashtu sikundër që letërsia disa nga motivet , temat dhe idetë i huazon
nga skulptura. Poezia "Laokoonti",
duke u mbështetur në mitin grek, merr të njëjtin motiv të skulpturës së
Renesancës evropiane. Lajtmotiv i kësaj poezie,
pra, është vetë vepra e skulpturës. Skulptura laokoontiane të përvetëson
me shprehjen e saj lapidare. Ajo arrin të shprehë përmes trajtave vuajtjen,
qëndresën, flijimin për të vërtetën, arrin të shpreh çastin e mbytjes së
Laokoontit nga gjarpërinjtë hyjnorë. Ndërsa poezia e Kadaresë përmes një
monologu poetik e paraqet në një dritë tjetër personalitetin historik të Laokoontit.
Skultura i mbetet besnike mitit, kurse poezia e zhvesh atë; skulptura vë në
dukje cilësitë e karakterit, kurse poezia arrin që, përveç kësaj, të përgjithësojë edhe probleme
të jetës e të shoqërisë së sotme; skulptura skalit një çast të së kaluarës
mitike, kurse poezia bën gërshetimin e kohës.
Poezia
"Laokoonti" është një skalitje skulpturore e përvojës historike e
shpirtërore të popullit trojan për triumfin së vërtetës, kurse skulptura laokoontiane është një poezi
që i kushtohet flijimit e vuajtjes për të vërtetën. Me kombinimin e trajtave të
ndryshme, skulptura i kapërcen kufijtë e saj si figurë dhe arrin të ndërtojë
unitetin në mes të shpirtit dhe trupit (Hegel).
Prandaj, mund të flitet si për
shprehjen poetike në artin e skulpturës,
ashtu edhe për "gdhendjen, , dhe skalitjen në poezi. Mbasi i
absorbon elementet e skulpturës, të
mitit dhe të historisë, kjo poezi në strukturën e saj pleks idetë e botës së
sotme, një strukturë, kjo, mjaft origjinale poetike. Disa nga temat,
idetë e motivet e kësaj poezie depërtojnë në tërë veprën letrare të Ismail
Kadaresë. Në një mënyrë kjo poezi që po e lexojmë së bashku, përfaqëson ato
krijime të këtij autori që aktualizojnë dhe riaktualizojnë mitin dhe historinë.
Monologu poetik që është zgjedhur si trajtë origjinale narrative-poetike, i jep
zë përvojës së personalitetit historik të Laokoontit, sintetizon këtë përvojë
mitike-historike.
2. Një ligjëratë e dhembshme nëpër skenat e
muzeve
Në fillim të poezisë
paraqiten skenat e muzeve artistike në Luvër, Madrid e Nju -Jork, nëpër të cilat enden turistë e vizitorë të
shumtë me aparate fotografike. Për t'i paraqitur në mënyrë sa më shprehëse këto
pamje(strofat 1-8 ) poeti ka zgjedhur figurën e antitezës, e cila shtrihet në
tërë rrëfimin poetik. bashkë , me trajtën e monologut që nuk kufizohet në kohë
e hapësirë. Është ky një monolog për vuajtjen qindravjeçare, është një si
ligjëratë e mbajtur nëpër muzetë e botës, është një ligjëratë e dhembshme që të
prek thellë në zemër. Ja, papritmas
poeti ka kapur skenën e turistëve përpara një skulpture që e paraqet Laokoontin
duke e mbytur gjarpërinjtë hyjnorë. Që në strofën e parë do të ballafaqohemi me
temat dhe idetë që do të paraqiten gjatë tërë poezisë. Në kuadrin e strukturës poetike figura e
Laokoontit kryen funksionin e heroit poetik që rrëfen në vetën e parë, që
dëshiron t'u drejtohet të pranishmëve me aparate fotografike. Është një
përpjekje që monologu të dialogëzohet. Një përpjekje të vërë dialog me ne. A mund t'i korrigjojë gabimet historike një
nofull mermeri? Laokoonti i skalitur në artin e skulpturës i ka parë të gjitha.
