| E hene, 04.01.2021, 04:58 PM |
Rifat
Tahir Prençi me ish Presidentin e SHBA-ve Xhorxh W Bush
Rrëfen
shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik
Si më ndihmuan dhe u
bëra mik me dy presidentat amerikanë të familjes Bush, at e bir…
Nga
Dukagjin HATA
Shqiptaro-amerikani
Rifat Prençi endet mes Shqipërisë dhe SHBA dhe tani në moshën 83 vjeçare, kur
kujtesa e të kaluarës tek ai po bëhet më aktive se kurrë, ndjek gjurmët e të
ndodhurave të jetës së tij, përgjatë një kalvari të pashembullt në rrugën e
Golgotës. Në këtë rrugë vuajtje e privimi unik, me 23 vjet burg politik dhe me
gjithë barrën e “mëkatave” të pa kryera mbi shpinë, jeta e tij ka pasur vetëm
pak vezullime lumturie e kjo ka ndodhur vetëm pas hapjes së Shqipërisë me
botën, kur mund të themi se ndriti dhe ylli i fatit të tij. Njohjen me familjen
e shquar të Bushëve, me Bushin e Vjetër dhe të Riun, dy presidentët e shquar të
SHBA-ve, Rifati e konsideron si kryefatin e jetës së tij, mbushur me plagë e
dhimbje.
Pas
disa dekadave, hapja e Shqipërisë mundësoi që për Rifat Prençin të
intersoheshin njerëz me ndikim të fuqishëm politik në Amerikë dhe konkretisht
George H. W Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i
cili në kohën kur i ati, Tahir Prençi, stërvitej në kompaninë 4000, e kishte
njohur nga afër, pasi ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, si ish shef i
CIA-s.
-Kush është Rifat
Prençi?
-Jam
me origjinë nga Dibra, i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, stërvitur
nga CIA amerikanë në kompaninë 4000, në Mynyh të Gjermanisë, ardhur si desantë
në Shqipëri në mesin e viteve ’50 dhe kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit,
ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës. Jeta ime ka rrjedhë në
hullinj të trazuar, për shkak të tim eti, që konsiderohej “armik” nga Diktatura
dhe mbi mua, si i biri i tij, ra me egërësi tehu i përgjakur i shpatës së një
regjimi të egër e diabolik, që e kishte ndërtuar jetëgjatësinë e pushtetit të
vet mbi vuajtjet dhe privimet e atyre që i quante “klasa të përmbysura”. Im atë
nuk kishte bërë asnjë krim, përveçse nuk e donte komunizmin dhe për ta
përmbysur këtë klikë gjakatare, që kishte ardhur nga stepat ruse, si pushtuese
nga brenda e nga jashtë vendit, bashkëpunoi me aleatët historikë më të mëdhenj
të popullit shqiptar, aleatët amerikanë.
Në
kompaninë stërvitore 4000, në Mynyh të Gjermanisë, im atë dhe
bashkëqëndrestarët antikomunistë shqiptarë, që përgatiteshin për të rrëzuar
qeverinë komuniste të Tiranës, instruktoheshin drejtpërdrejt nga CIA. Babai im
kishte lidhje të drejtpërdrejta dhe për më tepër kishte miqësi personale me ish
shefin e CIA-s së atyre viteve, George H. W Bush, pra me Xhorxh Bushin e
Vjetër.
Por,
në kohën që ndodhnin këto, unë isha fëmijë dhe nuk e ndieja ende me gjithë
egërsinë dhe brutalitetin e vet, peshën dërrmuese të luftës së klasave, që do
të më rëndonte për rreth tre dekada si një makth…
Arrita
të rregjistrohem “inkonjito” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kam pasur
pasion shkencat matematike dhe inxhinierike, pasi edhe në shkollë të mesme, të
cilën gjithashtu arrita ta marrë pa dhënë gjeneralitetet e sakta të përkatësisë
nga ana e babait, dola me rezultate të shkëlqyera. Duke u ulur në auditoret e
Universitetit, mendova se po më hapej një mundësi për t’i ikur rrethit të fatit
të trishtë, që më ndiqte si një mallkim për shkak të qëndresës antikomuniste të
babait, por në mes të studimeve, kur e zbuluan se i biri i kujt isha, jo vetëm
më përjashtuan në mënyrën më flagrante të mundshme nga Universiteti, por më tej
do të nisnin ndaj meje sprovat e kalvarit të burgjeve politike, burgjeve ferr
të një regjimi burg. Me prova të sajuara e të montuara keq, pa asnjë hetim
rreth fajësisë sime, e cila ishte sureale, më përplasën në dhomat e izlomit, në
hetuesitë e një kohe të pa kohë, ku iu nënshtrova torturave nga më të egrat e
sadiste, që do t’ua kishin zili dhe inkuiziotorët më fanatikë të Mesjetës.
