| E premte, 08.01.2021, 06:57 PM |
Aleanca me Turqinë -Shpërfytyrimi i gjeografisë shqiptare
Teatrot,
sallat koncertale, kinematë dhe amfiteatrot po zëvendësohen me xhami e mejtepe,
kurse aleancat strategjike me Italinë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë së Madhe e ka zënë
aleanca me Turqinë dhe Serbinë.
Nga Gani MEHMETAJ
Dikur
Shqipëria ishte zgjatim(bisht) i komunizmit sovjetiko-jugosllavë më të egrit në
Evropë. Sot po bëhet zgjatim (bisht) i myslimanizmit turk më arrogantit dhe më
ngatërrestarit në Evropë dhe në botë. Që të dy herët ishin aleanca të
shpërfytyruara dhe të panatyrshme. Jugosllavia, që ishte Serbi e zgjeruar dhe
Bashkimi Sovjetik, Rusia më e madhe në histori, i kishin armiq historikë, kurse
Turqinë kurrë mik nuk e bëmë, sepse mbeti shija e hidhur e gjenocidit të
dikurshëm.
Në
dhjetëvjetëshin e fundit, kur ofertat perëndimore ishin të pakufishme, diplomacia e çoroditur shqiptare, konfuze dhe
e shitur, po e shkëpuste shtetin dhe kombin nga kontinenti i vjetër, duke ia
çrregulluar boshtin strategjik, me rrezik që ta përpijë vrima e zezë. Nga
mosdija a nga ligësia shteti shqiptar u largua nga Italia, fqinji më i
rëndësishëm strategjik përtej deti, qendra më e madhe e trashëgimisë kulturore
në botë, me ndikim të fuqishëm në kulturën e qytetërimin tonë, që i mbështeti
aq shumë shqiptarët pas rënies së komunizmit.Ata na ndihmuan në çlirimin e
Dardanisë.
Aleancën
strategjike me Italinë e zëvendësoi me shtetin e pështjelluar turk nga i cili
pos xhamive e bakllavave nuk pati asnjë përfitim, ndërsa do të ketë pasoja të
pariparueshme.
Tirana
zyrtare u largua me vetëdije nga Franca, që është vendimtare për pranimin a
mospranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropianë. Franca dikur i dha vulë
ngritjes sonë kombëtare e qytetëruese, kishim mundësi ta bënim mik për kokë,
sepse Parisi bëri shumë për çlirimin e Dardanisë, madje forca ushtarake
franceze ishin vendimarrëse në NATO.
Shtetarët
shqiptarë e zhgënjyen edhe aleatin historik Gjermaninë dhe Austrinë, duke u
lidhur me Turqinë e Erdoganit që vetëm sa nuk u shpalli luftë Berlinit e
Vjenës. Diplomacia shqiptare sikur i bënte paralelizëm Gjermanisë dhe Austrisë,
shto edhe Francës, duke u takuar si për inat edhe më
shpesh me Erdoganin. Ndërkaq, ndikimi i Austrisë e Gjermanisë e siguroi
pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.
Kryeministrit
shqiptar ia kanë mbyllur dyert burrështetasit evropianë e të SHBA-ve, e kanë
izoluar në Tiranë si dikur Enver Hoxhën. I ka mbet Beogradi e Ankaraja. Për
inat të kësaj situate, ai u hodh në prehrin e presidentit turk. Për inat të
burrështetasve evropianë që e përbuzën të parin e Turqisë, ai e priti Edi Ramën
me parada cirku dhe me ushtarë me uniforma cirkusantësh nga Muzeu i Top Kapisë
së Stambollit.
Shpallja
e Turqisë aleate strategjike, është zhvendosje e boshtit të orbitës
shqiptare, është shpërfytyrim i
gjeografisë shqiptare, është shkëputje nga Evropa. Këtë aleancë mund ta bënim
me Italinë, me Gjermaninë, Francën, por kurrë me Turqinë. Është i njëjti gabim
që e bëri Enver Hoxha me Jugosllavinë dhe me Bashkimin Sovjetik.
Dhe për zhvendosje aleancash nga lindja, i
rrënuam teatrot, i lamë pas dore kinematë, sallat koncertale, ndërsa ndërtojmë
xhami, qindra e mijëra xhami. Operat italiane po i zëvendësojmë me britma të
hoxhallarëve, teatrot me mejtepe. Ishte
rasti që të ashtuquajturën Xhami e Plumbtë, që ishte kishë katolike e
shqiptarëve, ta kthejmë në kishë si trashëgimi kombëtare , por Turqia
këmbënguli ta bëjë prapë xhami.
Zhvendosja e shtetit shqiptar në Lindje është e frikshme me pasoja që të rrëqethin, kur i mendon.
Dardaniapress.com