Vuajtja është shumëfishuar. Heroi e ndryn një të fshehtë që e mundon gjatë
nëpër qindravjeçarë. Njerëzit nuk e
kuptojnë jehun e dramës së brendshme të tij të dikurshme. Le sytë e tij, "te
zgavrat e thella / Një enigmë si amebë të tharë atje ka". E vërteta e
tragjikes së tij , mbeti enigmë, mbeti një mit-amebë, mbeti një nihilizëm mitik
që do zhveshur nga gëzhojat e gënjeshtrës.
Poeti nuk i beson mitit.
Monologu ngadalë
fillon të marrë trajtën e klithjes.
Gjarpërinjtë qëndrojnë rrotull trupit të Laokoontit. Ata e shtojnë vuajtjen fizike të tij.
Perënditë! Ata i kanë dërguar gjarpërinjtë që ta ndëshkojnë Laokoontin, sepse
ky i këshilloi trojanët që ta djegin Kalin e Drunjtë që ua kishin dërguar atyre
danajët tradhtarë e të pabesë. Ky kalë ishte dërguar gjoja për të lidhur miqësi
e paqe me palën trojane, por ai në barkun e tij fshihte tradhtinë. Laokoonti
ishte sfidues i tradhtisë. Prandaj asgjë nuk është dhembja e shkaktuar nga gjarpërinjtë,
sa ajo që shkaktohet nga dinakëria , nga veli i mistifikimit të së vërtetës.
Heroi pret të shkarkohet nga një sekret i madh, nga një sekret kohësh të
dikurshme mbi të vërtetën e që e mundon edhe kohën e sotme. Njerëzit nuk e dinë
ende shkaktarin e vërtetë të ngërçit e të ankthit të Laokoontit, ngërç e ankth
që nuk i ka nga perënditë e qiellit, po nga ato të tokës. Poeti sikur do të na
thotë se skulpturën nuk e përjetojmë vetëm me anën e syrit, apo aparatit
fotografik; atë e përjetojmë edhe me anë të poezisë së trajtave, me
"ligjërimin" skulpturor; se trajtën në skulpturë nuk duhet ta lexojmë
si mit, por si akt historik e politik që e zhvesh mitin. Përsëritja e së
vërtetës së dikurshme gjatë shekujsh nga ky monolog rrezaton në trajtën e një
soliloku artistik: duket sikur monologu merr trajtën e zhgënjimit, të shpresës së kotë, të dilemës hamletiane: a
do të pësojë mermeri ndonjë ndryshim për t'u çliruar nga gënjeshtra? E vërteta
që nuk rrëfehet hapur i rri ndesh gënjeshtrës që rrëfehet e përhapet pandërprerë
si version i së vërtetës. Ja, ky është dyfishimi i dhembjes. Ndërkaq, skulptura i përzien kufijtë në mes këtij
realiteti të mitizueshëm që e përhap gënjeshtrën dhe të përvojës e të vërtetës
historike. Figurat e Kalit të Drunjtë e
të gjarpërinjve hyjnorë poezia i rimerr për t'ia kundërvënë jo veprës
skulpturore, por absurditetit dhe raporteve jetësore që e mbështjellin të
vërtetën me bashkat e gënjeshtrës. Pra, figura e Laokoontit është edhe konvencë
poetike. Është edhe interpretim poetik i skulpturës. Për ne,
që duam ta mësojmë të vërtetën, ai nuk është thjesht mit, nuk është as
art i gënjeshtrës së ngrirë në artin e skulpturës. Ai është simbol për ta
njohur të vërtetën, simbol i urtësisë
dhe i njeriut që vë përpara dyshimin, është simbol i njeriut që vuan për të
vërtetën e përgjithshme, i njeriut që bie viktimë e aktit të tradhtisë.
Duke i dhënë këto
aspekte e rrjedha rrëfimtare, monologu merr trajtën e një kujtimi që të bren e
të ther, për shkak të pamundësisë së artikulimit të së vërtetës në jetë.
Poezia, në ligjërimin e saj
"skulpturor" e monumental, na e jep edhe vizualisht pamjen e
Laokoontit e skalitjet e brendshme të boshllëkut të madh në shpirtin e tij që e
godet pa mëshirë, në heshtje. Vrasja e tij jo nga perënditë, por nga trojanët e mashtruar e tradhtarë,
është e mbuluar me një vel mistifikimi, ashtu si mistifikohen e mbulohen shumë
çështje ekzistenciale e jetësore të njeriut të sotëm.
