| E diele, 24.01.2021, 09:00 PM |
Idetë e këqija
Nga
Ndue Ukaj
Franc
Kafka në tregimin fantastik “Emblema e qytetit” e tematizon idenë e ndërtimit
të Kullës së Babelit, një dëshirë e përhershme e qenieve njerëzore për të
arritë qiellin, pikën kulmore të barazimit të njeriut me Zotin.
Ndërtimi
i kësaj kulle, siç tregojnë rrëfimet biblike nuk ka përfunduar kurrë, por prapa
ka mbetë ideja dhe ëndrra për të sendërtuar një kullë të tillë.
Shumë
brezni kanë tentuar të bëjnë një gjë të tillë, por duke e parë se në harkun
kohor të një jete, ideja për të sendërtuar një kullë të tillë ishte e pamundur,
njerëzit kanë filluar të ndërtonin qytete ose shtetet e tyre dhe kjo ka
shkaktuar grindje të shumta. Duke ndërtuar qytete - siç thotë tregimi - u shty ideja për të
ndërtuar kullën dhe brezni pas breznie ishte pranuar se nuk kishte kuptim më
ndërtimi i një kulle deri në qiell.
Por,
ideja ka mbetë dhe Kafka dëshiron të tregojë se ideja kur ngjizet njëherë vështirë
shqitet nga jeta njerëzore: “një ide pas rroket në gjithë madhështinë e vet,
nuk mund të zhduket kurrë më; sa të ketë njerëz në faqe të tokës, do të ketë
gjithashtu një dëshirë të fuqishme për të përfunduar kullën”.
Ky
tregim i shkurtë na flet dhe sot, për raportet tona me gjuhën dhe idetë,
sidomos me këto të fundit, që i mbjellim pa menduar fare dhe pastaj ato
shkaktojnë grindje, terror gjuhësor dhe si pasojë, lëngata dhe tharje të jetës.
Dihet,
shoqëria njerëzore, nuk lëngon nga asgjë më shumë se sa nga idetë e këqija, nga
gjuha e pjerdhur që mbillet njëherë dhe pastaj vështirë kontrollohet, pa
shkaktuar grindje dhe përleshje të pafundme njerëzore.
Duke
i parë kukurisjet e tmerrshme politike dhe verbërinë me të cilën një grusht
demagogësh të rrezikshëm mbjellin ide të këqija ndër shqiptarë, ky tregim
tingëllon si një ftesë qëllimmire, që të tregohemi të kujdesshëm me idetë që
mbjellim, sepse ato mund të shndërrohen në lëngatë dhe rrjedhimisht në
tragjedi.
Si
popull me formim të ngadalshëm kulturor për shkak të aksidenteve historike, ne
raportin me idetë e kemi pasur negativ dhe vazhdojmë ta kemi tillë. Kjo mund të
jetë dhe pasojë e krizave të thella identitare ose krizës së njeriut me
identitet të humbur, të tillë çfarë ka shumë në shoqërinë tonë. Dhe si pasojë e
kësaj, kemi lejuar që brenda shoqërisë sonë të ngjizën gjithfarë idesh të marra
e ideologji shkatërruese.
Nëse
lejojmë të ngjizet një ide e keqe - siç na këshillon Kafka - do të ketë
gjithashtu një dëshirë të fuqishme për të përfunduar atë. Dhe kjo mund të jetë
tragjedia e ardhshme kombëtare.