| E marte, 05.01.2021, 05:05 PM |
Flasin Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Jorgo Papingji, Alida Hisku, Kastriot Tusha, Ylli Baka
Ja urimet e artistëve të mëdhenj për vitin e ri
2021
Tashmë janë orët e fundit të vitit 2020. Ky
vit që po lemë pas pati një problem mbarëbotëror -Covid-19. Një virus që solli
një pështjellim në shëndetin e njerëzve dhe frenoi ekonominë botërore. Ky virus
e rriti më shumë papunësinë, varfërinë, gëzimin e njerëzve. Bota u mbyll më
shumë dhe u thelluan më shumë hendeqet mes të pasurve dhe të varfërve. Tashmë
diskutohet se vaksina është gati. Njerëzimi me sytë tek vaksina. Mbetet i vetmi
shpëtim. Ndoshta 2021 do të jetë më i bukur, më i gëzueshëm, më i paqtë dhe më
i begatë. Ja si shprehen artistët për vitin që po lemë pas dhe urimet për vitin
e ri 2021.
Nga Albert
Z. ZHOLI
Viti i Ri është koha në të cilën një vit i ri kalendarik fillon numërimin.
Në shumë kultura, kjo festë festohet në të njëjtën mënyrë. Viti i Ri i kalendarit gregorian, sot
në përdorim në mbarë botën, bie në 1 janar, ashtu siç ndodhte edhe me
kalendarin romak. Ka kalendarë të shumtë që mbeten në përdorim rajonal që e
llogarisin Vitin e Ri ndryshe. Sipas traditës katolike, 1 janar është dita e rrethprerjes
së Jezusit (në ditën e tetë nga lindja e
tij), atëherë kur iu vu edhe emri (Lluka 2:21). Për babilonasit, viti i ri fillonte me rilindjen e
Tokës, domethënë me pranverën. Por, përse viti i ri festohet në dimër, në datën
1 janar? Sepse romakët antikë, vazhdonin të festonin vitin e ri në marsin e
vonuar, por kalendari i tyre ishte i ‘sinkronizuar’ me diellin. Kështu Jul
Cezari, në vitin 46 para Krishtit, krijoi atë që ende edhe në ditët e sotme
është i njohur si kalendari Julian, që
stabilizonte fillimin e vitit të ri ditën e parë të vitit, pra në një janar.
Këtë ditë romakët ftonin miqtë e tyre dhe shkëmbenin dhuratë një vazo të bardhë
me mjaltë dhe gjëra të tjera që ishin urim për fat dhe lumturi. Këtu ekzistonte
dhe imazhi i Dea-s, e cila kishte domethënien e fatit dhe të lumturisë. Në
shumë vende europiane, përdornin kalendarin Julian. Ndërsa të tjerët e festonin
vitin e ri sipas kalendarit të tyre për shembull në 1 mars (Viti i Ri në Romën
Republikane) 25 dhjetor (Krishtlindjet). Vetëm me përdorimin universal
të kalendarit Gregorian (nga emri i papës Gregorio XIII, i cili e ideoi në
vitin 1582), data e 1 janarit shënon fillimin
e vitit të ri duke u bërë një gjë e përbashkët për të tërë. Data 1 janar është pranuar relativisht vonë në
kulturën perëndimore si dita e parë e vitit. Deri në vitin 1751 në Angli dhe Uells (dhe të gjitha zotërimet britanike) viti i ri
fillonte më 25 mars. Ndryshimi u bë në vitin 1600 në Skoci. Gjatë mesjetës disa
ditë të tjera janë marrë si ditë të fillimit të vitit kalendarik (për
shembull 1 marsi, 25 marsi, Pashkët, 1 shtatori, 25 dhjetori). Në shumë vende, të tilla
si Republika Çeke, Italia dhe Britania e Madhe, 1 janari është festë
kombëtare. Me përhapjen e kulturës perëndimore në shumë vende të tjera në botë
gjatë shekujve të fundit, kalendari Gregorian është
miratuar nga shumë vende të tjera si kalendar zyrtar, si dhe data 1 janar e
Vitit të Ri është bërë globale, madje edhe në vende që kanë datën e tyre të
fillimit të Vitit të Ri si Kina dhe India. U desh shumë kodë derisa data 1 janar të pranohej botërisht
si standard i fillimi të Vitit të Ri.