Indiferenca është një
temë tjetër e poezisë, është një shtresë tjetër kuptimore e saj, është një
tragjikë e parrëfyer tekanjoze. Kjo temë do të marrë një shtrirje përmasash
dramatike në pjesën e fundit të strukturës poetike. Laokoonti e dënon
indiferencën, e cila mbahet në këmbë moskokëçarëse e me rropamë. Përmes kontrastit ironik në tërë këtë strukturë, poeti ngre këtë pyetje: a bën të jemi
indiferentë ndaj tradhtisë, ndaj gjërave të neveritshme në jetë dhe në histori?
Monodramën e gjatë, shumë të gjatë, të Laokoontit, po qe se do ta dëgjonin vizitorët turistë, do
të ngrinin si gur! Por ai vazhdon ta dramatizojë konfliktin e tij të brendshëm,
i cili aktualizohet si ndeshje e dy botëve të kundërta. Konflikt që
aktualizohet si një polemikë që nuk ka shpërthyer ende, por që kur
shpërthen, zhvillohet gjatë e gjatë.
3. Imazhe të mitit, zhveshje të mitit
Monologu poetik
vazhdon ta shtrijë rrëfimin e tij në thellësitë e mitit dhe në thellësitë
historike. Dihet se miti grek e nis rrëfimin e tij me fjalët e plakut të urtë
trojan që ia drejton Priamit, kur grekët po sillnin dhuratë Kalin e Drunjtë: "mos
u beso, Priam, danajëve, edhe kur të
sjellin dhurata! Të tëra këto janë mashtrim!" Mirëpo, masa e trojanëve
u nda më dysh: në ata që kërkonin ta flaknin dhuratën dhe në ata që kërkonin ta
pranonin. Përçarja dhe trazira janë aktet e para të "mirëbërësisë" së
armikut. Sa akte të tilla njohim në historinë e popujve deri në Ditët e sotme!
Të mashtruarit, tradhtarët, ulërijnë: pajtim me armikun! Vërejmë se si monologu
poetik merr shtrirje të gjerë të aktualizimit të problemeve, se si ky monolog i kapërcen kufijtë lirikë të
poezisë për të arritur kulme dramatike. Në vazhdim kjo gjë paraqitet me
kërkesën e palës trojane që bashkëpunon me armikun: për të hequr dorë nga
pavarësia dhe të pranohen pa rezerva ligjet e të huajit, që armët e luftës të
kthehen në parmenda, që armiqtë të bëhen "miq"! Kërkojnë të përhapin
iluzionet , që lufta e trojanëve të kthehet në një paqe shtypëse e grabitçare,
zjarret të kthehen në vatra armiqsh e parmenda të vihet në dorë të armikut.
Frytet e fitores me këtë akt bien në ujë, kurse gjaku i luftëtarëve të lirisë
shkelet e përdhoset. Në këtë pjesë të poezisë, figura e Laokoontit përfaqëson
me tërbim anën e atyre që kanë qenë kundër pranimit të dhuratës nga armiqtë,
paraqitet si një vetëdije e zgjuar, e
cila ngrihet të rrënojë intrigat dhe tradhtinë, t'ia tregojë perspektivën
popullit të tij. Ai bëhet personifikim i ndjenjës së përkushtimit ndaj atdheut
e i njeriut të urtë të betejave; personifikim,
i cili mbi të gjitha e çmon të vërtetën dhe atë e mbron me jetën e tij.
Vetëdija mitizuese destruktive e armiqve dhe e tradhtarëve nuk pushon së
vepruari kundër tij: "Dhe ju kanë thënë se ahere hyjnitë/ Gjarpërinjtë
më dërguan si ndëshkim". Armiqtë i turren me fushata të tmerrshme, me
shantazhe e me letra anonime plot helm. Tashmë “letra” është një figurë e
atipizmit letrar për të shënjaur kohët moderne.
