Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Gustave Le Bon - Psikologjia e turmës

| E enjte, 21.01.2021, 10:35 PM |


GYSTAV LË BON – “PSIKOLOGJIA E TURMËS”

Nga Xhelal Zejneli

“Psikologjia e turmës: Studim i mënyrës së zakonshme të të menduarit” (Psychologie des foules, 1895) është vepër e autorit legjendar Gystav Lë Bon. Nga shumë studiues, kjo vepër konsiderohet si një ndër librat më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Në saje të vlerave të veta të vërtetuara, ajo ka tërhequr një brez të tërë lexuesish. Duke qenë një vepër me vlera të pakapërcyeshme, “Psikologjia e turmës” është bërë lektyrë e domosdoshme e shumë universiteteve dhe e programeve studimore. Ky studim fitoi rëndësi në gjysmën e parë të shekullit XX, kur u zbatua gjatë hulumtimeve mbi ndikimin e mediumeve për t’i përshkruar më mirë reagimet e grupeve të varura ndaj përmbajtjeve të tyre (të mediumeve).

Njerëzit mund të sundohen më lehtë duke nxitur (ngjallur) pasionet e tyre sesa duke u kujdesur për interesat e tyre. Ka studiues që janë marrë me përshkrimin e shpirtit të fiseve (të racave). Në veprën “Psikologjia e turmës” Gystav Lë Bon studion shpirtin e turmave.

Tërësia e cilësive të përbashkëta që ua imponon trashëgimia çdo individi të një fisi, përbën shpirtin e atij fisi. Por, kur një numër i caktuar i këtyre individëve, me qëllim ndonjë veprimi, gjendet i bashkuar në turmë, hulumtimet tregojnë se nga vetë akti i afrimit të tyre rezultojnë disa karakteristika psikologjike të reja, që janë karakteristika të fiseve, e që herë-herë, midis tyre kanë edhe dallime të mëdha.

Në jetën e popujve, turmat gjithmonë kanë luajtur një rol të konsiderueshëm. Por, ky rol, kurrë s’ka qenë aq i rëndësishëm, sa sot. Veprimi i pavetëdijshme i turmave, në vend të angazhimit të vetëdijshëm të individit – ka qebe një prej karakteristikave kryesore të shekullit XIX.

*  *   *

Gystav Lë Bon (Gustave Le Bon, Nogent-e-Rotrou, 7 maj 1841 – Paris, 13 dhjetor 1931) është studiues francez, psikolog social, sociolog, antropolog, shpikës. Në mënyrë amatore është marrë edhe me fizikë. Vepra më e rëndësishme e tij është “Grupi: Studim për mendimin e popullarizuar”. Tekstet e tij përmbajnë teori për karakteristikat e nazizmit, për superioritetin racor dhe mashkullor si dhe për psikologjinë e turmës. Lë bon e filloi karrierën e vet si shkrimtar, duke punuar në fushën e re të antropologjisë. Është i njohur për “Psikologjinë e grupit” (turmës)

Ka lindur në Francë. Studioi mjekësinë. Gjatë viteve 1860-1880 udhëtoi nëpër Evropë, nëpër Azi dhe nëpër Afrikën Veriore. Ka shkruar për arkeologji dhe për antropologji. Fitonte para duke dizajnuar aparatura shkencore. Veprën e parë, “Psikologjia e njerëzve”, e botoi në vitin 1894. Vepra më e njohur e tij është “Grupi: Studim i mendimit të popullarizuar” botuar në vitin 1896.

*   *   *

Lë Bon nuk ka qenë sociologu i parë që ia ka dhënë diagnozën shoqërisë së vet dhe që e ka zbuluar fenomenin e ri të “Grupit”. Teoricienë të parë të cilët kanë folur për sjelljen e grupit kanë qenë: sociologu francez Gabriel Tard, avokati dhe kriminologu italian Shipio Sigele dhe sociologu gjerman Georg Zimel. Që të tre kanë ardhur në përfundime të ngjashme për grupet masive në çastet kritike. Në këtë kohë lind edhe teoria e re e aksionit social. Sebati i parë lidhur me psikologjinë e grupit është zhvilluar midis Gabriel Tardit dhe Shipio Sigeles. Ata kanë debatuar sesi ta përcaktojnë fajtorin, ta përcaktojnë përgjegjësinë penale në grup dhe në bazë të kësaj të vendosin se cilin duhet arrestuar.

