Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Në përkujtim të Inxh. Xhaferr Agaraj, ish i burgosur politik i Spaçit

| E diele, 03.01.2021, 06:22 PM |


Në përkujtim të Inxh. Xhaferr Agaraj ish i burgosur politik i Spaçit, Bir i shquar i Arrëzës së Madhe, Tepelenë

Nga Keze Kozeta Zylo

“Ju nuk e keni jetuar burgun e Spaçit, nuk i keni parë galeritë e këtij burgu, nuk jeni njohur me sasinë e piritit të nxjerrë nga të burgosurit dhe tani në pleqëri të burgosurit nuk kanë marrë pension si ish minatorë, për faktin e mungesës së dokumentacionit”…

Ndërsa mediokrit dhe të pagdhendurit janë ngritur në piedestal dhe ju rëndon gusha nga dekoratat, të diturit, atdhetarët e vërtetë dhe ish të burgosurit politik si Xhaferr Agaraj lihen në harresë nga shteti dhe mediat.  E kujtoj sot nga Nju Jorku Inxh. Xhaferr Agaraj ish të burgosurin politik me respektin dhe mirënjohjen më të madhe për cfare i dha Kombit, Tepelenës, arsimit dhe klasës së të burgosurve politik. Me të drejtën zakonore dhe krenarinë legjitime Inxh.Qemal Zylo si bashkëfshatar me Inxh.Xhaferr Agaraj nga Arrëz e Madhe sjellë kujtimet dhe pohon se shtëpia e tij e gurtë 2 katëshe ndërtuar nga i ati Dervish Agaraj aq patriot dhe luftëtar u kthye në shkollë për Arrëzën e Madhe.  E të kthehet shtëpia banuese në shkollë do të thotë të jesh një dishepull i vërtetë i Rilindasve dhe të përhapësh si dritë hyjnore Gjuhën Shqipe.  Ndërsa shtëpia e tij gumëzhinte nga cicërimat shqip të fëmijëve të Arrëzës një fshat i madh me plot kulturë, patriotizëm, Inxh.Xhaferr Agarës i ishin hedhur prangat në burgjet e diktaturës.

Inxh.Xhaferr Agaraj lindi më 10 qeshor të vitit 1931, në fshatin Arrëz të Madhe të Tepelenës dhe vdiq në Tiranë, më 2018. Më 5 dhjetor 1976, Gjykata e Tepelenës e dënoi me 10 vjet heqje lirie për «agjitacion e propagandë», (dënim i kombinuar) sipas Fjalorit Enciklopedik të viktimave të terrorit komunist.

Inxh.Xhaferr Agaraj nuk ndaloi kurrë së punuari pas lirimit nga burgu në regjimin post diktatorial.

Inxh. Xhaferr Agaraj ishte kryetari i Shoqatës së të Dënuarve Politikë për Integrim me Drejtësi dhe Unitet. Në faqen e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se: “Në kuadër të Javës së Hapur të organizuar, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me qytetarët nga datat 28 Tetor - 4 Nëntor 2016, u zhvillua aktiviteti i prezantimit të auditimit të Departamentit të Performancës,  “Rehabilitimi i ish-të Përndjekurve Politike në Periudhen e Tranzicionit”.  Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të të gjithë Shoqatave të ish të Përndjekurve Politikë të vendit tonë, drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë z. Bilal Kola dhe përfaqësuers të tjerë të stafit të këtij Instituti, drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit z. Agron Tufa, ish të burgosur politikë, disa OJF, përfaqësues të medias, studjues, etj.

Inxh. Xhaferr Agaraj në fjalën e tij vlerësoi Raportin e Auditimit të hartuar nga grupi i punës së KLSH-së, por gjithashtu mbajti një qendrim shumë kritik për punën e qeverive gjatë periudhës së demokracisë. Ai u shpreh se partitë premtojnë para fushatave për zgjidhjen e problemeve të kësaj shtrese, por faktet e tregojnë se nga qeveritë deri tani është bërë vetëm demagogji.  “Ju nuk e keni jetuar burgun e Spaçit, tha ai - nuk i keni parë vuajtjet e të burgosurve në kohën e komunizmit, nuk i keni parë galeritë e këtij burgu, nuk jeni njohur me sasinë e piritit të nxjerrë nga të burgosurit dhe tani në pleqëri të burgosurit nuk kanë marrë pension si ish minatorë, për faktin e mungesës së dokumentacionit, dokumentacion ky që duhet ta administrojë Drejtoria e Burgjeve. Vuajtjet tona nuk paskan patur të sosur. Vuajtje në burg, vuajtje pas daljes nga burgu për të bredhur zyrë më zyrë për të gjetur dokumentacionin përkatës, për të përfituar të drejtat tona, të drejta këto të munguara deri më sot. Çfarë tjetër mund të bëjmë. Shtresa e ish të përndjekurve politikë është shtresa më fisnike e shoqërisë dhe kjo shoqëri nuk po e vlerëson akoma”.

