| E premte, 15.01.2021, 04:53 PM |
DOSJA SATANIKE
Refleksione
per tregimin ”Në strofullën e djajve”
Nga
Prof. Resmi Osmani
Profesor
Agim Vinca, i mirënjohur, që ka bërë emër më së shumti si poet, pedagog,
studiues i letërsisë, eseist dhe publicist, vjen para lexuesve me një libër të
ri, këtë herë në prozë, me titull “Konkubina”, botuar nga “Syth” në Tetovë.
Pati mirësinë të ma dërgojë në Tiranë. Janë përfshirë në të 15 tregime të
shkurtra, kryesisht mbresa, kujtime dhe ndodhi nga jeta e autorit, rrëfyer në
vetë të parë. Janë krijime mjeshtërore, të shkruara thjesht, ku shpaloset
talenti, arti, filozofia dhe mendimi i dijetarit për dukuritë mbresëlënëse e të
pashlyera të jetës.
Në
këtë libër, veç të tjerash, më bënë të ndalem dhe t’i rilexoj dy tregim-rrëfime
”Në strofullën e djajve” dhe”Një luftë e vogël shqiptaro-serbe” dhe , ja përse:
Ishte
duke u gdhirë 28 marsi i vitit 1989. Mugëtirë. Trokitje të forta në derën e
banesës së profesor Agim Vincës, që e zgjojnë nga gjumi. Hapet dera. Është
policia, me shtatë agjentë që, vjen të bastisë, kur Kosova luftonte për jetë a
vdekje, nën dhunën serbe, që kishte marrë përmasa të mëdha. Duheshin gjetur
armiqtë, kundërshtarët, ndër ta intelektualët, që, sipas tyre, ishin
frymëzuesit dhe nxitësit e “nacionalizmit”, të grevave dhe demonstratave, për
ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe shpalljen e Kosovës Republikë. Ndër ta, në
listat e zeza, figuronte edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim
Vinca. Në banesë, kërkohen objekte fajësimi, sidomos të shkruara, përmbysen
librat dhe shkrimet në bibliotekë. Katrahurë. Nën kërcënim, bastiset tërë
shtëpia. Përmbyset gjithçka. Sekuestrohen dhe merren me vete, fashikuj
dorëshkrimesh dhe ato objekte të cilat u duken të dyshimta dhe të dobishme për
hetimin, në gjetje të provave të fajësisë së supozuar. Profesor Vincës i thuhet
se duhet të shkojë me ta. Merret dhunshëm e shoqërohet në komisariatin e
policisë. Në strofullën e djajve. Një arrestim, por pa u delklaruar si i tillë
me eufemizmin “Marrje në pyetje”. E mbyllin në një dhomë nën rojen e policit
dhe kërcënimin e automatikut. Brenda mureve të ftohta, orë heshtjeje, ankthi e
pritjeje torturuese, e mirëmenduar. Si parapërgatitje për atë që do të vijë në
vazhdim. Më pas hyjnë e dalin agjentë. Pyetje provokuese, zhbiruese. Është një
skemë inkuizicionale. Inkuizitorët nuk janë të veshur me zhgune, por me xhinse
dhe xhupe lëkure. Në vend të turrës së druve, në flakët e të cilave digjej
heretiku, ngrihet kërcënimi, frika për jetën. Pyetjet janë si morsa shtypëse,
si garrota mesjetare spanjolle. Herezia: nacionalizmi shqiptar, nxitje e
qytetarëve, punëtorëve dhe studentëve
për protestat, grevat e minatorëve. Parulla ”Republikë, Kushtetutë, ja me hatër
ja me luftë”. Të mjaftueshme për ta prangosur e dergjur në galera. Pyetjet
ndjekin njëra-tjetrën, të befasishme e kërcënuese, djallëzore deri në mërzi,
shpesh absurde, të përsëritura dhe kundërthënëse, që ngrenë lakun për ta
mbërthyer viktimën për fyti, për ta depersonalizuar e humbur vetëdijen, për ta
mbërthyer me shpatulla për muri, që të pranojë fajësinë e supozuar e të
dyshuar. Janë profesionistë, provokatorë të kualifikuar, që kanë si sistem
presionin psikologjik, që ngrenë rrjetën e merimangës ku të ngecë viktima. Nuk
nguten, ruajnë në dukje qetësinë, teksa në psikikën e tyre gëlon gjithçka që ta
bëjë të marrurin në pyetje ta ndjejë veten të kërcënuar, të frikësuar, në zgrip
të së keqes pa shpëtim, të thyhet, të gabojë, të pranojë atë që i kërkohet.
