| E hene, 18.01.2021, 01:39 PM |
Parashikime të lehta parazgjedhore!
Shkruan:
Florim Zeqa
Para
se të lëshohem në analizën politike parazgjedhore, zgjidhja më e mirë do të
ishte bojkoti total i këtyre zgjedhjeve, si e vetmja mundësi për ndëshkimin e
përgjithshëm të kësaj klase politike, por meqenëse kjo është e pamundur të
ndodhë, atëherë, duhet një reflektim maksimal i elektoratit deri në ditën e
votimit.
LDK mes ngritjes dhe
rënjes historike
LDK-ja
si partia më e vjetër dhe me traditën më të gjatë demokratike, pas shkuarjes në
amshim të liderit të saj shpirtërorë, Ibrahim Rugova, gjegjësisht pas
përgjysmimit të saj numerik si pasojë e ndarjes në vitin 2006, nuk ka arritë të
fitojë asnjë palë zgjedhje nacionale. Humbja pesë herë radhazi e zgjedhjeve
parlamentare dhe humbja e shumicës së bastioneve në nivelin lokal, me liderin
aktual, përveq humbjes së gjashtë, e rrezikon edhe humbjen e pozicionit të
partisë së dytë në Kosovë.
Edhe
përkundër mobilizimit të jashtëzakonshëm për këto zgjedhje, pas aderimit në LVV
të ish kandidates për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, zonjes Vjosa Osmani
dhe disa figurave tjera minore, LDK do ta ketë të vështirë ta ruaj pozicionin
numerik nga zgjedhjet e kaluara.
Megjithatë,
ekziston një mundësi reale për rimëkëmbjen numerike të LDK-së!
Pas
tërheqjes tri herë radhazi të kandidaturës për kryeministër, me tërheqjen edhe
nga kreu i partisë, lideri aktual, Isa Mustafa do ta ndihmonte më shumë se
asgjë dhe askush tjetër ngritjen e LDK-së në këtë proces zgjedhor.
Pra,
largimi vullnetar i Isa Mustafës nga kreu i partisë do t'i hapte rrugë kthimit
të besimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ngritjen e radhës, pse jo
edhe të fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Këtë
nuk është që po e themë unë, por po e thonë shumica e të pakënaqurve në largim
e sipër, e anëtarëve dhe veprimtarëve në Kosovë dhe Diasporë, të cilët
publikisht dhe pa hezitim e thonë; "derisa të jetë Isa Mustafa në krye,
vota ime dhe e familjes sime më nuk shkon për LDK-në".
Këta
zëra nuk bën për t'u anashkaluar dhe nënvlerësuar nga strukturat e partisë. Në
të kundërtën, hyrja e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit me Isa Mustafën
kryetarë, e rrezikon humbjen e gjashtë
radhazi dhe rënjen më të madhe në këto 15 vjetët e fundit!
Pra,
LDK ndodhet mes ngritjes dhe rënjes historike!
PDK e dështimeve dhe
gabimeve politike
PDK
si partia më e madhe opozitare e pasluftës në Kosovë, pushtetin e shijoj vetëm
pas shkuarjes në amshim të Ibrahim Rugovës, gjegjësisht pas ndarjes fatale të
LDK-së në Kuvendin e VI, apo siq është i njohur si 'kuvendi i karrikeve',
pushtet të cilin e mbajti për afro 10 vite, por, me shumë skandale dhe afera
korruptive.
Vlenë
për t'u theksuar, për dallim nga LDK-ja, PDK edhe pas ndarjes (NISMA), arriti
ta ruaj primatin e partisë së parë dhe mbajtjen e elektoratit të saj besnik.
Megjithatë,
rënja e PDK-së fillon pas katapultimit të ish liderit, Hashim Thaçi në postin e
presidentit në vitin 2016.
Kësisoji,
PDK-ja për ta mbajtur pushtetin u detyrua, që në zgjedhjet e vitit 2017 të
shkojë në koalicion parazgjedhorë me AAK dhe NISMA për t'i shpëtuar humbjes së
sigurtë nga LVV-ja e cila doli subjekti më i votuar politik në Kosovë me 27,49
përqind kundrejt PAN-it me 33, 74 përqind të votave të qytetarëve.
