| E marte, 05.01.2021, 10:26 AM |
ALI IBËR NEZAJ I LIDHJES SË PRIZRENIT, QË NUK E BËNË “HERO I POPULLIT”, POR TANI NGRIHET DHE NË SHTATORE NË SHQIPËRI E NË KOSOVË
-Intervistë
me skulptorin Isa Baliaj, Mjeshtër i Madh, autor i shtatores së Ali Ibër Nezaj,
që do të vendoset me 14 Nëntor 2020 edhe në vendlindjen e tij, në Tropojë,
dhënë gazetarit Ramiz Lushaj-
-Si u
njohët me figurën e patriotit Ali Ibër Neza, për të realizuar shtatoren e tij
në bronx?
-Po, kjo është një ndër
veprat më të dashura të krijimtarisë time. Arsyet janë disa. Figura e këtij
strategu dhe atdhetari është frymëzuese, si nga veprimtaria e tij, ashtu dhe
nga paraqitja fizike.
Rëndësi të madhe ka fakti
se unë, shumë herët, si fëmijë dëgjoja në odat e burrave këngë dhe histori të
ndryshme.
Unë në mendjen time e kisha
ndërtuar këtë figurë, dhe erdhi dita ta realizoj.
Ju e dini që në vitin 1978
iu dha titulli “Hero i Popullit”, Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe Mic
Sokolit, por u përjashtua nga ky titull
Ali Ibër Nezaj për arsye se ishte arratisë një pasardhës i tij. Pra, si i
thoshin atëherit, kjo “ja prishi biografinë…”! Sa e pakuptimtë! Unë vërtetë e
ndjeva fyerjen që iu bë këtij burri të shquar. Në të gjitha këngët ishin bashkë
dhe i ndanë… Kujtojmë këngën: Mic Sokoli po pisket /Ali Ibres po i thërret /etj
etj.
Por, ja, vjen dita e
vlerësimit. E vendosi shtatoren e tij qyteti i Gjakovës në vitin 2012 dhe tani
po e vendosë edhe Malësia e Gjakovës në qytetin tonë me kontributin e Familjes
Nezaj. Kjo të bën krenar, jo veç mua si autor, por dhe familjen e krahinën e
tij, Kombin tonë, i jep vlerë qytetit tonë që vazhdimisht po ndryshon pamjen e
vet për mirë.
- Si ju
çuan këto njohje të hershme tek frymëzimi për veprën tuaj skulpturale!
-Pavarësisht nga njohuritë
që po them se i mora nga populli, unë jam angazhuar edhe kohëplotë edhe në
ngritjen e Muzeut Historik të Rrethit, që renditej në muzetë më të mirë të
kombit. Atë e ngritëm duke ndejtur netë pa gjumë dhe vërtet doli i shkëlqyer si
aranxhim dhe për vlerat artistike e historike. Ai qe dhe si një shkollë për ne.
Historianët e nderuar Elez Qerimi, Dodë Progni e Sherif Basha gërmuan arkivat,
realizimin e periudhave e bënë piktorët Hajdar Danjolli, Nazmi Hoxha e Adullah
Gjongeci. Unë ndiqja punimet në gur e dru dhe e realizova fasadën e Muzeut në
bronx. Dola pak nga pyetja juaj, por për figurën e Ali Ibër Nezës aty u fol
shumë dhe vërtetë kishte çka të flitej…
Rreth vitit 1980 unë duke
pa bosh një shatërvan në mes dy Komiteteve të atëhershme, siç thirreshen
atëherë, bana një bocet me një shqiponjë (shpend) me krahë të hapur dhe dy
buste të Ali Ibres e të Mic Sokolit, që për mendimin tim ishte dhe një
simbolikë e bukur e dy fiseve që gjithmonë kanë qënë të lidhura me
njëri-tjetrin.
Unë kam njohur dhe kam
patur miqësi të mirë me shkrimtarin Sulejman Krasniqi dhe kur po shkruante
romanin Mic Sokoli shkoi në arkivat austriake. -U habita,- më tha ai,- sa shumë
herë më dilte emri i Ali Ibrës e nganjëherë dhe përshkrimi fizik i tij, si
veshja elegante në tirq, mitan e jelek e një burrë i paraqitshëm, i zgjuar si
një diplomat.
-Për
veprën tuaj për Ali Ibër Nezaj a kishit për bazë ndonjë foto apo krijim të
maparshëm?
-Foto të patriotit Ali Ibër
Nezaj nuk kishte, ashtu sikurse as bashkëluftëtarët e tij, por kur u ngrit
Muzeu Historik i Rrethit të Tropojës, u krijua një portret sipas përshkrimeve
dhe e realizoi një vizatim Abdullah Cangonji, një piktor që kishte eksperiencë
në realizime të tilla.
Kur e realizova shtatoren
më sollën një figurë në pikturë, nuk di nga kush, që dukej se është bazuar tek
ajo e Muzeut. Unë iu qëndrova besnik këtyre dy varianteve, por njoha dhe shumë
pasardhës të tij, që të kujtojnë se është i atij fisi, i asaj rrace të fisme,
që përgjithësisht janë të pashëm.
-Ju, si
autor, si e ndjeni veten kur sheh realizimet e tua, veprat e tua, në sheshe a
lulishte…?
-Kjo, mbi të gjitha më jep
kënaqësi, pa e fshehë dhe krenarinë, aq më shumë kur për to mbahet qëndrim
pozitiv i opinionit.
Për mua vendosja në bronx e
një vepre, edhe si kjo e Ali Ibër Nezaj, është vlerësim, një vlerësim i madh.
Ajo nuk mbetet më e imja.
Për këtë shtatore të Ali
Ibër Nezajt u interesua Bashkia e Tropojës dhe personalisht kryetari i saj, z.
Rexhë Byberaj, si dhe urbanistët, ndërtuesit e gjithë stafi që u morë me këto
punime me cilësi shembullore.
-Deshëm
të dinim se me kë e realizuat në piedestal shtatoren e Ali Ibër Nezajt për ta
vendosur në Tropojë, në vendlindjen e tij?
-Veprën skulpturore e
realizova me djalin tim, Kushtrimin, që e ndoqi në çdo detaj deri në
përfundimin e saj në bronx. Sheshin e përshtati vëllai im arkitekt, Artan
Baliaj dhe djali i tij, Genti, që më duket një zgjidhje mjaft e mirë e
funksionale. Punimet në gurë i realizoi Besnik Prela. Janë dhe shumë të tjerë
që meritojnë të falenderohen për kontributet e dhëna.
Por fjalët më të mira i kam
për iniciatorët për këtë shtatore, për Familjen e Ali Ibër Nezajt, që e bënë
këtë investim serioz. Përshtypjet më të mira, që organizoi kryerjen e të gjitha
punëve, e që meriton shumë mirënjohje, është Granit Nezaj, djali nga Shipshani,
që vendosi dhe e realizoi katragjyshin e tij duke i ba nder edhe Tropojës, edhe
mbarë vendit. Me seriozitetin dhe vendosmërinë e tij dola në konkluzion që
gjithmonë Malësia jonë nuk mbetet pa djemë që punojnë e kontribuojnë për
vendlindjen e vet. Prandaj, për Granitin kam falenderim të veçantë, si dhe
Familjen Nezaj, që i dhanë ndihmë në këtë realizim që do të mbetet në shekuj.
Intervistoi: Ramiz
LUSHAJ