| E diele, 10.01.2021, 12:50 PM |
Një
votë, një maskë gratis!
Shkruan:
Florim Zeqa
Si
pasojë e vënjes së maskave kirurgjike, është e vështirë të dallohet e bukura
nga e shëmtuara, e mira nga e keqja, i gëzuari nga i pikëlluari, por nga vënja
e maskave politike, do të dallohen më lehtë mbështetetësit e partive politike
në Kosovë. Në pragë të fushatës zgjedhore, partitë politike pa dallim, do t'i
shpërblejnë bizneset e vogla, të cilat e bëjnë prodhimin dhe shpërndarjen e
maskave me simbole partiake.
Në
zgjedhjet e 14 shkurtit, përveq votes së fshehtë (maskuar) për herë të parë do
t'i kemi edhe votuesit e maskuar, por, të cilët do të jenë të detyruar ta
zbulojnë fytyrën para komisionerëve, sikurse e votën tyre (me foto) në kabinen
e votimit për t'u arsyetuar para bosëve partiakë për premtimin e votës së
dhënë!
Si
asnjëherë më parë, në zyrat e partive politike, qytetarët do të mund të pajisen
me maska partiake me slloganin zgjedhor të subjektit, me flamuj dhe simbole
tjera partiake dhe jo vetëm.
Gjatë
fushatës zgjedhore, qytetarët pa shkuar fare në pikat e shitjes, do ta kenë
mundësinë, që në zyrat e partive politike të pajisen me mbushje të kartelave
telefonike, me bona të ndryshëm fiskal për blerjen e karburanteve dhe artikujve
ushqimor si shpërblim për mbështetjen e fushatës zgjedhore deri në aktin final
të votimit në 14 Shkurt 2021.
Që
i bie se, ata qytetarë të cilët nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi deri në këtë
datë, më nuk do ta kenë deri në zgjedhjet e radhës, të rregullta apo të
jashtëzakonshme qofshin ato.
Gjatë
fushatës 10 ditore, të ngarkuar me punë do të
jenë edhe kompanitë e transportit publik dhe privat, gjegjësisht
autobustët dhe minibusët të cilët do të bartin elektoratet e partive politike
nga e gjithë Kosova për në Prishtinë, për të demonstruar forcën numerike të
partive politike në sheshet kryesore të kryeqytetit.
Por
puna më e vështirë e transportuesve privat, do të jetë bartja e elektoratit të
nismave dhe partive të vogla çdo ditë nëpër e gjithë Kosovën, për prezentuar
numër sa më të madhë të mbështetëseve të tyre.
Dita
e gjykimit (votimit) do të jetë ngjarja më kulmore e gjithë këtij procesi
zgjedhor, ku secili nga votuesit besnik të subjekteve politike do të mbështesë
me dorën e vet 5 kandidatët më të preferuar për deputet të listës zgjedhore për
të cilën është përcaktuar, mashtruar apo blerë gjatë fushatës zgjedhore.
Kjo
nuk ishte analizë dhe as mbështetje për ndonjë subjekt politik, por thjeshtë
një parashikim real i situatës me të cilën qytetarët e Kosovës do të ndeshen
gjatë fushatës zgjedhore.
Në
fund të këtij shkrimi e kam një thirrje të sinqertë për simpatizantët e të
gjitha partive dhe nismave politike në Kosovë. Mbështetni dhe përkrahni me
zemër preferencat e juaja partiake, por në asnjë mënyrë mos bini pre e
emocioneve dhe e zemërimeve të çastit,
mos përdorni gjuhë fyese dhe denigruese ndaj partive rivale dhe kandidatëve të
tyre.
Në
asnjë rrethanë mos përdorni gjuhë fyese ndaj njëri-tjetrit, mos u prishni me
vëllaun, me mikun apo me fqinjin tuaj për interesa partiake, e aq më pak për
interesa të liderëve partiakë. Ngase partitë shkojnë e vijnë, liderët ndërrohen
njëri pas tjetrit, por ju nuk mund t'i riktheni më raportet e mëparshme me
njëri-tjetrin.