| E premte, 15.01.2021, 06:03 PM |
Njeriu dhe ideologjia
Nga
Astrit Lulushi
Kur
merren parasysh figurat historike përgjegjëse për lëvizjet e mëdha, me ndikim,
vlen të merret parasysh nëse jeta personale vërteton ose minon ideologjinë e
tyre. Siç thotë Aristoteli: "Njeriu fillon ndryshimet për arsye që lidhen
me jetën e tij private".
Kështu,
Marksi që pretendonte të fliste për të shtypurit mori pjesë në shtypjen e tyre.
Karl
Marksi lindi në një familje borgjeze intelektuale dhe liberale në Trier,
Gjermani. Megjithëse prejardhja e tij familjare ishte hebraike, babai i tij
Heinrich u kthye në Lutheranizëm, më pak për arsye teologjike sesa shoqërore.
Heinrich ishte një lexues i zjarrtë i shkrimtarëve si Volteri dhe Russoi.
Si
student, Marksi nuk ishte shembullor. Ai gjithashtu shpërdoroi paratë e
prindërve të tij; edhe kur nëna dhe babai ishin të sëmurë, ai u shkruante, për
t’u kërkuar më shumë të holla.
Në
një letër të dhjetorit 1837 drejtuar Karlit, Heinrich qorton egoizmin e djalit
të tij: “Ju u keni shkaktuar prindërve shumë shqetësime dhe pak ose aspak
gëzim..." Disa muaj më vonë, Heinrich vdiq në moshën 56 vjeçare. Karli nuk
mori pjesë në varrim. Ai kishte "gjëra të tjera për të bërë", thuhet
në një biografi. Edhe pasi u martua në 1843, Marksi mbeti i varur nga nëna e
tij për të financuar karrierën intelektuale. Marksi shkoi gati 20 vjet pa
vizituar nënën e tij, dhe kur më në fund e pa atë, arsyeja ishte për t’i
kërkuar para. Kur nëna e tij vdiq, Karli ishte në gjendje të siguronte rreth
6,000 dollarë si trashëgimi, në një kohë kur në "Manifestin Komunist"
ai do të kërkonte heqjen e së drejtës së trashëgimisë për çdo njeri.
Ndjenjat
e prindërve Marks në lidhje me prirjet e shthurura të djalit të tyre kaluan tek
gruaja e tij, Jenny von Westphalen: "Karl, sikur të kishe harxhuar më
shumë kohë duke bërë kapital në vend që të shkruaje për të, do të ishim më
mirë." Në të vërtetë, vetëm një vit pasi u botua "Manifesti
Komunist", pronari i shtëpisë ku banonte Marksi e dëboi atë dhe familjen e
tij: “Pronari gjithashtu ishte i irrituar....Larja, pastrimi dhe ndërrimi i
ndërresave janë gjëra që ai i bën rrallë dhe i pëlqen të dehet", vëren një
raport i policisë prusiane për Marksin.
Edhe
më e trishtuar, Marksi fitonte aq pak para, saqë në dimrin e vitit 1849-1850 u
detyruan të strehohej në një konvikt të rrënuar. Atje, fëmija i tyre i mitur
Heinrich vdiq. Një djalë 8 vjeçar Edgar vdiq më 1855.
Marksi
në një moment i shkroi Englesit: "Çdo ditë gruaja ime thotë se dëshiron që
ajo dhe fëmijët të ishin të sigurt në varret e tyre, dhe unë me të vërtetë nuk
mund ta fajësoj për poshtërimet, mundimet që duhet të kalojë në situata me të
vërtetë të papërshkrueshme”, pa thënë se ai vetë ishte fajtori për varfërinë
dhe fatkeqësinë e tyre.
Në
një moment, një vajzë, Helene Demuth, e cila kishte qenë një shërbyese shtëpie
për familjen e gruas së tij, u dërgua për të ndihmuar familjen Marks ndërsa ata
jetonin në Bruksel në vitin 1845; Marksi kurrë nuk i pagoi asaj asnjë qindarkë.
Sidoqoftë, ai nisi një lidhje të gjatë jashtëmartesore me të.
Në
qershor 1851, Demuth lindi një djalë, Freddy. Marksi mohoi që fëmija ishte i
tij. Engelsi mori përgjegjësinë për djalin. Në shtratin e vdekjes, Engelsi e
pranoi se Freddy ishte vërtet djali i Marksit.
Jeta
familjare e Marksit ishte katastrofë. Katër nga gjashtë fëmijët e tij vdiqën
para tij. Dy të tjerët, të dyja bija, përfundimisht bënë vetëvrasje. Gruaja e
tij, e cila vuajti nga tradhëtia bashkëshortore dhe neglizhenca, shprehte
dëshirën për të vdekur. Një herë Marksi i shkruajti Engelsit: "Lum ai që
nuk ka familje". Xheni vdiq në 1881. Marksi nuk mori pjesë në varrim.
Këto
nuk janë detaje lajkatare për një njeri përgjegjës për një nga filozofitë
politike dhe ekonomike më të njohura dhe më me ndikim të shekullit XX. As, mund
të shtohet, nuk është fakti që Marksi, megjithëse ishte me origjinë hebraike,
ishte antisemit. Biografët thonë se letërkëmbimi i tij është “i mbushur me
vërejtje përbuzëse për hebrenjtë”.
Sigurisht
që disa njerëz të mëdhenj janë vërtet shenjtorë. Megjithatë Marksi, sipas
vlerësimit, ishte shumë më afër djallit. Pse ka rëndësi kjo? Që njerëzit të
pajtohen me ideologji të caktuara politike, veçanërisht ato me shtrirje të
gjerë si Marksizmi, duhet të jenë të vetëdijshëm për motivet dhe jetën e atyre
që synojnë të ndjekin. Në rastin e Marksit, motivet ishin egoiste. Jeta e tij
është rast studimi; Marksi supozohet të jetë personi që propozoi si të çlirojë
masat nga skllavëria shoqërore dhe ekonomike, megjithatë nuk njihte praktikisht
asnjë anëtar të proletariatit dhe ata që njihte, i shikonte me përbuzje, ose,
në rastin e shërbëtores Demuth, si njerëz për t’u shfrytëzuar.