Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: 65 vite nga fillimi i "Aksionit të Armëve" - Terrori i harruar

| E enjte, 21.01.2021, 08:27 PM |


65 vite nga fillimi i "Aksionit të Armëve": Terrori i harruar

Nga Blerim Latifi

Ishte dimri i vitit 1956. Arif Latifi po qëndronte i vetëm në odën e tij.  Nuk i zinte vendi vend.  Sapo kishte marrë një letërthirrje kobzezë.  Thirrej që të lajmërohej në stacionin e policisë në Skenderaj. Kishte ditë që ishte mësuar se aty po thirreshin njerëzit dhe po torturoheshin mizorisht nga UDB. U kërkohej të dorëzonin armët dhe kush nuk pranonte se kishte një pushkë në shtëpi, përfundonte nën tortura të tmerrshme, derisa të pranonte se kishte pushkë.  Edhe në rastet kur njeriu realisht nuk e posedonte një të tillë, ai detyrohej të pranonte se e kishte dhe për t'i shpëtuar mbytjes në torturë, i duhej të blinte një, ku gjendej e ku s'gjendej, dhe ta dorëzonte në polici. Fatmirësisht Arfi e kishte një pushkë.  Me të kishte luftuar në Sanxhak e Kolashin dhe së fundi në kryengritjen e Shaban Polluzhës. Gjërat më dramatike në jetën e tij e lidhnin me atë pushkë dhe kjo e shtynte drejt mendimit për të mos e dorëzuar.  Ai thirri në odë dy vëllezërit e tij më të rinj për të diskutuar me ta se si të vepronin. Kur u tha se do të shkonte në stacion të policisë, por pa pushkë, ndërhyri vëllau i vogël, Nura: -Do të shkoj unë, u tha.  - Unë jam i ri( i kishte vetëm 18 vjet), jam i fortë në trup dhe e përballoj stupcin, shtoi.  Të nesërmen ai u shfaq para dyerve të stacionit, i përgatitur që të duronte torturat, të cilat mund edhe t'ia merrnin jetën.  Një roje e dërgoi në zyrën e shefit lokal të UDB-së, i cili quhej Novica.  Kur ia tregoi emrin, Novica i bërtiti: -Pse ke ardhë ti, e jo vëllu yt? - Asht smutë, s'mujti me ardhë e m'ka çu mue? - A e ke sjellë pushkën?- e pyeti Novica. - Na nuk kemi pushkë, zotni,- iu përgjigj ai.  Novica shpërtheu: Rrenca, ballista, ju krejt keni pushkë.  Dhe në zemërim e sipër i ra shuplakë në fytyrë Nurës.  Atë filluan ta tradhtonin emocionet.  Mendoi: Tani po ja nisin me m'torturu.  Duhej të duronte.  Nuk duhej të thyhej.  Nuk duhej të shkelte marrëveshjen që kishin bërë në shtëpi. Novica e pa derisa po i dridhej buza.  - Dëgjo djalosh, i tha. - Shko n'shpi dhe po nuk e sollët pushkën për dy ditë, kemi me ardhë me ua djegë shtëpinë.  Fjalët e Novicës e i ranë si rrufe. Ky kërcënim ishte edhe më i rëndë se tortura. Derisa po largohej nëpër koridorin e stacionit të policisë, roja u kujdes t'i tregonte dhomat ku torturoheshin njerëzit që nuk pranonin se kishin armë.  U kthye në Prekaz dhe u tregoi vëllezërve se çfarë i kishte ndodhur. Tani duhej të zgjidhin midis pushkës dhe shtëpisë.  Natyrisht dihej se si do të vepronin. Pas dy ditësh Arif Latifi u lajmërua në stacionin e policisë bashkë me pushkën e tij të vjetër.  Derisa po kthehej në Prekaz e ndjenjte veten të thyer në shpirt. I dukej se një pjesë të qenies së tij e kishte lënë pas.  I dukej se shtëpisë i mungonte diçka pa të cilën ajo do të shembej sa çel e mshel sytë. Pas disa ditësh e zgjodhi kaun më të mirë që kishte dhe e shiti në pazar.  Me paratë e tij shkoi në Koshtovë të Mitrovicës dhe tek një mik i besuar e bleu një pushkë tjetër.  Dhe për shumë vjet askush nuk e morri vesh këtë punë.  Ishin muajt e terrorit të Rankoviqit, famëkeqi "Aksioni i mbledhjes së armëve".  Mbi 120 000 shqiptarë ishin futur në dosjet e policisë jugosllave si shqiptarë të dyshimtë.  Rreth 50 000 prej tyre do të kalonin nëpër duart e UDB-së.  Qindra prej tyre do të vdisnin në tortura, mijëra të tjerë do të sakatoseshin fizikisht e psiqikisht dhe qindra familje do të futeshin në hasmëri me njëra tjetrën për shkak të spiunazhit që e nxiste UDB-ja. Thuhet se 9000 pushkë iu morrën shqiptarëve gjatë atij terrori.  Sot kur bëhen 65 vite nga fillimi i tij ai pothuajse është harruar dhe për viktimat e tij askush nuk është kujtuar të vërë një pllakë memoriale, sado modeste, diku në Kosovën tonë të dashur.