-Ç’do të thotë të jeshë
në moshën më të bukur të jetës dhe befas…të të ndahet koha në mes, falë një
fataliteti?...
-Është
një makth, që duket sikur të kafshon përbrenda si një përbindësh i fshehtë,
cinik dhe agresiv. Gjithçka që kisha thurur në mendje dhe shpirt si një ëndërr
për jetën rinore qe zhbërë brenda një çasti dhe pati nisur koha e privimeve të
skajshme nga gjithçka. Sot është e lehtë të flasësh, por kur e ke vuajtur në
lëkurë, sa herë që i rikthehesh, qoftë dhe shkarazi asaj kohe, atyre gjurmëve
prej dhimbjeje, ndihesh keq dhe nuk dëshirë të vazhdosh të tregosh…Rrëfimi nuk
të çliron, siç thonë, por duhet rrëfyer, duhen treguar krimet e përbindëshme të
Diktaturës, që brezat të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në atë epokë gjakatare,
që e keqja të mos përsëritet më kurrë.
-Çfarë ndodhi me ju pas
hapjes së Shqipërisë, si përfunduat në Amerikë?
-Hapja
e Shqipërisë erdhi si një ogur shprese për shtresën e përndjekjes politike, por
shumë shpejt ish të dënuarit politikë do të ndesheshin me vështirësi e pengesa
të shumta për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Vujatja e tejaskajshme dhe
privimi i gjatë nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore na kishte lënë
prapa dhe do të duhej shumë kohë që fëmijët tanë të shkolloheshin e të kapnin
kohën e humbur. Nga ana ekonomike ishim të dërrmuar dhe të pashpresë. Gjithë
zhurmënaja e integrimit dhe dëmshpërblimit të vuajtjeve tona në burgjet ferr të
komunizmit rezultoi një retorikë boshe dhe propogandë elektorale e partive, që
zëvëndësonin njëra tjetrën gjatë rrotacionit politik.
Por
le të kthehemi tek pyetja juaj. Për fat të mirë, për mua si person u interesua
një njeri shumë i fuqishëm, një lider me përmasa botërore, falë të cilit shkova
në vendin e bekuar të lirisë dhe të drejtave qytetare, në simbolin e botës së
lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjeta vetveten, atë që s’e kisha
gjetur në vendin tim…Ai ishte ish Presidenti amerikan George H. Ë Bush,
presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1989 deri më
1993, në një periudhë të rëndësishme të shekullit të 20-të, ku ishte dëshmitar
dhe protagonist në rënien e Perdes së Hekurt dhe mitit ideologjik të Bashkimit
Sovjetik. Xhorxh Bushi i Vjetër, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, më
kërkoi dhe përgatiti gjithçka që unë të shkoja në SHBA, ku do të niste për mua
dhe familjen time një jetë tjetër.
-Më pas u lidhët dhe me
presidentin tjetër, Xhorxh Ë. Bush, Bushin e Ri, çfarë të ka bërë përshtypje
tek ai dhe tek plaku, tek at e bir dhe familja Bush?
-
Vajtja në Amerikë hapi për mua një faqe të re të jetës sime, e cila deri
atëhere kishte qenë gri, për të mos thënë e zezë. Bushët u intersuan për mua,
sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Kam hyrje dalje familjare me familjen e
shquar Bush, me te cilën ruaj lidhje dhe kontakte të vazhueshme dhe ju kam qenë
për vizitë në raste gëzimesh e hidhërimesh, në ditë festash e ngjarjesh
përkujtimore, të cilat ata i ndjekin në mënyrë rigoroze. Kam qenë në shtëpinë e
Xhorxh Bushit të Ri kur i vdiq e ëma dhe
tani së fundi kur ndërroi jetë i ati, që ishte një lider karizamtik, me një
madhështi rrëzëllitëse të përmasave botërore. Më kanë pritur me ngrohtësi e
dashuri dhe gjithmonë më kanë pyetur se çfarë mund të bënin për mua dhe
familjen time. Të dy, baba e bir, kanë qenë për mua një derë e hapur, edhe pse
unë falë shtetit amerikan, për ndërtimin e së cilit ata kanë një peshë dhe
kontribut të konsiderueshëm, m’i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe kushtet.
Xhorxh
W Bush (mua më pëlqen ta quaj Bushi i Ri) është njeri me shumë humor, të dëgjon
me vëmendje dhe bëhet pjesë e kujtesës dhe emocioneve të tua, pjesë
shqetësimeve të tua, në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk është fare formal dhe
protokollar, është mjaft i ngrohtë në komunikim, i çiltër dhe veprues, me të
ndihesh mirë dhe mjaft komod.
Jam
tepër falenderues për çfarë kanë bërë për mua, duke më dhënë një mundësi të
madhe që, pas asaj traume të rëndë që kam përjetuar në ferrin komunist, të
shijojë Edenin e lirisë dhe vlerave njerëzore në tokën e bekuar amerikane.