Në këte takim Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve Komuniste dhe tha se AL SAI dha një kontribut të madh në drejtim të analizimit të situatës dhe se ky raport duhet të botohet për të nxjerrë në dritë vuajtjet e të përndjekurve.

Diskutimet u mbajtën nga Z. Tanush Mulleti, Z. Xhaferr Agaraj kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë për Integrim, Z. Ndrec Gjoni një ish i burgosur politik, Z. G joc Gjoci, president i Shoqatës Kombëtare të Pasardhësve të ekzekutuar politik dhe z. Bedri Blloshmi ish i burgosur politik.

Ish të burgosurit politikë kanë bëre disa greva urie.  Njëherë përfaqësuesi i tyre Xhaferr Agaraj u prit në një takim nga Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, por duket se as bisedimet nuk patën rezultat pozitiv. Kërkesat rridhnin nga mospërputhja e ligjeve të bëra nga Berisha dhe zbatimi, thanë më herët të burgosurit politikë, që tashmë kishin hyrë në ditën e 8 të grevës së urisë. Mes të tjerash ata kërkonin zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin financiar të përndjekurve politikë, vlerësimin e letrave me vlerë dhe kompensim të pasurive të konfiskuara të tyre, sipas “Info Arkiva”.

Unë jam për ndërtim dhe jo shkatërrim të vendit

(Si e kujtojnë bashkëfshatarët dhe miqtë e tij)

Për herë të parë me Qemalin e takuam në Tiranë, në lulishten “1 Maji”. Ishte vapë korriku, viti 2010.  Askush nuk mund t’i marrë me mend emocionet që ndjejnë dy bashkëfshatarë me njohje brezash dhe me një dashuri dhe respekt të ardhur paqësisht kur takohen për herë të parë.  Përqafimi i tyre ishte me lot në sy, ishte i dhimbshëm, por një dhimbje e bukur siç thotë poeti kombëtar Ali Podrimja.  Unë po takohem tha Inxh.Agaraj me nipin e Selametit të parë, trimit që luftoi me hordhitë greke, dëgjon ti nuse e Arrëzës më tha?  Une ishja shtangur e tëra, e çuditur, e befasuar nga lotët e tyre si dhe thjeshtësinë e tij gjer në shenjtëri.  Ndërsa unë iu përgjegj Qemali po takohem me birin e shquar të Arrëzës dhe të Shqipërisë, inxhinier Xhaferrin, qëndrestarin e paepur të diktaturës.  Sa krenar ndihem para jush!  Ndërkohë përpara meje ishte ngritur një mal i rëndë që kishte thesare të pazbuluara enkas. Ata folën për shkollën e Arrëzës, shkollë e krijuar shumë herët dhe me plot histori, vendet e bukura si për Gurrën, malet e larta Trebeshinën e Shëndëllinë, Bregu i shkallës, Qafën e famshme të Kiçokut dhe të Arrëzës, mëhallat sipas mbiemrave të Arrëzës, pemët e larta të arrave, çajin e malit, lëndinat e luleve natyrale, si dhe u mbytën në kujtimet nostalgjike të origjinës së tyre, të të parëve që ishin burim frymëzimi për brezat.

Surprizë e këndshme dhe e paharruar ishte dhe ardhja e tij në promovimin e dy librave të mi në Muzeun Kombëtar ne Tirane.  Pasi mori dy librat e mi “Një fjongo Dielli nga Nju Jorku” dhe “Refleksione shpirtërore”, ndërmjet të tjerash më tha:  “Shijojeni Lirinë në vendin më demokratik të botës.  Ata e kanë fituar me luftë lirinë dhe jetën e tyre, sepse së bashku kanë ditur të mundin stuhitë sipas shkrimtarit dhe burrështetasit të famshëm gjerman Gëtes citoi Inxh. Agaraj”.  Këtë thënie do ta mbaj gjatë në kujtesë, përmban një domethënie të madhe.  Ai e donte Lirinë dhe tha se akoma nuk po e shijonte në bazë të parimeve demokratike europiane.

