| E enjte, 14.01.2021, 12:29 PM |
Krijimi i standardit të
ri politik!
Shkruan:
Florim Zeqa
Jo
vetëm PDK e AAK, por edhe LVV dhe shumë subjekte të tjera që mbinën si
“këpurdhat pas shiut” pas lufte në Kosovë, e shkëputën nga një pjesë të
elektoratit të LDK-së. Megjithatë, sa ishte gjallë lideri historik Ibrahim
Rugova, LDK-ja në zgjedhjet nacionale dhe lokale peshonte më rëndë se të gjitha
partitë tjera shqiptare.
Sa
është i nevojshëm ajri që e thithin, po aq sa është i nevojshëm ndryshimi për
qytetarët e vendit tonë. Për aq sa dukej se ishim afër ndryshimit para
zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, për aq jemi afër edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit
2021, mirëpo, pa lindjen e një alternative të re do të kemi vetëm ndërrim të
pushtetarëve e jo edhe të mendësisë qeverisëse në vendin tonë, gjegjësisht të
një ndryshim pozitiv dhe përmbajtësor në Kosovën e kapur dhe ngulfatur nga
uzurpatorët e të gjitha llojeve e ngjyrave.
Mospërfshirja
në listat e subjekteve politike të kandidatëve të dënuar për vepra penale,
paraqet krijimin e një standardi të ri politik në Kosovë, ku më asnjëra parti
nuk do ta ketë guximin të fusë në listën e saj kandidat që kanë pasur problem
me ligjin përgjatë tre vjetëve të fundit.
Krijimi
i standardit të ri politik, paraqet fillimin e ndryshimit epokal, pjesa tjetër
u mbetët qytetarëve të vendit, nëse e duan ndryshimin apo vazhdimësinë!
Sikurse
në zgjedhjet e kaluara, edhe në keto te 14 shkurtit, liderët dhe partitë
politike do të garojne me kauzën e pushtetit e jo të ndërtimit të shtetit.
Sikur
liderët ta kishin qëllimin e shtetit do t'i lenin menjëanë interesat partiake
dhe do të bëheshin bashkë në koalicione të mëdha parazgjedhore për të mirën e
shtetit dhe qytetarëve.
Duket
qartë, se asnjërit liderë partiakë nuk po i intereson e ardhmja e shtetit
nesër, por si do të duket partia e tyre një ditë pas zgjedhjeve.
Tendenca
për dominim apsolut partiak dhe ambicie personale për pushtet e ka zbehur
interesin për shtetin.
Me
sistemin politik që ka Kosova, dominim apsolut partiak nuk ka pasur në
periudhën e parë të pasluftës, nuk ka sot dhe nuk do të ketë as në të ardhmen e
afërt.
Se
cila parti ka shënuar ngritje e cila rënje të elektoratit gjatë këtyre muajve
të fundit, do të jetë elektorati, ai që do t’ua jepë përgjigjën e merituar të
gjithë rrahagjoksëve të partive politike.
Pa
dashur të flas në mënyrë hipotetike për përqindjet e rezultateve zgjedhore dhe
cila do të delë partia e parë, tri partitë e mëdha do të jenë në garë për
vendin e parë.
Megjithatë,
dy gjëra janë të ditura paraprakisht; e para, asnjëra prej partive politike nuk
do ta arrijë të fitojë 50 % të votave të qytetarëve dhe e dyta, AAK-ja do të
jetë partia e katërt shqiptare, e cila pavarësisht ngritjes apo rënjes në
përqindje, do ta kushtëzojë koalicionin me partinë fituese apo koalicionin
paszgjedhor me postin e presidentit.
Kushtëzimet
e lidërve partiakë nuk janë standard i ri politik, por janë vazhdimësi e
shantazhit ndaj rivalëve politik pa përfillur forcën elektorale dhe vullnetin e
qytetarëve.
Rezultatet
e partiive tjera minore dhe nismave qytetare do të jenë të papërfillshme në
zgjedhjet e 14 shkurtit, pra rrezikojnë të mbeten jashtë pragut zgjedhor. Për
t'i shpëtuar kësaj, do të jenë të detyruara të futen në listat e partive të
mëdha.