Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: “Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!”

| E enjte, 14.01.2021, 08:39 PM |


“Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!”

Nga Blerim Latifi

Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një pjesë të madhe të kohës së tij, Anton Çeta, e kishte kaluar nëpër fshatra të Drenicës. Ai ishte etnograf dhe kishte marrë përsipër projektin e mbledhjes së tregimeve popullore në gjithë Kosovën, para se tregimtarët e fundit të tyre të vdisnin. Rezultatet e punës së tij etnografike në Drenicë u publikuan në tri vëllime me titullin “Prozë popullore nga Drenica”. Për tre muaj Anton Çeta kishte qëndruar edhe në Prekaz, përkatësisht në konakun e Hazir Lutit, i cili dallohej nga pleqtë e tjerë të fshatit me faktin se njihte qindra tregime popullore, përralla, legjenda e mite, por edhe tekste këngësh të vjetra. Ai ishte një thesar aq i pasur etnografik, saqë Anton Çetës iu desh një kohë e gjatë derisa ta eksploronte të tërin, për ta hedhur pastaj në letër. Ishte një kohë kur në Kosovë nuk ekzistonin fare mjetet e qarkullimit, nuk kishte makina dhe autobusë, kështuqë Anton Çeta ishte i detyruar të banonte gjithë kohën në konakun e plakut Hazir. Aq mirë e trajtonin , saqë ai kishte nisur të ndihej si të ishte në shtëpinë e tij. Seancat e mbledhjes së materialit etnografik zhvilloheshin në mbrëmje, pasi burrat mbaronin punët e tyre në fusha e ara dhe ktheheshin në shtëpi. Konaku i vogël i plakut Hazir nuk i zinte të gjithë ata që vinin nga lagjet tjera të fshatit për të dëgjuar bisedat midis tij dhe Anton Çetës. Sa herë e kam dëgjuar rrëfimin për këto mbrëmje, më është kujtuar “Dosja H” e Ismail Kadaresë, në të cilën flitet për dy etnologë amerikanë që vijnë në Veriun e Shqipërisë për të mbledhur eposin e lashtë të kreshnikëve, në të cilin ende ruheshin elementet e eposit homerik. Tregojnë se Antoni nuk u fliste vetëm për rëndësinë e folklorit dhe mbledhjes së tij. Në shumë raste u fliste edhe për problemet e kohës dhe për të ardhmen e Kosovës, siç ai e besonte se duhej të ishte. Në fund të atij qëndrimi të gjatë, derisa po përshëndetej me plakun Hazir dhe mikpritësit e tjerë, ai u kishte thënë : “Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!”

Tridhjetë vite më vonë, kur në Kosovë filloi pajtimi i gjaqeve dhe njerëzit e panë se në krye të këtij pajtimi ishte mësuesi i dikurshëm shëndetdobët, tani dukshëm i plakur, atyre iu kujtuan fjalët e tij të përshëndetjes me ta: “Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!” Plaku Hazir nuk e kishte arritur ditën kur do të përmbushej premtimi i Anton Çetës. Ai kishte vdekur shumë kohë më parë. Sot kushdo që merr në dorë tre vëllimet “Prozë popullore nga Drenica” mund ta gjej emrin e tij në fund të dhjetëra e dhjetëra tregimeve, përrallave e legjendave të botuara aty.