Këtë pakënaqësi të tij gati protestë e lexova më vonë në medien e shkruar, po në atë vit kur 100 ish-të persekutuar paralajmëruan se do të bënin protestë te lidhur me zinxhirë përballë Parlamentit Europian.

Në këta 100 të parë, 15 ishin anëtarët e kryesisë së shoqatës, si për shembull kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Edmond Halimi, Haxhi Baxhinovski, Gjon Kola, Mëhill Gjini etj.  Ai rrezatonte dhe shprehte nivel të lartë kulturor.  I ngazëllyer për Ameriken tha se i jemi shumë mirënjohës Edukatorit dhe shkrimtarit të shquar amerikan Henry Wadsworth Longfellow, sepse ka shkruar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun përkthyer mjeshtërisht nga Fan Noli si:  Mbreti Ladisllav* gjëmon/ Djek si Ferr, si vdekje pret/ Ditën e Rushajevet*/ Dhe nga fush’ e kuqe gjak/ Ikën, rent përpara tij/ E Muratit* ushtëri/ Që shpëtoj e s’ra në lak.

Nje bashkëfshatar i tij Z.Besnik Hoxha i cili është bërë shumë aktiv duke shkruar kujtimet e tij në rrjetin më të madh social në F/B, çka dhe e vlerësoj pamasë pasi historia reale është nga njerëzit e thjeshtë që janë aq origjinal me penën e tyre e kujton me dhimbje dhe nostalgji.

Dhe ja si shkruan: Qysh i vogël dëgjoja në shtëpinë tonë në Arrëz të Madhe të flitej për Dervish Agaraj, ose siç i thërrisnim të gjithë  Xha Isha, për tre djemtë e tij, për të shoqen, për vajzat.  Dëgjoja pothuajse virtualisht vetëm nga bisedat që bëheshin dhe për shtëpitë e tij që ne i thoshim shkolla, por fshati e sidomos lagja jonë që i kishim as 50 metra larg u thoshnim gjithmonë: "Shtëpitë e Dervishit". Dervishi dëgjoja dhe e dija shumë mirë që kishte ikur nga fshati nga fillimi i viteve 1960. Vete Dervishi kish pasur prona disa hektarë me pyje e toka në Veria të Greqisë bashkë me kushëririn e tij Sako Hajder Agarën deri në çlirimin e vendit.  Pastaj u mbyllën kufijtë, Sakua mbeti andej në Veria, fëmijët e gruaja e Sakos mbetën në Arrëz.  Kurse Dervishi ndërtoi shtëpinë që është dhe sot dhe jetoi aty deri sa iku në Laç ku punonte si drejtues djali i tij i madh, Dylberi.  Për herë të parë i kam njohur të tre vëllezërit, Dylberin, Xhaferrin dhe Veron në vitin 1992 kur të tre bashkë erdhën në shtëpinë tonë duke thirrur që te porta me të madhe:  " O Esat Latifi".  Babai doli dhe njohu tre vëllezërit dhe nuk pritën më gjatë, por u hodhën në krahët e njeri tjetrit duke u përqafuar me sytë e lotuar.

Çfarë emocionesh po përjetonin ata burra të vjetër pas një takimi për më shumë se 30 vitesh. Ishin rritur me njeri tjetrin, ishin larguar pa dëshirën e tyre dhe kishin kaluar kalvar vuajtjesh e persekutimesh. Malli për fshatin i kish përvëluar. U futën në oden tonë, u ulën e nuk mbaheshin nga gëzimi.  Në mur ishin fotua e gjyshit, e morën dhe e puthën duke pëshpëritur: Eh Xha Latif, xha Latif, ja ku erdhëm prapë këtu te shtëpia jote.  S’të harrojmë dot kurrë!  U shtrua dreka dhe dollia e parë ishte për gjyshin, pasuar nga tregime pafund të Xhaferrit që nga fëmijëria, ç’mbante mend për të gjitha mes Dervishit e Latifit që kishin qenë bashkë për çdo të mirë e të keqe, por dhe si bashkëpunetor në lufte.  Valoi kënga,të shoqëruara me raki dhe nuk përmbahshin nga gëzimi.

