Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Kapiti: Intelektuali dhe politikani mëndjemadh e servil

| E marte, 19.01.2021, 07:11 PM |


Intelektuali dhe politikani mëndjemadh e  servil

Nga Skënder Sadri KAPITI

Intelektuali rrezikohet, kërcënohet dhe zhvlerësohet  nga vetëvetja dhe kur atë e mbërthen egoizmi negativ, xhelozia, servilizmi  dhe sidomos mëndjemadhësia intelektuale e mbivlerësimit të vetes së tij.

Intelektuali i cili nuk është modest, as tolerant, as komunikues e as mirënjohës ndaj intelektualëve të tjerë ai vuan nga sëmundja e inferioritetit dhe e shikon talentin, dhuntinë, aftësinë  dhe intelektin  tjetrit si kërcënim.

Ky lloj intelektuali është i të njëjtit kalibër me politikanin egoist, mendjemadh, mashtrues dhe demagog e hipokrit i cili kur fatkeqësisht rastis që të qeveris shtetin, prej tij,  kombit dhe shtetit u vijnë trauma, fatkeqësi  e tragjedi, ku shembull është Shqipëria e cila  e ka pësuar keq  gjithmonë prej të tillëve politikanë dhe prej shpurës intelektuale puthadore e servile rreth yre.

Mëndjemadhësia intelektuale është karakteristikë pra për intelektualin shpirtlig dhe egoist sepse ai urren aftësinë dhe talentin e tjetrit.

Intelektualit mëndjemadh i pëlqen vetëm vetëvetja, dhe ai konsideron shok e “mik”  intelektualët mediokër të cilët i servilosen atij me qëllim që edhe ata të duken e të  marrin pak meritë e shkëlqim prej tij.

Intelektuali mëndjemadh është mendjemadh  me intelektualët të cilët ai  klasifikon poshte vetes së tij , dhe nga ana tjetër është tejet servil karshi atyre të cilët ai i gjykon se janë lart tij dhe sidomos është servil ndaj atyre intelektualëve të cilët janë dhe i “respekton” pushteti e politika.

Pra ky tip mëndjemadhi është dyfish , dy herë servil, edhe servil i intelektuualit servil të pushtetit por edhe servil i pushtetit.

Të tillë intelektualë e politikanë  ka me shumicë në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe sidomos ky lloj tipi imntelektuali merre me mënd se si do të transformohej akoma më poshtë  sikur atij t’i besohet  politike e pushteti, se sa lart atje do t’i dukej vetja dhe do të krekosej me qorrollepsje egoiste e rrenimtare  dhe se se në cfarë thyqafje do të përfundonte më pastaj.

Intelektualizmi është shkëmbim përvojash, dijesh e mëncurimi mes intelektualëve. Ky është intelektualizmi pozitivist kundër atij negativ i cili është mosmirënjohës.

Nuk mund të bëhesh intelektual i madh pa lexuar, mësuar dhe përvetësuar dijet që kanë dhënë e japin edhe intelektualët e  tjerë.

Kush pretendon të kundërtën është kapur peng nga injoranca e vet.

Zakonisht tipat që pretendojnë se janë intelektualë të mëdhenj, ata kërkojnë ndihmën e parasë dhe të politikës për t’u promovuar si  të mëdhenj dhe në shumë raste edhe shndërrohen në mercenarë materialist që u shërbejnë oborreve të pushtetit dhe parasë.

Këtu ata i ndihmon shumë edhe media e cila i vë në dispozicion ekranin dhe gazetën për ta propaganduar atë, por duke ua mbyll derën intelektualëve të tjerë të cilët dalin në dritë me kalimin e kohës , dhe jo në kohën kur koha nuk i favorizonte dhe u bënte embargo atyre.