Kulturë
Albert Zholi: Flet këngëtari i mirënjohur i Përmetit, Vaskë Curri
E premte, 22.01.2021, 05:19 PM
Flet këngëtari i mirënjohur i Përmetit, Vaskë Curri: Këngët më të kërkuara “Malli për atdhe” dhe një “Këngë për Laver Bariun”
-Në rrugën time kam pasur frymëzim, nga
Mentor Xhemali dhe Laver Bariu
-Nuk munda të bëja një këngë për Enverin dhe
pse më dhanë 6 ditë leje
-U thashë unë jam shumë i vogël për të bërë
një këngë për udhëheqësin e madh.
Nga Albert
Z. ZHOLI
Vaskë Curri është njësuar me këngën e
Përmetit. Sigurisht pas magjisë së klarinetës së Laver Bariut të
madh, këngëtari Vaskë Curri, është i njohur për publikun e mbarë Shqipërisë me
baladat dhe ëmbëlsinë e këngëve të pastra të trevës së Përmetit. Për zërin e
tij dhe këngët e shumta për këtë trevë të vëllezërve Frashëri, Vaskë Curri
cilësohet si “Bilbili i Përmetit. Dhe pse ka një emër të madh ai nuk është
ndarë kurrë nga vendlindja pasi te qyteti I trëndafilave ai gjen qetësinë,
frymëzimin dhe mbështetjen e madhe popullore. Ka lindur në Leshicë, një fshat
me shumë tradita në Përmet. Shkollën e mesme e ka mbaruar për degën elektrike
në vitet 1972-1974, por më pas ndoqi një kurs profesional, për kanto.
-Si trokiti kënga te Vaskë Curri
rastësisht apo nga rrethana të tjera jetësore? Kur përkon ngjitja juaj
profesionale apo zyrtare në skenë?
Kënga tek unë nuk erdhi rastësisht. Mund të
them se ka qenë një traditë familjare. Ndaj kënga popullore ishte për mua
pasion që në vegjëli dhe nuk e lashë të largohej për asnjë çast pasi doja të
çoja më tej një traditë familjare kaq të bukur. Pra kam kënduar që i vogël
ndërsa në vitin 1978, ishte dhe pjesëmarrja ime e parë në festivalin Folklorik
të Gjirokastrës. Atë kohë ky Festival kishte rëndësi të madhe. Mund të themi
ishte magji pasi vinin këngët më të bukura të folklorit shqiptar por edhe të
diasporës. Gjirokastra ato ditë ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Kam shumë
kujtime nga ky Festival pasi mu hapën shumë dyer. Më pas kam marrë pjesë në
festivale të këngës qytetare si ai i Elbasanit apo festivalet e sazeve në
Përmet, Korçë, Gjirokastër e Tiranë. Në atë system emir përhapej shpejt pasi
ishte vetë sistemi që bënte propogandë. Ne nuk merrnin shpërblime material por
ato morale nuk harrohen. Kudo na prinsin sikur të ishim njerëz të veçantë.
Respekti për këngëtarët në atë kohë ishte i madh.
-Kush kanë qenë nxitësit, përkrahësit dhe
udhërëfyesir tuaj në këtë sukses 50-vjeçar?
Sigurisht pa një mbështetje, pa pasur dikë që
të nxit, që të përkrah, që të jep mësime në këtë fushë nuk mund të arrish
suksese. Muzika është një planet pa mbarim që ka labirinthe dhe në hapat e para
mbështetja është kryesore. Unë në këtë rrgëtim kam pasur mbështetjen e gjyshit
tim, Papa Vangjeli, babait tim Aristidhit, mjeshtrave e mëdhenj që dhe sot i
kam frymëzim, Mentor Xhemali dhe Laver Bariu. Por nuk kanë më pak rëndësi edhe
vëllai im Dhimitraqi, motra ime Marjanthi, me të cilët kemi kënduar bashkë
shpesh herë. Ne këndonim dhe korigjonim njeri-tjetrin. Së bashku ndiheshim mirë
dhe i jepnim forcë së ardhmes tonë.