Më në fund ishin të lirë të vinin në fshatin e tyre, të takonin njerëzit pa frikë. Dolën lart te Gurra, nje burim mali me ujë të ftohtë bashkë me ta dhe unë. Atje te Gurra nuk lanë njeri pa takuar, fëmijë, gra, vajza, pleq.  Sa delte ndonjë e pyesnin e /i kujt është e lëshoheshin duke i takuar.  Atëhere takuan dhe shumë bashkëmoshatarë të tyre, shkuan dhe nëpër shtëpira për vizita.  Ky ishte nje kthim pas shumë vitesh në vendin ku u rritën tre djemtë e plakut të mirë Dervishit, Xha Ishës.  Inxh.Xhaferr Agararj u lind në vitin 1931 ne Arrëz, dalluar si nxënës ekselent.  I ati e dërgoi në shkollë për inxhinieri ndërtimi, filloi punë si inxhinier ndërtimi ku dhe i sajuan akuzën për sabotim veprash duke e burgosur dy herë, por qëndroi i pamposhtur përballë akuzave dhe dëshmimtarëve të rremë duke deklaruar se do të punonte për ndërtim dhe jo shkatërrim të vendit.

Pas rënies së sistemit tregoi aftësitë e tij profesionale në fushën e ndërtimit duke u bërë një nga ndërtuesit më cilësor në gjithë Shqipërinë.

Mesues Bashkim Hazizi shkruan me krenari se: “Ata ishin familje fisnike me rrënjë e taban arrëziot.  Para disa ditësh isha në fshat dhe qëndrova mbi shtëpitë e Xha Dervishit.  Çfarë të shikoje ato shtëpi që nuk ranë nga lufta ishin bërë gërmadhë.  Tek ato shtëpi bëmë shkollën dhe më sollën në mendje shokët e mi të asaj kohe”.

Dr.Agron Cibuku flet me respekt për familjen e Dervish Agaraj dhe fëmijët e tij të mrekullushëm.

Z.Myzafer Zeneli thote se “godina tregon zemrën e shpirtin e madh që kanë patur patur ata njerëz që kane jetuar në atë shtëpi, të respektuar ngelën.  Po ajo godinë ka edukuar edhe shumë arrëziot.  Znj.Lida Cibuku Gjati thotë se ishin familje fisnike me njerëz të mrekullueshëm, i kujtoj me shumë dashuri, sidomos Xhaferrin, nje nga njerëzit më të dashur të familjes time, nuk do ta harroj kurrë, as unë, as mamaja e motrat e mia .

Në gazetën “Trebeshina” z.Eqerem Osmani drejtor i gazetës “Trebeshina” e ka kujtuar me një shkrim homazh nën titullin “Një vit pa Xhaferrin” në nderim dhe kujtim të Inxh.Dervish Agaraj.  Ndër të tjera ai shkruan: Inxh.Agaraj dallohej midis shokëve si në Universitet ku mbaroi shkëlqyeshëm inxhinierinë e ndërtimit e kudo.  Ai mbaroi me rezultate maksimale dhe ishte një inxhinier novator dhe projektues shumë i zoti.  Ai punoi në Tepelenë, Tropojë, Sarandë, Ministrinë e Ndërtimit dhe më së shumti ku ishin veprat kombëtare.  Ai kishte pamje burrërore dhe kishte një familje shembull të ndërtuar me bashkëshorten e tij fisnike Ëngjëllushen ku gëzonin djali dhe nusja. Në ditën e shenjtë të mësuesit në Kombinat ishte vlerësuar me çmim mirënjohjeje pas vdekjes nga shoqata “Tafil Buzi” për kontributet financiare dhe idesh.

Mësuesi dhe studjuesi Xhezo Cana shkruan se:  Xhafer Agaraj është një njeri me kulturë të lartë dhe shpirt të madh demokrati.  Babai i tij Dervish Agaraj, ishte një ndër njerëzit më me influencë që kontriboi në çlirimin e vendit në luftën çlirimtare 1942-1944.

Inxhinier Petro Done një intelektual i mirënjohur tepelenas pohon se: “Kush ka studjuar dhe ka punuar me Xhafer Agarajn në kohën e komunizmit e njeh mirë!  Njeri i ditur, i zgjuar dhe për hir të këtyre aftësive, vuajti shumë!  Ruaj kujtime mbresëlënëse për aq sa pata mundësi të qëndroja me të! Respekte të pakufishme!

Duke hulumtuar dhe sjellë pranë jush këtë shkrim për Inxh.Xhafer Agaraj, një erudit, novator në ide dhe vepra, human në cdo fushë të jetës, ish i burgosur politik, veprimtar aktiv dhe atdhetar i flaktë, i propozoj Bashkisë së Tepelenës me kryetar z.Tërmet Peçi që ta vlerësojnë me titullin e lartë: Nderi i qytetit të Tepelenës si dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta me çmimin që i takon një atdhetari si dijetari Inxh.Xhaferr Agaraj.

Dhjetor, 2020

Staten Island, New York