Lë Bon dhe Franca kanë qenë dëshmitarë të tri ngjarjeve të mëdha: Komuna e Parisit (1871), ngritja e Zhorzh Ernest Bulanzhesë dhe Afera e Drajfusit. Në shekullin XIX Parisi ka qenë një prej qyteteve industriale më të mëdha të Evropës. Në plan të parë të tij ka qenë forcimi i antisemitizmit dhe i të djathtës ekstreme. Pushtimi i Alzasit dhe i Lorenit nga Gjermania i nxiti në Francë lëvizjet nacionaliste dhe djathtiste. Konceptin e vet për veprën “Grupi”, Lë Bon e krijoi në këtë kontekst, domethënë në rrethanat e sipërthëna.

*   *   *

Shënim: Gabriel Tard (1843-1904) sociolog, kriminolog dhe psikolog francez; Shipio Sigele (Scipio Sighele, 1868-1913) psikolog, kriminolog dhe sociolog italian; Georg Zimel (Georg Simmel, 1858-1918) sociolog, filozof dhe kritik gjerman, me prejardhje hebraike; Zhorzh Ernest Bulanzhe (Georges Ernest Jean-Marie Boulanger, 1837-1891) gjeneral dhe burrë shteti francez, politikan reaksionar; gjatë viteve 1880 ishte prijës i lëvizjes autoritare afatshkurtër, të njohur si bulanzhizëm, e që përbënte kanosje për stabilitetin e Republikës së Tretë; Afera e Drajfusit (L’affaire Dreyfus) – skandal politik që ndau Republikën e Tretë Franceze; oficeri francez me prejardhje hebraike Alfred Drajfus (Alfred Dreyfus, 1859-1935), më 15 tetor 1894 u akuzua rrejshëm se i ka dhënë Gjermanisë sekrete ushtarake; e vërteta u zbardh në vitin 1906; në këtë aferë u implikua edhe shkrimtari Emil Zola (1840-1902), i cili doli në mbrojtje të Alfred Drajfusit.

*   *   *

Paraqitet fenomeni i ri i bashkëngjitjes së individit, grupit të tubuar, jo vetëm për t’u zgjeruar trupi i grupit, por edhe të analizohet ndikimi i grupit mbi individin. Kur grupi tubohet ose bashkohet, lind “ndikimi magjik i grupit apo i ndonjë shkaku tjetër për të cilin ne nuk jemi të vetëdijshëm”, që e ndryshon sjelljen e çdo individi. Tash e tutje, ai do të udhëhiqet nga “mendimi i grupit”. Ky model e sheh grupin si një masë dhe çdo individi ia merr mendimin, sistemin e vlerave dhe bindjen. Vetë Gystav Lë Bon thotë: “Individi është një kokërr zalli, në mesin e kokrrave të tjera të zallit”, të cilat stuhia i shpërndan sipas dëshirës së vet”.

Lë Bon thotë se “grupi” përbëhet prej tre proceseve kryesore: anonimiteti, infektimi dhe përkulshmëria (nënshtrimi i verbët). Anonimiteti i mundëson individit, i cili mendon në mënyrë racionale, të ndjehet se e humb përgjegjësinë personale. Individi bëhet primitiv, irracional (e humb arsyen) dhe emocional. Kjo mungesë e kontrollit mbi veten, i mundëson individit të sillet në mënyrë instinktive dhe të pranojë sjelljen instinktive të pavetëdijshme. Lë Bon thotë se grupi e shtrembëron teorinë e evolucionit të biologut, natyralistit dhe gjeologut anglez Çarls Darvin (Charles Robert Darwin, 1809-1882) dhe e shndërron në regresive, duke e dëshmuar teorinë embriologjike (teorinë e rikapitulimit) të zoologut, natyralistit, filozofit, mjekut gjerman Ernest Hekel (Ernst Heinrich Philipp August Haeckel, 1834-1919): “Zhvillimi individual i organizmit (ontogjenia) është rikapitulim i zhvillimit evolutiv të tij (filogjenisë).”