Ju njëkohësisht shkruani dhe këngë teskste,
por dhe libra për folklorin e Përmetit….
Kur këndon edhe mundohesh të shkruash. Shpesh
herë kur do të bësh një këngë të re të lind ideja e tekstit për trevën, për
heronjtë, për njerëzit e shquar, bukuritë e natyrës dhe në këto çaste marr
lapsin e shkruaj. Pra, nuk dua ti lë këto ide apo mbresa të më ikin. Kështu
lind një tekst kënge apo një ide muzike për këngën e ardhshme. Frymëzimi në
Përmet të vjen vetiu. Pra dhe pse njihem më tepër si këngëtar e interpretues,
aktualisht jam autor i rreth 16 këngëve popullore.
-Kë mund të përmendësh mes tyre?
Ah, e para është kënga “Malli për
atdhe” dhe një “Këngë për Laver Bariun”. Këto dy këngë njihen më së
shumti. Sigurisht në morinë e këngëve dikush veçohet. Kjo ka të bëjë dhe me
shijen e publikut. Një këngë mund të më pëlqejë shumë mua por pak publikut,
ndaj përcolla këto dy këngë.
Kam lexuar para ca kohësh edhe një librin
tuaj mbi folklorin e Përmetit, me këngë përmetare në mos gaboj titullohet
“Ç’këndokan këta bilbilë”...
Po! Duke kënduar dhe dëgjuar këngët
përmetare, duke parë shumllojshmërinë e tyre më lindi kjo dëshirë. Të bësh një
libër është përgjegjësi, aq më tepër për folklorin e pasur Përmetar. Punova me
shumë vëmendje dhe besoj se ja dola. Ky libër mbtet si një detyrim imi, për të
pasqyruar vlerat e këngës dhe traditave përmetare, pra rrjedhojë e punës sime
sistematike, të gjatë, hulumtuese dhe grumbulluese, i të gjithë këngëve që kam
interpretuar me shumë dashuri. Gjithmonë kam besuar dhe koha ka vërtetuar se
kënga përmetare është në elitën e muzikës popullore shqiptare!
-Në një intervistë kam lexuar se në sistemin
monist ju kanë kërkuar të shkruanit një këngë për Enver Hoxhën a është e
vërtetë?
Po, është e vërtetë. Besoj nga vitet 1970.
Më thirrën në organizatën e partisë së ndërmarrjes dhe më thanë do
bësh një këngë për Enver Hoxhën. Nuk kisha një këngë të tillë në reperor.
Lëshova djersë. Më thanë ke 6 ditë leje dhe kompozo një këngë për udhëheqësin e
madh. O, zot çfarë sikleti. Një detyrë që më vinte në vështirësi të madhe. Pra
në atë kohë quhej detyrim partie. Edhe sot e kësaj dite i kujtoj ato 6 ditë që
më mbyllën brenda që ta shkruaja e kompozoja këngën por nuk e bëra që nuk e
bëra dot. Nga sikleti, nga detyrimi, nga sforcua, nga presioni, nuk më dilte
zëri e as notat. U mundova më kot, por nuk e bëra që se bëra. Nuk më vinte
frymëzimi. Nuk më vinte dëshira e madhe për një këngë të tillë. U dorëzova., u
thashë se bëj dot..
Nuk të thanë gjë, apo nuk ju ndëshkuan?
Kur u thashë se bëj dot u habitën dhe më
kërkuan arsyen. U thashë unë jam shumë i vogël për të bërë një këngë për
udhëheqësin e madh. Të bësh këngë për të duhet të jesh vigan . Vetëm kështu
shpëtova.
-Ndiheni i vlerësuar nga shteti apo
institucionet e saj të kulturës?