Dënim shumë i rëndë
për Laokoontin, të cilin duan ta shpallin "përqarës", "luftënxitës" e
"zjarrvënës", armik kundër vullnetit të perëndive (të djehsëm e të
sotëm). Duan ta poshtërojnë e ta njollosin si mos më zi. Në këtë rrafsh
semantik të poezisë, figura e Laokoontit
shquhet edhe me aktin prometheik të tij: e flak mënjanë vuajtjen e tij
personale dhe vuan për shkak të rrezikimit të ekzistencës së trojanëve (kombeve
të pushtuara a të[ sulmuara) nga fushatat e shantazhet. Në vazhdim vërejmë
prirjen për të dhënë një vizion të peizazhit për të depërtuar më thellë në
situatat e jetës. Kështu, polemika që zhvillohet në të gjitha shtresat e
popullit e deri në qeveri, shënjohet me
motin e lig e të lëkundshëm. Ky peizazh paraqet situatën e nderë, të acaruar e
plot shqetësime, brenda të cilit ajgëtohet më qartë temperatura e lartë që e ka
ndezur polemika kolektive, pa të cilën nuk është zhvilluar asnjë kthesë
historike dhe asnjë lëvizje shoqërore. Në rastin konkret shkak i një polemike
të tillë bëhet Kali i Drunjtë; figurë,
kjo, e trajtuar edhe te poetë të
tjerë. Kali i Drunjtë simbolizon tradhtinë në përmasa të gjera, që nuk
kufizohet vetëm në kohën e lashtësisë e as vetëm te fati i një individi. Në
ndeshjen e dy botëve ky Kalë i Drunjtë është gur i provës për dështime ose për
fitore.
Kujt i takon fitorja?
Këto koncepte dhe
pikëpamje në kuadrin e poezisë në vijim shkoqiten me idetë e "vijës së
butë" dhe të "vijës së ashpër". "Vija e butë"
personifikon palën që nxit shantazhe e organizon fushata të egra, që kërkonte
pajtim me armikun. Kjo "vijë" i shet interesat e atdheut e të
popullit tek i huaji, në emër të interesit të "paqes". Kjo
"vijë" e godet paqen prapa shpine me thikën e saj të
"pacifizmit", është "vijë" e zjarrfikësve të luftërave
çlirimtare, të atyre zjarrfikësve që
krijojnë vatra të krizës, është ulërimë e filistinëve që bërtasin: pajtim me
armikun!
Ndërsa "vija e
ashpër" që është akuzuar si "kokëfortë", "rrebeIe",
"kryengritëse", personifikon energji të pashtershme të popullit dhe
zgjimin e vetëdijes së shtresave të gjera. Ajo paraqet luftën e ashpër e
këmbëngulëse të vegjëlisë kundër shtypësve, çfarëdo qofshin ata. Këto dy
"vija" shtrihen poetikisht deri në kohën tonë. Autori, përmes shembullit
të Laokoontit, na e jep shembullin
tragjik të dështimit të "vijës së ashpër". Arresti i "
kokëfortëve", në rnesin e të cilëve gjendet edhe Laokoonti, na i përkujton
shumë situata të ngjajshme gjatë historisë.
Ata që publikisht ulërinin kundër dhunës e shpatës, e kishin mbërthyer në burg Laokoontin e urtë,
të cilët i japin në mesnatë të pijë gotën e helmit. "Të butit” kafshojnë
si gjarpërinjtë, shenjtërojnë egërsinë,
parazitizmin, përuljen. Janë gojëmbël, por të japin të pish gotën me
helm. të vënë në arrest pa pasur faj. Laokoonti, si Sokrati, e pi gotën e
helmit për ta mbrojtur të vërtetën. Prandaj, vdekja e tij tinëzare paraqitet si
një apologji e dhembshme, tragjike dhe heroike e së vërtetës, është apologji e
"vijës së ashpër" e një populli që goditet me arreste kokëfortësh e
me gota helmi. Vdekja e bërë në mesnatë, fshehur synt të popullit, shenjon kurdisjet, intrigat e krimet. Mesnata është moti i "vijës së
butë".
Duke i paraqitur këto
kuadro të së vërtetës së lashtë, monlogu
poetik merr përmasa epike.
4. Hamalli i mermertë, kohët
Kështu përfundon
polemika mbi Kalin e Drunjtë, mbasi
poezia e ka zhveshur mitin nga gëzhojat e gënjeshtrës. Kjo histori mbi Kalin e
Drunjtë, mbet për t'u përsëritur e për t'u akualizuar tre mijë vjet rresht.