Infektimi ka të bëjë me disa të sjelljes në grup (p. sh., kur protestuesi e thyen dritaren). Në këtë rast, individi, për hir të grupit, interesat personalë i lë mënjanë. Ndërkaq, përkulshmëria apo nënshtrimi i verbët shërben për përhapjen infektimit. Kur tubohet grupi, zëri i personit me ndikim i hap dyert e veprimit të pavetëdijshëm. Në këtë fazë, grupi bëhet homogjen dhe atë e udhëheq lehtë anëtari më i fuqishëm. Lë Bon thotë: “Udhëheqësit për të cilët flasim, zakonisht janë njerëz të aksionit dhe jo të fjalëve. Ata janë persona posaçërisht të rekrutuar, me mendje gjysmë të çrregulluar apo që ndodhen në kufirin e çmendurisë”.

Kundërshtarët e konceptit “të mendimit kolektiv” të Lë Bonit, paraqesin tezë të kundërt dhe thonë se sjellja kolektive është pasojë e çdo individi, që e përbën atë grup. Psikologu amerikan, një nga themeluesit e psikologjisë së personalitetit Gordon Vilard Olport (Gordon Willard Allport, 1897-1967) ka qenë në krye të një sërë sulmesh dhe ai thoshte se nuk ekziston diçka si “mendimi kolektiv” dhe se grupi përbëhet vetëm prej reaksioneve të veçanta. Çdo analizë të mendimit, të ndarë nga psikika e individit, ai e ka konsideruar të pakuptimtë apo “llomotitje”, ndërsa në tekstin e vet për psikologjinë sociale, të botuar në vitin 1924, thotë: “Nuk ekziston kurrfarë psikologjie e grupit, e cila në thelb apo plotësisht, nuk është psikologji e individit”.

Ish-profesori i një universiteti amerikan, Xhorxh Mose, konsideronte se teoria fashiste për liderizmin që shfaqet në vitet ’20 të shekullit XX, bazohet me të madhe në këtë teori të Lë Bonit. Dihet se Adolf Hitleri e ka lexuar këtë vepër dhe se në librin e  vet “Lufta ime” (Mein Kampf, 1925) i ka përmendur teknikat e propagandës, të propozuara nga Lë Bon. Veprën e Lë Bon-it e ka njohur mirë edhe Benito Musolini. Madje e ka lexuar disa herë.

Nën ndikimin e kësaj teorie ka qenë edhe austro-amerikani, i njohur si baba i marrëdhënieve me publikun dhe i propagandës Eduar Bernes (Edward Berays, 1891-1995), fis i neurologut austriak me prejardhje hebraike, themelues i psikanalizës Sigmund Frojd (1856-1939). Në librin e vet “Propaganda” ai thotë se karakteristika kryesore e demokracisë është manipulimi me mediumet masive,” Si shumë presidentë amerikanë të shekullit XX, nën ndikimin e Lë Bonit ka qenë edhe presidenti Teodor Ruzvelt (Theodore Roosevelt, 1858-1919).

*   *   *

Gystav Lë Bon konsideronte se femrat nuk mund të kenë arsimim të njëjtë si meshkujt dhe për këtë ka paraqitur një sërë argumentesh. Ai thotë se ka shumë femra, truri i të cilave, për nga madhësia është më afër trurit të gorillave, sesa trurit më të zhvilluar të mashkullit. Lë Bon konsideronte se meshkujt përbëjnë formën më të fortë të racës njerëzore.

*   *   *

Gystav Lë Bon është përpjekur që problemin e rëndë të turmave ta analizojë nëpërmjet një procedure shkencore, përkatësisht duke zbatuar një metodë të caktuar, duke i lënë mënjanë mendimet, teoritë dhe doktrinat. Sipas tij, ky ka qenë i vetmi mjet për të zbuluar disa pjesë të së vërtetës, sidomos kur kemi të bëjmë, sikur këtu, me një çështje që i trazon shpirtrat. Gystav Lë Bon thotë se një dijetar që ka ndërmend të studiojë një dukuri, nuk duhet të merret me interesat që nuk përputhen me pohimet e tij. Në një publikim, mendimtari Goble d’Alviela (Goblet d’Alviela) ka konstatuar se Gystav Lë Bon-i, duke mos i përkitur asnjërës prej shkollave bashkëkohore, herë-herë vjen në kundërshti me përfundime të caktuara të atyre shkollave. Sipas Gystav Lë Bon, ai që i përket një shkolle, pa mëdyshje i pranon edhe paragjykimet dhe bindjet e asaj shkolle.