Orët kalojnë. Profesori, i pagjumë, i pangrënë e pirë, i lodhur e drobitur
fizikisht e shpirtërisht, i vetëm, por i qëndrueshëm, dinjitoz, i pathyer, i
vendosur në të drejtën dhe pafajësinë e tij. Mos është krim të duash vendin dhe
popullin tënd? Përballë e keqja, djallëzore, e sofistikuar, por me raste edhe
brutale, egërshane. Hetuesit venë e
vinë, ia përsërisin se ku ndodhet dhe përse ndodhet. Natyrisht, ai e di: në
strofullën e djajve dhe djallëzive! Kur lodhen ndërrohen, shkojnë të hanë e të
pinë. Mbrëmanet, kur përjashta ka rënë errësira, hapet dosja satanike, atje
është gjithçka, jeta e tij, veprimtaria, fryt i ndjekjeve, dyshimeve,
keqdashjes, spiunimeve, informatorëve (se spiunë gjenden përherë.) Në aksh ditë
e në aksh datë, ku ka qenë, me cilët është takuar, çfarë kanë biseduar, a ka
qenë në Shqipëri, me kë është takuar,
çfarë kanë biseduar, a e dëgjon Radio Tiranën, ç’mendim ka për propogandën që
bën Qeveria Shqiptare për Jugosllavinë dhe Kosovën, a e ka lexuar librin
“Titistët”… Breshëri i pyetjeve s’ka të sosur.
Të
dy palët janë të lodhur, por inkuizitorët janë të dëshpëruar, i ndaluari që e
marrin në pyetje qëndron burrërisht, dinjitoz, i kujdeshëm në përgjigje, që nuk
bie në rrjetën provokative, sido të ngritur mjeshtërisht. U duhen fajtorë, por
s’kanë ku të kapen, faktet mungojnë. Më në fund që ta thyejnë, i japin lajmin
tragjik: policia ka qëlluar mbi demonstruesit, studentët, janë vrarë 22 vetë!
Rrugët e Prishtinës janë larë me gjak. Lajmi është drithërues: njëzet e dy të
vdekur! “Kanë qëlluar në djemtë dhe vajzat tona që kanë protestuar sot. Kanë
qëlluar drejt në trupat e tyre të njomë, o Zot!”. Është një klithje shpirti,
një goditje rrufeje. Hetuesi i thotë se edhe profesori është përgjegjës, ai dhe
shokët e tij i kanë shpënë turmat drejt grykës së pushkëve, teksa për vetë
rrinë në kolltukët e rehatshëm! Çfarë akuze kriminale, çfarë alibie djallëzore!
Kur
nis e shkruan, në atë atmosferë mbytëse e rrënuese, ku i zihet fryma, autori
kthehet plot një muaj pas, në Qendrën e Studentëve. Vijnë disa faqe
retrospektive, si fllad lirie, me nënndarjet “Fëmijët e epokës” dhe “Në shenjë
të germës V” për lëvizjen studentore në grevën që zgjati shtatë ditë e shtatë
net, ku ai u ndodh mes tyre, për t’u dhënë zemër dhe për t’u thënë sa shumë i
donin.
Afrohet
mesnata. Ora kur fanepsen shtrigat, shtriganët dhe djajtë si në kohët e
mesjetës të tragjedive shekspiriane, në kërkim të haraçit të tyre. I ofrojnë
letër dhe laps, duhet të deklarojë gjithë sa u tha në përgjigjet për pyetjet e
bëra. Nuk u mjafton dëshmia gojore, e duan të shkruar nga dora e tij. I tillë
është protokolli!
Më
në fund, agjenti hetues shqipton: ”Ja, kështu, shoku A. V…. Ki kujdes!!... Ne
vendosëm të të lirojmë (nuk thotë për mungesë provash), por…..Ti e di…. Ne të
marrim përsëri… Po qe se…”. Kërcënimi është i hapët: Domethënë, po qe se s’rri
urtë, ne të marrim prapë, ose…. Ose… Rrugë tjetër s’ka! S’ka alternativë.
Është
një rrëfim tronditës, jo fiksion, apo fantazi, por ngjarje e jetuar nga
tregimtari që e dëshmon ashtu si ka
ndodhur dhe përjetuar.
Tregimi
duhet lexuar, për të nxjerrë mësime, sidomos nga brezi i ri i rinisë kosovare,
lindur pas viteve 2000, për ta ditur dhe kuptuar se Liria e Kosovës u fitua jo
vetëm me luftën dhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, por edhe me përpjekjet dhe
sakrificat e rinisë studentore, të
minatorëve dhe intelektualëve patriotë që vunë në shërbim të çështjes së
lirisë dhe të idealit kombëtar shpirtin, dijet, atdhedashurinë dhe jetën për
vendin dhe popullin e tyre. Që meritojnë nderim dhe respekt.
Mbetet
aktuale thirrja e Julius Fuçikut: “Njerëz ju kam dashur, jini vigjilentë”. Jo
më vonë se këto ditë, presidenti serb Vuçiç, përmendi “konfliktin e ngrirë” dhe
kërcënoi Kosovën me luftë.
Tregimi
është një episod, një fragment, një kujtesë e asaj që ka ndodhur në Kosovë nën
pushtimin serb dhe që rrëfen fytyrën e vërtetë të armiqësisë dhe egërsisë të
nacionalizmit fashistoid serb.
Tiranë, më 13. 1. 2021