Margarita Xhepa
Eh, ky vit! Vit që na ndau nga njerëzit, nga
aktivitetet. Jetojmë në ankth dhe shpresë me besimin tek e ardhmja. Askush nuk
e mendonte një murtajë të tillë. Dukemi si të izoluar në vitet e lirisë. Por
kemi besim se do e kalojmë. Jeta do marrë ngjyrat e saj. Aktivitetet sërish do
zbukurojnë Shqipërinë. Në 2021 besoj se do jetë dhe viti i hapjes së
negociatave për në BE. Në horizont duken agime të reja, të ndezura dhe plot
shpresë. Ne jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë vështirësi dhe e
besoj se dhe tani do ta kalojmë. Jemi kalitur me vuajtjet. Shqiptarëve u takon
një fat i bukur. Ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri 2021. Suksese, begati,
lumturi në familje. Ne meritojmë shumë si komb.
Alida Hisku
Përshëndetje nga Gjermania e ftohtë. Dhe pse
larg, me mendje dhe me zemër jam tek ty Atdheu im, tek ty Shqipëria ime. Kjo
flamë na ndau nga takimet e drejtpërdrejta, por ne jemi me zemër të bashkuar.
Kjo situatë duhet të na japë më shumë forcë, më shumë dashuri, më shumë besim
tek e ardhmja. Ky vit që po lemë pas ishte për mua këtu në Gjermaninë e largët,
viti që atdheu më mungoi shumë. Shijuam këto dy vite suksese, por dhe dy
dhimbje siç ishte tërmeti i 26 nëntorit dhe Covid-19. Por largësia nuk na ndau,
por na bashkoi më shumë. Të gjithë kishim nga një flamur të vogël në zemër. Të
gjithë kishim fjalën Shqipëri në gojë. Të gjithë ne kudo në botë ju falëm zotit
për njerëzit tanë, bashkëkombësit tanë. Në këto situatë bota na ndihmoi por
edhe u habit nga solidariteti ynë, nga bashkimi ynë. Ne treguam se dimë të
festojmë, se dimë të gëzojmë, se dimë të respektojmë dhe të ndajmë dhimbjen dhe
të forcohemi. Gëzuar vitin e ri 2021 bashkëkombësit e mi kudo në botë! Gëzuar
në mënyrë të veçantë, ju emigrantë, pasi Ju aty ku punoni dhe jetoni jeni një
Shqipëri e vogël! Gëzuar!
Bashkim Alibali
Ky vit që po lëmë pas, ishte një vit i
mbushur me probleme botërore. Ne meritojmë shumë, pasi jemi një popull punëtor,
liridashës dhe me shumë kërkesa në jetë. U desh tërmeti i 26 nëntorit dhe ky
virus që ne të zbulonim shumë cilësi të reja si bashkimi, vëllazërimi,
solidariteti. Viti që vjen besoj se do ketë shumë të reja në jetën e popullit
tonë. Besoj se ne do futemi shumë shpejt në Europë. Ne na takon shumë dhe Europa
duhet të na marrë në gjirin e saj. Gëzuar vitin e ri 2021. Gëzuar të gjithë së
bashku dhe ta ngremë një dolli për unitetin, për bashkimin. Vitit 2021 qoftë
viti i shqiptarëve, viti i realizimit të ëndrrave shekullore! Gëzuar!
Luftar Paja
Në këto ditë të vështira dua që populli im në
ditët e Vitit të Ri ti lëjë pas hallet, shqetësimet, problemet dhe të mblidhet
në sofrën e Vitit të Ri plot shpresë dhe besim. Kami kaluar dy ngjarje të
vështira këto dy vjet. Dy ngarje që na kanë lënë gjurmë të thella. Tërmetin e
vitit 2019 dhe Covid-19 në vitin 2020. Por jeta kjo është. Ka të mira dhe të
këqija. Ne tashmë jemi mësuar me situata të tilla. Me durim dhe këmbëngulje
besoj se do t’i kalojmë këto situata. Presim nga 2021 hapjen e negociatave dhe
zhdukjen e virusit. Besojmë dhe shpresojmë se zoti do e mbështesë Shqipërinë.
Me besim tek vetja dhe tek e ardhmja le të themi mes nesh, Gëzuar Vitin e Ri
20121! Mbarësi në të gjitha aspektet e jetës!
