| E premte, 08.01.2021, 10:23 AM |
Ah
dashni, dashni e vjetër!
Nga
Florim Zeqa
Koinçidencë
apo rastësi, e qëllimshme apo më porosi, kësaj radhe fati e deshi që data për
zgjedhje të jashtëzakonshme të caktohet më 14 Shkurt, në ditën e Shën
Valentinit, në ditën e të dashuruarve, e cila promovon dashurinë e qytetarëve
ndaj politikanëve dhe dashurinë e pakufishme të këtyre të fundit për pushtet
dhe privilegje personale.
Vendimi
i Gjykatës Kushtetuese për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveq
gëzim dhe zhgënjim të subjekteve politike, me vendimin për mospërfshirje të
personave të dënuar në listat zgjedhore, ka shkaktuar hidhërim dhe shqetësim në
shumicën e subjekteve politike pjesëmarrëse në garën zgjedhore.
Pa
dyshim, goditja më e rëndë nga ky vendin i kushtetueses i shkon LVV-së, e cila
nuk do të ketë mundësi ligjore ta fusë në listën zgjedhore liderin e saj, Albin
Kurti, i dënuar për vepër penale.
Situata
e krijuar në LDK pas largimit të Vjosa Osmanit e dëshmon se emërimet dhe
ngritjet pa merita në një parti politike nuk sjellin rezultate, por janë
proceset e brendshme zgjedhore ato që prodhojnë rezultate, sjellin freski dhe
ngritje të qëndrueshme të partisë.
Zgjedhjet
e 14 shkurtit do të jenë sfidë e rëndë për LDK-në, por jo edhe e
papërballueshme. Do të jetë e pafalshme për eliten intelektuale në LDK mosgjetja e rrugës për dalje nga labirinthi
në të cilin i ka futur lideri aktual.
Pas
largimit të "zonjes së hekurt" nga partia, zgjedhjet e 14 shkurtit do
të jenë sfidë e rëndë për LDK-në, por jo edhe e papërballueshme.
Shkuarja
e vetme në zgjedhje e zonjes Osmani, përveqse e vështirë, është e vetmja mundësi për jetëgjatësi në skenën
politike kosovare. Përveq matjes reale në "peshoren" e elektoratit,
do t'i linte asaj rrugën hapur për bashkëpunim dhe rikthim në shtëpinë e madhe,
e cila e prodhoj dhe e ngriti deri në majat e shtetit.
Hyrja
e Lista Vjosa (LV) në listën e LVV-së do t'i siguroj Vjosa Osmanit postin e
deputetes dhe ngritjen e çastit, por edhe rënjën katastrofale si subjekt nga
skena politike.
Ndryshe,
sllogani i LV-a "GUXO" do të ketë kuptim vetëm në rast se "zonja
e hekurt" e merr guximin të garoj e vetme në zgjedhje, në të kundërtën, do
të përkthehet në frikë dhe pasiguri personale, në mashtrim dhe zhgënjim për
mbështësit e saj.
Bashkimi
në një listë zgjedhore i LV-a me LVV-e, paraqet lidhjen politike më hipokrite,
më të panatyrshme dhe më të pasinqertë në këto dy dekadat e fundit. Kjo nuk
është lidhje ideologjike, nuk është lidhje e parimeve dhe as e programeve
politike, nuk është lidhje për interesin e qytetarëve, por është thjeshtë
lidhje interesi personal.
Për
të mos u hyrë në "hak" lexuesve, edhe dy fjalë për partitë e tjera.
PDK-ja për një ngritje të lehtë do ta shfrytëzojë mungesën e dy liderëve të
saj, për të mobilizuar elektoratin me kartën e "çlirimtarëve", ndërsa
AAK-ja e fokusuar pas kandidaturës Ramush Haradinajt për president, e pret
fituesin e zgjedhjeve për të hyrë në lojën për pushtet. NISMA në listën
zgjedhore të PDK-së dhe AKR në atë të LDK-së, synojnë futjen në Kuvend të
Kosovës dhe bërjen pjesë e ekzekutivit përmes koalicioneve paszgjedhore.
Për
të mos u zgjatur tutje, në ditën e të dashuruarve do të kemi zgjedhje, por jo
edhe zgjidhje të krizës politike në vend, për shkak se nuk do të ketë fitues
apsolut të zgjedhjeve më 14 Shkurt 2021, por vetëm përseritje të përafërt të
rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit 2020.
Në
ditën e Shën Valentinit, do të kemi vetëm riciklime të dashurive politike dhe
përseritje të situatave paraprake, të ngërçeve politike për formimin e
qeverisë, të cilat do të thellohen akoma më shumë me prapaskenat për zgjedhjen
e presidentit.
Ata
që gjatë fushatës fyejnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin, pas zgjedhjeve do t'i
shihni përseri bashkë në qeverisjen e vendit, "urrejtjen" do ta
kthejnë në dashuri në stilin e këngës "Ah dashni, dashni e vjetër, s'të
kisha lanë në dorë të dikuj tjetër, edhe pse të lash dikurë, me të harru nuk
munda kurrë..."