Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Dreka e kobshme e janarit 1953

| E marte, 19.01.2021, 08:32 PM |


Dreka e kobshme e janarit 1953

Nga Blerim Latifi

Ishte janari i vitit 1953. Tito kishte lënë Beogradin dhe ishte nisur në drejtim të Splitit. Atje ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për drekën speciale të cilën diktatori jugosllav po e shtronte për një mik të tij special. Fjala ishte për ministrin e punëve të jashtme të Turqisë, Mehmet Fuat Kopruly. Kopruly ishte pinjolli i fundit nga familja Kopruly, e cila gjatë shekujve 17 e 18 kishte arritur deri në majat më të larta të pushtetit osman. Kjo familje ishte me origjinë shqiptare por, duke qenë krejtësisht e asimiluar, njerëzit e saj nuk kishin bërë asgjë për atdheun e të parëve. Këshilltarët e Titos ia kishin tërhequr vërejtjen atij se mbase origjina shqiptare e ministrit turk do të përbënte ndonjë pengesë për planet që kishte në mendje Tito, por ai ua hoqi merakun shpejt :- Mos u shqetësoni, miku im është më turk se turqit. Dreka kaloi në mënyrë shumë miqësore. Tito, që kërcenohej nga një pushtim i mundshëm sovjetik, kërkonte gjithandej mbështetës, dhe Turqia ishte një shtet shumë i përshtatshëm për të qëndruar në anën e Jugosllavisë. Kështu lindi Pakti Jugosllavi- Turqi-Greqi. Pjesë e këtij pakti ishin edhe kërkesat dypalëshe, të cilat u shtruan në Drekën e Splitit. Ministri turk, me origjinë shqiptare, i kërkoi Titos që të krijohej pakica turke në Kosovë, ndërsa Tito, nga ana e tij, e rihapi çështjen e Konventës së vitit 1938 midis qeverisë jugosllave dhe qeverisë turke për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë në Turqi. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord rreth këtyre dy çështjeve. Në Kosovë do të sajohej shpejt një pakicë turke, e cila kurrë nuk kishte ekzistuar, ndërsa të dy palët do të nisnin menjëherë punën që të rifillonte shpërngulja e shqiptarëve drejt Turqisë. Pjesa tjetër e historisë njihet gjerësisht.

________

John R.Schindler, ekspert amerikan i sigurisë, ka shkruar librin, mbase më të mirin, për veprimtarinë e UDB-së, Shërbimit Sekret Jugosllav, në vendet perëndimore. Libri quhet "Agjentët Provokatorë:Terrorizmi, Spiunazhi dhe Lufta e Fshehtë për Jugosllavinë, 1945-1990".

Schindler konstaton se nga të gjitha shërbimet e vendeve komuniste që vepronin në mënyrë të fshehtë në Perëndim, UDB ishte më brutalja. Ajo kishte vrarë më shumë disidendë në Perëndim, se çdo shërbim tjetër komunist.Madje edhe më shumë se KGB-ja ruse. Siç thotë Schindler "shumica e atentateve të UDB-së jashtë vendit ndoqën një model standard. Agjentët jugosllavë mbillnin dezinformimin në qarqet e emigrantëve në Perëndim, për të krijuar konfuzion dhe konflikte brenda grupeve. Vrasësit kryenin mbikëqyrje, pastaj vrisnin shënjestrën, zakonisht me të shtëna armësh nga një distancë e afërt. Vrasjet e UDB-së ishin shpesh shumë brutale, më brutale se sa duheshin për të vrarë. Në disa raste, viktimat u vranë me thika dhe u goditën dhjetëra herë. Në të gjitha rastet, UDB u përpoq t'i portretizonte vrasjet si "rezultat i grindjeve midis emigrantëve" - një histori të cilën policia perëndimore dhe agjencitë e inteligjencës, për shkak se nuk i kuptonin mirë emigrantët Jugosllavë, shpesh e merrin si variant të pranueshëm". Ky model ekzekutimi i UDB-së, të cilin e shpjegon Schindler, duket qartë se është aplikuar krejtësisht edhe në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në janarin e vitit 1982.