Luan Zhegu
Jemi në pragndarjen e viteve. Dhe në këtë
pragndarje bëhen shumë bilance. Po ti shohësh me syrin e një artisti shikojmë
se kemi kaluar situata shumë të vështira. Janë dy vite që kanë lënë gjurmë tek
vendi ynë. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe Pandemia 2020. Situata që frenuan botën
që frenuan zhvillimin dhe sollën depresion. Kjo situatë na bëri më të ndjeshëm
dhe më të heshtur. Por shqiptari gjithmonë beson tek puna dhe te e ardhmja. Do
e kalojmë këtë situatë. 2021 do jetë vit më i bukur, me plot aktivitete dhe
mirëqenie. Viti që po ikën na la një plagë, por na bëri dhe më të fortë. Na
bashkoi më shumë pas tërmetit dhe pandemisë. Gëzuar Vitin e Ri 2021! Gëzuar
shqiptarë kudo që jeni dhe ky vit të rrisë begatinë në vatrat tuaja familjare!
Reshat Arbana
Viti 2020! Vit mbushur me dhimbje pasi u
larguan nga kjo jetë parakohe shumë nga miqtë tanë. Ishte vit i vështirë. Ishte
vit me shumë situata. Ishte vit me suksese por edhe staniacione. Sa kaluam
tërmetin, ja behu Pandemia. Ishin vitet e tërmetit të madh dhe të pandemisë së
madhe. Por pamë se më i madh ishte bashkimi i shqiptarëve, ku ne si komb
treguam unitetin aq më tepër shqiptarët kudo në botë. Viti i ri 2021 vjen ende
mes entuziazmit të këtij uniteti. Ky vit besoj do jetë viti i shumë gëzimeve, i
shumë sukseseve. Gëzuar vëllezërit e mi kudo në botë Vitin e Ri 2021! Lumturi
paçi në familjet tuaja!
Kastriot Tusha
Po ikën viti 2020! Një vit që u duk sa një
shekull. Një vit izolimi dhe brengosjeje. Fatkeqësia e 26 nëntorit na hapi një
plagë, Pandemia e shtoi atë, por dhe tregoi solidaritetin tonë, forcën tonë të
bashkim –vëllazërimit. Viti që vjen mendoj dhe besoj se do të ketë më shumë
ngjarje të tjera siç është marrja e statusit të vendit kandidat për në BE.
Pandemia do të zhduket. Shqipëria do buzëqeshë. Jeta do lulëzojë. Gëzuar Vitin
e Ri 2021, gëzime paçi kurdoherë!
Jorgo Papingji
Po ikën, po ikën 2020. Po ikën duke na lënë
disa plagë. Ikën në përjetësi disa shokë që ishin pjesë e jetës sonë. Kur
mendonim se sukseset do vazhdonin pas tërmetit të 26 nëntorit bota përjetoi një
ngjarje tjetër të rëndë, Covid-19. Ky virus hapi një plagë të madhe, një plagë
që na rëndoi psikologjikisht Ishte në një moment delikat për shqiptarët.
Dëshiroj që gjithë shqiptarët të mos kenë dhimbje të tilla, fatkeqësi të tilla.
Gëzuar Vitin e Ri 2021! Kam besim se këto vite të vështira do harrohen shpejt
nga kujtesa e shqiptarëve. Duam ta gëzojmë jetën, kryesisht të rinjtë. Ata nuk
e pranojnë izolimin. Le të jetë ky vit i mbarësisë për shqiptarët kudo në botë.
Ylli Baka
Viti që po lemë pas na solli shumë
shqetësime. Pandemia na izoloi. Kënga u largua nga sofrat shqiptare.
Aktivitetet u venitën. Arti kaloi një situatë të vështirë. Por përsëri nuk ramë
në pesimizëm. Besoj se më e keqja kaloi. Ne kërkojmë dhe punojmë për një të
ardhme më të mirë, më të bukur. Viti i ri do na gjej me këngë, aktivitete,
spektakle, me gëzim dhe hare. Boll më me shtrëngesa. Në horizont duket një
qiell i kaltër. Buzëqeshja do u kthehet shqiptarëve. Ne meritojmë shumë. Na
mungojnë dasmat, këngët, takimet me miqtë dhe shokët. Jeta jonë duhet të jetë
këngë. E tillë do të jetë. Fati do jetë me shqiptarët. Viti i ri do ketë
surpriza. Gëzuar dhe mirësi ne çdo familje shqiptare.