Laokoonti jeton përmes mitit dhe artit të skulpturës, është bërë një Hamall i
mermertë. Ligjërata e dhembshme poetike na shëtit nëpër shekuj dhe na sjell
përsëri në kohën tonë. Në bazën e
domethënies poetike e metaforike-simbolike, qëndron tragjikja e së vërtetës
nëpër kohë: "nga muzeu në muzera".
Figura e Hamallit të vetmuar e me shpirt të plasur, është aq e pranishme me të
vërtetën e vet në mesin e vizitorëve, aq e pranishme në shumë faqe të
ekzistencës njerëzore. Zë fill një pjesë tjetër e strukturës poetike: duke e
shtrirë figurën e kontrastit deri në kulmet dramatike, mbas kujeve e
vomeve, poezia sjell qetësinë e plotë.
Thur dramën e tmerrshme të qetësisë.
5.
Shkretimi i kujtesës kombëtare, ideja e
zhdukjes s ë plotë
Në strofat 19-22
monologu poetik na e paraqet pamjen e një fushëbeteje mbas mbarimit të luftës
në Trojën e braktisur e të rrënuar. Këto pjesë të poezisë edhe si kompozicion i
jashtëm, lënë përshtypjen e një shprishjeje të përgjithshme të Kujtesës
kombëtare: me anë të vargjeve që thyhen, që prishin ritmin e ligjërimit poetik. Vargu vë në dukje
pasojat e të ndodhurave tragjike. Hiri i ftohtë, gërmadhat dhe braktisja janë
dëshmi e një procesi të përfunduar dhe fillim i një procesi të ri. Çdo gjë
ndjell ftohtësinë. Mbas thyerjes fizike, trojanëve u kërcënohet zhdukja e
plotë: shkretimi i gjuhës, i kulturës, i këngëve. Në dramën e qetësisë, mbi
bazën e ripërpunimit të mitit, mbi aktet e një ftohtësie të tmerrshme, fillojnë aktet e reja të tradhtisë, fillon
një jeh i ri dramatik, një gërvimë e re. Qetësinë e trazon parmenda që lëron
përmbi qendrën e qytetit. Parmenda shënjon rënien e nënshtrimin e plotë,
vdekjen e përjetshme të Trojës, identitetin e vdjerrë të qenies trojane,
shpagimin tragjik të saj. Jehona e ndër-nyjës antropologjike, e paraqitjes së
agonisë së zhdukjes së përgjithshme, i shpërndan copërat e kësaj drame nëpër
tremijë vjetët që bëri ky Hamall i Mermertë.
Këtu ka pushuar drama e Laokoontit, po këtu fillon monodrama e tij.
Poeti ka bërë një zgjidhje të mrekullueshme të shprehjes për ta konceptuar
pamundësinë e shqiptimit të monologut: ai mund të shqiptohet mbasi mund të ketë
marrë zë poetikisht, si shprehje ideografike e autorit. Mallkimi, gjëma, hataja
e plotësojnë më mirë kontekstin e idesë së zhdukjes së plotë.
6.
Indiferenca e vizitorëve, thirravaja
kundër indiferencës
Në poetikën e
gërshetimit të kohëve, poeti krijon mundësi të mëdha të shprehjes. Kështu,
figura e Laokoontit shërben edhe si mjet i fuqishëm poetik për të depërtuar në
problemet e kohës sonë. Fjalët që burojnë nga gjuha e rrejshme e mitit, sikur
hapin hulli të reja të ashtrimit. E shumëfishojnë indiferencën. Një gjuhë,
lehonë atërishte, dhe e përjetshme, do të duhej ta zhvishte atë mit, për të
krijuar dramën e lëvizjeve të gjalla, të fjalëve të shëndosha. Njeriu zbuloi
shumë arritje teknike e shkoi edhe në hënë, por ç ‘vlen e tërë kjo, ku ky njeri
rrethohet nga qenie të zhveshura nga vlerat shpirtërore? Tash, mallkimin e
hatanë e dikurshme, e zëvendëson gumëzhima
e njerëzve që shëtisin prej salle në sallë nëpër muzetë e botës, ku është
vendosur skulptura laokoontiane. Sa herë poeti i kthehet botës së sotme, te
njerëzit vëren mospërfilljen, indiferencën. Vëren një pajtim donkishotesk, që
shënjohet përmes raportit njeriu-teknika-bota. Te Laokoonti shpërthen një
zemërim i pafund: si mund të jenë njerëzit aq indiferentë ndaj akteve të ndyra
të "vijave të buta", ndaj akteve të bigorrave që nxisin vatra krizash
e luftërash shfarosëse? Ndaj plojave trojane të sotme në këtë botë shumëgjuhëshe?