Gystav Lë Bon, nga hulumtimet e veta nxjerr përfundime që dallohen prej konstatimeve të studiuesve të deriatëhershëm. Ai konstaton varësisë shpirtërore të plotë të turmave, duke përfshirë këtu edhe tubimet e elitës. Sipas Gystav Lë Bon, analiza e kujdesshme e fakteve historike tregon se organizmat shoqërorë janë po aq të ndërlikuar sa edhe organizmat e të gjitha qenieve. Nuk është e mundur që ata t’u nënshtrohen ndryshimeve të thella. Herë-herë, natyra është radikale, por jo ashtu si e kuptojnë njerëzit. Për këtë arsye, mania e reformave të mëdha është diçka më fatkeqe për një popull, pavarësisht nga fakti se në shikim të parë, teorikisht këto reforma mund të duken të vlefshme. Ato nuk mund të jenë të dobishme, përpos po të ishte e mundur që përnjëherë të ndryshohet edhe shpirti i popullit. Një mundësi të tillë e ka vetëm koha. Ajo që sundon mbi njerëzit janë idetë, ndjenjat dhe traditat – gjëra që janë në ne. Institucionet dhe ligjet janë reflektim i shpirtit tonë, shprehje e nevojave të tij. Duke dalë nga ky shpirt, institucionet dhe ligjet nuk mund ta ndryshojnë atë (shpirtin). Analiza e fenomeneve shoqërore nuk mund të ndahet nga analiza e popujve, prej të cilëve kanë lindur këto dukuri. Në aspektin filozofik, këto dukuri (fenomene) mund të kenë vlerë absolute, por në aspektin praktik, vlera e tyre është relative. Dukuritë shoqërore duhet analizuar në mënyrë alternative, nga dy aspekte tejet të ndryshme. Atëherë shihet se mësimet e arsyes së pastër shpeshherë janë në kundërshti me mësimet e arsyes praktike. Janë të pakta faktet, sidomos ato fizike, për të cilat nuk do të zbatohej ky dallim. Nga aspekti i të vërtetës absolute, një kub apo një rreth, janë figura gjeometrike të pandryshueshme, të përcaktuara me përpikëri me formula të caktuara. Por, parë me dytë tanë, këto figura gjeometrike mund të marrin forma tejet të ndryshme. Këndi i vështrimit, kubin mund ta shndërrojë në piramidë ose në katror, rrethin në elips apo në vijë të drejtë dhe këto forma të shndërruara janë shumë më të rëndësishme për vështrim se ç’janë format e vërteta, për arsye se ato janë të vetmet që i shohim ne dhe që mund t’i riprodhojë fotografia dhe arti figurativ. Në raste të caktuara, jorealja është më e vërtetë se realja. T’i përfytyrosh sendet me format e tyre gjeometrike të sakta, do të thotë ta shtrembërosh natyrën dhe ta bësh të atillë saqë të mos mund të njihet. Po të supozojmë një botë, banorët e së cilës mund vetëm t’i kopjojnë apo t’i fotografojnë sendet, pa pasur mundësi t’i prekin, ata mezi do të arrinin të krijojnë për vete idenë e saktë për formën e tyre. Njohja e këtyre formave, e arritshme vetëm për një numër të vogël shkencëtarësh, do të kishte qenë me interes tejet të vogël.

Filozofi që i studion dukuritë shoqërore duhet të ketë parasysh faktin se ato, përpos vlerës teorike të tyre, kanë edhe vlerë praktike dhe se, nga aspekti i zhvillimit të qytetërimeve, kjo e fundit është e vetmja që ka ndonjë vlerë. Rrjedhimisht, ata duhet të jenë tejet të matur kur nxjerrin përfundime që ua imponon logjika.

