| E enjte, 21.01.2021, 11:44 PM |
Fillimi i vitit 2021, për mua si përkthyes, nisi në mënyrën më të mbrothët, falë botimit mbas një pune të gjatë ngulmuese, të veprës madhore gjysmë të harruar të rilindasit të shquar nga Reka e Epërme në Maqedoni, Llazar Siljani, me titullin kuptimplotë “KUSH JANË SHQIPTARËT E SOTËM DHE GJUHA E TYRE?”, e sjellë në gjuhën shqipe me shqipërimin tim nga origjinali në bullgarisht.
Kjo
vepër e mbuluar nga pluhuri i kohës gjatë 111 viteve qysh nga botimi i saj në
vitin e largët 1910 në Sofje të Bullgarisë, vjen për lexuesin shqiptar, jo
vetëm me peshën dhe vlerën e paçmuar të përmbajtjes së saj historiko-gjuhësore,
por edhe si përkujtim për vetë Llazar Siljanin, rilindasin e mbetur në suazat e
një kujtese të zbehur, që nuk përputhet aspak me trashëgiminë e lënë prej tij
për brezat e mëvonshëm, ku bën padyshim pjesë denjësisht edhe kjo vepër e
porsabotuar.
Ky
libër i patriotit Llazar Siljani, me origjinë nga fshati Krakornica në rajonin
e banuar nga popullsia vendase shqiptare ortodokse, të quajtur Reka e Epërme,
sot në Maqedoninë Veriore, gjithashtu edhe përkthyes, publicist dhe veprimtar i
shquar i çështjes shqiptare në vitet përpara shpalljes së Pavarësisë së Shtetit
Shqiptar, ku fatkeqësisht nuk u përfshi dot vendlindja e tij, përbën një
hulumtim tepër të thelluar dhe shterues historik dhe gjuhësor kushtuar
shqiptarëve dhe origjinës së mirëfilltë të lashtë të popullit tonë.
Në
tetë kapitujt e kësaj vepre, na jepet mundësia të përfshihemi në një rrugëtim
gjuhësor, historik, etimologjik dhe mistik, përmes ngjizjes pellazgjike të
kombit tonë dhe rrënjëve të lashta pellazge të gjuhës së sotme shqipe, duke
prekur sakaq mjeshtërisht me fakte dhe aftësi mbresëlënëse për të zbërthyer në
mënyrë të përkryer dëshmitë gjuhësore, toponimet, emrat dhe vetë thelbin e perëndive
të Olimpit, në mijëra vite, qysh nga lashtësia e largët, gjer në fillimin e
shekullit XX, në agun e mëvetësimit të Shqipërisë.
Llazar
Siljani ofron edhe fakte me rëndësi jetike, si vendndodhjen e saktë të Dodonës
së lashtë, përtej hamendësimeve të zbrazëta që gëlojnë edhe në ditët e sotme, e
veçanërisht puna e tij studimore meriton vlerësimin më të epërm, për shkak të
këndvështrimit të tij përbashkues, që i shikon dhe i trajton historikisht si
fise me rrënjë të përbashkëta, epirotët (toskët e sotëm), ilirët-dardanët
(gegët e sotëm) dhe maqedonasit e lashtë, pasardhës i të cilëve padyshim
autori, një shqiptar mendjendritur nga Reka e Epërme, është edhe vetë.