Laokoonti porosit: popuj, mprehni vigjilencën! Kësaj indiference, të cilës i
kundërvihet poetikisht drama e brendshme e Laokoontit, ia sheh sherrin
pikërisht njerëzimi. Indiferenca e topit dinjitetin njerëzor, e degjeneron
vetëdijen luftarake(të vizitorëve), e zhduk ndjenjën estetike të përmbajtjes,
të cilën e zhvillon vetëm si ndjenjë të sakatuar të formës, e cila këtu manifestohet herë -herë si një
përjetim banal i saj. Përmes rrugës së aktualizimit të fakteve artistike, kjo
poezi na sugjeron se banalizohet të kuptuarit e artit skulpturor vetëm si
"formë", nëse nuk i ngjallim brenda këtij përjetimi zjarret e
shqetësimeve të brendshme. Ftohtësinë e
dikurshme e zëvendëson ftohtësia e indiferencës. Nga "shija estetike"
e kësaj indiference na sugjerohet një metafizikë e akullt, e çrregulluar, që e
ka prishur rendin e gjërave të bukura. Indiferenca krijon një Trojë të re dhe
të rrënuar shpirtërore.
Personaliteti i
Laokoontit edhe këtu paraqitet si një vetëdije e zgjuar, duke e vënë gishtin në
plagët e kohës. Në këtë model poetik shkrimtari u jep zë pikëpamjeve të tij:
Laokoonti është vizion i mbrojtjes së vlerave njerëzore e estetike, kurse
indiferenca i shkatërron kuptimet e bukura të artit, të jetës e të botës, e
krijon pamundësinë e mbrojtjes. Prandaj vizitori mospërfillës është një gëzhojë
e zbraztë që endet prej salle në sallë, që vërtitet pa asnjë cak e ideal, që ka humbur kuptimin e lëvizjes. Kurse
Laokoonti fton për Art të Pavdekshëm e për Jetën që ka kuptimin e saj. Figura e
tij rrezaton me porositë e thella humanitare, kundër atyre që flasin "për
teatrin e për plazhet/Për gjithfarë motorrash e për gjithfarë qeverish".
Në kuadrin e temës së indiferencës ndeshemi me një paralelizëm idesh, ndeshemi
me një parim interesant poetik: në të rëndomtën mund të shfaqet e parëndomta,
mund të shfaqet Kali i Trojës "ashtu si ahere. . . "
Laokoontit, nga ky monolog i gjatë e
cfilitës, "i erren sytë.” Prandaj ky zë i tragjikes njerëzore
thërret përsëri njeriun që ta ndërtojë lumturinë e vatrën e tij të ngrohtë në
Londër e në Madrid, në Paris e në Nju Jork, kudo.
7.
Përfundimi, Letërsia e Zhveshjes së Mitit
Vënia në ndërlidhje e
poezisë, e mitit dhe e historisë në krijimin poetik "Laokoonti" na
sugjeron një spektër të gjerë problemesh,
teorish dhe praktikash krijuese. Poeti vë një komunikim origjinal me
historinë dhe mitin. Duke iu drejtuar të kaluarës historike të para tremijë
vjetësh, ai i kthehet kohës sonë. E kaluara e komenton të tashmen, e largëta
çon miqësi me të afërtën, i flasin njëra-tjetrës për gabimet dhe për mistifikimet,
për gënjeshtrën dhe për të vërtetën.
Këtë gjë e provon
poetikisht, sikundër e pamë, edhe Ismail
Kadare. Poeti ballafaqon ideologji të ndryshme (kundërvënia "vija e
butë"-"vija e ashpër"). E përdor po atë zjarr polemik kundër
veprimeve dhe botëkuptimeve të sotme të shtrembëruara. . Ky shkrimtar,
me këtë poezi e me disa nga veprat e tij në prozë, hyn në radhën e atyre krijuesve botërorë e të
letërsisë shqipe që krijojnë brenda një
orientimi që sot
quhet Letërsi e Zhveshjes së Mitit.
Prend Buzhala, 1980, 1990.