Unë gjithnjë jam përpjekur, në këto vitet e
fundit, së bashku me kompozitorë dhe bashkëpunëtorë, ta ruaj këngën përmetare
nga tabani i qetë i saj, por ti jap dhe një ngjyrë kohore, ta bëj më të
dëgjueshme nga publiku i ri, por pa i ndryshuar asnjëherë melodiozitetin e saj
karakteristik. Për këngët e mia para viteve ’90, kam marrë shpesh certifikata
apo vlerësime. Më pas, u bënë më tepër këngëtarë dhe sikur na kanë anashkaluar
ne të brezit tim. Por, ndërkohë, shoh një vlerësim të madh te publiku, edhe ajo
që më gëzon më shumë shpirtin, është fakti, se kudo ku vete dhe këndoj, janë
një numër shumë i madh të rinjsh që vijnë dhe më përgëzojnë apo dalin në foto
me mua. Përsa i takon instancave shtetërore, shoh një indiferencë. Di që
jam propozuar për një titull të lartë honorifik nga institucionet e larta të
shtetit, vlerësim që, e pres me nderim por ende s’po troket.
Sekreti i këngëtarëve popullor
Ka një sekret mbi sekrete. Sekret që është
vetëm për këngëtarët e veçantë popullor. Sekreti që i këndojnë tabanit popullor,
është vetëm një: Këngët e popullit janë të pashtershme! Unë kam me qindra këngë
që janë ende të padëgjuara nga publiku. Ndoshta nuk e besoni, por mua më shiten
ende kasetat që kam bërë në vitin 1976. Shikoj këngët që dalin tani dhe shoh se
korrin suksesin momental, por më së shumti këndojnë me kompjuter. Është tjetër
gjë muzika e lehtë që i pranon të tilla ndërhyrjet kompjuterike dhe tjetër gjë
të tjetërsosh muzikën origjinale popullore. Ky them unë është edhe sekreti im.
Unë dhe këngëtarë si puna ime, këndojmë këngë të tabanit, të cilat do të
jetojnë edhe 1000 vjet të tjera!
Ju keni tri vazja, a ka ecur ndonjëra në
fjurmët e tua dhe pse nuk jetoni me to në Tiranë?
Po, kam 3 vajza, 3 yje që i dua sa
jetën time. Ato ma kanë ndriçuar më shumë jetëm. Kanë qenë dhe mbeten frymëzimi
im. Aktualisht ato janë zonja në shtëpitë e tyre, janë nëna dhe bashkëshorte të
mira. Por shpesh më thonë se kam bërë gabim që nuk i kam shtyrë të bëheshin
këngëtare, si unë. Por unë justifikohem se dhe ato se kanë kërkuar diçka të
tilë (qesh). Nga ana tjetër unë kam një shtëpi në Tiranë, dhe vij shpesh i
takoj vajzat. Por të them të drejtën zemrën e kam në Përmet. Aty kam tokën e të
parëve, tokën time dhe shtëpitë në fshat. Kam një fermë me vreshta dhe perime,
mjaltë dhe fruta. I gëzohem natyrës së mrekullueshme, ajrit të pastër dhe
njerëzve të pastër. Kopshtarinë e kam pasionin tim të dytë dhe sa herë kthehem
nga turnetë nëpër botë, pres me padurim të merrem me të. Aty gjej paqen dhe
frymëzimin!
Projektet e së ardhmes
E kam pasur në planet e mia që të kisha
mundësi t’u përcillja edhe brezave të rinj dëshirën për të kënduar, por mesa
duket është e vështirë të më krijohen kushtet dhe fondet për të krijuar një
rreth artistik ku të mësoj fëmijët e vegjël të cilët kanë dëshirë të mësojnë
muzikën e tabanit popullor, qoftë me instrumente, qoftë pa instrument.
Pastaj, kam disa projekte të tjera dhe jam i angazhuar me koncerte të ndryshme,
por gjithsesi, pres edhe oferta të reja. Një ëndërr e kam, një projekt që fle
prej kohësh në mendjen dhe zemrën time, e që e kam propozuar në institucione.
Një projekt mbi dasmën përmetare, të bazuar mbi legjendat popullore, me
kostumografi autentike, të ambientuar në sokakët e Përmetit, me saze dhe muzikë
origjinale. Uroj shumë të realizohet kjo ëndërr! Përmeti ka këngaë të bukura se
I këndon ccdo gjëje të bukur dhe është një vend përrallor. Ndaj nga ky vend
kanë dalë mendjendriturit e Shqipërisë.