Zgjedhjet
e 14 shkurtit 2021 do të jenë tepër sfiduese për PDK-në pas mungesës së dy
liderëve të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Edhe
pse mund të jetë i qëlluar emërimi i Enver Hoxhajt për u.d. i kryetarit të
partisë, kandidimi i tij për kryeministër nuk ishte zgjidhja e duhur, për shkak
të (mos) përgatitjes profesionale dhe mosmbështetjes nga elektorati i gjërë i
këtij subjekti politik.
Gabimi
kardinal i PDK-së në pragë të këtyre zgjedhjeve ishte edhe mospranimi i ofertës
së NISMA për bashkëqeverisje, e cila do ta ngriste PDK-në së paku për 4-5 %.
PDK
rrezikon të dështojë edhe në këto zgjedhje shkaku i gabimeve politike!
AAK thembra e akilit politik
AAK
si subjekti i dytë politik i dalë nga lufta, në të gjitha zgjedhjet ka arritur
ta ruaj konstancën e subjektit politik me ngritje dhe rënja të lehta, duke u
bërë pjesë konstruktive e pothuajse të gjitha qeverisjeve të pasluftës.
Në
zgjedhjet e 14 shkurtit, AAK na paraqitet ndryshe nga herat e tjera! Jo më,
vetëm me ambiciet për bashkëqeverisje, por edhe me ambicie për të parin e
shtetit!
Kandidatura
e Ramush Haradinajt për president të vendit duket të jetë serioze dhe e
mundshme për rrethanat politike. pasi, në secilin variant të rezultatit
zgjedhor, Haradinaj do ta kushtëzojë votimin e qeverisë me postin e presidentit
dhe pritet të jetë "thembra e akilit" politik e vitit 2021.
Por,
shtrohet pyetja, sa do të ndikojë kandidatura e Haradinajt për president në
procesin zgjedhor të AAK-së, pa e ditur, kush do të jetë pasues i Haradinajt në
kreun e partisë pas zgjedhjes së mundshme në postin e presidnetit!?
LVV mes opozitarizmit
dhe pushtetit
LVV-ja
me futjen e saj në parlament, përveq humbjes së forcës së opozitarizmit e humbi
edhe primatin e të qenurit lëvizje politike. Grumbullimi i të gjitha
ideologjive politike, e ka kthyer LVV-në në deponi të të pakënaqurve politikë,
por jo edhe në forcë reale të ndryshimit pozitiv politik.
Përmbajtja
nga brenda, e të gjitha llojeve dhe ngjyrave politike, e bën LVV-në subjektin më heterogjen të skenës tonë
politike.
LVV-ja
sot më shumë i ngjet një lumi të vërshuar sesa një oqeani të qetë. Në të
ardhmen e afërt kur lumi (LVV) të kthehet në shtratin e vet, do të shihet
realisht sasia dhe pastërtia e kësaj force politike.
Marrja
dhe humbja e shpejtë e pushtetit nga ana e LVV-së vitin e kaluar, e ardhur si
produkt i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, ishte edhe papjekuri dhe
paaftësi politike e liderit, Albin Kurti, gjegjësisht paaftësi e përballjes me
presionin ndërkombëtar në njërën anë dhe paaftësi personale e menaxhimit të
situatave të krijuara brenda koalicionit qeveritar.
Arsyeja
pse LVV-ja nuk paraqet ndryshim për vendin, është se brenda saj ka eksponent që deri dje ishin pjesë e
keq-qeverisjes, e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kapjes së
institucioneve të shtetit dhe e uzurpimit të pronave publike.
Pushteti
i shkurtër i LVV-së e dëshmojë se kjo organizatë politike më mirë di ta luaj
rolin e opozitarizmit sesa të pushtetit.