Ata duhet të jenë të përmbajtur edhe për arsye të tjera. Faktorët shoqërorë janë aq të ndërlikuar saqë është e pamundur të përmblidhen dhe të parashikohen efektet e ndikimit të tyre të ndërsjellë. Përveç kësaj, pas fakteve të dukshme, ka raste kur fshihen edhe shumë shkaqe të padukshme. Si duket, dukuritë shoqërore të dukshme burojnë nga puna e pavetëdijshme e pamatshme, që zakonisht është e paarritshme për analizën tonë. Dukuritë e dukshme mund të krahasohen me valët të cilat, në sipërfaqen e oqeanit flasin për dridhjet nëntokësore, qendra e të cilave është oqeani, e që ne nuk i dimë. Po të analizohen shumë veprime të turmave, do të shohim se ato dëshmojnë për varësi shpirtërore të veçantë; por ka edhe veprime të tjera ku ato duken se udhëhiqen prej forcave misterioze – për të cilat të moshuarit thonë se ashtu e kanë pasur të shkruar, e që ne e quajmë zë i të vdekurve – forcën e të cilave ne nuk mund të mos e pranojmë, edhe pse thelbin e saj nuk e dimë.

Ndonjëherë, duket sikur në gjirin e popujve ndodhen fuqi të fshehura që i udhëheqin. Ç’mund të jetë më e ndërlikuar, më logjike dhe më e çuditshme se gjuha? Prej ku del kjo gjë kaq mirë e organizuar dhe kaq delikate, në mos nga shpirti i pavetëdijshëm i turmave? Akademitë më në zë, gramatikanët më të shquar, s’bëjnë dot gjë përpos që i shënojnë me mund ligjet që i udhëheqin atë gjuhë. Vetë assesi nuk do të ishin në gjendje t’i krijojnë. A jemi të sigurt edhe për idetë gjeniale të njerëzve të mëdhenj, se atë janë vepra vetë të tyre? Pa dyshim, ato i kanë krijuar gjithmonë shpirtra të veçantë. Por, mijëra kokrrat e pluhurit që përbëjnë prurjen mbi të cilën mbijnë këto ide – a s’ka qenë shpirti i turmave ajo që i ka krijuar? Turmat gjithmonë janë të pavetëdijshme, por kjo pavetëdije mund të jetë një prej sekreteve të forcës së tyre. Në natyrë, qeniet që i nënshtrohen instinktit, kryejnë vepra, ndërlikueshmëria e të cilave na mahnit. Për njerëzimin, arsyeja është një nocion tejet i ri dhe akoma më i papërsosur që të mund të na i zbulojë dhe të na i sqarojë ligjet e pavetëdijes. Në të gjitha veprimet tona, pjesëmarrja e pavetëdijes është e pafund, ndërsa pjesëmarrja e arsyes – tejet e vogël. Pavetëdija vepron si një forcë ende e panjohur. Pra, po qe se duam të mbetemi brenda kufijve të ngushtë por të sigurt, të asaj që mund ta njohë shkenca dhe jo të bredhë nëpër viset e ideve të papërcaktuara dhe të supozimeve të kota, atëherë të përcaktohen dukuritë që janë të arritshme dhe të ndalemi tek ai pohim. Në prapavijën e dukurive që i shohim mirë, ka edhe të tjera që mezi duken. Edhe pas tyre mund të ketë të tjerë për të cilat s’dimë dot gjë.

Veprat e zgjedhura
1. “Kërkimi anatomik dhe matematikor i ligjeve të variacionit të kapaciteteve të trurit dhe të lidhjes së tij me inteligjencën”, (1879); për këtë vepër mori dy çmime;

2. “Kërkimi eksperimental i variacioneve në kapacitetin e trurit dhe të kafkës”, (1878);
3. “Kërkime për racat dhe antropologjinë e sotme”, (1881);
4. “Njeriu dhe shoqëria”, (1881):
5. “Bota e qytetërimit islamik”, (1974);
6. “Përdorimi i psikologjisë në klasifikimin e racave”, (1886);
7. “Psikologjia e njerëzve”, (1898);
8. “Grupi: Studim për mendimin e popullarizuar”, (1896);
9. “Psikologjia e socializmit”, (1899);
10.“Evolucioni i materies”, (1907);
11. “Evolucioni i forcës”, (1908);
12. “Psikologjia e revolucionit”, (1913);
13. “Revolucioni francez dhe Psikologjia e revolucionit”, (1980);
14. “Psikologjia e Luftës së Madhe” (1916);
15. “Bota në rebelim”, (1921);
16. “Bota e çekuilibruar”, (1924).