Djajtë
me një të ndërruar të gzofit nuk kthehen në engjuj, por engjujt mund te kthehen
në djajë brenda natës.
NISMA e vogël mes pragut
zgjedhor dhe zhbërjes fizike
Nisma
socialdemokrate, e themeluar si subjekt me orientim të majtë politik pas
ndarjes nga PDK-ja, që nga pjesëmarrja e parë në zgjedhjet e vitit 2014 e deri
më sot ka pasur probleme të theksuara me kalimin e pragut zgjedhor. E mbase,
këto të 14 shkurtit 2021 do të jenë zgjedhjet e fundit të NISMA-s si subjekt
politik.
Pas
zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë i pashmangshëm kthimi në amzën politike e
nismëtarëve të NISMA-s.
AKR nga shpresa në zhgënjim
AKR-ja e biznesmenit më të njohur shqiptar në
arenën ndërkombëtare, z. Behxhet Pacolli, kishte ngjallë shpresa për një kthesë
pozitive sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Megjithatë pas arritjes së
suksesit më të madhë në zgjedhjet e vitit 2007, ku AKR me 12 përqind të votave
renditet partia e tretë në vend, duke e lënë pas AAK-në e Ramush Haradinajt.
Bashkëqeverisja
me partitë e mëdha, doli të jetë e dëmshme dhe tepër e kushtueshme për partinë
e njeriut më të pasur në vendin tonë. Pas shtatë viteve në skenën politike
AKR-ja mbeti jashtë pragut zgjedhor, por jo edhe jashtë pushtetit.
Pavarësisht
rënjes në elektorat, kontributi i liderit të kësaj partie të vogël në numër,
është më i madhë se i çdo lideri tjetër partiak. Pas SHBA-ve, Behxhet Pacolli
është personi që e ka sjellë numrin më të madh të njohjeve për Kosovën nga
shtetet afrikane dhe aziatike.
Futja
e AKR-së në listën e LDK-së, paraqet vendimin më pragmatik të liderit të kësaj
partie, e cila përveq evitimit të pragut zgjedhor synon arritjen e pushtetit
dhe sigurimin e disa vendeve në parlament.
"NISMA VJOSA"
abort i pastër politik
Kur
një nismë e re politike dështon akoma pa lindur, quhet abort politik. Nuk ka si
quhet ndryshe, kur "guximtarja" Vjosa Osmani për gjashtë rresht muaj
nuk arriti ta themelojë dhe as
regjistroj në KQZ si nismen e saj politike.
Me
aderimin në LVV, Vjosa e fundosi veten dhe nismën politike.
Në
rrethana të tjera, bashkangjitja e z. Donika Gervalla nismës së Vjosa Osmanit
do të paraqiste vlerë dhe forcë reale politike, por ne listën e LVV-së, as
njërën dhe as tjetrën, do të shuhet si vesë mëngjesi!!
Bazuar
në aderimet politike, gjegjësisht të kalimit të disa analistëve dhe figurave të
caktuara nga njëra tek partia tjetër, edhe në këto zgjedhje nuk kemi të bëjmë
fare mbajtje të parimeve dhe as mbrojtje të ideologjive politike.
Fatbardhësisht
për këto zgjedhje kishte edhe figura të shquara dhe analist politikë të cilëve
nuk ju bënë përshtypje ofertat e partive politike, por që më shumë e preferuan
ta ruajnë integritetin personal dhe t'i qëndrojnë besnik idealit të tyre
atdhetarë, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Numri
i madhë i subjekteve politike dhe numri i vogël i nismave qytetare nuk paraqet
shpresë për ndryshim. Numri në total tepër i lartë i kandidatëve në listat
partiake pa asnjë kandidat të pavarur e tregon qartë situatën paradoksale
zgjedhore dhe mungesën e stabilitetit politik.
Për
dallim nga herat e tjera, kësaj radhe vota qytetare nuk do të jetë shprehje e
vullnetit të lirë, por votë inatçore, e shprehjes së urrejtjes individuale e
motivuar poashtu për hakmarrje individulae dhe partiake.